Rreth vdekjes së Ebu Bekrit ka mendime të ndryshme. Mendohet se shkak i vdekjes së tij është ftohja nga të larët me ujë të ftohtë. Kjo i solli ethe dhe ai lëngoi rëndë prej tyre derisa vdiq.
Thuhet se shkaku i vdekjes është se i është hedhur helm në ushqim nga një çifut. Nga ky helm mendohet se ai ka vuajtur për 15 ditë. Kjo nuk është e çuditshme për ata që kanë vrarë pejgamberët dhe u munduan të vrasin Isain alejhi selam dhe gjithashtu u munduan tri herë të vrasin edhe Muhamedin alejhi selam. Ata shkaktuan trazira e shqetësime në mesin e myslimanëve dhe më pas shkaktuan edhe vrasjen e Omer bin Hatabit, të Othman bin Afanit, të Talhës dhe të Zubejrit…
Kur sëmundja iu shtua, ai filloi të konsultohet me sahabët rreth zgjedhjes së Omer bin Hatabit si halif i myslimanëve. Kur e pyeti Abdurrahman bin Oufin, ai i tha: “Ai është më i mirë seç mendon për ta zgjedhur për këtë çështje, o zëvendësi i Pejgamberit alejhi selam.” Pastaj e pyeti Othmanin dhe ai i tha: “Ajo që di është se shpirti i Omerit është më i mirë sesa pamja e jashtme e tij.” Pastaj, Ebu Bekri u konsultua me sahabët e mëdhenj në mesin e ensarëve dhe që të gjithë ranë dakord. Disa njerëz i thanë: “Omeri është i vrazhdë, ç’do t’i thuash Allahut për faktin se e ke propozuar për halif?” Ebu Bekri u hidhërua dhe tha: “A doni të më frikësoni me Allahun? Pasha Allahun xh.xh., do t’i them se kam zgjedhur për popullin Tënd njeriun më të mirë nga populli Yt.” Pastaj Ebu Bekri thirri Othmanin dhe i tha: “Shkruaj o Othman, këtë ka urdhëruar Ebu Bekri, biri i Kuhafes, në fund të jetës së tij në këtë botë, duke shkuar në ahiret dhe hapi i parë duke hyrë në ahiret. Le të besojë gënjeshtari dhe të sigurohet mospërfillësi dhe le të besojë mosbesimtari: Unë kam emëruar halif tuajin...”, pastaj i ra të fiket para se të përmendte emrin e halifit, kurse Othmani shkroi emrin e Omer bin Hatabit nga frika se Ebu Bekri do të vdiste e myslimanët do të ballafaqoheshin me mosmarrëveshje pas tij. Othmani e bëri këtë duke e ditur atë që kishte vendosur halifi, ngase ai kishte marrë më parë mendimin e tij lidhur me këtë çështje. Kur Ebu Bekrit i erdhi vetëdija, i tha Othmanit: “Çfarë ke shkruar?” Ai i lexoi se kishte shkruar se Omeri ishte halifi i myslimanëve sipas urdhrit të Ebu Bekrit. Ebu Bekri i tha: “A u frikësove se po vdes dhe myslimanët do të kenë mosmarrëveshje nëse nuk do të zgjidhet halifi? Allahu të shpërbleftë o Othman për Islamin dhe myslimanët.” Pastaj Ebu Bekri i mblodhi njerëzit dhe u tha: “O ju njerëz, unë jam gati për ahiret dhe po dal nga kjo botë. Unë kam zgjedhur për ju atë emri i të cilit është në këtë letër, prandaj respektojeni dhe binduni atij. A e pranoni atë për të cilin i kam konsultuar njerëzit dhe e kam zgjedhur për ju?” Thanë: “Po, e pranojmë atë që ke zgjedhur.” Ali bin Ebu Talibi tha: “Nuk pranojmë dikë tjetër, vetëm se të jetë Omer bin Hatabi!” Ebu Bekri buzëqeshi dhe tha: “Ai është, Omer bin Hatabi, prandaj dëgjojeni dhe binduni atij. Pasha Allahun, nuk di diçka tjetër për të vetëm se gjëra të mira.”
Pasimi i një rruge të pashoqe
Ebu Bekri pyeti njerëzit: “Çfarë dite është sot?” I thanë se ishte ditë e hënë, si ajo në të cilën vdiq Pejgamberi alejhi selam. Ebu Bekri tha: “O Allah, më bëj të vdes sonte!” Pastaj tha: “Në çfarë qefini është varrosur Pejgamberi alejhi selam?” I thanë se ai ishte varrosur në një qefin me tri copa, prandaj edhe Ebu Bekri urdhëroi të përgatiten për të tri copa qefini dhe tha se kufomën e tij duhet ta lante bashkëshortja e tij, Esma bint Umejsja.
Vdekja e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të
Aishja hyri te dhoma e babait të saj dhe ai e ndaloi nga vaji. Ajo u ul pranë tij dhe filloi të thoshte vjersha ngushëllimi për të, por ai i tha: “Jo, oj Aishe, por thuaj: “Agonia e vdekjes i vjen me atë të vërtetën (i zbulohet çështja e ahiretit); kjo është ajo prej së cilës ke ikur. Dhe i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim).” (Kaf, 19-20)
Fjalët që ai shqiptoi në jetën e tij ishin: “Më vdis mysliman dhe më bashko me mirëbërësit!” Ebu Bekri vdiq natën dhe xhenazen ia fali Omer bin Hatabi. E tërë Medina qau dhe e varrosën pranë Pejgamberit alejhi selam. Në varrin e tij zbriti Ali bin Ebi Talibi dhe tha: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Bekër! Pasha Allahun, ishe i pari që pranove Islamin, njeriu më i sinqertë në besim, njeriu më i bindshëm, më pasaniku, njeriu që e ruajti dhe e mbrojti Pejgamberin alejhi selam më shumë dhe njeriu më i kujdesshëm për Islamin. Ishe më i mëshirshmi për myslimanët, njeriu që më së shumti i ngjau Pejgamberit alejhi selam në pamje, moral, udhëzim e karakteristika. Allahu të shpërbleftë për Islamin dhe për Pejgamberin alejhi selam. I besove Pejgamberit alejhi selam kur të tjerët e përgënjeshtruan, e ngushëllove kur të tjerët e sulmuan, ishe pranë tij kur të tjerët e lanë vetëm. Allahu xh.xh. të quajti në librin e Tij “Es-Sidik” dhe tha: “Ai i cili erdhi me të vërtetën dhe e vërtetoi me të”. Ti ishe ai që e vërtetove dhe i besove. Ishe kështjellë për Islamin dhe ndëshkim për mosbesimtarët, ishe si bjeshka që nuk e tundin murlanët e as nuk e asgjësojnë goditjet. Ishe siç tha Pejgamberi alejhi selam: “I dobët në trup, por i fuqishëm në urdhrin e Allahut. Modest para vetes dhe madhështor tek Allahu. Fisnik në tokë e krenar te myslimanët. Allahu xh.xh. të shpërbleftë me shpërblimin më të mirë! Nuk pati kush nga njerëzit lakmi për ty (për keqpërdorim) dhe nuk pati kush qetësi (nëse ishte kundër fesë). I forti për ty ishte i dobët derisa e merrje hakun prej tij, kurse i dobëti ishte i fortë për ty derisa ia merrje hakun nga i padrejti. Allahu xh.xh. mos na e largoftë shpërblimin tënd dhe mos na lëntë të humbin pas teje!”
Omer bin Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të - Origjina dhe krenaria e tij -
Ai është Omer bin Hatab bin Nefil bin Abdel-Ize bin Kab bin Luoj bin Fehri. Ai takohet me Pejgamberin alejhi selam te gjyshi Kab bin Luoj. Është kurejsh, nga Beni Adijët. Familja e tij ishte përgjegjëse për pajtimet në rastin e ngatërresave në xhahiliet. Omer bin Hatabi ishte përgjegjës në fisin e tij në rast se ndodhnin mosmarrëveshje e ngatërresa në mesin e fiseve dhe kabileve. Omeri ishte ai që bënte përpjekje për t’i pajtuar. Kjo tregon çiltërsinë e mendjes së tij, drejtësinë e gjykimit dhe aftësitë e tij. Megjithëse fisi i tij ishte krenar dhe familja e tij ishte me nam në Mekë në kohën e xhahilietit, prapëseprapë Omeri pinte alkool dhe varroste vajzat e vogla. Për të tregohet edhe një tregim interesant. Një ditë, ai kishte bërë një idhull prej hurme dhe e adhuronte atë. Kur një ditë e mori uria, e hëngri. Kur idhulli përfundoi në barkun e tij, atij i erdhi keq. Por edhe më keq i erdhi kur ai doli nga barku i tij. Kur u bë halif i myslimanëve, një djalë i ri shkoi dhe i tha: “O princi i besimtarëve, a e bënit një gjë të tillë në xhahiliet, a nuk kishit mend?” Omeri i tha: “O djalosh, ne kishim mend, por nuk kishim udhëzim.” Çështja nuk është thjesht vetëm mendje, por duhet të jetë patjetër udhëzimi nga Zoti i gjithësisë. Sa filozofë e mendimtarë kanë humbur në përpjekjet e tyre, edhe pse ata kishin mendje e meditim, porse ata nuk kërkuan udhëzim nga Allahu. Omeri nuk u bë diçka me rëndësi në jetë vetëm se me Islamin. Islami është ai që i shpërtheu aftësitë e tij dhe e vendosi në kornizën e duhur.
Lindja e Omerit
Omeri u lind trembëdhjetë vjet pas vitit të elefantit. Ai ishte 13 vjet më i ri se Pejgamberi alejhi selam. Ai e pranoi Islamin gjashtë vjet pas shpalljes së Pejgamberit alejhi selam si Pejgamber. Halif i myslimanëve u zgjodh në moshën 52-vjeçare. Qëndroi dhjetë vjet si halif dhe vdiq afërsisht në moshën e Pejgamberit alejhi selam. Ai u varros pranë Pejgamberit alejhi selam dhe pranë Ebu Bekrit.
Prindërit, gratë dhe fëmijët e tij
Babai i tij jetoi e vdiq dhe nuk përmendet në histori, pasi nuk kishte ndonjë post, kurse nëna e tij, Hanteme bint Hashim, ishte nga Beni Mahzumët. Njerëzit më të famshëm nga fisi i saj ishin El-Velid bin Mugire, babai i Halid bin Velidit dhe Amr bin Hishami, ose Ebu Xhehli. Omeri në xhahiliet u martua shumë herë dhe pati shumë fëmijë. Shumë prej grave të tij vdiqën. Më të njohurit nga fëmijët e tij ishin Abdullah bin Omeri dhe nëna e besimtarëve Hafsa, pastaj Fatma, Asimi, Abdurrahmani i madh, Abdurrahmani i mesëm dhe Abdurrahmani i vogël. Në xhahiliet ishte i martuar me tri gra dhe kur zbriti ajeti kuranor: “Mos i mbani në kurorë idhujtaret”, El-Mumtehine 10, ai i mblodhi të gjitha gratë e tij një mbrëmje dhe ua paraqiti Islamin. Ato e refuzuan Islamin dhe ai menjëherë i la ato, duke treguar gatishmëri për të respektuar urdhrin hyjnor. Prej bashkëshorteve më të famshme ishte gruaja me të cilën u martua pasi u bë halif, do të thotë, pasi mbushi 52 vjet. Ajo ishte Umu Kulthumi, bija e Ali bin Ebu Talibit dhe e Fatimes, mbesa e Pejgamberit alejhi selam. Vëllezërit e saj ishin Hasani e Huseini, nipat e Pejgamberit alejhi selam. Kur e kërkoi nga babai i saj, Aliu i tha se ishte e re për të, ndërsa Omeri i tha: “Ma jep që të martohem më të, se pasha Allahun askush nga myslimanët nuk ia di vlerën asaj si unë.” Kur u martua me Umu Kulthumin, Omeri doli para njerëzve në xhami dhe tha duke i shikuar: “Thoni se jam martuar me të kur ajo është ende e re? Pasha Allahun, jam martuar sepse e di nga Pejgamberi alejhi selam se në Ditën e Kiametit vendosen së bashku të gjitha sebepet e miqtë (lidhjet martesore, dhëndër e nuse), e unë me Pejgamberin alejhi selam i kam të dyja. Pejgamberi alejhi selam është martuar me vajzën time, kurse unë jam martuar me mbesën e tij.” Kur Omeri ecte, shpejtonte dhe tundte tokën. Kur fliste, të gjithë e dëgjonin, kishte zë të fuqishëm. Rreth ngjyrës së tij ka mendime të ndryshme. Dikush thotë se Omeri ishte i bardhë, e anonte pak nga ngjyra e kuqe. Dikush thotë se ishte ezmer. Lidhur me ngjyrën e tij ezmere thuhet se e ka marrë pas vitit të thatësisë dhe skamjes që përshkoi Medinën dhe Gadishullin Arabik një vit prej vitesh. Omeri nuk ushqehej me mish dhe me ushqime të yndyrshme, kalorike, por ushqehej vetëm me bukë të thatë e ngandonjëherë me vaj, prandaj si rezultat i mungesave të elementëve të ndryshëm në ushqim i ndryshoi edhe ngjyra e fytyrës. Për këtë arsye, ai që e ka parë Omerin para vitit të urisë e të skamjes e cilëson si të bardhë, kurse ai që e ka parë pas këtij viti e cilëson si ezmer. Myslimanët në atë kohë i luteshin Allahut xh.xh. që ta largonte atë gjendje të rëndë dhe frikësoheshin edhe për emirin e tyre, se mos po vdiste si rezultat i ushqimit të dobët. Pejgamberi alejhi selam ka bërë dua duke thënë: “O Zot, forcoje Islamin me njërin nga dy Omerat, Omer bin Hatabin ose Amr bin Hishamin!” Ç’e shtyu Pejgamberin alejhi selam që ta bëjë këtë dua? Cila është cilësia e përbashkët mes këtyre dy burrave që Pejgamberi alejhi selam të bëjë këtë dua, edhe pse përfundimi i secilit prej tyre ishte krejt ndryshe? Cilësia e përbashkët mes këtyre dy burrave ishte pozitivizmi efektiv. Gjëja më e mirë e njeriut është kur ai është në rrugën e drejtë dhe është pozitiv dhe i efektshëm në shoqërinë e tij. Gjëja më e keqe për njeriun është të jetë negativ dhe jo i efektshëm në shoqëri, ndikohet nga të tjerët dhe nuk ndikon tek ata. Tregimi i Islamit të Omerit filloi me duanë që bëri Pejgamberi alejhi selam. Sa mirë do ishte t’i thërrasim në rrugën e vërtetë ata që i duam! Njoh një njeri që ka shkuar enkas në umre për të bërë dua që të udhëzohet një person të cilin ai e donte dhe kur u kthye nga umreja, mori një telefonatë prej tij, ku ai i thoshte të shkonin së bashku në xhami. Kur ende nuk e kishte pranuar Islamin, Omerikishte një shërbëtore që e kishte pranuar Islamin, të cilën e rrihte sa mundej, derisa lodhej dhe i thoshte: “Pasha Allahun, sikur të mos isha lodhur, nuk do të të lija”, e ajo i thoshte: “A e sheh se çka të bëri Zoti xh.xh.?” Omeri ishte i përkushtuar që ta luftonte Islamin, t’i largonte njerëzit nga Pejgamberi alejhi selam si dhe t’i largonte të gjithë ata që Pejgamberi alejhi selam dëshironte t’i ftonte në Islam. Omeri shkonte këmbë pas këmbe pas Pejgamberit alejhi selam, derisa një natë iu vu prapa Pejgamberit alejhi selam, i cili po shkonte në Qabe. Kur Pejgamberi alejhi selam e hetoi, u kthye dhe i tha: “A nuk më lë rehat as natën e as ditën, o Omer?!” Imagjinoni brutalitetin e Omerit kundër myslimanëve para se të bëhej mysliman. Myslimanët mundoheshin me çdo kusht që të mos takoheshin me të në asnjë mënyrë, por duaja e Pejgamberit alejhi selam ndikoi pozitivisht në zemrën e tij. Motivet për dyshim dhe bindje filluan të ngjallen tek ai pasi dëgjoi Kuranin Fisnik nga Pejgamberi alejhi selam.
Kur Pejgamberi alejhi selam lexonte suren El-Haka, Omeri thoshte: “Ky qenka poet”, por Pejgamberi alejhi selam lexoi: “Ai nuk është fjalë e poetit, po ju nuk besoni.” (El-Haka, 41) Omeri tha me vete: “Atëherë qenka murg ose falltar”, por Pejgamberi alejhi selam lexoi: “Nuk është as fjalë e ndonjë falltari, por ju nuk përkujtoni. Është zbritje prej Zotit të botëve.” (El-Haka, 41-43). Kështu, në zemrën e tij ndikoi Islami dhe filloi konflikti mes së vërtetës dhe së pavërtetës.
Në vitin e gjashtë pas shpalljes, Pejgamberi alejhi selam i urdhëroi disa prej shokëve të tij që të shkonin në Etiopi për hixhret. Omeri pa një grua tek po përgatiste gjërat e saj për të shkuar në hixhret dhe i tha: “Ku dëshiron të shkosh oj robëresha e Zotit?” Ajo i tha: “Po iki me fenë tonë, na shkatërruat dhe bëtë mizori ndaj nesh.” Omeri i tha: “Atëherë, ky qenka largimi juaj oj robëresha e Allahut? Allahu ju shoqëroftë!” Gruaja në fjalë ndjeu butësi në tonin e Omerit dhe i tregoi burrit të vet, i cili e pyeti: “A shpreson se Omeri do të bëhet mysliman?!” Ajo i tha se po dhe atëherë burri i saj i tha: “Pasha Allahun, nuk bëhet mysliman Omeri me sa bëhet edhe gomari.” Deshi Zoti xh.xh. që mendimi i asaj gruaje të realizohet e Omeri të pranonte Islamin nga dora e një gruaje.
Pranimi i Islamit nga Omeri
Kur Omeri pa se numri i myslimanëve ishte në rritje të vazhdueshme, vendosi ta vriste Pejgamberin alejhi selam, prandaj mori shpatën e tij dhe doli në shesh duke treguar qëllimin e tij. Atë e pa një nga sahanët që e mbante të fshehtë Islamin. Ai e pyeti Omerin se ku po shkonte. Omeri i tregoi se po shkonte të vriste Muhamedin. Sahabi i tha: “A mendon se beni Abdulmutalibët të lënë të lirë?” Omeri ia ktheu: “Më duket se paske filluar të ndjekësh rrugën e Muhamedit!” Atëherë sahabi i tha: “Motra jote, Fatimja, dhe burri i saj kanë hyrë në fenë e Muhamedit.” Omeri e pyeti në ishte e vërtetë dhe sahabi, për ta larguar Omerin që të mos shkonte e të vriste Pejgamberin alejhi selam, i tha po. Omeri u tërbua nga hidhërimi. Ai shkoi te shtëpia e motrës së tij dhe trokiti në derë me sa fuqi që kishte. Në shtëpinë e motrës dhe të dhëndrit të tij gjendej Habab bin Arati, i cili Said bin Zejdit dhe Fatimes u mësonte Kuranin dhe Islamin. Kur Hababi dëgjoi zërin e Omerit, u fsheh diku në shtëpi. Kur u hap dera, Omeri e kapi Saidin, dhëndrin e tij, dhe i tha: “A je bërë sabei dhe ke ndjekur Muhamedin? Saidi i tha: “O Omer, si ta merr mendja, se është e vërteta në fenë tënde?” Omeri e shtyu dhe ai u rrëzua. Omeri filloi ta godiste dhe në atë rast vjen Fatimja që të mbrojë burrin e saj dhe e shtyn Omerin nga Saidi. Atëherë, Omeri e goditi atë me shpullë në fytyrë, duke i shkaktuar gjakderdhje në fytyrë. Fatimja atëherë i tha: “Omer, si ta merr mendja, që e vërteta të jetë në fenë tënde?” Në atë çast asaj i ra nga dora një fletushkë. Omeri i tha t’ia jepte atë fletushkë, por ajo i tha: “Ti je i papastër dhe nuk ke për ta marrë derisa të lahesh.” Kur Omeri pa gjakun që rridhte fytyrës së motrës së tij, zemra iu zbut dhe kur pa qëndrimin e fortë të saj, iu dorëzua urdhrit të Allahut. Shkoi e u la dhe pastaj e mori fletushkën dhe nisi të lexonte këto ajete:
“Ta Ha. Ne nuk ta shpallëm Kuranin për të të munduar ty. Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet. (Kjo është) Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë. (E Ai është) Mëshiruesi që krijoi tokën dhe qiejt e lartë. E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej e në tokë dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre, edhe çka nën dhe. Andaj, nëse bën shprehjen (lutjen) haptazi, Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo. Ai është Allahu, nuk ka Zot pos Tij. Atij i takojnë emrat më të bukur.” (Taha:1-8)
Pasi i lexoi këto ajete, Omeri tha: “Këto fjalë nuk i thotë kush vetëm se Zoti i gjithësisë.” Ai kërkoi prej motrës së tij që t’i tregonte se ku ishte Pejgamberi alejhi selam. Kur Hababi u bind se çdo gjë ishte në rregull me Omerin, doli nga vendi ku ishte fshehur dhe tha: “O Omer, Pejgamberi alejhi selam është në shtëpinë El-Erkam bin Ebij El-Erkamit dhe ty të shoh vetëm si rezultat të duasë së Pejgamberit alejhi selam: “O Zot, forcoje Islamin me njërin nga dy Omerët, Omer bin Hatabin ose Amr bin Hishamin.” Omeri pyeti: “A ka bërë dua Pejgamberi alejhi selam për mua?” Tha: “Po. Shko tek ai o Omer!” Omeri shkoi te shtëpia e El-Erkam bin El-Erkamit dhe trokiti në derë. Kur dëgjuan zërin e Omerit, ata që ishin brenda u drodhën nga frika, ndërsa Hamza tha: “Hapjani derën. Nëse ka ardhur për të mirë, do t’i japim mirësi, e nëse ka ardhur për sherr, unë do të merrem me të.” Pejgamberi alejhi selam e trajtonte secilin me atë që i përputhej me personalitetin e tij. Siç dihet, personaliteti i Omerit ishte i fortë dhe ishte e natyrshme që Pejgamberi alejhi selam të sillej me të me fuqi. Pejgamberi alejhi selam sa e pa, e kapi nga rrobat dhe e drodhi fuqishëm të tërin, derisa e gjunjëzoi, siç tregon edhe Omeri. Pejgamberi alejhi selam i tha: “A nuk ka ardhur koha o Omer që ta pranosh Islamin?” Omeri i tha: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi alejhi selam është robi i Tij.”Atëherë nga britma “Allahu Ekber” që thirrej nga myslimanët në shtëpi u drodh e tërë shtëpia.
Shfaqja e parë haptazi e Islamit
Pasi Omeri pranoi Islamin, ai e pyeti Pejgamberin alejhi selam: “A nuk jemi në të vërtetën?” Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Po, si jo!” Omeri pyeti: “A nuk janë ata në humbje?” Tha: “Po, si jo!” Tha: “Atëherë, përse të fshihemi?” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Atëherë, çfarë mendon ti o Omer?” Ai i tha: “Të dalim o i Dërguari i Allahut dhe ta paraqesim Islamin në rrugët e Mekës dhe të bëjmë tavafin rreth Qabesë.” Atëherë, Pejgamberi alejhi selam tha: “Po, o Omer, eja…” Atëherë myslimanët dolën në dy rreshta, njërit rresht i printe Luani
i Allahut, Hamza bin Abdulmutalibi, ndërsa tjetrit i printe Omer bin Hatabi. Të gjithë thoshin: “Allahu Ekber ve lilahi El-hamd” (Allahu është më i madhi, falënderimi është për Allahun). Myslimanët bënë tavafin rreth Qabesë dhe kurejshitët nuk kishin mundësi t’i kundërshtonin këtë herë, madje ata u larguan fare nga mejdani dhe shkuan e mbyllën dyert e shtëpive të tyre, sikur fshiheshin kësaj radhe nga myslimanët. Kjo ishte dita e parë e pranimit të Islamit nga Omeri. Ai nuk u mjaftua që e deklaroi haptazi Islamin e tij duke bërë tavafin rreth Qabesë, por kishte për qëllim t’u thoshte liderëve të shirkut në Mekë se ai tashmë ishte mysliman për t’i provokuar ata. Ai shkoi te shtëpia e Ebu Xhehlit dhe godiste në derë duke thënë: “O Ebu Xhehl, a e di se unë kam pranuar Islamin?” Ebu Xhehli ia ktheu: “U mallkofsh ti dhe e gjithë dita!”, dhe ia mbylli derën. Pastaj Omeri shkoi te Ebu Sufjani dhe i përsëriti të njëjtën gjë si Ebu Xhehlit. Edhe Ebu Sufjani e mbylli derën e shtëpisë së tij. Omeri kishte për qëllim që të përjetonte keqtrajtimet që kishin përjetuar vëllezërit e tij myslimanë në rrugën e Allahut dhe dëshironte të paraqiste krenarinë që ndiente në Islam. Ai shkoi te një njeri që i përhapte fjalët më shpejt në Mekë, i cili quhej Xhemil bin Muaser. Omeri i tha: “O Xhemil, dua të ta them një fjalë sekret, a e mban të fshehtë?” Tha: “Po.” Omeri i tha: “Mos i trego kujt. Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi alejhi selam është rob dhe i Dërguari i Tij.” Omeri tregon e thotë: “Nuk e pashë se si ka ikur dhe pas një kohe shumë të shkurtër i tërë vendi e mori vesh dhe thoshin Omeri u bë sabei, kurse unë u thosha se jam bërë mysliman dhe jo sabei.” Atë ditë ishin mbledhur një grup mekasish për ta rrahur Omerin. Mes Omerit dhe mekasve kishte plasur rrëmuja dhe kur ata u lodhën, ai kapi njërin prej tyre, e hodhi në tokë, ia futi gishtin në sy dhe i tha: “Thuaju këtyre të largohen prej meje, ose po t’i nxjerr të dy sytë.” I tmerruar nga Omeri ai u tha shokëve të tij të ikin dhe ata ikën. Pastaj, Omeri u nis krenar për atë që i kishte ndodhur në rrugë të Allahut. Ende jemi në ditën e parë të Islamit të tij. Ai nuk u mjaftua me këtë, por shkoi në shtëpi dhe i mblodhi fëmijët e tij dhe u tha: “Dijeni se unë jam mysliman dhe ju urdhëroj të bëheni myslimanë.” Atëherë, biri i tij Abdullahu i tha: “O baba, unë jam mysliman që prej një viti.” Omeri ia ktheu: “A e lë babanë tënd të hyjë në xhehenem? Pasha Allahun, do të të rrah fort!” Sa herë që i kujtohej ky rast, Omeri e qortonte të birin.
Hixhreti i Omerit
Omeri pa se sahabët emigronin fshehtazi, që të mos keqtrajtoheshin nga kurejshitët mushrikë, ndërsa ai vendosi që hixhretin e tij ta bënte publikisht. Ali bin Abi Talibi thotë: “Nuk di ndonjë nga sahabët e Pejgamberit alejhi selam që ta ketë bërë hixhretin haptazi përveç Omer bin Hatabit.” Hixhreti i Pejgamberit alejhi selam ishte i fshehtë, ndërsa hixhreti i Omerit ishte publik, pasi po të ishte hixhreti i Pejgamberit alejhi selam publik, do ishte legjislacion për të gjithë dhe myslimanët nuk do të kishin më parasysh kushtet e rrethanat në të cilat jetonin. Ishte e vërtetë se të gjithë myslimanët nuk do të kishin mundësi të emigronin haptazi duke pasur parasysh dobësinë e disave, ndërsa Omeri zgjodhi për vete që hixhreti i tij të jetë publik dhe i hapur për të shprehur fuqinë e tij. Prandaj, kur përmendet emri i Omer bin Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndiejmë fuqi dhe krenari, sidomos në këtë kohë kur jetojmë pothuajse në kushte të ngjashme. Omeri mori shpatën, shigjetën dhe shtizën e tij, sikur bëhej gati për luftë, doli në kohën kur kurejshitët dilnin në Qabe, bëri tavafin dhe fali dy rekate pranë Mekami Ibrahimit. Pasi fali namazin, iu drejtua banorëve të Mekës dhe u tha: “Fytyra të deformuara, Allahu ju shkatërroftë o ju të humbur!” Pastaj shtoi: “Kush dëshiron që ta lërë jetim fëmijën e tij dhe nënën pa djalë, ose dëshiron ta lërë gruan e tij të vejë, le të më dalë pas kësaj lugine. Unë po nisem muhaxhir nesër.” Askush nuk foli. Të nesërmen Omeri emigroi dhe bashkë me të emigruan edhe njëzet myslimanë të dobët, të cilët hynë nën mbrojtjen e Omerit. Ky ishte numri më i madh i emigrantëve myslimanë që hynë në Medinë për një ditë. Abdullah bin Mes’udi thotë: “Ishim të dobët, derisa Omer bin Hatabi pranoi Islamin. Nuk mund të faleshim në Qabe, derisa u falëm me Omerin. E kur ai pranoi Islamin, zbriti ajeti: “O i Dërguari i Allahut, Allahu të mbron dhe ata që ndoqën rrugën tënde nga besimtarët.” (El-Enfal, 64)
Vëllazërim për Zotin
Omeri kishte një shok të ngushtë, që quhej Ajash bin Ebij Rabia, i cili emigroi me të. Ajashi ishte prej familjeve shumë të pasura. Kur Harithi, vëllai i tij, dhe Ebu Xhehli morën lajmin për emigrimin e Ajashit, u hidhëruan shumë dhe vendosën që të shkojnë e ta kthejnë në Mekë. Kur e arritën, i thanë: “Nëna jote është betuar që të mos hyjë nën hije asnjëherë e as të lahet derisa të kthehesh.” Kështu, Ajashi nisi të mendojë për kthimin në Meke. Omeri e ndjeu këtë, prandaj i tha: “Duan të të kthejnë nga feja jote. Mos u frikëso për nënën tënde, nëse ajo lodhet, do të ulet dhe do të hyjë nën hije.” Ajashi tha: “Në Mekë kam pasuri. Dua të shkoj të marr pasurinë time, të shoh nënën e pastaj do të kthehem.” Omeri i tha: “O Ajash, nëse shkon, nuk do të kthehesh.” Ajashi i tha: “Do të shkoj të marr pasurinë time dhe do të kthehem.” Omeri atëherë i tha: “Ti e di, o Ajash, se unë jam më pasaniku në Mekë. Ja, po e ndaj pasurinë time mes nesh në gjysmë.” Ajashi nuk pranoi dhe vendosi të kthehet në Mekë dhe atëherë Omeri i tha: “Merre devenë time e ndoshta t’i kujton myslimanët e kthehesh.” Ajashi mbeti në Mekë derisa zbriti ajeti i Kuranit: “Thuaj (o Muhamed): “O robërit e mi që i keni bërë padrejtësi vetes me pa kufi, mos këputni shpresat në mëshirën e Allahut, vërtet Allahu fal të gjitha mëkatet.” (Ez-Zumer, 53)
Omeri e shkroi atë ajet në një letër dhe ia dërgoi Ajashit në Mekë. Ajashi e lexonte dhe nuk e kuptonte kuptimin e saj. Iu lut Allahut t’ia sqaronte atë, derisa e kuptoi kuptimin që kishte për qëllim Omeri. E kuptoi se mund të kthehej ende në Medinë, se dera e pendimit ishte ende e hapur, prandaj vendosi të kthehet në Medinë si muhaxhir. Ky rast i Omerit me shokun e tij tregon sinqeritetin dhe dashurinë e pastër të Omerit dhe këshillën që ia bën shokut të tij. Këtu vërehet vëllazërimi i vërtetë i myslimanit; frika që ndiente për vëllanë e tij e bënte të mendonte se pasuria e tij do të ndikonte në fenë e tij. Asnjëherë ai nuk u vonua me këshillat e tij, duke i ndenjur pranë në çdo rast. Ky është vëllai i vërtetë.
Lufta e Bedrit
Kur u zhvillua lufta e Bedrit, myslimanët u ndeshën me mushrikët. Omeri ecte në mesin e mushrikëve; kërkonte të afërmit e tij që të luftonte kundër tyre dhe më në fund takoi dajën e tij, El-As bin Hishamin, dhe e vrau. Kur përfundoi beteja, Said bin El-Asi ishte i hidhëruar për vrasjen e babait të vet në kufër (mosbesim). Ai mendoi se mos ia kishte vrarë Omeri babanë. Omeri e ndjeu këtë dhe shkoi e i tha: “E shoh se ke diçka ndaj meje. Mendon se të kam vrarë babanë? Pasha Allahun o Said, unë kam vrarë dajën tim. Pasha Allahun, sikur ta kisha vrarë, nuk do të të kërkoja falje, ngase ai ishte mosbesimtar.” Saidi e pa dhe i tha: “Pasha Allahun, edhe nëse e ke vrarë, ti je në të drejtë e ai ishte në gabim.” Në këtë betejë u zu rob Suhejl bin Amri, ligjëruesi i kurejshitëve. Ai u mbante ligjërime kurejshitëve dhe i inkurajonte ata kundër myslimanëve. Kur e pa Omeri, i tha Pejgamberit alejhi selam: “Më lejo, o i Dërguar i Allahut, t’ia nxjerr dhëmbët apo t’ia pres gjuhen, që të mos flasë më kundër myslimanëve?”
Pejgamberi alejhi selam i tha: “Ku e di ti, ndoshta do të vijë një ditë që ai do të marrë një qëndrim që do ta falënderosh o Omer.” Pejgamberi alejhi selam e tha të vërtetën. Vërtet, Suhejli qëndroi burrërisht në kohën kur filluan njerëzit të largohen nga Islami. Ai u tha kurejshitëve: “O paria e kurejshitëve, ishit të fundit që pranuat Islamin, prandaj mos u bëni të parët që e lini atë.”
Robërit e Bedrit
Pejgamberi alejhi selam u konsultua me shokët se çfarë do të bënte me robërit e luftës së Bedrit. Ebu Bekri tha: “Ata janë të afërmit e tu dhe bijtë e xhaxhallarëve të tu. Merr shpagim për ta.” Kurse Omeri tha: “Kurse unë them më jep leje që unë vetë t’ua pres kokën të afërmve të mi dhe lejo Aliun t’ia presë kokën vëllait të vet dhe lejo Hamzën t’ia presë kokën Abbasit, që të jetë e qartë se ne nuk kemi në zemrat tona dashamirësi për mushrikët. Pejgamberi alejhi selam anoi nga mendimi i Ebu Bekrit dhe u tha njerëzve: “O ju njerëz, Allahu i ka zbutur zemrat e burrave që të jenë më të butë se qumështi dhe i ka forcuar zemrat e burrave të jenë edhe më të forta se guri. Të shoh, o Ebu Bekër, se Allahu ta ka zbutur zemrën. Të shoh se je si Ibrahimi kur tha: “Kush më ndjek mua, ai është me mua, e kush nuk më bindet mua, vërtetë Ti je Mëshirues që fal.” (Ibrahim, 36) dhe si Isai alejhi selam: “Nëse i ndëshkon, ata janë robërit e Tu, e nëse i fal, vërtetë Ti je i Gjithëfuqishëm dhe i Urtë.” (El-Maide 118)
Kurse ty, o Omer, e shoh se Allahu ta ka forcuar zemrën, ashtu siç ia forcoi Nuhut kur tha: “Mos lë mbi tokë asnjë nga mosbesimtarët” (Nuh, 26), si dhe Musait alejhi selam kur tha: “O Zot, fshijua pasurinë e tyre, ngurtësojua zemrat e tyre, ata nuk besojnë derisa të shohin ndëshkimin e rëndë.” (Junus, 88)
Dashuria për Zotin xh.xh.
Pas luftës së Bedrit, një kurejsh, Umejr bin Vehbi, u ul së bashku me një shok të tij, Safuan bin Umejen, pranë Qabesë. Bisedonin për atë që u kishte ndodhur mushrikëve të Mekës në Bedër. Umejri i tha Safuanit: “Pasha Allahun, sikur të mos ishin borxhet që duhet t’i kthej e sikur të mos kisha frikë për fëmijët se do të humbnin, do të shkoja te Muhamedi me shpatën time dhe do ta vrisja. E unë kam arsye përse të hyj në mesin e tyre. Djali im është rob lufte te ata.” Safuani i tha: “Borxhi yt është borxh i imi, fëmijët e tu janë fëmijët e mi.” Umejri i tha: “A e mban fjalën?” Tha: “Po.” Atëherë i tha ta mbante të fshehtë këtë gjë e mos ta dinte kush. Safuani i tha: “Pasha Allahun, do ta fsheh këtë nga të gjithë.” Umejri mori shpatën e tij dhe shkoi në Medinë. Kur hyri në Medinë, e pa Omeri, i cili tha: “O armik i Allahut! Pasha Allahun, ky nuk ka ardhur për hair këtu, por për sherr.” E kapi nga rrobat, ia mori shpatën dhe e dërgoi te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nuk e shoh se ka ardhur për të mirë.” E Pejgamberi alejhi selam i tha: “Liroje, o Omer!” Ai e lëshoi. Pejgamberi alejhi selam i tha: “Eja, o Umejr!” Umejri u ul para Pejgamberit alejhi selam dhe i tha mirëmëngjesi. Pejgamberi alejhi selam i tha: “Allahu na e ka ndërruar këtë përshëndetje me një më të mirë se kjo.” Ai tha: “Cila është ajo?” Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Es-selamu alejkum ve rahmetullah ve berekatuhu!” Umejri i tha se për të kjo ishte diçka e re. Pejgamberi alejhi selam i tha: “Ç’e mirë të solli, o Umejr?” Umejri foli: “Biri im është rob te ju. Kam ardhur ta marr.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Më trego të vërtetën o Umejr, përse ke ardhur? Ai ia ktheu: “Ashtu siç të thashë.” Pejgamberi alejhi selam i tha tri herë: “Më thuaj të vërtetën, o Umejr”, ndërsa ai i thoshte: “Ashtu siç të thashë.” Atëherë, Pejgamberi alejhi selam i tha: “Jo, ti ke qenë ulur me Safuanin te Qabeja dhe i ke thënë se sikur të mos i kisha borxhet dhe sikur të mos frikësohesha për fëmijët se do të humbnin pas meje, do të shkoja në Medinë ta vrisja Muhamedin. A nuk është kështu, o Umejr?” Umejri tha: “La ilahe il-la Allah, Muhamedu Resulullah.” Omer bin Hatabi bëri tekbir “Allahu ekber!” dhe pastaj Pejgamberi alejhi selam tha: “Merreni vëllanë tuaj dhe mësojani fenë islame.” Omeri tregon e thotë: “Pasha Allahun, derri ishte më i dashur për mua sesa Umejri para Islamit, por kur pranoi Islamin, u bë më i dashur për mua sesa fëmijët e mi.”
- vijon-