Tefsiri i sures El-Ihlas


Njëqind e dymbëdhjeta sure, el-Ihlas – sinqeriteti, ose Njëshmëria e Zotit(1), është njëra ndër suret më të shkurtra, me katër ajete, në Kur’anin Fisnik.

Melodikisht është e lehtë, prandaj edhe mësohet dhe mbahet shumë lehtë mend. Thuajse të gjithë fëmijët tanë e mësojnë edhe para se të shkojnë në mekteb, pranë gjyshit ose gjyshes. Përkthimin e kësaj sure gati se të gjithë e mësojnë qysh në mekteb ose në shkollë për shkak të domethënies që ka. Mirë është që kështu, pasi që në këtë sure përbëhet esenca e besimit islam – Imani. Për shkak të domethënies, mesazhit dhe vlerës së saj, shpesh përsëritet (lexohet) në namaz dhe jashtë tij, para fjetjes, para vdekjes dhe te varri. Kushdo që beson fortë, sinqerisht dhe I dorëzuar në atë çka thotë kjo sure dhe kushdo që me veprat e tij do ta dëshmojë atë, ka zgjedhur fatin e kësaj bote dhe botës tjetër.

Vendi dhe shkaqet e zbritjes

Për vendin e zbritjes së kësaj sure ekzistojnë mendime të ndryshme. Të parët mendojnë se është zbritur në Mekke (Ibn Abbasi dhe Muhamed Ali es-Sabuni); të dytët mendojnë se është zbritur në Medine (Alusi); kurse të tretët, njëkohësisht edhe mendimi më i pranuar, thonë që është zbritur disa herë, d.m.th. edhe në Mekkë edhe në Medine.(2) Edhe shkaqet e zbritjes së kësaj sure janë të ndryshme. Ibn Kethiri transmeton nga Ikreme se ka thënë: “Kur jehuditë thanë: “Ne adhurojmë Uzejrin, të birin e Zotit”, kurse të krishterët “ne adhurojmë Isain, djalin e Zotit”, mexhusitët(3) thanë “ne adhurojmë diellin dhe Hënën”, ndërsa mushrikët(4) thanë “ne adhurojmë idhujt”, Allahu i Madhërishëm ia zbriti të Dërguarit a.s., suren el-Ihlas (kul huvall-llahu ehad). Ibn Enesi r.a., transmeton se Kurejshitët i kanë thënë Muhamedit a.s.: “Na e përshkruaj Zotin tënd në të cilin na thërret? Me ç’rast Allahu i Madhërishëm e zbret këtë sure.” Transmetim të njëjtë shënon edhe Ibn Abbasi r.a., në tefsirin e tij: Kurejshitët i thanë: “Muhamed, na e përshkruaj Zotin tënd, vallë, mos është Ai nga ari apo argjendi? Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti këtë sure.” Sipas Muhamed Abduhusë nuk është dashur që dikush ta pyeste të Dërguarin a.s., për origjinën dhe përshkrimin e Zotit, e që kjo sure të shpallej si përgjigje në pyetjet e parashtruara, porse gjendja e popullit arab dhe e mbarë njerëzimit pashmangshëm solli deri te misioni i të Dërguarit të Allahut a.s. dhe me një sure t’i thirr edhe mushrikët edhe kitabinjtë(5) të besojnë në një Zot, po ashtu edhe t’ua definojë nocionin e Zotit në mënyrë sa më të shkurtër dhe më të qartë

Emrat e sures el-Ihlas

Kjo sure ne na është e njohur si “Kul huval-llahu” ose si sureja El-Ihlas, megjithatë ajo ka edhe disa emra të tjerë, ashtu si edhe disa sure të tjera, për ne të panjohura, të cilat përmenden në komentarët e Kur’anit.
Disa prej atyre emrave dhe kuptimeve të tyre do t’i përmendim në këtë punim, të cilët në të njëjtën kohë na tregojnë për domethënien dhe rëndësinë e kësaj sure në jetën e përditshme të çdo muslimani. – d.m.th. baza, themeli, sepse në të flitet për tevhidin, i cili është themel për principet e tjera të fesë. Zamahsheriu transmeton nga Ubejje dhe Enesi r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ka thëne: “Shtatë qiej dhe shtatë (kate) tokë prehen në KUL HUVALL-LLAHU EHAD”, kjo do të thotë se gjithçka
që ka krijuar Allahu i Lartmadhërishëm është dëshmi (argumet) e këtij tevhidi (njëshmërie) dhe njohje e atributeve të Tij, për të cilat flet kjo sure. - kaptina e njohjes, sepse është njohje e Allahut të Lartmadhërishëm, njohje e plotë e Atij që është në të. Në një transmetim tregohet se një njeri këtë sure e ka lexuar në namaz dhe i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë “që ky njeri e ka njohur Zotin e vet.” - kaptina e bukurisë, sepse i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën”, ndërsa në pyetjen se ç’do të thotë kjo, i Dërguari a.s., lexoi: “Ai është mbështetje për çdo njërin / as nuk ka lindur kë, / as që është i lindur!” - kaptina e mbështetjes dhe e mbrojtjes. Nesaiu dhe Bezari transmetojnë rrëfenjën autentike nga Abdullah
ibn Enesi r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ia vendosi dorën mbi gjoks, dhe i tha: “Thuaj!”- Abdullahu i tha se nuk dinë çka. Pastaj i Dërguari e përsëriti: “Thuaj: Ai është Allahu, i Vetmi…” (Kul Huvall-llahu ehad…), ai (Abdullahu) vazhdoi ta lexojë suren gjersa e përfundoi, ndërsa i Dërguari a.s., i tha ta lexojë suren Felek. Kur mbaroi i tha: “Kështu tek Allahu kërkohet mbështetje”.
Gjithashtu, transmeton Ibn Abbasi r.a., se Allahu i Lartmadhërishëm gjatë miraxhit Muhammedit a.s., i ka thënë: “Të kam dhënë suren el-Ihlas, kurse ajo është gurrë i çmuar në thesaret e Arshit; është mbrojtje nga dënimet e varrit dhe nga zjarri i Xhehennemit.” Këtij hadithi “nuk i shkon përshtati” rrëfenja e Ebu Umames: “Katër ajete janë shpallë nga thesaret e Arshit dhe asgjë tjetër, kurse ato janë: Ummul Kitab (Fatihaja), Ajetu-l-kursija, ajetet e fundit të sures el-Bekare dhe surja el-Keuther.” - kaptina e pjesëmarrjes, sepse melaqet marrin pjesë dhe dëgjojnë leximin e kësaj sure kur lexohet, ashtu si edhe largohen djajtë nga leximi i saj. - kaptina e pastërtisë, ngase me të ndahet imani (besimi) nga shirku (mosbesimi). Transmetohet se i Dërguari i Allahut, a.s., e ka parë njeriun i cili e ka lexuar këtë sure dhe ka thënë: “Sa i përket këtij, ai është i pastër nga shirku.” Shu’be transmeton nga Muhaxhiri se ka dëgjuar njeriun i cili ka thënë: “Udhëtoja me të Dërguarin a.s., kur ai vërejti njërin i cili lexonte suren el-Kafirun, dhe tha: ‘ky është i pastër nga shirku, ndërsa për suren el-Ihlas se i është falur’”. Dhe nga kjo mund të përfundojmë se edhe surja Kafirun thirret me të njëjtin emër, kaptina e cila ndanë imanin nga shirku. Vezaniu thotë se surja El- Ihlas ka lidhje me suren Kafirun me kuptimin e saj, sepse të dyja flasin mbi tevhidin, në atë çka Zoti nuk është dhe në atë çka Ai është. Sejjd Kutub thotë: “Kjo sure është vërtetim i monoteizmit të besimit islam, ashtu siç është surja el-kafirun negacion i çfarëdo lloj ngjashmërie dhe takimi mes besimit monoteist dhe politeist. Secila nga to kredon e monoteizmit e trajton nga pikëpamja e saj. I Dërguari i Allahut, ditën e ka filluar me leximin e këtyre dy sureve në namazin e sabahut… Një nisje e këtillë ka mësimin dhe domethënien e saj.” Surja e dritës. I Dërguari i Allahut thotë: “Të gjithë kanë dritën e vetë, kurse drita e Kur’anit është surja Ihlas.”

Vlera e sures El-Ihlas

Shumë hadithe, e që dallojnë në gradën e vlerësimit, flasin për vlerën e kësaj sure. Në to vërehet se ata që do ta duan dhe që do ta lexojnë këtë sure, do t’u falen mëkatet dhe ka për t’i futur në Xhennet, kurse leximi i saj pëlqehen të bëhet në namaz, pas namazi, para gjumit, etj. Enesi r.a., transmeton se një njeri i ka thënë të Dërguarit të Allahut a.s. që e donë këtë sure, ndërsa i Dërguari a.s., i ka thënë: “Nëse e donë (ajo) do të shtyj në Xhennet.” Imam Buhariu shënon: “Dashuria ndaj saj supozon hyrjen në Xhennet.” Ebu Hurejre tregon se ka qenë me të Dërguarin e Allahut a.s. ku e kishin dëgjuar një njeri duke e lexuar këtë sure, pastaj i ka thënë: “E ke obliguar.” “Në çka e kam obliguar, o i Dërguari i Allahut?” “E ka për borxh të të fus në Xhennet”, i tha i Dërguari i Allahut a.s. Në një transmetim tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut a.s. kishte hyrë në mesxhid gjersa një njeri kishte përfunduar namazin e tij duke thënë: “Të lutem Ty, si Allahu Një, që je mbështetje e gjithçkaje, nuk ke lindur kë, as që je i lindur, të m’i falësh mëkatet e mia, vërtetë Ti je shumë falës dhe Mëshirues.” Atëherë i Dërguari i Allahut a.s. tha tri herë: “Të falur e ka.” Tirmidhiu transmeton nga Enesi r.a. se ai i cili dëshiron të flejë në krevatin e tij, le të shtrihet në anën e djathtë dhe le ta lexojë njëqind herë suren El-Ihlas, kështu që Allahu i Lartmadhërishëm do ta mbrojë nga zjarri. Në transmetimin tjetër qëndron se Zoti i Lartësuar do t’i thotë: “Robi im, hyr në Xhennet me anën e djathtë tënden!” Imam Ahmedi shënon që Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e lexon KUL HUVALL-LLAHUN dhjetë herë, Allahu do t’i ngrit atij pallat në Xhennet.” Omeri r.a., në këtë ka shtuar: “Nëse lexojmë më tepër, a do të kemi shpërblim më të madh?” I Dërguari i Allahut, a.s. ka thënë: “Nëse ju e shtoni (leximin) edhe Allahu do ta shtojë (shpërblimin).” Imam Buhariu transmeton nga Aisha r.anha, se Pejgamberi a.s., kur shtrihej në shtrat në mbrëmje i mblidhte shuplakat e duarve, frynte në to dhe lexonte: “Kul huval-lllaun, Kul e’udhu birab-bil felek, Kul e’udhu birab-bin-nas, dhe pastaj me to prekte trupin aq sa ishte e mundur, duke filluar nga koka dhe fytyra. Këtë e bënte tri herë.”
Sipas transmetimeve të vërteta surja El-Ihlas ka vlerën e një të tretës (1/3) së Kur’anit. Imam Buhariu transmeton nga Ebu Seid El-Hudriu se një njeri e kishte dëgjuar një tjetër se si e lexonte suren El-Ihlas dhe atë duke e përsëritur, dhe që pas namazi të sabahut kishte shkuar tek Pejgamberi a.s., dhe ia kishte rrëfyer rastin. Atëherë i Dërguari i Allahut a.s. i është drejtuar: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit gjendet jeta ime, ajo është e barabartë më një të tretën e Kur’anit.” Në një transmetim tjetër qëndron se Pejgamberi a.s., u ka thënë shokëve të tij: “A s’është ndonjëri nga ju në gjendje që brenda natës ta lexojë një të tretën (1/3) e Kur’anit?” Pasi që kjo është dukur e rëndë, thanë: “E cili, pra, është në gjendje o i Dërguari i Allahut? Kurse i Dërguari i Allahut a.s. u përgjigj: “Kul huvall-llahu ehad”, është një e treta e Kur’anit.” Sipas M. Abduhusë kjo donë të thotë se, ai i cili saktë do ta kuptojë domethënien e saj dhe kush qartë do ta kuptojë gjithë atë në çka ajo na udhëzon, do t’i jetë e qartë gjithë ajo që në Kur’an flitet mbi tevhidin dhe tenzihun.(6)

Zoti është një – kul huvall-llahu ehad

Ai është Krijuesi i qiejve dhe Tokës edhe i vetë juve, Ai është Një dhe s’ka tjetër shok. Zoti është Ai që i mbështeten të gjithë, i Cili gjithsecilit i është strehim, prej të Cilit të gjithë varen, ndërsa Ai është i pavarur prej çdo gjeje. Mbështetje i është çdokujt, d.m.th. është i Vetmi që meriton t’i kthehemi për t’i kërkuar ndihmë dhe i Vetmi të Cilit i drejtohen lutjet. Çdo nevojë dhe ndihmë, që janë të nevojshme për njeriun, ndërsa i kalojnë mundësitë e tij, ka mundësi dhe lejohet t’i kthehet dhe t’i kërkojë ndihmë vetëm Allahut të Lartmadhërishëm, pa pasur nevojë për ndonjë ndërmjetësues. Fjala “EsSamed” nënkupton edhe atë se vetëm Zoti ka të drejtë të vendos parime të përgjithshme, dispozita sheriatike, ndërsa për punë dhe veprimtari - njerëzit. Nuk ka lindur askënd, sepse nuk i takon asnjë lloji, e për të lindur duhet të kesh bashkëshorte, gjë që kjo nuk i ngjan Lartmadhërisë së Zotit, i cili në një ajet kuranor shprehet: “E si do të ketë Ai fëmijë, kur nuk pati bashkëshorte?!”Nuk është i lindur, sepse e gjithë ajo që lind ndryshon dhe ka trup. Ai është i amshueshëm, asgjë nuk i ka paraprirë ekzistencës së Tij, Ai nuk është trup dhe asgjëje nuk i ngjason.
M. Abduhu këto ajete të sures El-Ihlas i komenton kështu: , “nuk ka lindur askënd”, për të Lartmadhërishmin thuhet se është larg nga ajo që Ai mund të lind dikë, dhe me këtë bie poshtë pohimi i shtrembëruar i politeistëve, krishterëve dhe të tjerëve të cilët thonë se Zoti ka djalë dhe vajzë. Të kesh fëmijë, e të mos lindësh është e pa mundur, ndërsa lindja mund të jetë vetëm te qeniet e gjalla, të cilat kanë atribute trupore, ndërsa Zoti nuk është i tillë. “as që është i lindur”, nuk qëndron pohimi se Zoti ka djalë, i cili më pas është bërë Zot, dhe se duhet ta adhurohet si edhe
Zoti i vërtetë, dhe atij t’i drejtohet si Zotit të vërtetë, ndërsa nëna e tij të trajtohet si nëna e Zotit. Fëmija, dhe gjithë ajo që lind, e ka të domosdoshme zanafillën dhe mbarimin e tij, dhe si pasojë e kësaj, pohimi i tyre se ai fëmijë është bërë i amshueshëm bashkë me babanë e tij nuk mund të arsyetohet dhe të kuptohet. Prandaj, kush dëshiron të besojë në Njëshmërinë e Zotit, le të largohet nga ato pohime dhe le të thotë: “Ai është Zoti Një dhe i Vetmi; Ai është Allahu i vetëm, që çdo njëri duhet t’i drejtohet, nuk ka lindur kë, as që është i lindur dhe Atij askush nuk i është i barabartë.”Ideja e Njëshmërisë së Zotit është princip fundamental i Islamit dhe motiv kryesor i Kur’anit. Ajo ka një moral përfundimtar shumë të rëndësishëm: Zoti, si Krijuesi i vetëm, është Gjykatësi i Lartë. Njerëzit bartin përgjegjësi për veprat e tyre, ndërsa Zoti i verifikon jetët e tyre (99, 6-8). Nga kjo, nuk ka të privilegjuar, porse të gjithë njerëzit janë të barabartë para vullnetit dhe caktimit Absolut (5, 20).Njëshmëria e Zotit është rruga e moralit njerëzor. Besimi në Zotin nuk është vetëm se të thuash (…”të cilët me gjuhët e tyre thanë: “Ne besojmë”, ndërsa zemrat e tyre ende nuk kanë besuar” (5, 44); atë duhet ta përcjellin veprat e vlefshme, ndërsa çdo njëri është i obliguar aq sa edhe ka mundësi (7,42; 10,4). Motivi i vërtetë i vlerave të tyre është dorëzimi i plotë ndaj Allahut të Lartmadhërishëm (2, 131).

(1) Përkthimi i Kur’anit fjalë për fjale është i pamundur. Dhe si rrjedhojë e kësaj, si në të gjitha përkthimet e Kur’anit në përgjithësi, dhe në shqip në veçanti, mund të hasim në përkthime të ndryshme të fjalëve Kur’anore. Edhe te sureja Ihlas ndryshojnë përkthimet e emrit të kësaj sure. P.sh. Sherif Ahmeti e përkthen si “…kaptina e pastërtisë, e të kulluarit, e sinqeritetit…“; Përkthyesit e Kur’anit “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”, e kanë përkthyer si “…Pastërtia e Besimit, ose et-Teuhid-Njësia e Besimit” Ndërsa, në mungesë të përkthimeve të tjera të Kur’anit, sikur të atij të Akad. Feti Mehdiut, Hasan Nahit, Selim Muqës, i kishim preferuar lexuesit që ai vetë t’ju kthehet, mundësisht, atyre për të parë se si keta e kanë përkthyer suren El-Ihlas në përgjithësi, por edhe emrin e saj në veçanti. (M.A.)
(2) Shih përkthimet shqip. Sh. Ahmeti mendon se është zbritur në Mekke, ....
(3) Zjarëputistët ose adhuruesit e zjarrit.
(4) Politeistët – ata që besojnë në shumë Zota.
(5) Ithtarët e Librit (Hebrenjtë, krishterët)
(6) El-Tenzih - zhveshja e Allahut prej çdo papërsosurie dhe mangësie.



Ferid Dautoviq
Përktheu nga boshnjakishtja, Mehas Alija
(Novi Muallim, revistë për edukim dhe arsimim, viti i II, nr. 6.,
Sarajevë, 2001)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi