Ishte viti 8-hixhri i kalendarit islam me 20-ramazan, viti 630 diellorë, kur shkëlqeu njëdritë, shpërtheu një lule që pushtoi me aromë tërë Meken dhe Gadishullin Arabik, por edhe tërë planetin Tokë.
Pas shumë vuajtjesh Muhamedi a.s me shokët e tij dhe familje e fise të tëra, pas kalimit të shumë sprovave dhe largimit nga toka dhe vatani i tyre, ata u rikthyen si fitues dhe triumfues ndaj të pavërtetës, sfiduan dhe larguan shirkun nga Meka, toka në të cilën Allahu e ngriti Qaben, tokë ku pejgamberi Ibrahim a.s. me bijtë e tij Ismailin dhe Is-hakun bënin ibadet dhe u mësonin njerëzve teuhidin, besimin e pastërt në një Zot.
Resulullahi a.s. shfaqi shumë kujdes, që hyrja në Meke të bëhej paqësor dhe të mos ndodhin gjakderdhje e probleme. Para se të hynte në Meke ai e ndau ushtrinë në katër pjesë, me qëllim që të hynin në katër anët e Mekes dhe të demonstronin forcën, t`i pengonin njerëzit dhe t`i dorëzoheshin këtij realiteti me paqe.
Me të hyrë në Meke i dërguari a.s ua bëri me dije, se kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurt, kush e mbyll derën e shtëpisë së tij është i sigurt dhe ai që hyn në xhami është i sigurt. Me këtë ai dha të gjitha mundësitë e sigurisë për njerëzit që e duan atë, pra muslimani nuk dëmton dhe abuzon, siguria është nga muslimani nga ai nuk pritet pasiguri dhe tradhti.
I Dërguari i Allahut hyri me paqe e dashuri në Meke dhe flamuri i tij u vendos në Huxhun. Hyrja e të dërguarit a.s në Meke ishte modeste. Ai kishte ulur kokën me përulje nga respekti ndaj Allahut të Madhëruar e lexonte suren Fet`h ku pikat ajeti Kur’anor: “Ne ty të dhamë (vendosëm për) një fitore të sigurt.” (Fet’h-1)
Më pas u drejtua kah Qabja, bëri tavaf shtatë here dhe më pas tha: “Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i pa shok. Ai e përmbushi premtimin, e ndihmoi robin e Vet dhe i shpartalloi të gjitha aleancat intrigante. Vini re: çdo gjak dhe hakmarrje qëndron poshtë këmbëve të mia, përveç mbulimit të Qabesë dhe dhënies ujë hoxhallarëve.”
Më pas tha: “O kurejsh! Çfarë mendoni se do të bëj me ju.” Ata i thanë: “Të mira, o vëlla fisnik, i biri vëllait fisnik,” Ai tha fjalën e tij të njohur: “Shkoni jeni të lirë.” liria u pa kudo,edhe pse ata u keqtrajtuan dhe u përzunë nga shtëpitë e tyre të keqen e kthyen me të mirë: ”Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34).
Pra në islam nuk lejohet hakmarrja dhe dhuna, ata hynë me selam-paqe dhe dashuri në Meke duke mos shkelur as shkatërruar as dhunuar por u tha jeni te falur edhe pse te këqijat e tyre ndaj muslimaneve kishin mbushur kupën, por dihet se burri i vërtetë fale e i ligu dënon po i erdhi rasti.
Pas kësaj thirri atë që posedonte çelësat e Qabesë, i mori çelësat dhe hapi derën e sajë. Aty gjeti disa statuja-piktura, të cilat urdhëroi t`i prishnin. Më pas filloi të ecte drejt idhujve, numri i të cilëve ishte rreth treqind e gjashtëdhjetë që adhuroheshin në kohën e injorancës arabe.
Ua bënte me shenjë dhe lexonte fjalën e Allahut: “Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht e pavërteta është e paracaktuar të zhduket.” (Isra: 81). Ai i rrëzoi perandorinë e kufrit duke hedhur të gjithë idhujt poshtë dhe urdhëroi që të shkatërroheshin.
Pas kësaj tek Pejgamberi a.s erdhën burra që kishin pranuar Islamin për t`i dhënë besën dhe pas tyre erdhën gratë, për të cilat kishte kushte të veçanta.
Kur hyri koha e namazit të drekës, Bilali thirri zërin e së vërtetës mbi teracën e Qabesë, hypi sipër, u ndal, shikoi turmën dhe filloi të thërrasë ezanin duke thënë: “Allahu ekber (Allahu është më i Madhi). Eshhedu en la ilahe ila Allah (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut), eshhedu ene muhameden resulullah (dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut).” Disa që sapo kishin hyrë në Islam nuk u pëlqeu të dëgjonin këtë por pasi Islami ishte forcuar në zemrat e tyre u penduan për çfarë kishin thënë.
Në këtë mënyrë Qabeja u pastrua nga shirku e paganizmi, nga adhurimi që u bëhej zotave të tjerë në vend të Allahut. Aty mbaroi fuqia armiqësore ndaj Islamit dhe muslimanëve, duke e kthyer Meken në qytetin më të rëndësishëm të Islamit, sepse aty Muhamedi a.s vendosi rregull dhe la udhëheqës Uitab bin Usejdin.
I Dërguari i Allahut u mundua që t`u mësonte banorëve të Mekes Islamin, prandaj qëndroi me ta nëntëmbëdhjetë ditë. Ai u largua për t`u ballafaquar me fiset Thekif dhe Havazin, të cilët ishin gati të sulmonin Muhamedi a.s, pasi kishte çliruar Meken. Çlirimi i Mekes ishte një arsye e fortë, që zbuti armiqësinë e arabëve ndaj islamit. Pas këtij çlirimi njerëzit filluan të hyjnë në fenë e Allahut grupe-grupe turma-turma. Kjo ndodhi me hyrjen e kurejshëve në Islam dhe me rënien e forcës më të madhe armiqësore ndaj Islamit.Kjo përshkruhet bukur në Kuran suren Nasr: “Kur erdhi ndihma e All-llahut dhe çlirimi (ngadhënjimi), Dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e All-llahut. i, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh.” (Nasr 1-3)
Vërtet Allahu është me besimtarët,e pavërteta u thye e humbi në humnerë,doli në shesh e vërteta, andaj kjo ngjarje ngrit imanin e besimtarit agjeruesit dhe ati që ka lidhë, lidhjen e ti të sigurt me Kuran e sunet.
Disa mësime që marrim nga çlirimi i Mekes :
- Çlirimi i Mekes është çlirim nga errësira
- Muslimanët fituan pas sprovave të mëdha
- Idhujt u shembën
- Ezani u thirr, por dhe sot duhet thirrur në çdo anë të planetit tokë dhe të themelojmë qendra të thirrjes në islam me akide të pastër.
- Ata ishin të pamposhtur shoqëri e artë, ktheje imazhin e tyre o musliman mos u turpëro, por krenohu që je musliman.
- Mos paragjyko njerëzit, por thirri të gjithë me urtësi dhe butësi
- Mbështetju Allahut, sepse suksesi është në dorën e Tij e jo të njerëzve
- Ec me idenë e fituesit, e jo të humbësit
- Bëj durim dhe shtoje vullnetin, bëhu ndryshues i gjendjes tënde dhe shoqërisë që të rrethon.
- Mos ke frikë, bëhu guximtarë duhet të guxosh në islam më butësi të tjerët ti ftosh.