Haxhi, si kusht i pestë i fesë Islame, gjegjësisht një nga pesë shtyllat mbi të cilat ngritët Islami, në mes tjerash, është edhe dëshmi e besimit të fortë e të paluhatshëm në Allahun e Madhërishëm, përqendrimit konsekuent dhe permanent në fe, përkushtimit të sinqertë ndaj fesë dhe zbatimit korrekt e të përpiktë të normave fetare.
Normalisht, e gjithë kjo varet nga kryerja e këtij farzi islam me sinqeritet të plotë dhe besim në Allahun e Madhërishëm, larg kryerjes formale për sy e faqe.
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë),e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta;vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të,ai është i sigurt. Për hir të Allahut,vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo. E kush nuk e beson (ai nuk e viziton) dhe Allahu nuk ka nevojë (për ibadetin që bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran: 96-97).
Demonstrimi i kësaj të vërtete të pamohueshme, reflektohet në shumë kënde:
a) Sakrifikimi i pasurisë:Haxhiu sakrifikon një pjesë të pasurisë për hir të Allahut të Madhërishëm, për ta kryer këtë farz islam. Kjo, në kohën kur mundësitë e investimit dhe harxhimit të pasurisë janë të shumta, kurse provokimet e faktorëve të ndryshëm për orientimin e saj në kënaqësi dhe vende të ndaluara, janë në kulm. Në këtë rast, ndarja e një sasie të pasurisë, që me të të kryhet ky obligim madhështor islam, është dëshmi e pamohueshme e besimit të fortë dhe përqendrimit të denjë në fe.
b) Ekspozimi rreziqeve:Haxhiu, gjatë kryerjes së këtij ibadeti madhështor, u ekspozohet rreziqeve të ndryshme të cilat drejtpërdrejtë apo tërthorazi mund ta dëmtojnë. Kështu, haxhiu është i pranishëm në një vend ku marrin pjesë miliona njerëz, të cilët vijnë nga vende të ndryshme. Kjo ka mundësi që të jetë shkak për përhapjen e ndonjë sëmundje. Poashtu, në aspektin gjeografik, ekzistojnë dallime të shumta në mes vendeve të shenjta dhe pjesëve tjera të botës. Haxhiu e ndërron ambientin dhe klimën, e kjo shkakton çrregullime në organizëm dhe në gjendjen shëndetësore të njeriut. Numri i madh i njerëzve dhe automjeteve, poashtu, paraqet rrezik për shumë njerëz të cilët janë në moshë apo të sëmurë prej frymëmarrjes. Në të kaluarën, kur Haxhi nuk është kryer sikur sot me mjete komunikacioni dhe kontroll nga ana e organeve të rendit publik në tërë territorin e vendeve të shenjta, haxhinjtë u janë ekspozuar edhe sulmeve dhe grabitjeve nga grupe të ndryshme që u kanë dalë në rrugë për t’i plaçkitur. Mirëpo, tërë këto pengesa dhe rreziqe kanë qenë të pafuqishme të ndikojnë negativisht te muslimanët për ta braktisur këtë obligim madhështor. Besimi i tyre i fortë ka bërë që ata t’i përballojnë tërë këto pengesa. Nisur nga këto peripeci të shumta që e ndjekin haxhiun në rrugëtimin e tij për në vendet e shenjta dhe gjatë kryerjes së Haxhit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka krahasuar Haxhin me Xhihadin. Kështu, Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Aisheja e ka pyetur Muhamedin s.a.v.s.: ”Ne (gratë) e mendojmë xhihadin si veprën më të mirë. Përse të mos marrim pjesë edhe ne në xhihad (luftë)?” Muhamedi s.a.v.s. i është përgjigjur:”Për ju xhihadi më i mirë është haxhi i pranueshëm.”
c) Durimi:Haxhiu kalon me mijëra kilometra për ta kryer obligimin e Haxhit, e kjo rrugë e gjatë dhe e largët, ka peripeci të ndryshme gjatë kalimit të saj dhe i mundon udhëtarët derisa ta kalojnë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” (El-Haxh, 27).
