Dilema në kuadrin e imunitetit dhe misionit profetik të Muhamedit a.s.

A ka lajmëruar Kurani se Muhamedi a.s. do të vijë nga prejardhja e profetit Ismail a.s.?

Së pari: Mjafton fakti se Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit të Tij, Muhamedit a.s., në Kuranin fisnik duke i bërë me dije se ai është profet dhe i dërguar i Zotit. Për ne kjo mjafton dhe nuk do të përbënte pas kësaj asnjë problem fakti se Kurani fisnik nuk ka treguar (drejtpërsëdrejti) se Muhamedi a.s. do vijë nga prejardhja e Ismailit a.s. apo e Is’hakut a.s. E rëndësishme është se ai konsiderohet i dërguar i Allahut të Madhëruar përmes dëshmisë së vetë Kuranit fisnik…
Argumenti për sa në fjalë janë fjalët e Allahut të Madhëruar në vijim:
1. “O Profet! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që të pasojnë. O Profet! Jepu zemër e nxiti besimtarët për luftë! Nëse mes jush gjenden njëzet të qëndrueshëm, ata do të mundin dyqind (mohues) e, nëse nga ju janë njëqind të qëndrueshëm, ata do të mundin një mijë mohues, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë” (Enfal: 64-65).
2. “O Profet! Thuaju robërve që gjenden në duart tuaja: “Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë”. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. E, nëse ata duan të të tradhtojnë, dije se më parë kanë tradhtuar Allahun dhe prandaj Ai ta mundësoi ty fitoren ndaj tyre. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë” (Enfal: 70-71).
3. “O i Dërguar! Kije frikë Allahun dhe mos i dëgjo jobesimtarët dhe hipokritët! Me të vërtetë, Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm, Bindju asaj që të është shpallur ty nga Zoti yt, se vërtet, Allahu e di mirë se çfarë bëni! Mbështetu tek Allahu; Allahu të mjafton si mbrojtës!” (Ahzab: 1-3).
4. “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe!”(Ahzab: 45-47).
5. “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë” (Ahzab: 59).
6. “O Profet! Luftoji të pafetë dhe hipokritët dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Vendbanimi i tyre do të jetë Xhehenemi. Eh, sa i shëmtuar është ai vendbanim!” (Tahrim: 9).
7. “O i Dërguari i Allahut! Mos u brengos për ata që zhyten shpejt në mosbesim, qofshin nga ata që me gojën e tyre thonë: “Besojmë”, ndërkohë që zemrat e tyre nuk besojnë apo prej hebrenjve, të cilët trillimet i dëgjojnë shumë, (madje) dëgjojnë edhe ata që s’kanë ardhur te ti. Ata i ndryshojnë vendet e fjalëve (në tekstet e shenjta) dhe thonë: “Nëse (shpallja) ju është dhënë kështu, pranojeni e, nëse nuk ju është dhënë kështu, atëherë, ruhuni e mos e pranoni”. Kur Allahu dëshiron ta lërë dikë në humbje, ti nuk mund të bësh asgjë për ta penguar Atë. