Bedri paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së ekzistimit të umetit islam.

Kjo ngjarje, e cila paraqet ballafaqimin e parë serioz ushtarak ndërmjet dy palëve, muslimanëve dhe idhujtarëve, nuk ka thjesht vetëm karakter ushtarak, por sjell një varg porosish të nevojshme për ecjen e umetit islam në rrugën e suksesit dhe rikthimit të lavdisë së dikurshme e cila u zbeh në sajë të neglizhencës dhe çalimit tonë në rrugën e përkushtimit të sinqertë ndaj Islamit. Bedri nuk reflekton në umetin islam vetëm në planin ushtarak, marrë parasysh të qenit e saj betejë ushtarake, por në brendësinë e saj ngërthen porosi të shumta të karaktereve të ndryshme, e që ne me këtë rast do të veçojmë si vijon:


Ambiciet e larta për faktorizim ndërkombëtar

Umeti Islam në asnjë mënyrë nuk duhet të kënaqet me pozitën e tij aktuale në qarqet vendimmarrëse botërore, por duhet të punojë me vendosmëri në marrjen e vendit meritor në arenën botërore në drejtim të hartimit të strategjive për zhvillimin ekonomik, politik, social, kulturor e teknologjik të njerëzimit. Muslimanët nuk ngelën të mbyllur në Medine, por vepruan fuqishëm në drejtim të afirmimit të tyre në arenën botërore, gjë që shkaktoi ballafaqim me palë të ndryshme të cilat shihnin se tereni u është ngushtuar dhe periudha e zmbrapsjes veç ka filluar. Rreziku nga ballafaqimi ushtarak me palët, nuk mundi t’i shuaj ambiciet e muslimanëve për të qenë faktor stabiliteti dhe përparimi në botë.
Në luftën e Bedrit, u mposht botërisht për herë të parë shteti i brishtë idhujtar dhe u lartësua nami i shtetit islam, u dha mesazh i qartë se ky umet nuk do të ndalet në kufij fisnor dhe rajonal, por ambiciet e tij janë shumë më të mëdha, edhe nëse kjo shkakton përballje ushtarake.


Dinjiteti në veprim

Umeti Islam ec në rrugën e realizimit të objektivave të veta me dinjitet, vendosmëri dhe maturi, gjegjësisht vepron konform parimeve hyjnore dhe për të realizuar qëllime madhore të cilat do të jenë të dobishme për gjithë njerëzit, e nuk vepron sipas logjikës së inatit e me mendjemadhësi që çon në nënçmimin e tjetrit. Analiza e mënyrave të daljes së dy palëve në Bedër, më së miri e vërteton këtë.
Pala idhujtare doli duke manifestuar mendjemadhësi dhe duke e festuar para kohe në formën më të pahijshme, të djallëzuar dhe jonjerëzore fitoren të cilën në Bedër kurrë nuk e arriti. Veprimet që u bënë me rastin e daljes së palës idhujtare në Bedër, tregonin qartë për krizën e thellë morale në të cilën gjendeshin, dhe njëkohësisht argumentonin fuqishëm nevojën e tyre për misionar dhe mësues që t’i kap për dore e t’i nxjerr nga humnera e errët e idhujtarisë në dritën e besimit.
Nga ana tjetër, dalja e muslimanëve fliste qartë se këta janë njerëz të idealeve të cilët nuk ecin rrugës së thirrjes për të bërë inat, por për të ofruar zgjidhje dhe alternativë reale për njerëzimin. Dolën me dinjitet, pa fyer e pa u lavdëruar, por duke e lutur Allahun e Madhërishëm që t’i forcojë në të vërtetën e t’ua shtojë vullnetin ta mposhtin ideologjinë e gënjeshtrës dhe mashtrimit e t’i shpëtojnë njerëzit që akoma bredhnin pa qëllim në shkretëtirën e idhujtarisë.
Së këndejmi, edhe muslimanët e sotëm duhet ta kuptojnë qartë këtë porosi:Ne veprojmë për të realizuar objektiva madhore që do të sjellin prosperitet për gjithë njerëzit, e nuk veprojmë të frustruar nga dikush apo për inat të dikujt tjetër. Ne nuk besojmë në inat, por besojmë në idealet e larta islame.


Konsultimi, themel i umetit

I dërguari i Allahut, Muhamedi paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, në këtë luftë u tregoi praktikisht muslimanëve se nëse duan të jenë të suksesshëm në jetën e tyre, duhet të konsultohen mes veti për hapat të cilat do t’i marrin. Në këtë betejë, i dërguari i Allahut pranoi sugjerimin e njërit nga shokët e vet për ta ndërruar pozicionin ku ishin vendosur me të arritur në Bedër. Kjo, ngase e vlerësoi se sugjerimi i shokut të tij ishte me vend dhe i dobishëm për mbarëvajtjen e betejës.
Konsultimi është i nevojshëm për bashkësinë muslimane, dhe këtë e hasim si urdhër në Kur’anin famëlartë dhe tipar dallues të bashkësisë muslimane. Vetë i dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, gjatë gjithë jetës së vet e zbatoi këtë parim, e me këtë na mësoi ne muslimanët që të konsultohemi për çështjet tona. Ky umet nuk do të mund të ec si duhet, nëse çdo njëri vepron kokë në vete, por vendin e merituar do ta kemi atëherë kur veprimet tona do t’i bëjmë të koordinuara dhe pas një konsultimi serioz për zgjedhjen e më të mirës.


Dituria, prioritet me miq e me armiq

Islami është fe e dijes dhe ngritjes intelektuale, dhe muslimanëve nuk u ka hije të jenë analfabetë, pasi kontribuuan për ngritjen shkencore të botës, në veçanti të Evropës. Pa dije dhe mësim, nuk ka ardhmëri për asnjë popull, e poashtu edhe për muslimanët. Analfabetizmi nuk është vetëm nënçmim para botës, por edhe mëkat ndaj Krijuesit dhe mosfalënderim ndaj Tij për mirësinë e trurit dhe të logjikuarit.
Muhamedi, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në betejën e Bedrit dha shembull të shkëlqyeshëm se duhet trajtuar njerëzit e ditur. Ai tregoi praktikisht se dituria është shpëtim dhe se dijetarët duhet shfrytëzuar, edhe nëse janë të palëve tjera. Në këtë betejë, edhe ishte në pyetje lufta dhe armiqësia, ai nuk harroi ta vlerësojë diturinë. Kështu, pasi kapën disa pengë që luftuan në palën kundërshtare, ua fali lirinë me kusht që të mësojnë nga dhjetë muslimanë të shkruajnë e të lexojnë.
Pas luftës, kur njeriut menjëherë i shkon mendja të hakmerret ndaj armiqve të zënë peng, Muhamedi, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i dha përparësi diturisë, ashtu që ua fali lirinë armiqve të zënë rob për shkak të mësimit të një grupi muslimanësh.
Porosia e këtij potezi është e qartë: Në çfarëdo gjendje që të jenë muslimanët, dituria ka prioritet dhe vendin e saj nuk mund ta zë asgjë tjetër. Nuk ka arsyetim që në emër të rrethanave të caktuara të neglizhohet dituria. Me dije dhe ngritje intelektuale do të ndërrohet edhe gjendja e rëndë dhe rrethanat e pavolitshme, ndërkaq me injorancë dhe largim prej dijes, mund vetëm edhe ma tepër të thellohet kriza. Në çdo institucion, duhet të merren ekspertët, e jo puthadorët e të dëgjueshmit që nuk të kthejnë fjalë, edhe pse janë xhahilë dhe të papërgatitur. Kjo sëmundje e demokracisë apo demokracisë ballkanike është e trishtueshme që t’i godet edhe qarqet islame.
Rruga e porosive të Bedrit nuk përfundon këtu ...


Artikulli i kaluar
Bedri përkujtim dhe mësim..!!
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin