Hyrje

Letërsia arabe, përkatësisht letërsia muslimane e kohës klasike, ndonëse ‘arabe’ sipas karakteristikave thelbësore, është vepër krijuese e tërë një kulture dhe e shumë popujve. Edhe pse qarqet më rigjide muslimane tentojnë të pohojnë se fillimet janë pikërisht me Kur’anin, megjithatë kjo nuk qëndron as në aspektin kulturoro-historik as edhe nga aspekti kur’anor. Periudha parakur’anore është ngushtë e lidhur me periudhën kur’anore, përkundër specifikave doktrinore, përmbajtësore etj.

Poezia si avangardë

Poezia është manifestim i ndjenjave më të larta njerëzore dhe prezanton lloj të veçantë të letërsisë, e cila porosinë e poetit e shpreh nëpërmjet vargjeve dhe përmban një varg figurash stilistike, sikurse janë metafora, rima, krahasimi, hiperbola e të tjera. Sipas disave, poezia është lloji më i vjetër i letërsisë. Këtë fat e ka edhe te arabët. Është sajuar dhe është shkruar në gjuhën e Kur’anit, pa marrë parasysh etninë e autorit, arabe apo joarabe.
Fillimet e poezisë arabe karakterizohen me këndimin e lavdisë për fisin e vetë apo thurjen e ligësisë për tjetrin, kundërshtarin, rivalin etj. Poetët gëzonin famë në mesin e fisit, sepse paraqiste hallkë të rëndësishme në luftën e përgjithshme për dominim të fisit. Vendi më i njohur parakur’anor te arabët është Ukadhi, një lloj panairi garues për poetët, kurse poezia që ata krijonin quhej Mual-laka (poezia e varur), sepse poezia fituese varej në muret e Qabesë përjetësisht.
Në periudhën e hershme dalloheshin dy lloje poezish: higa (satira) dhe fahr (lartësimi i vetvetes). Formë të pavarur ka pasur edhe vargu nasib (vargu erotik), por meqë kishte rol dhe rëndësi individuale, megjithatë vinte pas vargut të kasides (odës). Në parim, kasida paraqiste formën më të kultivuar të shprehjes poetike[1], e cila ishte nga periudha parakur’anore, por formën përfundimtare dhe të përkthyer e mori në shekullin VI. Kasida kishte tre pjesë kryesore: nasib, si hyrje, madih, si pjesa kryesore dhe hatim si epilog, me natyrë didaktike. [2] Poeti më i njohur i kësaj periudhe është Imru’l-Kajsi, pastaj Zuhejr ibn Ebi Sulma, Tarafa ibn-ul-Abdi, Antara ibn Sheddadi, Amr ibn Kulthumi, Lebid ibn Rebia dhe Haris ibn Hillizi.[3]
Në fillim poezia paraqiste një rrezik për muslimanët dhe u dashtë të kalojë një kohë për ta eliminuar këtë rrezik. Natyra e poezisë parakur’anore, ku lavdëroheshin fiset dhe luftëtarët e tyre ishte në kundërshtim të rreptë me frymën njësuese të Kur’anit. Po ashtu, në të parët lavdërohej vera, femrat, bixhozi e shfrenime të tjera, kurse Kur’ani këto vese i luftonte rigorozisht.[4] Njëkohësisht, poezia ishte vetvetiu një rivalitet ndaj Kur’anit. Kjo i zmbrapsi shumë muslimanë nga poezia.
Kjo gjendje e lindi idenë përkatësisht e lindi poezinë ndryshe, pa krenari individuale dhe fisnore, pa krenari për shfrenim e arrogancë. Një lloj i tillë ishte edhe gazeli, gjini kjo që u kultivua nën përkrahjen direkte të halifëve besimdrejtë, kurse e kultivuar nga rinia e qarqeve ensarite dhe muhaxhire.[5] Në periudhën emevit gazeli gëzonte një simpati të konsiderueshme, kështu që kjo gjini letrare filloi të zhvillohet në dy drejtime shprehimore dhe paralele: gazeli i lirë (el-ibahijje) të cilën e përfaqësonte Umer ibn Ebi Rabi’a (vd. 712), kurse u zhvillua sidomos në qytete dhe gazeli që u zhvillua nga idealizimi i dashurisë platonike të kultivuar në shkretëtirë. Ky lloj ishte një dashuri idealistike, e pabastarduar, e panjohur për frymën arabe para Islamit, e bazuar në tregimet popullarizuese të Mexhnunit dhe Lejlës etj. Kasida u zhvillua edhe në periudhën abasite, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, me një lidhje fatlume të frymës dhe traditës arabe dhe persiane. Ajo do të begatohet edhe me poezi moralistike, filozofike e mistike. Ky lloj poezie do të personifikohet në personalitetin e Ebu Nuvvasit (vd. rreth 815), i cili e përqeshi poezinë e Mual-lakateve, por edhe kasidet e mëhershme, duke thurur poezi tjetërfare, hamrijjat (poezia e verës), tardijjat (poezia e gjahut), panegjirikë etj.[6] Mirëpo, për shkak të hapësirës me këtë rast nuk do të ndalemi në hollësi e radhitje të llojeve e specifikave të tyre.[7]

Muhammedi a.s. e aprovoi poezinë e shëndoshë

Shqyrtimi i poezisë nga ana e muslimanëve krijoi kryesisht dy grupe: 1. Ata që e refuzojnë poezinë si armiqësore dhe e konsiderojnë rivale të Kur’anit dhe 2. Ata që e pranojnë, nuk shohin ndonjë të keqe në ekzistimin e saj, madje edhe vetë shkruajnë poezi në lavdi të Islamit, Kur’anit dhe Muhammedit a.s. Të tillët filluan të shkruajnë poezi në mbrojtje të Islamit dhe shtyllave islame. I këtillë në fillim të Islamit ishte poeti Hassan ibn Thabiti, i cili ishte poet edhe para shpalljes kur’anore, por i cili pas pranimit të Islamit u vu në mbrojtje të Muhammedit a.s., duke iu përgjigjur sulmeve të kundërshtarëve me poezi të fuqishme. Më vonë Hassani do të quhet Shair’un-Nebij (Poeti i Pejgamberit). Edhe pse me vlerë modeste letrare, poezia e Hassanit është një dëshmi interesante për një kohë të rëndësishme.[8] Kishte edhe disa të tjerë, si Lebid ibn Rebia, i cili e kishte pranuar Islamin, por nuk dihet a ka shkruar edhe më tej poezi. Të theksohen në këtë rast meritojnë edhe: Ka’b ibn Maliku, Ka’b ibn Zuhejri, Nagib El-Xha’diu dhe Abdullah ibn Revvahu.
Në vazhdim do ta recitojmë një poezi të Abdullah ibn Revvahut, të thënë në tavaf, në prani të Muhammedit a.s.:
Largohuni o jobesimtarë nga rruga e tij,
Largohuni, e tërë mirësia është me Resulin tonë.
Allahu ynë i mëshirshëm, e zbriti me anë të Xhibrilit,
Në Kur’an të cilin ia zbriti Resulit të Tij.
O Allahu im, unë besoj në shpalljen Tënde,
Të vërtetën tënde unë e shoh në Islamin tim.”
Omeri r.a. me të dëgjuar të kësaj poezie, reagoi duke thënë: “O Ibn Revvah, vallë para Pejgamberit të Zotit dhe në Haremin e Allahut i thua dhe i këndon vargjet?” Në këtë çast Pejgamberi a.s. iu përgjigj Omerit r.a.: “Lëre o Omer, vargjet tek ata do të ndikojnë më shpejtë se sa shtizat e ngrehura.” (Tirmidhiu).[9]
Kemi raste të shumta kur Muhammedi a.s. ka qenë faktor i drejtpërdrejtë i disa rasteve, kur lëre që nuk e ndaloi poezinë, por madje, edhe vetë dinte shume vargje përmendsh dhe recitonte shumë sosh para miqve të tij. Edhe pse nga njerëz të painformuar mendohet se Muhammedi a.s. kishte qëndrim negativ ndaj poezisë, e vërteta është se ai me dëshirë i dëgjonte vargjet e poetëve sikurse janë vargjet e Umejje ibn Ebi El-Saltit, Ka’b ibn Zubejrit por edhe i përkrahte ata etj.[10]
Me fjalë të tjera, Islami nuk e ndaloi shkrimin e poezisë, por duhet pranuar se poezia as nuk ishte prioritet i muslimanëve, kundrejt shkencave që paraqisnin shtyllë të ekzistimit. Normalisht, dijetarët muslimanë kishin qëndrim negativ ndaj poezisë që lavdëron dhe nxit haramet, shfrenimet dhe adhurimet e shtrembëruara e të ngjashme.[11]

Poezia islame në trojet tona

Edhe në vendin tonë poezia muslimane është kultivuar që nga kohët e hershme. Madje, sipas studiuesit Hasan Kaleshi, poezia ka qenë gjinia letrare dhe disiplina shkencore më e kultivuar nga shqiptarët. Ai vazhdon të pohojë se shqiptarët i kanë dhënë poezisë osmane disa poetë, të cilët i dhanë një vulë epokës së vet, futën një rrymë të re në poezinë osmano-turke, treguan një origjinalitet të vetëm dhe hapën rrugë të reja.[12]
Stërgjyshërit tanë dhanë emra të mëdhenj në fushën e poezisë, kurse Prizreni nga qytetet shqiptare e mori nofkën “Gurra e poezisë”. Emrat e Suzi dhe Nehari Prizrenit, Mesih Prishtinasit, Jahja bej Dukagjinit, Axhize Baba Prizrenit, Nezim Frakullë Beratasit, Muhamed Kyçyk Çamit, Zenel Bastarit, Ymer Lutfi Paçarizit, Mulla Malës dhe shumë e shumë të tjerëve na obligojnë në vëmendje të veçantë në hulumtimet e ardhshme dhe në vazhdim të kësaj krijimtarie të rafinuar.
Shumica dërrmuese e poetëve kishte mësuar nëpër medrese dhe shkruanin divane në gjuhën osmane apo persishte, filluan të shkruajnë edhe në gjuhën shqipe. Karakteristikë e poezisë së këtillë ishte sepse ajo ende nuk ishte bërë poezi popullore, por më tepër ishte poezi elitare. Me kalimin e kohës, kjo poezi do të familjarizohet me shtresat e popullit, sikurse kemi Nezimin, Haxhi Et’hem beun dhe të tjerë.[13] Në këto zhvillime do ta theksojmë edhe një nëngjini letrare, poezinë e teqeve, që do të rezultojë me një varg krijimesh letrare, për fat të keq ende të pastudiuara si e sa duhet.[14]
Kjo poezi ndër shkencëtarët njihet si poezia e bejtexhinjve, kurse te ne ka arritur vetëm një pjesë e saj, a jo e shkruara, sepse pjesa më e madhe e saj ka qarkulluar nga goja në gojë, përmendsh, pa u shkruar, dhe në këtë mënyrë është gjykuar të humb përgjithmonë. Shumica e kësaj poezie është shkruar në gjuhën shqipe por me grafema arabe, apo me alfabetin shqip të adaptuar nga arabishtja. Ky lloj letërsie është zhvilluar deri në fillimet e shekullit XX, për të ngecur. Më nuk kemi emra që do të shquhen dhe krijojnë emër. Aty-këtu ndonjë individ që shfaqet nuk ngre peshë në këtë fushë të pafund. Mirëpo, gëzon fakti që viteve të fundit kemi disa emra që po përpiqen t’i lidhin fijet e shkëputura me të kaluarën për ta ndërtuar një të ardhme të begat.
Tematika e poezisë së bejtexhinjve ishte karakteristikë e kohës kur shkruhej: feja, politika, ekonomia, korrupsioni, lirika, epika ishin temat më të përsëritura. Por, megjithatë kanë dominuar temat drejtpërdrejt të motivuara nga Kur’ani dhe tradita islame, e sidomos shquhet poezia e Jusufit dhe Zulejhasë.

Në vend të përfundimit

Të folurit për poezinë si ‘krijim’ shpirtëror nuk mund të përfundohet, sepse gjeniu njeri do të vazhdojë të këndojë e shkruajë, përkundër krajatave dhe odisejadave që populli i ka përjetuar në qindvjetëshin e fundit.
Mbetet të besojmë se ndonëse ky shkrim i shkurtër nuk do të ofrojë një tërësi për poezinë muslimane në botë dhe te ne, megjithatë do të freskojë mendjen tonë dhe do të ofrojë një ide të përgjithshme për letërsinë – poezinë e arealit islam.



[1] N. Smailagic, Klasicka kultura islama, II, Zagreb, 1976, fq. 96.
[2] Sipas: N. Smailagic, po aty, fq. 334 -336.
[3] Gjerësisht për mual-lakatet shih: Jusuf Ramic, Obzorja arapsko-islamske knjizevnosti, Sarajevo, 1999, fq. 9-35.
[4] Disa nga poetët që silleshin si konkurrentë të Kur’anit dhe fesë islame ishin Ebu Azzau, Nadr b. El-Harithi dhe Ka’b ibn Eshrafi. Sipas: N. Smailagic, po aty, fq. 340.
[5] Sipas: N. Smailagic, po aty, fq. 342.
[6] M. Gjukanoviq etj., po aty, fq. 112-113.
[7] Sipas: N. Smailagic, po aty, fq. 348 e tutje. Shih llojet e poezisë: S. Grozdanic, Na horizontima arapske knjizevnosti, Sarajevo, 1975, fq. 20.
[8] M. Gjukanoviq & R. Bozhoviq, Letërsia arabe, në: Grup autorësh, Historia e Letërsisë Botërore, Prishtinë, 1987, fq. 108.
[9] Jusuf Ramic, po aty, fq. 65.
[10] Sipas: N. Smailagic, po aty, fq. 341.
[11] Lexo një studim të mirë për poezinë paraislame dhe islame: Esad Durakovic, Prolegomena za historiju knjizevnosti orijentalno-islamskoga kruga, Sarajevo, 2005, fq. 228. Shih sidomos fq. 223-275.
[12] Këtë e pohon edhe orientalisti anglez E. J. W. Gibb, A History of Ottoman Poetry, London, 1902, fq. 16 e tutje, sipas: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizreni, 1411/1991, fq. 19.
[13] Hasan Kaleshi, po aty, fq. 10.
[14] Hasan Kaleshi, po aty, fq. 38-46.



Publikuar ne revisten SHENJA. nentor, 2012.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi