Të gjitha gjallesat i krijuam nga uji

Allahu i Madhëruar në Kur’anin famëlartë thotë: ”A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë? (el-Enbija, 30)

Imam Katade duke e komentuar këtë ajet thotë: "Ruajtja e jetës e të gjitha krijesave vjen përmes ujit"
Kurse Allahu i Madhëruar thotë: “Ne lëshuam me masë ujë nga qielli dhe atë e përqendrojmë në tokë. Po Ne kemi mundësi edhe ta humbim atë (ujin) (el-Mu'minun, 18)

Ky ajet flet për një nga begatitë më të mëdha që Allahu i plotfuqishëm u ka dhuruar krijesave të veta, e kjo uji, pa të cilin nuk mund te jetojnë njerëzit, kafshët e as bimët. Në këtë ajet thuhet se Allahu i Madhëruar ka caktuar që uji të jetë në tokë, në mënyrë që njeriu të mund ta shfrytëzoi atëherë kur ai ka nevojë për të, duke hapur puse apo duke e nxjerr atë në mënyra të tjera. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar disa ujëra ia ka lënë në dispozicion njeriut pa gërmime, e ato janë lumenjtë, përrenjtë, burimet, liqenet, detet dhe të ngjashme. Allahu i Madhëruar është në gjendje që ujin që është në tokë ta zhduk. Ky është një paralajmërim dhe një kërcënim për njerëzit, në qoftë se ata nuk janë mirënjohës për këtë, si dhe për të mirat tjera, që mund t’i godas thatësira, që si rezultat do të ketë pasoja të rënda për njerëzit, kafshët dhe bimët. Në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: " Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t'ju sjell ujë mbitokësor (burimor)?” (el Mulk, 30)

Allahu i Madhëruar, ua përkujton njerëzve dhuratën e ujit që ua ka lënë në dispozicion, dhe lidhur me këtë thotë: “A e shihni ujin që po e pini? A e lëshoni ju apo Ne nga retë . Nëse duam, mund ta bëjmë te njelmët - pse nuk jeni mirënjohës”. (El-Vaki'a, 68 – 70)

T’ia shuash etjen një te eturi është një nga veprat më të mira që besimtari mund të bëjë. Është pyetur Abdullah Ibn Abasi r.a. cila është sadakaja më e vlefshme, e ai tha:'' Uji, a nuk e keni lexuar ajetin Kur’anor në të cilin banoret e xhehennemit, kërkojnë ndihmë nga banoret e xhennetit duke thënë: “Banuesit e zjarrit i thërrasin (dhe i lusin) ata në xhennet (duke u thënë): "Na qitni diç nga ju apo nga ajo që u ka furnizuar All-llahu (se mbaruam nga etja)!" Ata (në xhennet) thonë: "Allahu i ka ndaluar që të dyja këto për jobesimtarët!"! (El- E'raf; 50)

Ebu Hurejre r.a, transmeton se Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: " Një rast një njeri duke udhëtuar, e kishte kapluar etja e madhe. Ai arriti te një bunar zbriti dhe piu ujë. Kur doli nga bunari, e pa një qen i cili për shkak të etjes se madhe po lëpinte pluhur. Atëherë njeriu tha: "Edhe këtë qen e paska kapluar etja sikurse mua.” Atëherë ai përsëri zbriti në bunar dhe e mbushi këpucën e tij me ujë, e kapi me dhëmbë dhe u ngjit nga bunari, i dha ujë qenit, Allahu për këtë e falënderoi dhe ia fali mëkatet" Pastaj Sahabët pyetën:" O i dërguari i Allahut, a kemi shpërblim edhe kur u japim kafshëve ujë?” Ai u përgjigj: "Për çdo krijesë të gjallë keni shpërblim (kur i jepni ujë, kur e ushqeni dhe kur silleni mire me to)” (Buhariu).
Në një transmetim tjetër thuhet se kësi rasti ka ndodhur me një grua prostitutë, të cilës Allahu i Madhëruar ia kishte shlyer gjynahet për arsye se i kishte dhënë ujë qenit.
Po e shohim se çfarë shpërblimi kemi nëse u ofrojmë ujë kafshëve. Por, në të kundërtën, sa është i madh dënimi nëse u ndalojmë ujin kafshëve, na tregon hadithi i mirënjohur në të cilin thuhet se një grua është dënuar me zjarr të xhehennemit, për arsye se e kishte ngujuar macen dhe nuk i kishte dhënë për të ngrënë e as për të pirë dhe as nuk e kishte lënë të lirë që të kërkon vet ushqimin.
Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar derdhjen e ujit pa nevojë, këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. të cilin e ka shënuar Ibni Maxhxhe: Transmetohet nga iben Amer r.a. në një rast Pejgamberi s.a.v.s. kaloi pranë Sa’dit, i cili ishte duke marr abdes dhe i tha: “Ç’është gjithë ky shpenzim i ujit?” I tha: “A edhe te abdesi ka shpenzim të tepërt?” Tha Pejgamberi s.a.v.s.: “Po, është humbje, edhe sikur të ishe në një lumë i cili rrjedhë !” (Ibni Maxhxhe)

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, ekspertet për çështje të ujit kanë paraparë se pas 20 vjetëve, 63 milion njerëz do të mbesin pa ujë të pijshëm. Sot, afro 2 milion fëmijë në vit vdesin për shkak të mungesës së ujit të pastër dhe nga mos rregullimi i kanalizimeve. Kjo është përafërsisht 5 mijë jetë të humbura çdo ditë. Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në mbledhjen e vet të 58 me radhë, miratoi një projekt-rezolutë, në të cilën periudha që nga viti 2005. deri në vitin 2015 u shpall si Dekada Ndërkombëtare për aksionin - UJË PËR JETË, në përpjekje që deri në vitin 2015 të përgjysmohet numri i njerëzve të cilët nuk kanë qasje në ujin e shëndetshëm dhe të pijshëm, si dhe atyre që nuk kanë qasje elementare në infrastrukturën sanitare.
Në botën moderne, uji është duke u bërë një burim gjithnjë e më i rëndësishëm, dhe supozohet se shekulli XXI do të jetë shekulli i luftërave në të cilin do të luftohet për ujë. Është e konfirmuar shkencërisht se uji i freskët në planetin Tokë është rreth 2,5% dhe që është i shpërndarë në mënyrë jo të barabartë. Çdo ditë, ka gjithnjë e më pak për shkak të menaxhimit jo adekuat dhe neglizhencës. Në shumicën e vendeve të Afrikës dhe të Azisë dominon mungesa kronike e ujit. Deri në vitin 2025, dy të tretat e njerëzimit do të ndjejnë mungesë serioze të ujit. Vlerësimet e ekspertëve thonë se rreth 1.1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, 2.5 miliardë njerëz nuk kanë kanalizime themelore, dhe më shumë se pesë milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e shkaktuara nga uji ndotur. E keqja më e mëdha e mundshme që tani kërcënon njerëzimin është ndotja e ujit, ajrit dhe e tokës. Për tu siguruar furnizimi me sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm dhe të shëndetshëm, është e nevojshme që të bëjnë përpjekje shtesë lidhur me mbrojtjen e tij dhe kursime. Ndotja e ujit nuk njeh kufij, kështu që të gjithë duhet të ruajmë dhe të kujdesemi, sepse uji është kultura dhe jeta e jonë.

Janë interesante faktet se: 70% e sipërfaqes së planetit tonë është me ujë, e 30% është tokë, 70% e shiut që bie, bie në tokë, ndërsa 30% bie në det dhe 70% e trupit të njeriut është ujë.

Vëllezër besimtar, ta ruajmë ujin si një dhuratë të madhe nga Krijuesi, dhe të jemi mirënjohës pafundësisht për këtë dhunti!.
Lusim Allahun Fuqiplotë, që të na forcojë në rrugën e Islamit, që të na bëjë të jemi mirënjohës për dhuntitë e Tij të shumta dhe të na bëjë prej atyre që e ruajnë ujin si ni’met të veçantë. Lusim Allahun e Madhëruar që t’i ndihmoj vëllezërit tanë në Siri, në Palestinë dhe në çdo vend ku shkelen të drejtat e muslimanëve, t’ju mundësoj atyre të korrin fitore, dhe të çlirohen nga zullumqarët, të na ruaj nga sprovat që ne nuk mund t’i përballojmë, të ketë mëshirë ndaj prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë të mirë, që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëj prej pjesëtarëve më të mirë të umetit dhe prej mbrojtësve më të mirë të vendit tonë, të na falë mëkatet tona dhe të na shpie në xhenetin e premtuar, në shoqëri me pejgamberët, të sinqertit, dëshmorët dhe njerëzit e mirë! Amin.



Hatib: Nezim Halilović - Muderris
Përktheu dhe përshtati: Esat Rexha