Pasojat dhe parandalimi i zemërimit dhe dhunës

Didmar ef.Faja

Zemërimi është një ndjenjë e cila shkaktohet nga një mospëlqim. Ka njerëz të cilët zemërohen më shumë se disa të tjerë, por sidoqoftë, ky fenomen është një dukuri njerëzore që gjendet pothuajse tek çdo njeri.
Njeriu, mundet që zemërimin ta mbajë dhe mos të veprojë në bazë të tij, sidomos në ato raste kur ai gjykon dhe vendos në bazë të ndjenjave dhe jo logjikës së shëndoshë. Në shumicën e rasteve kur njeriu vepron në këtë mënyrë arrin tek dhunimi i të tjerëve, qoftë në anën fizike, ose në shkeljen e ndjenjave të tjerëve.
Me plot bindje shprehem se zemërimi i panevojshëm dhe dhuna janë pasojë e formimit të dobët të individit nga aspekti fetarë dhe interesi shumë më i madh për këtë botë temporale, sesa atë të përhershmen. Këtë do e sqaroj më poshtë me më shumë detaje.
Në librin Shemāil el-Nebijj të imam Tirmīdhi, thuhet se Profeti (a.s.) nuk zemërohej për gjëra të kësaj bote dhe materializmin e saj, por kur shkelej e drejta ose e vërteta (el-ḥaḳḳ), ai zotëri nervozohej derisa e drejta të dilte në pah.[1]
Nëse shikojmë realitetin e shumë njerëzve sot, do vërejmë se interesi material dominon mbi çdo gjë. Njerëzit nuk zemërohen shumë nëse nuk e falin namazin, nëse nuk e japin zekatin, ose nëse nuk e ndihmojnë të varfrin, por kur atyre u shkaktohet zbritje pasurie, në disa raste as gjumi i natës nuk i merr. Dhe një herë, interesi material është dominues në natyrën e shumë njerëzve.
Le t’i kthehemi traditës profetike. Në transmetim që gjendet tek përmbledhja e Buhariut dhe tek përmbledhësit tjerë të traditës profetike,raportohet nga Ebu Hurejreh se një burrë erdhi tek i dërguari i Allahut, Muhammedi (a.s.) dhe i tha: “Më këshillo!” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Mos u zemëro!” personi e përsëriti (disa herë pyetjen duke shpresuar një përgjigje tjetër), Profeti (a.s.) i tha: Mos u zemëro!”[2]


Dhuna

Ka disa lloje dhune: Dhuna familjare, dhuna e një diktatori ndaj shtetasve të tij, etj. Në këtë ligjëratë do flas më shumë rreth dhunës familjare, problem ky që ekziston kudo në botë. Dhuna nuk i përket vetëm një race ose një grupacioni religjioz. Ajo gjendet në të gjitha shtresat, ngjyrat, gjuhët dhe gjinitë njerëzore.
Siç e përmendëm dhe në fillim të ligjëratës, nuk konsiderohet dhunë vetëm kur njeriu shfaq dhunë fizike, por gjithashtu përfshihet shkelja ose dhuna e ndjenjave. Shtypja (ḍhulm) është pjesë e dhunës. Për këtë i dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Shtypja (do paraqitet si) errësira në Ditën e Gjykimit.”[3] Kjo thënie pasqyron shumë qartë efektet negative të shtypjes ose tiranisë ndaj krijesave tjera, por dhe ndaj vetvetes, për të cilën njeriu do ketë një përgjithësi të rëndë Ditën e Gjykimit. Dhuna dhe jo-tolerimi në familje dhe shoqëri nuk ka vend të sjelljen e muslimanit.
Megjithëse psikologët perëndimorë dhe dijetarët e çështjeve sociale shprehen se dhuna nuk i përket vetëm një lloj religjioni, sidoqoftë shumë njerëz në perëndim mendojnë se Islami është fe intolerante dhe e dhunës. Këto bindje kanë krijuar trazira dhe krime të ndryshme jo vetëm në perëndim, por dhe në vendet Islame. Është e vërtetë se ekzistenca e dhunës gjendet në disa shoqëri të ulta muslimane, por Islami është i pastër nga dhuna. Përkundrazi, thekson rëndësinë e tolerancës dhe e mirëkuptimit me krijesat e Zotit.
Para pak kohësh po shikoja një emision, i cili ishte transmetuar në kanalin televiziv të Amerikës, FOX 2 News. Në mes të tjerësh, të ftuar ishin dhe dy priftë dhe një imam. Një nga priftët ishte Terry Jones, i cili para dy vitesh dogji Kur’anin në kishën e tij në Florida. Nga shkaqet e djegies paraqiste dhe fenomenin e vrasjes me gurë të femrave në botën Islame. Imami prezent iu përgjigj se një rregull i tillë nuk gjendet në Kur’an, por në Bibël, duke shtuar gjithashtu se megjithëse një fenomen i tillë gjendet në Bibël, ne nuk mund t’i vendosim në një grup të gjithë të krishterët duke i etiketuar si njerëz të dhunës.
Në Amerikë, nga dhuna e madhe familjare, i gjithë muaji i tetorit është quajtur si muaji kundër dhunës familjare. Në një emision tjetër televiziv, i cili është transmetuar disa muaj më parë në kanalin nacional Amerikan, CNN, ishte e ftuar Eesha Pandit, drejtorja ekzekutive e shoqatës kundër dhunës, Men stopping violence. Mes disa fakteve rreth dhunës ndaj grave, ajo përmendi se dëmtimi më i madh i femrës Amerikane vjen nga dhuna familjare.
Le të reflektojmë pak mbi sjelljen e Profetit Muhammed (a.s.), i cili jetoi para 1400 vitesh, në një kohë kur vajzat e vogla varroseshin për së gjalli. Pak para ndërrimit të jetës së Profetit (a.s.), vajza e tij, Fatimja (r.a.) iu afrua babait dhe ai i pëshpërit diçka në vesh dhe Fatimja qau. Më pas i pëshpërit përsëri dhe ajo buzëqeshi. Kur u pyet për veprimin, tha se në fillim Profeti (a.s.) më tregoi për ndarjen e tij nga kjo botë dhe unë qava. Pastaj më tregoi se unë do isha zonja e grave të Xhennetit, (dhe sipas disa transmetimeve, e para që do e shoqëroja atë në Parajsë) prandaj dhe buzëqesha.[4] Tani nëse mendojmë pak, do kuptojmë se ata nuk kishin vetëm një lidhje të mirë sipërfaqësore baba dhe bijë, por një lidhje shpirtërore më të madhe se e para. Pra, Fatimja gëzohej se do ishte në shoqërinë e babait të saj në botën tjetër, e cila është një shoqëri e përhershme dhe më e ngushtë se e para.
Kështu shprehet për kujdesin e fëmijëve ai zotëri: “Unë, kur çohem për Namaz kam dëshirë ta zgjas atë, por dëgjoj qarjen e fëmijës dhe shpejtoj në Namaz, duke mos pëlqyer që t’ia vështirësoj nënës së tij.”[5]
Gjithashtu kur bëhet fjalë për relacionin e Profetit (a.s.) me gratë e tij, thuhet se ai asnjë herë nuk e ka ngritur dorën ndaj asnjë gruaje të tij, por përkundrazi, i ka dashur dhe i ka respektuar ato. Kështu u shpreh njëherë. “Besimtarët që e kanë besimin më të plotësuar janë ata që kanë sjelljen më të mirë dhe më të mirët nga ju janë ata që janë më të mirët me gratë e tyre.”[6]
Nëse shikojmë sjelljen e tij me ata që i shërbenin atij, do gjejmë fjalën e Enesit (r.a.), i cili tregon se, i shërbeva Profetit (a.s.) për dhjetë vjet dhe asnjëherë nuk më tha pse e bëre këtë ose pse nuk e bëre.[7] Toleranca dhe mirësjellja ishin rrënjë të personalitetit të atij zotërie. Kjo vjen ngase vetë Zoti është Bujar dhe i Mëshirshëm me krijesat e Tij dhe është Ai që e edukoi Profetin Muhamed (a.s.). Ja se si u shpreh ai zotëri: “Më edukoi Zoti im me edukatën më të mirë”[8]
Të dashur besimtarë! Një nga emrat e Zotit është “Paqësori” (el-Selām). Në raportin tonë me krijesat e Tij që nuk janë të dëmshëm ndaj nesh, duhet të jemi njerëz të paqes dhe tolerancës. Në këtë mënyrë përfitojmë dhe nga paqja e Allahut, gjë që e ka të nevojshme çdo njeri. Për këtë dhe Profeti Isa iu lut Allahut që në djep:

“Paqja qoftë mbi mua në ditën kur linda, ditën kur do vdes dhe ditën kur do ringjallem.”[9]


Dëmet

Zemërimi i panevojshëm dhe përdorimi i dhunës është një ndër shkaqet kryesore i dështimeve në jetë, ngaqë sjell pasoja negative. Mendoni kur keni vepruar në bazë të ndjenjave të zemërimit, gjithmonë në fund jeni penduar se ndoshta duhej të qetësoheshit dhe pastaj në bazë të logjikës së shëndoshë të vepronit. Mendoni rreth atyre që kryejnë krime të rënda, për shembull një vrasës. Ai pas vrasjes pendohet, por nuk mund ta kthejë të vrarin përsëri në jetë. Për këtë transmetohet nga Imam Aliu (r.a.) të ketë thënë: “Fillimi i zemërimit është marrëzi dhe fundi vrasje e ndërgjegjes.”[10]
Zemërimi i panevojshëm dhe dhuna, prishin moralin dhe karakterin e njeriut. Në komentimin e Ṣaḥīḥ Muslim të Imam Neveviut dhe të disa dijetarëve të tjerë, citohet thënia me vlerë e dijetarit të njohur të Marokut, Abdullah Ibn Ebi Zejd (v. h. 385-996), i cili është shprehur: “Morali dhe sjellja e mirë përmblidhet në katër Hadithe profetike, dhe një prej tyre është dhe hadithi ku Profeti (a.s.) i drejtohet burrit me fjalët: “Mos u zemëro!”[11]
Në librat e vjetër gjithashtu gjendet: “O Davud! Kujdes nga zemërimi i tepërt, sepse zemërimi i tepërt prish dhe zemrën e të urtit.”[12]


Trajtimi i zemërimit

Sipas porosive Profetike njeriu në momente zemërimi duhet të ulet ndenjur, të marri abdest, duke shuar zjarrin që vjen nga djalli, me ujë, gjithashtu dhe thënia e E ‘ūdhu bil-lāhi min el-shejṭān el-raxhīm, që do të thotë: Kërkoj mbrojtjen e Zotit nga djalli i mallkuar.
Shkak kryesor i zemërimit që përfundon në dhunë është dhe mendjemadhësia, veçori e vjetër djallëzore që e bën njeriun të mendojë se është gjithmonë në të drejtën dhe të tjerët janë gabim. Kjo ndodh nga vet fakti se nga mendjemadhësia njeriu nuk pranon të marrin mendimin ose këshillën e dikujt tjetër dhe si pasojë, jo vetëm se bëhet kundërshtues dhe argumentues, por dhe i polarizuar në shprehje dhe gjykime.
Përveç atyre më lart, është e rëndësishme dhe ruajtja e gjakftohtësisë, e cila në këtë rast tregon kontrollin e vetvetes (nefs). Cilësi e besimtarëve të devotshëm është kontrolli i vazhdueshëm i epsheve. Ja se ç’thuhet në Kur’an:
“..të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.”[13]
Nëse mendojmë rreth këtij verseti do kuptojmë se njeriu nëse nuk punon me veten e tij, nuk do arrijë ta japi lëmoshën, nuk do e kontrollojë zemërimin dhe as që do falë njerëzit. Vërejeni se si verseti mbaron me fjalët: wallāhu juḥibb el-muḥsinīn, “…Allahu i do bamirësit”. Fjala muḥsinīn mund të përkthehet dhe: ata që përmirësojnë vetet e tyre. Pra, këto tre kategori besimtarësh që përmenden, duke përfshirë dhe ata që mposhtin zemërimin, janë veçori të atyre që përmirësojnë vetet e tyre.
Allahu na bëftë nga të tillët dhe na largoftë


________________________________________
[1] Muhammed ibn Isa el-Tirmidhi: Shemail el-Nebijj, Dar el-Garb el-Islami, Bejrut, 2000, hadithi 225, fq. 133.
[2] Muhammed el-Bukhari: Sahih el-Bukhari bi sherh el-Kirmani, Botimi 2, Dar Ihja Turath el-Arabi, Bejrut, 1981, v. 21, hadithi 5740, fq.233-4.
[3] Bukhari: Sahih el-Bukahri bi sherh el-Kirmani, v. 11, Hadithi 2284, fq. 20.
[4] Muslim ibn el-Haxh-xhaxh: Sahih Muslim, Dar el-Tibeh, Rijad, 2006, v. 2, hadithi 2451, fq. 1146.
[5] Bukhari: Sahih el-Bukhari, v. 5, hadithi 678, fq. 85-6.
[6] Ebu Isa el-Tirmidhi, El-Xhamiu el-Sahih, Mektebeh ve Metbeah Mustafa Elbabi el-Halebij, Bot.2, Kajro, 1978, v. 3, hadithi 1162, fq. 457.
[7] Tirmidhi: Shemail el-Nebijj, hadithi 345, fq. 192.
[8]Muhammed bin Ali El-Shavkani: El-Fevaid el-Mexhmu-ah, El-Mekteb el-Islamij, Botimi 3, Bejrut, 1987, Fq.287.
(Në lidhje me këtë hadith, dijetari El-Shvkani e konsideron zinxhirin e tij në disa vende jo të qëndrueshëm, por sidoqoftë për këtë hadith është thënë që përmbajtja është e saktë).
[9] K. (19:33).
[10] Muhammed ibn Muflih el-Mekdisijj: Al-Adab al-Shar’ijjeh, Muesseseh el-Risaleh, Botimi 3, Bejrut, 1999, v. 1, fq. 205.
[11] Ebi Abdullah el-Razi: Meshjekhah Ebi Abdullah el-Razi, Dar el-Hijrah, Rijad, 1994, fq. 196.
[12] Muhammed Ibn Sehl el-Shamirijj: Masavi’ el-ekhlak ve mezmumiha, Mektebeh el-Sevadi’ el-Tevzi’, Xhiddeh, 1992, fq. 151.
[13] K. (3:137).



Ligjërata e së premtes mbajtur në Greenway Masjid me 22 dhe 29 Mars 2013