Mirëpo, besimi i fortë në zemrën e besimtarit, e bën të durueshëm atë ndaj mundimeve dhe peripecive që i dalin rrugës. Dhe besimi, përmes ngjalljes së durimit, dominon mbi lakmitë e njeriut për rehati dhe komoditet. Po ashtu, nxehtësia e madhe e cila mbretëron në vendet e shenjta, e cila nuk është e përshtatshme për një pjesë të madhe të njerëzve, kushtet jo të lakmueshme në vendin ku banon, ndryshimi i llojeve të ushqimit, të cilat në të shumtën e rasteve janë të papërshtatshme për shumë haxhinj, tollovitë e mëdha gjatë rrugës dhe kryerjes së ritualeve të caktuara, veshja e cila për shumë haxhinj është e komplikuar dhe jo e rëndomtë, takimi me njerëz të ndryshëm të cilët flasin gjuhë të ndryshme të pakuptueshme për njëri-tjetrin, të cilët kanë tradita, zakone, temperamente dhe sjellje të ndryshme, etj., kërkojnë prej haxhiut të jetë i durueshëm në përballimin e gjithë këtyre vështirësive, e ky durim buron nga besimi i fortë dhe vendosmëria në fe. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira All-llahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes keni dronë Time” (El-Bekare: 197).
Në dy Sahih-et transmetohet prej hadithit të Ebu Hazimit, i cili përcjell prej Ebu Hurejres se ka thënë: I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Kush e viziton për haxh këtë tempull (Qabenë) pa mos pasur kontakt me gruan, lirohet prej mëkateve sikur ditën kur e ka lindur nëna e tij.”
d) Ngarkesa psiqike:Përkushtimi i adhurimit të Allahut të Madhërishëm, qetësia shpirtërore dhe përshtypjet nga madhështia e këtij rituali islam, edhe përskaj ngarkesës psiqike të haxhiut, është dëshmi e besimit të fortë. Kështu, haxhiu e len pasurinë të cilën e fitoi me djersë vite me radhe, e len familjen, me të cilën është i lidhur ngushtë dhe e ka kaluar jetën, e len vendlindjen, me të cilën është i lidhur instinktivisht qenia e tij dhe nga e cila vrapon kudo që të jetë, i len shokët me të cilët e kaloi fëmijërinë dhe rininë, e len farefisin, afër të cilëve kaloi vite të tëra, etj., e të gjitha këto e ngarkojnë haxhiun psiqikisht. Prandaj, përballimi i këtyre gjërave dhe preokupimi i tij me ibadet, meditim dhe dëshirë të flaktë për qëndrim sa më të gjatë në vendet e shenjta dhe lotimi i syve me rastin e largimit nga vendet e shenjta, është dëshmi e vendosmërisë, përkushtimit, sinqeritetit dhe përqendrimit të denjë në fenë e Allahut, gjegjësisht besimit të fortë e të paluhatshëm. Lidhjen e fortë të Haxhit me besimin, e ka potencuar edhe i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i cili në një hadith, Haxhin e radhit pas besimit dhe xhihadit, si vepër më të mirë, gjegjësisht e ka vënë Haxhin në një grup me besimin dhe xhihadin. Ja si e ka paraqitur këtë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në një hadith të tij. Ebu Hurejre, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është pyetur: “Cilat janë veprat më të vlefshme? I Dërguari i Allahut u përgjigj: Të besuarit e Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Përsëri u pyet: E tjetra cila është? U përgjigj: Xhihadi në rrugën e Allahut. Pas kësaj, përsëri u pyet: E tjetra? U përgjigj: Haxhi i kryer sipas rregullave dhe ai i cili është i pranuar tek Allahu.”(Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi).