Zgjedhja e Omerit Halif - (II)

Beteja e Uhudit

Pas përfundimit të betejës së Uhudit, kur myslimanët u ngjitën në kodrën e Uhudit, Ibni Kamie përhapi lajmin se gjoja Pejgamberi alejhi selam ishte vrarë së bashku me Ebu Bekrin dhe Omerin. Ebu Sufjani deshi të sigurohej lidhur me këtë lajm, prandaj erdhi poshtë kodrës dhe tha: “A është Muhamedi në mesin tuaj? Deshi Omeri t’i përgjigjej, por Pejgamberi alejhi selam i tha të mos i përgjigjej. Pastaj Ebu Sufjani tha: “A është Ebu Bekri në mesin tuaj? Sërish Muhamedi alejhi selam u tha të mos i përgjigjen. Pastaj ai pyeti sërish: “A është Omeri në mesin tuaj? Muhamedi alejhi selam prapë u tha të mos i përgjigjen. Në atë rast Ebu Sufjani tha: “Madhëroni Hubelin!” Pejgamberi alejhi selam tha: “A nuk i përgjigjeni?” Sahabët thanë: “Çfarë t’i themi?” “Thoni: “Allahu është më i Larti dhe më Madhështori.” Ebu Sufjani tha: “Për ne është krenaria e për ju nuk ka krenari!” Pejgamberi alejhi selam u tha: “A nuk i përgjigjeni?” Thanë: “Si t’i themi?” “Thoni: “Allahu është Mbrojtësi ynë e ju nuk keni mbrojtës.” Ebu Sufjani tha: “Kjo ditë për ditën e Bedrit.” Pejgamberi alejhi selam u tha: “A nuk i përgjigjeni?” I thanë: “Çfarë t’i themi?” “Thoni: “Nuk jemi të barabartë. Të vrarët tanë janë në xhenet, kurse të vrarët tuaj janë në zjarr.” Pastaj Omeri bërtiti me zë sa mali: “Të marroftë Zoti, o armik i Allahut! Për Allahun, që të tre jemi të gjallë.” Atëherë, kur njohu zërin e Omerit, Ebu Sufjani tha: “O Omer, për Allahun, ti je më i besueshëm tek unë se Ibni Kamie.”

Marrëveshja e Hudejbies

Pejgamberi alejhi selam deshi të hynte në Mekë që të bënte umren, ndërsa kurejshët deshën ta ndalnin atë, prandaj dërguan Suhejl bin Amrin që të zhvillonte negociata me të që ai të kthehej. Pejgamberi alejhi selam mendonte se Islami kishte nevojë për një pushim, që myslimanët të kenë mundësi të thërrasin në Islam në qetësi dhe që Islami të përhapej në mesin e kabileve dhe fiseve arabe. Pejgamberi alejhi selam i pranoi kushtet e kurejshëve, në mesin e të cilave ishin: Myslimanët të mos hynin në Mekë për umre këtë vit, Pejgamberi alejhi selam t’i kthente te kurejshët ata që shkonin tek ai si myslimanë. Kurejshët të mos ia kthenin myslimanëve ata që largoheshin nga Islami. Kur deshën ta shkruajnë këtë marrëveshje, Pejgamberi alejhi selam deshi të shkruante “Bismilahi Rrahmani Rrahim”, por Suhejli bin Amri i tha: “Ne nuk e dimë këtë Rrahmani Rrahim, por shkruaje: “Bismike Allahume”. Pastaj, Muhamedi alejhi selam tha: “Shkruaje këtë: “Kjo është ajo për të cilën u morën vesh: Muhamedi, i Dërguari i Allahut”, por Suhejli i tha: “Sikur të të njihnim për Pejgamber, do të ndiqnim rrugën tënde, por shkruaj se kjo është ajo që u morën vesh Muhamedi biri i Abdullahut dhe Suhejli. Kur sahabët e panë këtë, u hidhëruan shumë, e sidomos Omeri. Ai shkoi te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, a nuk jemi ne në të drejtë e ata gabim?” Ai i tha: “Po, si jo!” “Atëherë, përse ne të lëshojmë pe në fenë tonë?”, pyeti Omeri. Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Unë jam Pejgamber i Allahut dhe Ai nuk më humb mua.” Omeri pastaj shkoi tek Ebu Bekri dhe i bëri të njëjtat pyetje si Pejgamberit alejhi selam: “A nuk jemi ne në të drejtë e ata në të shtrembër?” Ebu Bekri i tha: “Po, si jo!” “Atëherë, përse të lëshojmë pe në fenë tonë?” Ebu Bekri i tha: “Ai është Pejgamberi alejhi selam, është i Dërguari i Allahut dhe nuk e humb Allahu. Respektoje vendimin e tij.” Në këtë kohë erdhi Ebu Xhendel bin Suhejl bin Amri, i cili kishte pranuar Islamin dhe Suhejli kërkoi që biri i tij, Ebu Xhendeli, të kthehej në Mekë. Pejgamberi alejhi selam i tha Ebu Xhendelit: “Kthehu o Ebu Xhendel dhe bëj durim! Allahu do të të gjejë rrugëdalje.” Suhejli e mori të birin dhe e lidhi me zinxhirë. Omeri e pa këtë pamje dhe nuk mundi ta përballonte, prandaj mori shpatën dhe shkonte e i sillej Ebu Xhendelit përreth duke shpresuar se ai do ta merrte shpatën e Omerit dhe do ta godiste Suhejlin, por ai nuk bëri asgjë. Omeri pastaj i tha: “O Ebu Xhendel, këta janë njerëz të fëlliqur, mosbesimtarë, gjaku i tyre është si gjaku i qenit”, por Ebu Xhendeli e shikonte dhe nuk bënte asgjë. Omeri prapë i fliste: “O Ebu Xhendel, besimtari
vret babanë e tij mosbesimtar për hir të Allahut.” Ebu Xhendeli nuk lëvizte fare, pastaj Omeri i tha: “Sikur të ishte gjallë Hatabi, Omeri do ta vriste atë.” Ebu Xhendeli i tha: “Përse nuk po e vret ti, o Omer?” Omeri iu përgjigj: “Nuk e vras se nuk mund ta thyej urdhrin e Pejgamberit alejhi selam.” Atëherë, Ebu Xhendeli i tha: “As unë nuk mund të thyej urdhrin e Pejgamberit alejhi selam.” Kur zbriti sureja El-Fet’h, 1-3: “Ne ty të dhamë (vendosëm për) një fitore të sigurt. Ashtu që Allahu (pas fitores) të liroi ty prej mëkateve (që t’i mbathën) të mëparshme dhe prej atyre të mëvonshme (kur njerëzit do të pranojnë fenë islame dhe nuk do të jenë më mëkatarë) dhe ashtu të plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje në rrugën e drejtë. Dhe që Allahu të ndihmon ty me një ndihmë të fortë.”
Omeri shkoi te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha: “A është çlirim?!” Ai habitej që këto ngjarje të quheshin çlirim. Vetëm brenda dy vjetëve në Islam hynë shumë veta nga fiset e ndryshme. Këtë e vërejti edhe Omeri dhe u bind se ky ishte çlirim e fitore, prandaj tha: “Pasha Allahun, jam munduar sa më shumë që të falem, të jap zekat e sadaka, të lutem e të bëj dhikër që të ma falë Allahu atë që bëra në rastin e Hudejbies.”

Çlirimi i Mekës

Pasi kurejshët e thyen marrëveshjen e tyre me myslimanët, Pejgamberi alejhi selam deshi të hyjë në Mekë, prandaj u përgatit. Kur mushrikët dëgjuan për këtë, ata e dinin se nuk kishin mundësi t’u kundërviheshin myslimanëve dhe prandaj dërguan Ebu Sufjanin që ta bindte Pejgamberin alejhi selam të ndërronte vendimin. Ebu Sufjani shkoi tek Ebu Bekri dhe i kërkoi mbrojtjen e tij, që ta bindte Pejgamberin alejhi selam të ndërronte mendje, por Ebu Bekri i tha se qëndrimi i tij ishte qëndrimi i Pejgamberit alejhi selam. Pastaj, Ebu Sufjani shkoi tek Othmani edhe ky i tha se qëndrimi i tij ishte qëndrimi i Pejgamberit alejhi selam. Ebu Sufjani shkoi tek Omeri dhe Omeri u hidhërua shumë dhe i tha: “A nuk gjete dikë tjetër e më erdhe mua? I le krejt njerëzit dhe erdhe tek unë? Pasha Allahun, edhe nëse nuk gjej asgjë tjetër vetëm se milingona, do t’ju luftoja me ta. Unë lutesha natë e ditë që ta thyenit marrëveshjen, që të vija e t’ju luftoja.” Kur myslimanët ishin gati në kufijtë e Mekës, Ebu Sufjani shkoi te kampi i myslimanëve, duke qenë në mbrojtjen e Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, xhaxhait të Pejgamberit alejhi selam. Kur Omeri e pa Ebu Sufjanin, i tha: “Ma jep kokën, o Ebu Sufjan!” Abasi i tha: “Lëre të qetë. Ai është në mbrojtjen time.” Omeri i tha: “Nuk ka siguri për të sot. Ma jep kokën, o Ebu Sufjan!” Abasi i tha: “Ti po e bën këtë, sepse ai është nga Beni Menafët e jo nga Beni Udejët. Sikur të ishte nga Beni Udejët, do ta lije të lirë.” Omeri i tha: “Jo, pasha Allahun! O Abas, pasha Allahun, atë ditë kur je bërë mysliman jam gëzuar më shumë sesa të bëhej mysliman Hatabi, ngase për këtë do të gëzohej Pejgamberi alejhi selam.” Kjo është dëshmi e Omerit se ai e do shumë familjen e Pejgamberit alejhi selam.

Marrëdhëniet e tij me Pejgamberin alejhi selam

Dashuria e tij për Pejgamberin alejhi selam vërehet në të gjitha sjelljet dhe fjalët e tij. Omeri kishte dy vija të zeza nën sytë e tij nga vaji i devocionit dhe i dashurisë ndaj Allahut xh.xh.. Një natë, Omeri ishte duke patrulluar si zakonisht kur dëgjoi një njeri duke lexuar ajetin: “Ndëshkimi i Zotit tënd do të ndodhë patjetër, atë nuk ka kush ta ndalë.” (Tur, 7-8)
Nuk mundi të qëndronte në këmbët e veta, prandaj e morën nga aty. Tërë muajin ai qëndroi në shtëpinë e vet dhe doli nga aty derisa dëgjoi ajetet që flisnin për mëshirën e Allahut. Një ditë, ai pa një njeri që bëri një punë për të cilën duhet të ndëshkohej. Omeri u bë gati ta ndëshkonte me kamxhikun e tij, por ai burrë, kur e pa ashtu, i tha: “Ta kujtoj Allahun, o Omer!” Atëherë, Omeri i tha: “Më kujtove Madhështorin xh.xh.. Po të fal.” Dhe e la të shkonte. Pejgamberi alejhi selam tregon se banorët e qiejve janë gëzuar për Islamin e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Qëndrimet e Omerit

Si rezultat i sinqeritetit dhe i dashurisë së fortë ndaj Allahut xh.xh., shpesh ka ndodhur që mendimi i tij të përputhej me ajetet kuranore. Njëherë, ai i tha Pejgamberit alejhi selam: “O i Dërguari i Allahut, a nuk është ky “Mekamu Ibrahimi”? Pejgamberi alejhi selam i tha: “Po, si jo!” Omeri tha: “Atëherë, përse mos ta marrim “Mekamin e Ibrahimit” si vend faljeje?” Atëherë zbriti ajeti kuranor: “Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vendkthimi dhe vendsigurie për njerëzit (u thamë): “Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranoje për vendfalje!” Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: “Ju të dy pastroni Shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.” (El-Bekare, 125)
Një ditë, Omeri hyri në shtëpinë e Pejgamberit alejhi selam dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, në shtëpinë tënde hyn fetari i mirë, por edhe jofetari. A nuk i urdhëron gratë e tua që të mbulohen dhe të kenë një perde?” Atëherë zbret ajeti kuranor: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin. Vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush, Allahu nuk i turpërohet realitetit. E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk ju takon ta mundoni të Dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek Allahu mëkat i madh.” (El-Ahzab, 53)
Pejgamberi alejhi selam tha në një hadith: “Çdo umet kishte ligjërues të inspiruar. E nëse në këtë umet ka ndonjë ligjërues, ai është Omeri.”
Një ditë, Pejgamberi alejhi selam po recitonte atë që kishte zbritur në suren El Mu’minuun: “Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej ajke (lëngu) e një balte. Pastaj atë (ajkë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues.” (El-Mu’- minun, 12-14), e Omeri tha: “U lartësoftë Allahu xh.xh., Krijuesi më i mirë”, pastaj Pejgamberi alejhi selam tha të njëjtin ajet nga sureja El- Mu’minuun. Ajetet e para të Kuranit që zbritën për alkoolin thonë: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre.” (El-Bekare, 219) Omeri tha: “O Zot, na zbrit ndonjë ajet të prerë rreth çështjes së alkoolit!” Atëherë zbriti ajeti i sures En-Nisa, 43. Omeri bëri dua tjetër duke iu lutur Allahut ta definonte qartë çështjen e alkoolit dhe atëherë zbriti edhe ajeti: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund?” (El-Maide, 90-91)
Pas zbritjes së këtyre ajeteve, Omeri tha: “I dhamë fund, përfunduam.” Një ditë, njëri nga djemtë e Omerit hyri në dhomën e tij kur Omeri ishte duke fjetur në kohën e drekës. Omeri kishte zhveshur disa nga teshat e tij dhe bëri dua që Allahu të zbriste ajet që mbronte privatësinë personale të myslimanit në këso rastesh (që të mos hyhet në dhomën e askujt pa trokitur). Atëherë zbret ajeti fisnik: “O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur. Pos atyre tri kohëve, nuk është mëkat as për ju as për ata, të vizitoni njëritjetrin. Kështu Allahu ua sqaron argumentet e Veta. Allahu është i dijshmi, i urti.” (En-Nur, 58)
Një çifut erdhi tek Omeri dhe i tha: “Ju myslimanët keni një ajet që ju ka zbritur në Kuran, që sikur të na kishte zbritur neve, do ta merrnim për festë.” Omeri i tha: “Cili është ai ajet?” I tha: “El-Maide, 3: “Juve ju janë ndaluar (t’i hani): ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që therret jo në emrin e All-llahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuara, e shparja (nga i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj, dhe (u është e ndaluar) të kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj All-llahut. Tashmë, ata që mohuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni), andaj mos iu frikësoni atyre, por mua të më frikësoheni. Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe. E kush detyrohet nga uria (të hajë nga të ndaluarat), duke mos anuar dhe duke mos pasur qëllim mëkatin, All-llahu fal shumë dhe është mëshirues.” Omeri i tha: “Ky ajet është si dy festa te ne, ka zbritur në ditën e xhuma në Arafat.”
Omeri ndikohej shumë nga Kurani. Ai emocionohej shumë kur e lexonte. Kur zbriti ajeti që flet për mirëbërësit e afërt “el-mukarribin” në suren El-Vakia 13 14: “(Ata janë) Shumë prej (popujve) të hershmëve. E janë pak prej të mëvonshmëve”, qau shumë, edhe pse ai vetë ishte prej të parëve (myslimanëve të afërt). Ai qante për ne, dëshironte që banorët e xhenetit të jenë nga besimtarët e fundit, të kohëve të fundit, të shumtë në numër si besimtarët e hershëm, derisa zbriti ajeti: “(Të djathtë) Janë shumë nga të parët (të hershmit). Janë shumë nga më të vonshmit.” (El-Vakia, 39-40)
Atëherë, Omeri buzëqeshi dhe tha: “Allahume Lekel-hamd!”, domethënë: “O Allah, për Ty është falënderimi.”
Një ditë, Pejgamberi alejhi selam ishte në mesin e sahabëve dhe ecte me ta. Mori për dore Omerin e ky i tha: “Pasha Allahun, të dua shumë o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Më shumë se djalin tënd, o Omer?” Tha: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi alejhi selam tha: “Më shumë se familjen tënde?” Tha: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Më shumë se pasurinë tënde?” Tha: “Po, o i Dërguar i Allahut.” Pejgamberi alejhi selam e pyeti sërish: “Më shumë se veten tënde?” Omeri tha: “Me plot sinqeritet, jo, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi alejhi selam atëherë i tha: “Jo, o Omer, imani yt nuk plotësohet derisa të jem për ty më i dashur sesa vetja jote.” Omeri u nda mënjanë vetëm për pak kohë, pastaj erdhi dhe tha më zë të lartë: “O i Dërguari i Allahut, vërtet ti je tani më i dashur për mua sesa shpirti im.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Tani, o Omer, tani!” Lidhur me këtë, djali i tij, Abdullah bin Omeri, i tha se si u bë që pas pak kohe the se vërtet ti o i Dërguari i Allahut je më i dashur për mua sesa shpirti im?” Omeri ia ktheu: “Mendova në vetvete: “Për kë unë kam më shumë nevojë, për veten apo për Pejgamberin?” Mendova se si isha në humbje të tmerrshme, e sikur Allahu të mos e bënte Pejgamberin alejhi selam sebep që të udhëzohesha, nuk do të udhëzohesha. Pastaj mendova se në ahiret nuk do të mund të arrija në xhenetin Firdeus përveç nëse e dua Pejgamberin alejhi selam. Kështu, pashë se unë kam nevojë për të më shumë sesa për veten dhe e desha atë më shumë se veten time. Pas vdekjes së Pejgamberit alejhi selam, Abdullah bin Omeri e pyeti babanë e vet duke i thënë: “Nëse i harron të gjitha qëndrimet dhe rastet që ke pasur me Pejgamberin alejhi selam, çfarë është ajo që assesi nuk e harron?” Omeri tha: “O biri im, kurrë nuk do të harroj kur një ditë shkova t’i merrja leje Pejgamberit alejhi selam për të shkuar për umre. Pejgamberi alejhi selam më tha: “Mos më harro në duatë (lutjet) e tua të mira, o vëlla im!”

Qëndrimet e Omerit ndaj bashkëshorteve të Pejgamberit alejhi selam

Një ditë, Omeri kërkoi diçka nga bashkëshortja e tij dhe ajo e diskutoi atë që Omeri tha. Ai i tha: “A po e diskuton fjalën time?” Ajo i tha pse jo, gratë e Pejgamberit alejhi selam ia diskutojnë urdhrat Pejgamberit alejhi selam. Omeri shkoi te Hafsa, bija e tij dhe bashkëshorte e Pejgamberit alejhi selam. Ai e pyeti në ia kthen fjalën dhe ia diskuton urdhrin Pejgamberit alejhi selam dhe ajo i tha se po, madje se kjo nganjëherë e hidhëronte atë deri në mbrëmje. Omeri i tha: “Oj bija ime, mos e bëj atë, ngase Pejgamberi alejhi selam do të të hidhërohet, e pastaj të hidhërohet Allahu xh.xh. për hidhërimin e Pejgamberit alejhi selam. Oj bija ime, mos u mashtro nga qëndrimi i shoqes sate, Aishes, ngase ajo është më punëmirë se ti dhe babai i saj është më i dashur te Pejgamberi alejhi selam sesa babai yt.” Pastaj, Omeri shkoi te gratë e tjera të Pejgamberit alejhi selam dhe u tha: “Kini frikë Allahun e mos ia ktheni fjalën Pejgamberit alejhi selam. Ndoshta ai do t’ju lëshojë e Allahu do t’ia kompensojë atij me gra më të mira se ju.” Lidhur me këtë mendim të Omerit zbriti ajeti kuranor. Omeri punonte në një kopsht që quhej “El-Avalij”. Kopshti ishte larg Medinës dhe në atë kopsht ai punonte së bashku me një ensar një ditë njëri e një ditë tjetri. Një ditë ensari shkoi tek Omeri dhe trokiti fort në derën e tij. Omeri doli dhe tha: “Çfarë ka ndodhur? A mos El- Gasanët na sulmuan Medinën?” Ensari iu përgjigj: “Jo, por ka ndodhur diçka më e tmerrshme. Thonë se Pejgamberi alejhi selam ka ndarë gratë e tij.” Omeri tha: “Oh, çfarë fatkeqësie e tmerrshme!” Ai vrapoi në xhami dhe kur hyri aty pa një grup sahabësh që po qanin. Omeri i pyeti në i kishte ndarë Pejgamberi alejhi selam gratë e tij dhe ata i treguan se jo, por ishte larguar prej tyre. Omeri kërkoi leje nga Pejgamberi alejhi selam që të hynte tek ai dhe Pejgamberi alejhi selam nuk i dha leje. Sërish ai kërkoi leje dhe Pejgamberi alejhi selam nuk i dha leje. Pas pak, për herë të tretë ai kërkoi leje dhe Pejgamberi alejhi selami i dha leje. Kur hyri Omeri te Pejgamberi alejhi selam, e gjeti atë të shtrirë në një hasër, e cila i kishte lënë gjurmë në trupin e tij. Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ti këtu fle në hasra, kurse Kisra dhe Cezari kënaqen me mirësi e luks, pasuri e pushtet.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “A ke dyshim, o Omer?” Omeri tha: “Zoti na ruajt, o i Dërguari i Allahut! Bëj lutje që të më falë Allahu xh.xh.!” Pejgamberi alejhi selam tha: “Ata janë popull që kanë përdorur mirësitë e Allahut xh.xh. në këtë botë.” Omeri deshi të dinte se ku qëndronte puna, por nuk e pyeti Pejgamberin alejhi selam menjëherë. Ai deshi së pari ta bënte të buzëqeshte, e pastaj ta pyeste, prandaj i tha: “Ne, paria e muhaxhirëve, kur ishim në Mekë gratë tona nuk guxonin të na e kthenin fjalën. Kur erdhëm në Medinë, gjetëm se gratë e ensarëve ua kthenin fjalën burrave të tyre. Kështu, gratë tona u mësuan prej tyre dhe po na e kthejnë fjalën.” Pejgamberi alejhi selam buzëqeshi. “O i Dërguari i Allahut, kur isha në Mekë gruaja ime nuk guxonte të ma kthente fjalën asnjëherë, kurse tani ma kthen fjalën.” Pejgamberi alejhi selam qeshi dhe atëherë Omeri e pyeti: “A i ke ndarë gratë, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi alejhi selam tha: “Jo.” Omeri i tha: “Elhamdulilahi Rabil-Alemin.”

I përgëzuar me xhenet

Musa El-Eshariu thotë: “E kërkova Pejgamberin alejhi selam në xhami dhe nuk e gjeta. Pyeta gratë e tij se mos ishte në shtëpi, por nuk e gjeta… Pastaj pyeta për të dhe më thanë se kishte shkuar në këtë drejtim. Shkova në atë drejtim, derisa arrita te pusi. Pejgamberi alejhi selam ishte aty, kishte hyrë në pus, kishte marrë abdest dhe po rrinte në gur të pusit, kurse këmbët i kishte futur në pus dhe i kishte ngritur pak rrobat e veta. Ebu Musa El-Eshariu tha me vete se sot do të bëhej portieri i Pejgamberit alejhi selam. Kështu, ai mori qëndrimin e portierit
dhe qëndroi te hyrja e pusit. Pas pak erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi leje të hynte te Pejgamberi alejhi selam. Ebu Musai i kërkoi leje Pejgamberit alejhi selam. Pejgamberi alejhi selam i tha: “Lëre të hyjë dhe jepi sihariq me xhenet.” Ai shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha se Pejgamberi alejhi selam të lejon të hysh dhe të përgëzon me xhenet. Ebu Bekri erdhi dhe u ul pranë Pejgamberit alejhi selam, futi këmbët në ujë dhe përvoli rrobat. Pastaj erdhi Omeri. Ai kërkoi leje të hynte te Pejgamberi alejhi selam. Ebu Musai i kërkoi leje Pejgamberit alejhi selam se Omeri dëshironte të vinte tek ai. Pejgamberi alejhi selam i dha leje dhe i tha ta përgëzonte me xhenet. Pastaj erdhi Uthmani, i cili kërkoi leje nga Pejgamberi alejhi selam. Pejgamberi alejhi selam i dha leje të hynte dhe e përgëzoi edhe atë me xhenet dhe me një fatkeqësi. Ebu Musai i tha: “Pejgamberi alejhi selam të jep leje të hysh dhe të përgëzon me xhenet dhe me një fatkeqësi që do të të ndodhë.” Uthmani tha: “Allahu na ndihmoftë!” Pastaj erdhi Aliu. Ai kërkoi leje të hynte dhe Pejgamberi alejhi selam i dha leje dhe e përgëzoi me xhenet.

Ëndrra e Pejgamberit alejhi selam

Amr bin El-Asi, pasi u kthye nga beteja, i tha Pejgamberit alejhi selam: “Kë do më shumë, o i Dërguari i Allahut?” Ai Tha: “Aishen.” Amri i tha: “Jo prej grave, por prej burrave.” Ai ia ktheu: “Babain e saj.” “Po pastaj?” “Pastaj Omerin.” Pejgamberi alejhi selam thotë: “E pashë veten në një ëndërr. Isha në xhenet. Ecja në xhenet dhe pashë një pallat shumë të mirë. Thashë: “I kujt është ky pallat?” Më thanë se është i një burri nga kurejshët. Thashë: “A është i imi ky pallat?” Më thanë: “Jo, ky është i Omerit.”
Në një hadith tjetër, ai thotë: “Isha në ëndërr dhe ecja në xhenet. Pashë një pallat shumë të mirë dhe një grua që merrte abdest pranë pallatit. Thashë: “I kujt është ky pallat?” Më thanë: “I Omerit.” M’u kujtua xhelozia e Omerit për gratë e tij dhe u largova nga pallati.” Kur Omeri dëgjoi për këtë, qau dhe i tha Pejgamberit alejhi selam: “Të jem xheloz për ty, o i Dërguari i Allahut?!” Pejgamberi alejhi selam thotë: “Allahu e sjell të vërtetën në gjuhën e Omerit dhe në zemrën e tij. Ai është Faruku, Dalluesi, me të cilën Allahu dallon të vërtetën prej së pavërtetës.” Pejgamberi alejhi selam kishte disa gra, të cilat e ngrinin zërin. Kur erdhi Omeri, ato e ulën zërin. Pejgamberi alejhi selam qeshi dhe tha: “Këto gra sa ishin me mua e ngrinin zërin. E kur hyre ti, o Omer, u frikësuan dhe e ulën zërin.” Omeri tha: “Pasha Allahun, ti e meriton që ato të ta kenë frikën dhe të të respektojnë. Moj armiket e vetes suaj, a më frikësoheni mua e nuk i frikësoheni Pejgamberit alejhi selam?” Gratë i thanë: “Ti je i ashpër!” Pejgamberi alejhi selam qeshi dhe tha: “Pasha Allahun, o Omer, sikur shejtani të të shohë se je duke shkuar në një rrugë, ai do të shkojë në një rrugë tjetër.” Pejgamberi alejhi selam thotë: “Pashë ëndërr. U vendosa në njërën anë të peshores dhe umeti im në anën tjetër. U rëndua ana ime. Pastaj u vendos Ebu Bekri në një anë dhe umeti im në anën tjetër dhe rëndoi ana e Ebu Bekrit. U vendos Omeri në një anë dhe umeti im në anën tjetër dhe u rëndua ana e Omerit.”

Arritjet e halifatit të Omerit

Halifati i tij zgjati dhjetë vjet, gjashtë muaj e katër ditë. Brenda kësaj kohe ai arriti rezultate madhështore. Koha e udhëheqjes së tij ishte e madhe, por arritjet e tij ishin edhe më të mëdha.



- vijon –


Artikulli i kaluar
Zgjedhja e Omerit Halif - (I)