Secila fe në mësimet e saja, kërkon urtësi, drejtësi, maturi falje, butësi, respekt e dashuri.

(Fjala e Myftiu Naim Tërnava në Konferencën për promovimin e Paqes në Kosovë, me temën “Fragmente nga terreni mbi Paqen dhe Pajtimin në Kosovë”, organizuar nga Caritasi Zviceran, Caritasi i Luksemburgut dhe fondacionin FES, të mbajtur në Prishtinë më 20 shtator 2013).

Secila fe në mësimet e saja, kërkon urtësi, drejtësi, maturi falje, butësi, respekt e dashuri.
Toleranca tek populli ynë nuk është një vlerë e zhvilluar tash në kohërat moderne dhe as e formuar me arsim dhe shkollë, por është një traditë e kultivuar nga thellësia e shekujve.

I nderuar Dodë Gjergji -Ipeshk i Kosovës
i nderuar kardinal Mc Carrik-mik i madh Kosovës
i nderuar Ministër Jevtiç
të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj!
Kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin që t'i drejtohem këtij auditori në këtë Konferencë që i kushtohet Paqes, respektivisht rolit të bashkësive fetare në në ndërtimin e paqes pajtimin e komuniteteve dhe etnive të këtij nënqielli.

Jemi tubuar këtu, të gjithë së bashku, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, përfaqësues e lider të besimeve të ndryshme, përfaqësues nga institucionet e ndryshme, për të dhënë një mesazh, për të dhënë një shembull se ndërtimi i paqes është rrugë e pa alternativë, jo vetëm kaq, por forcimi i paqes është i nevojshëm dhe i domosdoshëm ngase pajtimi është vlerë, pajtimi është urdhër nga Krijuesi ynë, është traditë e praktikë e profetëve si dhe mësim e doktrinë e librave të shenjta.
Popujt e këtij nënqielli, në shekullin e shkuar kanë përjetuar katrahura, konflikte e lufta të përgjakshme, kanë përjetuar tmerre, dhunë, shtypje e persekutim veprime këto që nuk i do Zoti, nuk i preferuan profetët, nuk na i mësuan librat e shenjta, mirëpo të shtyre nga ego materialiste, nga ndjenja e të fortit e dominimit, të shtyrë nga urrejtja e mosdurimi, në vend të paqes, në vend që të jetojmë në fqinjësi të mirë u përballëm me luftëra, dëbime e katrahura veprime këto që sollën shumë viktima të pafajshme, shkumë shkatërrime e shumë dhimbje.
Vendi ynë, populli ynë përjetoj luftë pas lufte, shkatërrim pas shkatërrimi, dhunë pas dhune, e fundit qe ajo e para 14 viteve, mirëpo ka dashtë Zoti ja që sot jemi tubuar në një mision të rëndësishëm, në një mision fisnik që përçon mesazhe të paqes, dashurisë, pajtimit e mirëbesimit, vlera këto që jemi të urdhëruar nga Zoti ynë i përbashkët ti kultivojmë e ti trasojmë, vlera këto që i nevojiten shoqërisë, besimtarëve e mbi të gjitha fëmijëve tanë- gjeneratave të ardhme.

Secila fe në mësimet e sajë, kërkon urtësi, drejtësi, maturi falje, butësi, respekt e dashuri për këtë në Kuran thotë:
“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmeve, ndërsa ndalon imoralitetin, atë që është e neveritshme dhe dhunën. Ja, kështu Ai ju këshillon që të merrni mësim.” (En-Nahël, 90)
Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë “Drejtësia mban qiellin dhe tokën“.
Toleranca tek populli ynë nuk është një vlerë e zhvilluar tash në kohërat moderne dhe as e formuar me arsim dhe shkollë, por është një traditë e kultivuar nga thellësia e shekujve.
Prania dhe bashkekzistenca e tre besimeve tradicionale të popullit shqiptar: mysliman, ortodoks dhe katolik, ka bërë që toleranca ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, edhe në raport me të tjerat.
Në fakt asnjë fe, nuk mund dhe nuk duhet të predikojë diskriminimin njerëzor për shkak të ndryshimeve të besimit, sepse të gjitha kanë në bazën e tyre barazinë e njerëzve para Zotit.
Duke e pasuar parasysh këtë që përmenda më lart, Bashkësia Islame e Kosovës, institucionet e saja dhe imamët anë e kënd vendit në vazhdimësi janë angazhuar me mësimet dhe predikimet e tyre që të përçojnë mesazhet hyjnore, që thërrasin për paqe, dashuri, mirëkuptim, respektim të tjetrit e para së gjithash në falje e mirëkuptim.
Po ashtu duhet thënë që BIK në vazhdimësi ka qenë pjesë e dialogut me bashkësitë tjera fetare, në kërkim të paqes, në kërkim të vlerave hyjnore e humane, në kërkim të krijimit të urave të mirëkuptimit e mirëbesimit.
Synime dhe ide humane e fisnike janë vetëm ato, të cilat, për qëllim final, kanë mirëqenien dhe lumturinë e përbashkët të të gjithë njerëzve pa dallim race, kombësie e feje.
Ngase urrejtja, smira e mosdurimi, janë fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit në histori, prej nga lindën të këqija e njerëzimit si racizmi, nazizmi, shovinizmi etj, që sollën vetëm, shkatërrime lufta, përplasje e dhimbje.

Njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur në mes vete, e jo për të treguar, e shprehur urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Këtë e theksoi Kurani që në fillim të shpalljes së tij:
”O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli e një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri – tjetrin. Më fisniku tek All-llahu është ai, i cili më shumë e ka frik Atë. All-llahu, me të vërtetë është shumë i ditur dhe i informuar mirë“. (Huxhurat, 13)

Feja islame, mësimet e saja të pastra, jo vetëm që kërkojnë tolerancë, mirëkuptim, sjellje e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të feve të tjera, por shkojnë edhe më larg dhe nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë.

Kurani e lavdëron njerëzimin e ngjyrave, gjuhëve dhe besimeve të ndryshme, i lavdëron ata që janë të ndryshëm, por që bëjnë gara për vepra të mira. Prandaj, lirisht mund të themi se ky Libër (Kurani) konfirmon se Zotit është krijues i dallimeve mes popujve! Sepse, Ai nuk është Zot vetëm për një periudhë, vetëm për një popull e vetëm për një vend!



Të nderuar të pranishëm!
Të nderuar njerëz të vullnetit të mirë!
Të nderuar përfaqësues të bashkësive!
Falënderoj në mënyrë të veçantë ata që ndihmuan në mbajtjet e kësaj konference, BIK çmon lart mbajtjet konferencave dhe takimeve të tilla duke i konsideron shumë të rëndësishme për krijimin e klimës së mirëbesimit e mirëkuptimin në vendin tonë.
Jam këtu që të shpreh gatishmërinë e BIK-ut dhe të të gjitha institucioneve të saj që të mbështes pa alternativ, të kontribuojmë me tërë potencialin tonë, dhe të angazhohemi pa ndërprerë, në kultivimin e paqes, mirëkuptimin, mirëbesimit, faljes e respektit si vlera, hyjnore universale, human e qytetëruese.



Mr. Naim Tërnava
(Myfti i Kosovës)


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi