Si u zgjodh Aliu r.a. halif i myslimanëve

Pas vrasjes së Uthmanit r.a., myslimanët në Medinë për plot pesë ditë kishin mbetur nën administrimin e njërit prej kryengritësve, i cili kishte vrarë Uthmanin r.a.. Ky ishte El-Gafikijj Ibni Harbi.(1)

Pavarësisht nga rrethana të krijuara pas vrasjes së Uthmanit r.a., ishte e domosdoshme zgjedhja e halifit të ri të myslimanëve. Kryengritësit kundër Uthmanit ishin të bashkuar në rastin e vrasjes së tij, por nuk ishin të bashkuar rreth mendimit se cili duhej të vinte pas tij.
Si duket, skenari ishte pjesë e planit të ibni Sebe`s, në mënyrë që mospajtimet ndër myslimanët të vazhdonin edhe më tej. Kur egjiptasit erdhën tek Aliu r.a., për
të dhënë betimin, ai u fsheh prej tyre, e ata filluan ta kërkonin. Mirëpo, ky nuk ua plotësoi dëshirën duke hequr dorë prej tyre dhe prej asaj që kishin bërë ata. Banorët e Kufës kishin kërkuar Zubejrin që të merrte udhëheqjen, mirëpo ai nuk e pranoi kërkesën e tyre. Myslimanët e Basras e kërkuan Talhanë, por ai hoqi dorë prej tyre dhe veprimit të tyre, siç kishin vepruar më parë të dy shokët e tij. Pasi asnjëri nuk pranoi ofertën e tyre, ata dërguan një njeri tek Sa’ad ibni Vekasi dhe i thanë: “Ti ke qenë anëtar i shuras (këshillit), prandaj eja të ta japim betimin! Ai u përgjigj: “Unë dhe ibni Umeri tash nuk jemi anëtarë të shura-s, prandaj nuk kam asgjë me të, në çfarëdo forme”. Pastaj shkuan tek Abdullah ibn Umeri dhe i thanë: “Ti je djali i Umerit, prijësit të besimtarëve, eja e merre këtë barrë!” Ai u përgjigj: “Për këtë gjë duhet kryer hakmarrja, ndërsa unë, për Allahun, nuk dua të marr pjesë në këtë, prandaj kërkoni dikë tjetër”.Pas dështimit të këtyre përpjekjeve të kryengritësve, ata mbetën të hutuar, pa ditur si të vepronin, ngase të gjithë ashabët ua kishin kthyer shpinën duke refuzuar çfarëdo bashkëpunimi me ta. Pas krijimit të këtyre rrethanave, kryengritësit kërcënuan medinasit me këtë porosi: “Kini kujdes, o medinas, po ju japim edhe dy ditë kohë, për Allahun, nëse deri atëherë nuk e zgjidhni problemin e udhëheqësit (halifit), nesër do të vrasim Aliun, Talhanë, Zubejrin dhe shumë burra të tjerë”(2).
Pas këtij kërcënimi, myslimanët shkuan tek Aliu dhe i thanë: “ Prano të ta japim betimin, sepse po e sheh ç’do të ndodhë me myslimanët!” Aliu u përgjigj: “Më lini rehat dhe kërkoni dikë tjetër, sepse në të ardhmen do të ndodhin gjëra të cilat zemra nuk i duron dhe as i kupton dot “. Aliu r.a. e dinte se gjëja e parë që do të duhej kryer, ishte hakmarrja për vrasjen e Uthmanit r.a., dhe ndëshkimi i kryengritësve, por si të bëhej ajo? Për shkak se në duart e tyre ishte fuqia, detyra ishte shumë e rëndë. “O Ali, - i thanë njerëzit: Të betohemi me Allahun, a nuk e sheh atë që shohim ne? Vallë, nuk e sheh gjendjen e myslimanëve? Vallë, nuk e sheh çrregullimin? Vallë, nuk ke frikë nga Allahu?” Kur e pa se si muhaxherët dhe ensarët po ngulmonin dhe e kuptoi se kjo ishte detyrë e prerë, ai e pranoi.(3)
Këto biseda mes Aliut dhe myslimanëve muhaxhirë e ensarë ishin zhvilluar të enjten në mbrëmje, ndërsa të premten njerëzit kishin ardhur në xhami. Erdhi edhe Aliu, i cili hipi në minber dhe tha: “O njerëz, zgjedhja e halifit ju përket juve dhe të drejtën për hilafet e ka vetëm ai që ta zgjidhni ju si prijës. Dje jemi dakorduar, prandaj unë do të jem halif, nëse e dëshironi këtë, e nëse jo, për këtë nuk do ta qortoj asnjërin”. Pas kësaj fjale, njerëzit ia dhanë betimin Aliut r.a.; nga të parët që bënë betimin qenë Talha dhe Zubejri. Thuhet se të dy e dhanë betimin nën trysni, mirëpo Ebu Bekri ibni El-Arebiu hedh
poshtë këtë version dhe e kritikon nga shumë aspekte, duke konfirmuar se betimi ka qenë i drejtë dhe pa trysni”(4).
Sipas të gjitha burimeve, Aliu r.a. u zgjodh halif i myslimanëve në kohën kur kishte shumë përçarje, prandaj kjo detyrë ishte tepër e rëndë dhe përmirësimi i kësaj situate paraqiste edhe rrezik të madh. Këto rrethana Se’id el-Afgani i ka përshkruar me fjalët: “Aliut iu dha betimi si halif në momentin kur situata ishte tejet e ndërlikuar dhe e rëndë. Gjithandej qarkullonin fjalë të ndryshme që i përhapnin njerëzit për arsye të ndryshme. Aliu r.a. kishte marrë hilafetin në ditët kur përçarjet ishin zgjeruar si pjesë të një nate të errët. Ai u fut në vorbullin e luftës me të, i vendosur për ta eliminuar pak nga pak, po Allahu e di më së miri. Aliu r.a. që nga momenti i betimit e derisa u vra, nuk kishte për asnjë çast qetësi nga parregullsitë, që ndizeshin vazhdimisht. E braktisën madje edhe harixhinjtë.

Qëndrimi i Aliut r.a. ndaj vrasësve të Uthmanit r.a.

Aliu r.a., kryengritësit që shkaktuan gjakderdhje me rastin e vrasjes së Uthmanit, i konsideronte dezertorë të fesë, të cilët duhej të ndëshkoheshin për këtë veprim. Mirëpo të ndëshkoheshin rebeluesit, kjo nuk ishte e lehtë, sepse ata në Medinë posedonin pushtet dhe forcë. Për këtë arsye ai u pajtua me ashabët që kërkonin ndëshkimin e vrasësve, po kishte deklaruar se nuk ishte në gjendje ta kryente punën në ato kushte. Kjo çështje mbeti si fshehtësi midis Aliut r.a. dhe ashabëve, në mënyrë që të mos arrinte deri te rebeluesit, të cilët do të ngriheshin dhe do ta vrisnin Aliun. Siç duket, krijimi i rrethanave të tilla serioze kërkonte nga Aliu r.a. një manovrim të rangut politik, për të parandaluar fatkeqësitë që po përjetonin medinasit atëbotë. Gjithashtu ai do të mund të vendoste për gjërat në atë mënyrë që do t’i mundësonte veprim dhe shërimin e këtyre problemeve në pajtim me kërkesat e interesit të përgjithshëm. Mirëpo, me dëshirën e Allahut, pjesa më e madhe e myslimanëve nuk e kuptonin qëndrimin e Aliut r.a. Këtë gjendje e ndihmonte edhe përhapja e thashethemeve dhe dezinformatave që përhapnin Sebeitët. Një thashethem ishte kinse Aliu r.a. kishte qenë me ta në kohën e vrasjes së Uthmanit, një gjë që nuk përkonte me realitetin. Nga zhvillimet e historisë mund të thuhet se raste të tilla ndodhin shumë herë me prijësat, që konditat politike kërkojnë të publikohet diçka krejtësisht tjetër. Këtë ata e bënë me qëllim të fshehjes së planeve nga armiku dhe jo nga individ e populli në kontekstin e shprehjes “lufta është mashtrim”. Mirëpo, ky hap politik në dy raste mund të kishte pasoja më shumë negative sesa pozitive. Rasti i parë: Situata kur nuk ka besim midis sundimtarit dhe vartësve të tij ose midis ushtrisë dhe komandantit të saj; rasti i dytë: Kur thashethemet e armikut gjejnë rrugën deri te njerëzit nga Ymeti dhe kur ata bëhen bazë e vlerësimit të lojërave dhe marrjes së qëndrimeve. Mbase pikërisht kjo situata e dytë ishte që kishte veshur Medinën me të zeza. Çrregullimet në kohën e Aliut ishin të paevitueshme, sepse Ibni Sebe dhe ithtarët e tij nuk kishin pasur për qëllim likuidimin e Uthmanit r.a., por qëllimi i tyre kryesor kishte qenë krijimi i përçarjes dhe konflikteve të vazhdueshme ndërmjet myslimanëve. Prandaj ishte e natyrshme që, pasi në pjesën e parë të planit patën arritur sukses, të vazhdonin nxitjen e çrregullimeve. Kjo argumentohet edhe nga këto fakte: Sebeitët kishin arritur që të parët ta informonin Muaviun në Sham lidhur me vrasjen e Uthmanit, dhe kinse për komplotin me marrëveshje të Aliut me rebeluesit. Argumenti i tyre ishte marrja e hilafetit nga Aliu pas Uthmanit. Kështu arritën të krijonin një pasqyrë sikur Aliu kishte synuar pushtetin, prandaj kishte organizuar komplot ndaj Uthmanit dhe, në fund, kishte arritur atë që kishte synuar. Meqë Muaviu ishte nga beni Emevitët, duhej kërkuar hakmarrje për Uthmanin. Ai ishte rebeluar ndaj Aliut, duke i shpallur mosbindjen dhe kishte refuzuar t’i jepte betimin. Ajsheja, Talha dhe Zubejri dolën në Mekë e nga Meka kaluan në Basra duke kërkuar nga myslimanët që të ndëshkonin rebeluesit për shkak të vrasjes së Uthmanit. Këtë hap e bënë pasi kishin parë që halifi nuk i kishte mundësitë për ta bërë këtë për shkak të kontrollit që kishin rebeluesit në Medinë. Tek Aliu erdhi lajmi se nuk e pranonin pushtetin e tij, si dhe që ky ishte një rebelim i ri! Mirëpo, ai, siç thekson Et-Taberiu, shkoi në Basra dhe atje upyet nga njëri prej ithtarëve të tij: “O prijës i besimtarëve, ç’dëshiron të arrish dhe ku po na shpie”? Ai u përgjigj: “Ajo që dëshirojmë dhe ç‘kemi menduar, ështëmarrëveshja dhe paqja, nëse e pranojnë dhe na përgjigjen për këtë ithtarët e Aishes”. “Po, nëse nuk na përgjigjen për këtë”?, e pyeti ai sërish. “Do t’i lëmë me gabimin e tyre, t’ua japim të drejtën e tyre dhe të shkojmë”, përgjigj Aliu. “Po nëse nuk janë të kënaqur as me këtë”?, sërish e pyeti. “Do t’i lëmë të qetë gjersa ata të na lënë të qetë ne” - u përgjigj ai. “Po nëse nuk na lënë të qetë”? e pyeti. “Ne atëherë do të largohemi prej tyre”, u përgjigj.” Kjo është e mirë”! - tha ky”. Nga kjo shihet qartë se Aliu r.a., në asnjë rast nuk kërkonte luftë. Njësoj kishte ndodhur edhe me palën tjetër. Buhariu me senedin e tij, nga Abdullah ibni Zubejri transmeton të ketë deklaruar: “Kur Zubejri, ditën kur ndodhi beteja e quajtur “Deva”, u ngrit dhe më thirri, qëndrova krahas tij, e ai më tha:- Biri im, sot nuk do të vritet askush ... .(5)
Shumë versione konfirmojnë se Zubejri nuk kishte marrë pjesë në luftime, porse ishte tërhequr dhe kishte shkuar. Atë e kishte shoqëruar një njeri nga fisi benu Temim, me emrin Amr ibni Xhurmuz, i cili e kishte vrarë tinëzisht “Vadissiba’i”, si dhe vrasja e tij me të vërtetë ishte e padrejtë. Kjo vërteton se Zubejri nuk e dëshironte luftën, po konflikti ishte më i fuqishëm se përpjekja që dikush ta kundërshtonte.
Numri më i madh i burimeve të historisë transmetojnë që Aliu r.a., pas ardhjes, e kishte dërguar El-K’aka ibni Amrin si emisar. Pasi u dakorduan të dy palët, Aliu mbajti një fjalim, në të cilin tha: “Unë nesër do të shkoj, edhe ju bëjeni këtë”. Kur ibni Sevda (Taberiu me këtë emër e quante Abdullah ibni Sebe’), e pa që njerëzit ishin dakorduar, ithtarëve të vet u tha: “Nëse Aliu arrin marrëveshje me Aishen, do të humbin jetën, e forca juaj qëndron në faktin që të përziheni ndër njerëz. Kur të nesërmen të takohen njerëzit, ju filloni luftën dhe mos u lini hapësirë për marrëveshje”(6).
Në realizimin e kësaj ideje ndihmoi edhe fakti që ithtarët e ibni Sebe`s ndodheshin edhe në njërën edhe në palën tjetër. Prandaj, para se myslimanët të takoheshin për të lidhur paqen, ithtarët e ibni Sebe`s filluan luftën, nga të dyja palët, kështu që edhe njëra edhe pala tjetër menduan se kundërshtarët kishin tradhtuar marrëveshjen ... Kështu u zhvillua lufta e quajtur “Deve”, në të cilën u vranë mijëra myslimanë, prej të cilëve edhe Talha dhe Zubejri. Aliu r.a. nuk arriti t`i ndalonte nga lufta ata që ishin në komandën e tij, dhe as Aisheja të vetët. Beteja përfundoi me disfatën e ushtrisë së saj.

Vrasja e Aliut r.a.

Pas përfundimit të luftës së quajtur “Lufta e Deves”, Aliu r.a. e furnizoi Aishen me gjithçka ishte e nevojshme, - me deve dhe ushqim për rrugë dhe me gjëra të tjera të domosdoshme. Me të i lejoi të largoheshin edhe të mbijetuarit nga ushtria e tij, përveç atyre që shprehën dëshirën të qëndronin. Atëherë i zgjodhidyzet gra të shquara nga Basra, që të shkonin me të. Djalin e vet, Muhamed ibni El-Hanefiun, e urdhëroi që ta përcjellë deri në vendin e saj. Kështu Aliu e dërgoi me milje larg Basrës. Ishte viti 36 h..Me këto veprime përfundoi parregullsia në Irak, mirëpo para Aliut kishte edhe të tjera gjëra që nxitën sebeitët në Sham: qëndrimi i Aliut ishte se ai ishte prijës ndaj të cilit detyrohej bindja si dhe që myslimanët nuk duhet të vinin në një vijë atë dhe Muaviun, ngase ai nuk mund të barazohej me të, prandaj ishte obligim i tij t`ia jepte betimin. Qëndrimi i Muaviut ishte që Aliu kishte strehuar vrasësit e Uthmanit dhe nuk do të kënaqej derisa të mos ia dorëzonte atij. Kjo, sepse ai ishte i obliguar të hakmerrej për Uthmanin. Prandaj, kjo mosmarrëveshje midis tyre nuk ishte për çështjen - cili duhej të ishte halif, por rreth vrasësve të Uthmanit r.a.. Gazaliu në këtë kontekst deklaron: “Ajo që ndodhi midis Aliut dhe Muaviut, ishte rezultat i komentimit të një çështjeje të caktuar fetare, dhe jo lufta për pushtet nga ana e Muaviut”(7).
Bisedimet midis tyre nuk dhanë rezultat, prandaj të dyja palët vendosën për luftë dhe kështu ndodhi beteja në “Siffin”, në të cilën ranë mijëra viktima nga myslimanët. Kur e panë ithtarët e Muaviut se beteja po shkonte në favor të Aliut, kërkuan të bëhej kompromis. Aliu, si përfaqësues të vetin kishte zgjedhur Ebu Musa El-Esh-Ariun, ndërsa Muaviu - Amr ibni El-Asin. Gjyqtar në mes tyre ishin Kurani dhe Syneti i Pejgamberit a.s., ndërsa çështja rreth së cilës duhej të gjykohej, sipas mendimit të Aliut dhe ithtarëve të tij, ishte problemi i vrasësve të Uthmanit. Mirëpo, dy përfaqësuesit kaluan mbi atë dhe filluan të flisnin lidhur me ligjitimitetin e pushtetit të Aliut. Rezultat i bisedimeve qe marrëveshja që Aliut t’i merrej pushteti, kurse myslimanët ta zgjedhin halifin në këshill.Kur e kuptuan këtë rezultat, një pjesë e ithtarëve të Aliut u ngritën dhe nuk e pranuan gjykimin, prandaj u krijua një sekt i quajtur “El-Havarixh”. Ata në vitin 40 vranë Aliun r.a., pasi ai i kishte mposhtur në vitin 37h. Në betejën “En-Nehrevan”. Në të kishin vdekur një numër i madh pjesëmarrësish të këtij sekti.Ekzistojnë edhe versione të tjera lidhur me zgjedhjen e Aliut halif, por ato nuk dallojnë shumë nga versioni i parë. Pas rënies dëshmor të Uthmanit, gjersa ai po qante në shtëpinë e tij për Uthmanin dhe po thoshte: “O Allah, unë jam i pafajshëm për gjakun e Uthmanit”, disa njerëz erdhën me nxitim dhe kërkuan nga Aliu që të merrte postin e halifit, ngase mendonin se ai e meritonte. Ensarët dhe muhaxhirët u tubuan dhe shkuan t`i jepnin besën për halif, por Aliu r.a. refuzoi duke thënë: “Më lini më mirë ministër sesa prijës të besimtarëve”. I thanë: “Pasha Allahun, nuk gjejmë dikë që meriton këtë post më shumë se ti”. Aliu u tha: “Më lini të qetë. Ne do të ballafaqohemi me më shumë gjëra të këqija sesa këto që kemi sot përpara. Pasha Allahun, mendjet e njerëzve do të hutohen dhe zemrat do të nxirren nga gjoksi”.8 Pasi ensarët dhe muhaxhirët ngulën këmbë që Aliu r.a. ta pranonte detyrën, ai e pranoi në fund, por me kusht që gjatë betimit të jenë të pranishëm ata që kanë marrë pjesë në luftën e Bedrit. Me këtë kërkesë apo kusht, ai donte që ceremoninë e pranimit të detyrës së halifit mysliman ta shndërronte në Mexhlis Shura, ose kuvend këshillues. Pas kësaj u mblodhën ata që kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit, në mesin e të cilëve Talha, Zubejri e të tjerë, dhe ia dhanë besën. Zubejri tha: “Ne kemi pyetur njerëz para se ti të pyesje për ne. U kemi thënë se nuk do të zgjedhim dikë tjetër përveç Aliut”. Atëherë Aliu u tha: “Kjo punë duhet të bëhet vetëm në xhami”(9).
Ibni Abasi nuk e kishte pëlqyer që kjo çështje të zgjidhej në xhami, ngase kishte frikë që mund të kishte ndonjë reagim, kur dihej se kaosi ende nuk kishte përfunduar. Aliu r.a. insistoi përsëri që betimi i tij të bëhej në xhami, dhe ashtu ndodhi. Pasi u tubuan njerëzit në xhami për t`i dhënë betimin, i pari që ia dha betimin ishte Talha bin Ubejdullahu, dora e djathtë e të cilit ishte e paralizuar nga koha e betejës së Uhudit, kur ai kishte mbrojtur Pejgamberin a.s. me dorën e tij nga një shigjetë që ishte hedhur nga mushrikët kurejshitë. Një nga të pranishmit në xhami tha: “Dora e parë sot në betim të jetë dora e paralizuar”. Aliu i tha: “Kjo është nga injoranca jote. Kjo është dora më fisnike nga të gjitha këto duar, sepse ajo mbrojti Pejgamberin a.s.”.

(1) El-Devletul-Emevijje, dr.El-Ashsh, f.73.
(2) Tarih e-t-Taberi, 3/454, dhe Kitabul-Fitne, f.93.
(3) El-Avasim Minel-Kavasim, f.642.
(4) Po aty, f.143-144.
(5) Fethul-Bari, 6/217.
(6) Tarih et-Taberi, 3/507-508.
(7) El-Devletul-Emevijje, f.97. transmetuar nga “Ihjau ulumid-din”.
(8) Amër Halid, Katër halifët e drejtë, Prishtinë, 2009, f.192-193.
(9) Po aty. f.193.
(10) Po aty.


Dr. Fahrush Rexhepi


Artikulli i kaluar
Historia e profetit Junus a.s.
Artikulli radhës
Vizitoni të sëmurët