Nëse i referohemi Kur’anit hasim të kundërtën e asaj që pohon Bibla, ku femra-Hava (Eva) nuk cilësohet si nxitëse, joshëse apo mashtruese, përkundrazi Islami për herë të parë në historinë e njerëzimit ndriçon pozitën e femrës, duke ngritur mallkimin prej sajë, kurse fajin e ngrënës së pemës ua vë barabar të dyve
Që nga mesi i shekullit që lamë pas dhe fillimin e shekullit të ri në shoqërinë tonë diskutohet shumë mbi çështjen e të drejtave të femrës,si rezultat i propagandës mediale në njërën anë, kurse në anën tjetër mos njohja nga ta dhe pjesa dërmuese e shoqërisë rreth pozitës së sajë në islam me theks të veçantë. Këto janë disa nga arsyet që na shtyn ta kristalizojmë pozitën e femrës në Islam,si dhe barazinë gjinore sipas këndvështrimit Islam. Andaj themi se feja Islame e konsideron femrën si pjesëtare të pavarur dhe shembullore të shoqërisë dhe nuk bën kurrfarë dallimi në vlerat njerëzore midis mashkullit dhe femrës, i përmbahet maksimës universale të sajë lidhur me barazinë gjinore ku,meshkujt dhe femrat janë të barabartë për aq sa pranon natyra e krijimit të tyre të jenë të barabartë duke mos dëmtuar imazhin e asnjërit prej tyre.(1) Të shumta janë segmentet që feja Islame miraton barazi gjinore dhe të drejta të barabarta në mes meshkujve dhe femrave,ndër to mundë të specifikojmë:
Barazi në krijim
Në kaptinën e grave pikërisht në citatin e parë janë vënë gurthemelet e barazisë në mes meshkujve dhe femrave,siç thotë Allahu’’O ju njerëz!Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje(njeriu)dhe nga ajo krijoi palën (shoqën)e saj,e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra..’’(En-Nisaë,1)
Një studiues duke analizuar citatin paraprak pohon:’’Është e besueshme që nuk ka tekst, të vjetër a të ri, që të trajtojë me kaq humanizëm gruan në të gjitha aspektet,kaq shkurt,me kaq elokuencë, kaq thellë dhe me kaq origjinalitet se sa ky verset hyjnor’’(2)
Kurse në një citat tjetër thuhet:’’Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj,e prej bashkëshorteve tuaja ju jep fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime)të mira..’’(En- Nahl,72).
Ndërsa Muhamedi a.s e vulos këtë në thënien e tij: ’’Njerëzit janë bijë të Ademit, kurse Ademi është nga dheu’’.(3)
Nga faktet e sipërtheksuara konstatojmë se Allahu xh.sh, prej të njëjtit lloj krijoi burrin dhe gruan nga e njëjta substancë,duke vendos kështu bazat e barazisë së tyre në esencë si qenie njerëzore dhe si krijesa të Allahut.
Barazi në aspektin social
Shoqëritë e hershme mbanin qëndrim diskriminues ndaj femrës deri në atë masë ku jeta e sajë ishte fare pak me vlerë,femra nuk gëzonte as kushtet minimale për jetesë,ishte e përbuzur dhe e përdhosur,këto ishin edhe pikëpamjet biblike:’’Nëse ato lodhen apo madje edhe nëse vdesin ,kjo s’prish punë. Le të vdesin ato gjatë lindjes,për këtë qëllim ato ekzistojnë’’4.
S’ka dyshim në atë se nga progresi që ka shënuar feja Islame lidhur me avancimin e femrës është dhe mënjanimi i shpifjeve, largimi i mallkimit ndaj sajë,si dhe shfajësimin e sajë për mëkatin ndaj ngrënies së pemës. Mendimi judo-krishter fajëson tërësisht femrën për ngrënien e pemës, dhe se ajo fillimisht ka thyer urdhrin e Zotit, e më pas ka nxitur Ademin (Adamin) a.s. në ngrënie të saj.5
Nëse i referohemi Kur’anit hasim të kundërtën e asaj që pohon Bibla, ku femra-Hava (Eva) nuk cilësohet si nxitëse, joshëse apo mashtruese, përkundrazi Islami për herë të parë në historinë e njerëzimit ndriçon pozitën e femrës, duke ngritur mallkimin prej sajë,kurse fajin e ngrënies së pemës ua vë barabar të dyve. Kur’ani në mënyrë të prerë qartëson këtë ndodhi duke pohuar: Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbuloj atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: ’’Zoti juaj nuk ua ndaloi ju dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni meleq (engjëj) ose të mos bëheni prej të përjetshmëve’’. (El A’rafë, 20)
Pastaj shënon: ’’Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën..’’(Ta Ha,121).
Kur’ani përdori dysinë gjatë gjithë rrëfimit,duke cilësuar të dy pjesëmarrës në mëkat, por dhe duke ju mundësuar pendimin të dyve me qëllim që tu falet mëkati të dyve, siç thotë Allahu në Kur’an: Ata të dy thanë: ’’Zoti ynë, ne i bëmë padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë,e në qoftë se nuk na mbulon (mëkatin) dhe nuk na mëshiron,ne me siguri jemi prej të shkatërruarve’’ (El A’rafë, 23).
Jo vetëm kaq, por Kur’ani në një citat tjetër specifikon vetëm mashkullin (Ademin a.s.) të ketë qenë fajtor,siç thotë:.. dhe kështu ademi theu urdhrin e Zotit
të vet dhe gaboi’’(Ta Ha,121).
Kurse në Dhjatën e re Shën Tertuljani deklaron: ’’A nuk e dini se ju secila jeni nga një Evë, Dënimi i Zotit këtë gjini e përcjellë gjatë gjithë jetës: faji gjithsesi duhet të jetë i pranishëm. Ju jeni porta e djallit: Ju e keni zhvulosur pemën e ndaluar. Ju jeni dezertuesit e parë të Ligjit Hyjnor. Ju jeni ajo që ia mbushi mendjen atij të cilin djalli nuk ishte mjaft i guximshëm ta sulmonte’’6
Po ashtu Islami ka shfajësuar femrën nga akuzat denigruese judo-krishtere gjojase femra është ndyrësirë e përhershme, ku ajo duhet të izolohet nga familja dhe rrethi gjatë ciklit menstrual dhe lehonisë, qoftë ai izolim nga ushqimi apo dhe fjetja, siç thuhet në Bibël: ’’Zoti i foli Musaut (Mojsiut) duke i thënë: Folu kështu bijave të Izraelit: Në qoftë se një grua mbetet me barrë dhe lind një mashkull, do të jetë e papastër për shtatë ditë, do të jetë e papastër si në ditët e zakoneve-ciklit menstrual të saj. Ditën e tetë do të rrethpritet mishi i prepucit të djalit-do të bëhet synet. Pastaj ajo do të rrijë edhe tridhjetë e tri ditë për të pastruar gjakun e saj, nuk do të prekë asnjë send të shenjtë dhe nuk do të hyjë në shenjtoren derisa të plotësohen ditët e plotësimit të saj. Por në rast se lindë një vajzë,ajo do të jetë e papastër dy javë si në kohën e zakoneve të saja,dhe do të rrijë gjashtëdhjetë ditë për t’u pastruar nga gjaku’’7.
Ndërsa nëse i referohemi Kur’anit, sa i përket ciklit menstrual të femrës apo lehonisë nuk potencon ma tepër se nocionin “EDHA -diçka e neveritur’’, që donë të thotë se nga cikli menstrual neveritet njeriu,prandaj dhe ka ndaluar partnerët vetëm nga kontakti seksual,kurse jeta në mes tyre vazhdon me normalitet,siç pohon Allahu xh.sh, në Kur’an: (Shih: El Bekare, 222)
Islami e ka garantuar femrës në të gjitha poret e jetës së saj,duke ndaluar çfarë do lloj dhune apo abuzimi që mundë të bëhet me te,duke i luftuar të gjitha bestytnit dhe bindjet e vjetra që përbuznin lindjen e foshnjës femër,si dhe veprimet e shteteve të zhvilluara bashkëkohore të cilat mbysin brenda vitit miliona foshnje-sidomos femra përmes abortit.
Duke i kundërshtuar të gjitha këto veprime kundrejt mbytjes së fëmijëve, Allahu Fuqiplotë thotë: ’’S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije...’’(El En’amë,140).
Edhe arabët paganë para dërgimit të Muhamedit a.s, e konsideronin vajzën burim të turpit, si rezultat i bindjeve të tyre të lajthitura mbytnin fëmijët femra duke konsideruar këtë vepër të njerëzve të ndershëm,andaj Kur’ani rrëfen gjendjen e tyre duke dënuar veprimet e tyre: (Shih: En-Nahl, 58-59).
Kurse në anën tjetër Muhamedi a.s, ju premtoi shpërblime ekskluzive të gjithë atyre që përkujdesen për rritjen e vajzave në veçanti: ’’Ai që përkujdeset në rritjen e vajzave dhe tregon përkujdesje e dashuri ndaj tyre, ato do të jenë mbrojtje për të kundër zjarrit të xhehenemit’’.8
Barazia në ritet fetare dhe shpërblim.
Feja Islame ia njeh gruas të drejtat e saj personale, të drejtat e plota si qytetare,
duke e trajtuar si person me të drejta dhe detyra. Po ashtu Kur’ani qartëson se gruaja është e barabartë me burrin në shikimin e Zotit,si rezultat i marrëdhënieve të drejta dhe përgjegjësive: ’’Secili njeri është peng i veprës së vet’’(El Muddeththir, 38).
Allahu xh.sh. e ka ngarkuar burrin ashtu edhe gruan me obligime të njëjta, gjithashtu njëjtë e kanë shpërblimin para Tij: (Shih: En-Nahl, 97) Me të gjitha obligimet që është ngarkuar mashkulli është ngarkuar edhe femra si; namazi, zekati, agjërimi, haxhi, etj, me përjashtime gjatë ciklit mujor dhe lehonisë ku në përjashtimin e sajë gjatë atyre ditëve manifestohet toleranca fetare ndaj saj. Ashtu siç janë ndaluar të dy gjinitë nga ndalesa të shumta pa dallim si: pirja e alkoolit, mishi i derrit, bixhozi, vjedhja, imoraliteti, etj.
_____________________
[1] Muhamed Tahir b Ashur, Mekasid esh-Sheria elislamije.93-94.pa vit dhe shtëpi botuese.
[2] Fjala është për El-Bahija el-Huli në librin Min sul Kadijet el-Mer’etu,marrë nga libri:Tituj të zgjedhur mbi familjen muslimane.H
[3] Shënon Termidhiu në sunenin e tij në komentin e kaptinës huxhurat,hadithi nr.3270-hadith i saktë.Sunen et-Tirmidhi me vlerësime të haditheve nga Muhamed Nasrudin Albani. Mektebet mearif-Rrijad,bot 1,f.739.
[4] Grup autorësh,Femra nën mbrojtjen e Islamit.SJRC,Pishtinë 2002,f.78.
[5] Dr.Muhamed Beltagji.Mekanetul mer’eti fi el-Kur’ani elkerim ve es-suneti es-sahiha.Daru es-selam,bot1-2000,f.71.
[6] Edukata Islame,viti 31, nr.72.Shtyp;koha-Prishtinë 2003,f.186.
[7] Dr.Muhamed Beltagji.Mekanetul mer’eti fi el-Kur’ani elkerim ve es-suneti es-sahiha,f.75.
[8] Transmeton Buhariu në Kitabu el’ilm,h.101,v.1/50,dhe Muslimi në Kitabu birr ve essile ve eledeb,h.2633,v.4/2082.