Dr. Selim Aydin
Në fushën e sotme të dijes dhe mençurisë, ekzistojnë dy kuptime për fjalën “zemër”, njëri si një organ me rëndësi jetike për trupin dhe tjetri si një ndjenjë që përfshin anën emocionale dhe është e hapur ndaj përjetimeve shpirtërore.
Allahu i Gjithëfuqishëm, që ka krijuar çdo gjë në çift, e ka krijuar zemrën gjithashtu si një strukturë çifte, materiale dhe shpirtërore. Zemra shpirtërore është një dhuratë, shpirti është esenca kurse thellësia e fshehur e kësaj dhurate dhe shpirti biologjik është mjeti i tij i transportit. Zemra biologjike është një nga tre organet qendrore (koka, zemra dhe barku) të shpirtit biologjik. Ajo është një bërthamë e dyfishtë e ndezur me dritën Hyjnore. Në një aspekt ajo shikon drejt sferës shpirtërore dhe nga një tjetër drejt funksionit organor. Ndërsa e shohim nga ky këndvështrim, vërejmë se zemra organore dhe ajo shpirtërore janë të lidhura. Por, përderisa kjo përmbajtje dhe natyrë ndërlidhëse midis këtyre akoma nuk është kuptuar plotësisht, mbetet e hapur për diskutime. Më poshtë do të përmbledhim studimet e fundit që tregojnë fakte se ekziston një unitet zemër-mendje, një unitet që është potencial brenda çdo njeriu në nevojë për t’u kultivuar, një unitet që duhet të orientohet në rrugën drejt së vërtetës dhe që mund të vështrohet në fakt në strukturën fizike të qenies njerëzore.
Mjekësia moderne, e cila përpiqet të zbërthejë strukturat biologjike të organizmit njerëzor, ka bërë studime vitet e fundit të cilat zbulojnë fakte për qëllimin e mësipërm. Për shembull, në librat klasikë të mjekësisë, zemra paraqitet si një organ muskular mekanik i cili hedh gjakun në të gjithë trupin, një qendër tek e cila drejtohen të gjitha organet e tjera. Por, nga studime të reja shihet se ekziston një sistem nervor në zemër, ashtu siç është në tru dhe për pasojë zemra merr një përgjegjësi në kontrollin e organizmit në të njëjtin nivel si edhe truri. Po ashtu është parë se zemra luan një rol rregullues dhe harmonizues në të gjitha sistemet jetësore ashtu si truri. Vitet e fundit ajo është konsideruar si urtësia dhe drejtuesja e organizmit njerëzor. Së bashku me intelektin abstrakt, analitik dhe logjik të trurit, zemra është e pajisur me një intelekt emocional dhe komunikues. Emocionet fillimisht lindin në zemër, më pas në formë sinjalesh elektrike shkojnë në sistemin limbik të trurit. Këtu është truri ai që i përpunon këto sinjale dhe më pas vjen përgjigjia e cila i transmetohet organizmit në periferi. Kërkimet e kryera në fushën studimore të marrëdhënies zemër-tru ka treguar fakte të cilat mund të ndryshojnë mënyrën tonë të sjelljes lidhur me zemrën, si dhe të prekë konceptet tona rreth njerëzores dhe sesi mund të kujdesemi më mirë për shëndetin tonë.
Ky sistem komunikimi i dyanshëm ndërmjet trurit dhe zemrës është një nga sistemet komunikues më kompleks që ekzistojnë. Pikë së pari, zemra përmban rreth 40,000 qeliza nervore që i përkasin vetëm asaj. Ky numër kaq i madh është i përafërt me numrin e qelizave nervore të gjetura në qendra të rëndësishme të trurit. Ajo zotëron pra një sistem nervor kompleks dhe të mistershëm i cili është përkufizuar si “truri i zemrës”. Tashmë ekzistojnë të dhëna të pakundërshtueshme se ka një lidhje midis zemrës dhe trurit nëpërmjet katër rrugëve të ndryshme. E para është rruga nëpërmjet nervave (rruga neurologjike); e dyta është rruga nëpërmjet hormoneve dhe neurotransmetuesve (rruga biokimike); e treta rruga nëpërmjet valëve të pulsit të krijuara nga presioni i gjakut (rruga biofizike); dhe e katërta rruga nëpërmjet fushave elektromagnetike (rruga energjike). Nervat simpatetike të cilët e rrethojnë zemrën si një rrjetë, janë një nga rregullatorët më të rëndësishëm të sistemit zemër-qarkullim. Zemra punon në një sistem i cili prodhon një nga fushat magnetike më të fuqishme në trupin e njeriut. Fushat bioelektromagnetike që prodhohen mund të maten nëpërmjet SQUID (Superconductor Quantum Interference Device) nga 50-70 cm distancë. Fusha elektrike e zemrës e matur me elektrokardiogramë (EKG) është mesatarisht 60 herë më e madhe në amplitudë se elektroencefalograma e trurit (EEG); komponenti magnetik i zemrës është 5,000 herë më i fuqishëm se ai i trurit. Për pasojë, të gjitha këto forca nuk mund të absorbohen nga indet dhe të zhduken, e ngjashme me tonet e presionit të gjakut që rrjedh në arterie i cili prodhohet nga forca pompuese dhe ritmi i zemrës. Kjo fushë magnetike jo vetëm që shpërndahet në të gjithë pjesët e trupit, por në të njëjtën kohë efektet e kësaj fushe ndjehen nga personat e pranishëm përreth. Të gjitha këto observime tregojnë se zemrës i është dhënë një rol drejtues dhe sinjalizues duke siguruar dhe rregulluar në mënyrë sinkronike të gjithë organet e trupit. Kur njeriu përjeton një emocion të caktuar (mëri, gëzim, frikë ose dëshpërim) rrahjet e zemrës ndryshojnë së bashku me presionin e gjakut të transmetuar nga pulsi.
Gjendja emocionale e zemrës ndikon personat përreth nesh
Fuqia e sinjaleve elektrike që prodhohet nga zemra ndikon mbi qelizat e organizmit në mënyrë pozitive ose negative. Nga observime të ndryshme është parë se fusha magnetike e zemrës ndikon mbi gjendjen emocionale dhe mendimet e njerëzve të tjerë që janë në largësi prej 50-70 cm nga personi i cili po i prodhon këto emocione.
Kjo tregon se gjendja emocionale e edukatorëve ose mësuesve në ambientet parashkollore ose shkollore dhe nënave në shtëpi, ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi zhvillimin (veçanërisht të zemrës dhe mendjes) e fëmijëve. Në veçanti, nëse personat që punojnë në institucione parashkollore janë të stresuar, të irrituar, jo të lumtur apo në depresion, kjo ndikon negativisht mbi zhvillimin e fëmijëve që janë nën kujdesin e tyre. Kur gjendja emocionale e tyre është pozitive, e dashur dhe e qeshur, kjo ka ndikim pozitiv në zhvillimin dhe të mësuarit e fëmijëve.
Zhvillimi i trurit dhe zemrës së fëmijës është në varësi direkte nga gjendja dhe shëndeti i zemrës së nënës apo edukatores. Që këto zemra të jenë të shëndetshme ato duhet të mbartin emocione pozitive si dashuri, dhembshuri dhe afrimitet. Në një studim të kryer nga Universiteti i Harvardit, u arrit në përfundimin se personat të cilët nuk kishin marrë dashuri dhe dhembshuri në sasinë e kërkuar gjatë fëmijërisë, sëmureshin më shpesh dhe vdisnin më herët. Tashmë është kuptuar se shëndeti ynë në përgjithësi varet më shumë nga jetesa jonë me emocione pozitive dhe pasja e një dimensioni të pasur shpirtëror mbi jetën tonë sesa jetesa me mendime racionale dhe bazuar vetëm mbi logjikën. Nga këto mund të kuptojmë më mirë rëndësinë e kontrollit mbi emocionet që dalin nga zemra jonë përmes edukimit të përshtashëm. Zemra është një nga qendrat që rregullon shëndetin e njeriut në përgjithësi. Sjellje të tilla si, puna e mbingarkuar fizike dhe mendore, veprat e pamoralshme, ankthi dhe nxehja e shpeshtë, janë faktorë risku që e përkeqësojnë shëndetin e zemrës dhe mund të çojnë në ishemi ose infarkte. Disa studime kanë treguar se episode të shpeshta të nevrikosjes, ankthit, ose mërzitjes për një periudhë të gjatë kohore, mund të përfundojnë në vdekje të beftë, lidhur me sëmundje të zemrës. Risku i stresit që është i lidhur me emocionet kronike negative të pakontrolluara shkakton kancer dhe sëmundje të zemrës 6 herë më shumë se risku nga duhanpirja, yndyrnat e larta dhe hipertensioni arterial. Mospëlqimi ose të qenit i pakënaqur me punën e dikujt gjithashtu konsiderohet si faktor risku madhor për sëmundjet e zemrës.
Ndryshueshmëria e ritmit të zemrës
Në varësi të sinjaleve të dhëna nga nervat simpatetike të sistemit nervor autonom, një nga 4 rrugët e kontrollit dhe rregullimit të aktivitetit të zemrës, çlirohen hormonet e gjendrës mbiveshkore dhe rritet ritmi i saj. Ndërsa sinjalet e dhëna nga sistemi nervor parasimpatik nga ana tjetër, e ulin ritmin e zemrës. Ekuilibri midis këtyre dy sistemeve është shumë i rëndësishëm për shëndetin e saj. Ndryshimet që janë vëzhguar në karakteristikat e pulsit gjatë një kohe të caktuar, janë një tregues i ekuilibrit tru-zemër. Ndryshueshmëria e rrahjeve të zemrës (NRZ) tregon nëse stimuli në nyjen sino-atriale (një grup qelizash nervore që janë përgjegjëse për prodhimin e potencialit elektrik në zemër) është i rregulluar në mënyrën e duhur apo jo. Përderisa parametri NRZ na jep një dritare përmes së cilës mund të masim aftësinë e zemrës për t’u përgjigjur ndaj sinjaleve rregulluese që qarkullojnë nga zemra në tru dhe anasjelltas, vitet e fundit përcaktimi i përqindjes së NRZ ka marrë një rëndësi të veçantë. Matjet e NRZ realizohen përmes takogramave të cilat masin dhe analizojnë NRZ përgjatë një ore. Normalisht, parametri NRZ është aftësia e shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës për t’u përshtatur ndaj rrethanave të ndryshueshme. Ulja apo rritja e kësaj shpeshtësie në situata si: stresi, nxehja, gëzimi dhe paniku e çrregullon aftësinë e zemrës për t’u përshtatur, shkakton ulje të kësaj aftësie dhe mund të rezultojë në një kolaps të të gjithë sistemit. Një NRZ e cila është e dëmtuar si pasojë e shkaqeve emocionale apo organike, mund të jetë një pikënisje e arrestit kardiak, infarktit të miokardit, përshpejtimit të aterosklerozës apo insuficiencës kardiake. Pacientët me NRZ të ulur mund të vdesin më herët se pacientët me NRZ normale ose të lartë. Nëse NRZ nuk qëndron midis normës së lejuar, atëherë ka shumë mundësi që këta pacientë të vdesin nga një atak kardiak i papritur.
Në këndvështrimin biologjik të punës së organizmit, truri i bindet zemrës. Kur ndryshimet në shpeshtësinë e rrahjeve të zemrës janë harmonike, valët (alfa ose me frekuencë më të ulët) që prodhohen nga truri i personit, janë gjithashtu në sinkron me ritmin e zemrës. Me fjalë të tjera, ekziston një ekuilibër i përkryer dhe bashkëpunim i ndërsjelltë midis rrahjeve të zemrës dhe aktivitetit të trurit. Kërkimet e bëra në këtë fushë tregojnë se aktiviteti i trurit është programuar në sinkron me atë të zemrës. Për shembull, gjatë zhvillimit embrional, truri ndjek zemrën. Kur fëmija rritet në mitrën e nënës, zemra zhvillohet përpara trurit. Zhvillimi i plotë i trurit përfundon vetëm pas një viti pas lindjes së fëmijës.
Studimet tregojnë se njerëzit jetojnë 80-90 % të jetëve të tyre në mënyrë mekanike; në jetën e përditshme ata i marrin shumicën e vendimeve dhe i kryejnë aktivitetet më të shumta në mënyrë të pandërgjegjshme sipas rutinës. Ndërgjegjja dhe vullneti kanë një ndikim shumë të dobët mbi emocionet tona, ndërsa emocionet e forta (për shembull pasioni) kanë një aftësi më të madhe për të kontrolluar dhe drejtuar vullnetin dhe ndërgjegjen tonë. Mënyra automatike e jetës e drejtuar nga rutina e përditshme është dominante mbi mënyrën e drejtuar nga ndërgjegjia dhe vullneti. Sidomos emocionet e forta kanë një superioritet mbi arsyen dhe logjikën. Kjo gjendje e natyrshme e secilit nga ne ngre pyetjen thelbësore se si të jetojmë një jetë të drejtuar nga arsyeja, logjika dhe vullneti dhe të mbetemi akoma të shëndetshëm në një nivel optimal. Çelësi për këtë pyetje të rëndësishme është edukimi i zemrës (ose edukimi i arsyes emocionale) me seriozitet dhe përparësi. Edukimi i cili nuk merr parasysh emocionet ose pasionin dhe i anashkalon ato, duhet të braktiset pa ngurrim. Për ta mbyllur, një edukim dhe filozofi jete që i jep rëndësi zemrës dhe emocioneve, një filozofi ku arsyeja dhe logjika ndihmojnë emocionet dhe i tregojnë rrugën atyre, duhet patjetër të praktikohet.
Përktheu: Erion Sukaj
(Revista Drita Islame, Mars 2013)
Referencat:
Gulen, M.F., Key Concepts in the Practice of Sufism, The Light, Inc., NJ: 2004.
Mc Craty, R., M. Atkinson, D. Tomasino, Science of The Heart, Institute of HeartMath, California: 2001.