Në kohë absurditetesh dhe paradoksesh të shumta, të cilat po përjetojmë, nuk është shumë e çuditshme nëse dëgjojmë ose shohim brenda një kohe të shkurtër provokime të llojllojshme që u bëhen ndjenjave dhe bindjeve më të shenjta të myslimanëve anekënd botës ku jetojnë.
“Arti” i provokimit dhe ngjalljes së revoltës ndër myslimanë duket se po zhvillohet me një ritëm të shpejtë dhe, në mungesë të masave parandaluese ligjore, mëton të marrë karakter përshkallëzimi të mëtejshëm. Ata që lakmojnë të prekin në shenjtëritë e myslimanëve, nuk janë ndoshta edhe të pakët, ndonëse guximin për ta bërë një gjë të tillë e marrin vetëm ata më të ulëtit prej tyre.
Investime të mëdha për synime të ulëta
Përcjellësit e ngjarjeve ndërkombëtare për një kohë jo edhe aq shumë të gjatë, patën rastin të shokoheshin nga një sërë surprizash e përpjekjesh të vazhdueshme, të cilat synonin të denigronin personalitetin e të Dërguarit mëshirë për mbarë botët-Muhamedit s.a.v.s.. Ato disa herë u manifestuan me paraqitjen e tij nëpër piktura satirike, të cilat u botuan në disa revista evropiane, për të vazhduar së fundi me “ filmin “ më kontrovers, e ku ta dimë se çfarë surprize ogurzezë do të na sjellin njerëzit e këtij sensi ditët në vijim.
Për sa i përket të Dërguarit a.s., ai ishte i mësuar me ofendime nga më të ndryshmet që i kishin bërë pabesimtarët sa ishte gjallë ai, por “çuditërisht” ato kishin dhënë efekte të kundërta nga ato që i kishin pritur ofenduesit. Numri i atyre besimtarëve që besuan fjalët dhe porositë e tij, për mërinë e ofenduesve, rritej me një ritëm të paimagjinueshëm. Është thënë se historia përsëritet, dhe sot, pas 14 shekujsh, me gjithë shumat e mëdha të parave që shpenzohen, dhe fushatat e orkestruara me mjeshtëri të rrallë, që ndërmerren kundër islamit dhe myslimanëve, rezultatet janë dëshpëruese dhe zhgënjyese për të gjitha qarqet e tilla.
Megjithatë, një është e sigurt - që Allahu e ka garantuar triumfin e kësaj feje, me gjithë shpenzimet e mëdha që bëhen për të fikur dritën e saj. Thotë i Lartmadhërishmi në Librin e Tij fisnik: ”Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut.
Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten.
E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehennem”. (El Enfal, 36). Dashuria e myslimanëve ndaj personalitetit të Muhamedit s.a.v.s. dhe përkushtimi i tyre që të ecin gjurmëve të tij me përpikëri, sa vjen e rritet. Ndërkaq, në anën tjetër,te një numër jo edhe i vogël i jomyslimanëve shtohet kureshtja për ta njohur këtë figurë aq shumë të atakuar. Këta të fundit, pas studimeve të thella, jo aq rrallë ndodh që ta besojnë atë, dhe sistemin e jetës së tyre më pas ta zhvillojnë konform me porositë e tij.
Roli i dijetarëve karshi këtyre provokimeve
Para provokimeve të tilla myslimanët në përgjithësi gjendeshin në një situatë tejet të vështirë. Veprimet e kësaj natyre preknin thellë shenjtëritë e tyre dhe nga ndjenja e tyre e përgjegjësisë në raport me Muhamedin s.a.v.s., shumë prej tyre nuk dinin se në ç’mënyrë të shprehnin reagimin ndaj veprimeve të tilla. Në rrethana të tilla kaq konfuze, ishte e lehtë që timonin e udhëheqjes së ndjenjave dhe veprimeve të shumë myslimanëve, ta merrnin njerëz të cilët nuk ishin në gjendje të parashikonin përfundimin e iniciativave të tilla.
Ata nuk ishin të gatshëm aspak të ndaleshin e të vinin në peshojë anët pozitive dhe ato negative të veprimeve të cilave morën guximin t’u prinin. Për të mos paragjykuar qëllimet e tyre, ndoshta edhe supozonin se ai ishte reagimi më i qëlluar në ato rrethana. Mirëpo pozitivitetin ose negativitetin e hapave të tillë e treguan pasojat e mëvonshme. Ishte mjaft domethënëse fjala e Abdullah ibn Mes’udit, kur pati thënë:” Sa prej njerëzve që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira, nuk i qëllojnë fare ato.(1)
Një numër jo edhe aq i vogël i viktimave, imazhet e dhunës e të brutalitetit që mbuluan ekranet e televizioneve botërore - ishin vetëm disa nga “frytet” e hapave të tillë që korrën myslimanët pas këtyre reagimeve të pakontrolluara.
Por, një gjë duhet ta konstatojmë: turmat e atyre që paraqitën imazhe të tilla i korrën këto rezultate, mu për shkak se ata nuk iu bindën thirrjeve racionale për vetëpërmbajtje dhe maturi, që dijetarët-ulematë dhe ideologët e Islamit ia drejtuan Ymetit islam. Është fjala për atë grup të dijetarëve për të cilët Muhamedi a.s. ka thënë: ”Diturinë e kësaj feje në secilin prej brezave që vijnë pas meje, do ta bartin ata dijetarë të drejtë të cilët i shmangin dhe mënjanojnë nga ky ymet devijimet e ekstremeve, adoptimet e gabuara (përvetësimet) të gënjeshtarëve dhe interpretimet e injorantëve”.(2)
Nga ky hadith kuptohet që misioni i dijetarëve të vëmendshëm që preokupohen nga çështje dhe problematika të myslimanëve, shtrihet në rrafshe të shumta. Në njërën anë kërkohet prej tyre që t’i shmangin devijimet e atyre njerëzve që kanë prirje që gjërat t’i kapin në skajshmëritë e tyre ekstremet, pastaj duhet të qartësojnë qëndrimet e Islamit në lidhje me shpifjet dhe gënjeshtrat e gënjeshtarëve që flasin në emër të tij ose kundër tij, e që kanë tendenca dashakeqe kundër kësaj
feje dhe myslimanëve. E rrafshi i fundit është ta vetëdijësojnë masën për interpretimet e gabuara të injorantëve që flasin në emër të fesë e që nuk e njohin fare atë. Secili nga këto tri misione, me të cilat Muhamedi a.s. i ngarkoi dijetarët e drejtë të merren pas tij, është një barrë e rëndë që do të duhej ta kryenin me përkushtim të skajshëm, sepse mungesa e përkushtimit të tyre lë hapësirë që timonin e orientimit të Ymetit islam në kohë të ndryshme të sfidave e krizave ta marrin ata njerëz që s’mund të parashikojnë asnjëherë pasojat e veprimeve të tyre të gabuara.
Në një situatë të tillë nëpër të cilën kaloi Bota Islame, forume dhe organizata të ndryshme islame nga të gjitha anët e globit dënuan veprimet që denigrojnë dhe nënçmojnë ndjenjat fetare të cilitdo komunitet fetar dhe kërkuan që të miratohen ligje të karakterit ndërkombëtar, të cilat të ndëshkonin autorët e veprave të tilla. Ata njëherësh kërkuan që kundërpërgjigjja ndaj veprimeve të tilla të jetë e kujdesshme dhe me maturi, dhe në asnjë rrethanë me akte të dhunshme e me sulme ndaj ambasadave të huaja në botë.
Por misioni i dijetarëve të mirëfilltë nuk përfundon me denoncimet e tyre dhe as me një komunikatë për media, që do ta bënin menjëherë pas ngjarjeve të tilla. Këtë gjë e vunë në pah një numër jo i vogël i tyre. Sipas tyre, kërkohet vetëdijesimi i masave myslimane që fjalët dhe veprimet e përkryera të Muhamedit a.s. të jenë të pasqyruara dhe të jetësohen me konsekuencë në jetën praktike të secilit mysliman. Në këtë mënyrë, njerëzit që tentojnë të diskreditojnë personalitetin e tij, kushdo qofshin ata, do të duhej të turpëroheshin nga veprimet e tyre nga mirësjellja dhe etika e lartë që do ta tregonin pasuesit e Muhamedit a.s. kudo që jetojnë.
Duhet të jemi objektivë e të pranojmë faktin se tiparet dhe virtytet e të Dërguarit të Allahut nuk janë të pasqyruara në nivel të kënaqshëm ndër myslimanët bashkëkohorë, rrjedhimisht imazhi i tij tek njerëzit që s’janë të gatshëm të
shpalosin faqet e historisë së tij, do të mbetet i pakristalizuar dhe i panjohur. Identifikimi i personalitetit të Muhamedit a.s. dhe vetë mësimeve të Islamit, me veprimet e një numri të myslimanëve, mund të shfytyrojnë pikëpamjet e njerëzve rreth tij dhe të krijojnë stereotipe të gabuara për të.
(1) Sunenu Darimijj. Ed-darimijj, (179). Darul-Kitab Elarabijj. Bejrut. 1407 h. Fjala e Ibn Mes’udit ka zingjir të sakt të transmetuesve.
(2) Shih: Fejdul Kadir. El-Menavij.(6396). El-mektebetu et-tixharijetu el-kubra. Egjipt.
Publikuar në DituriaIslame 268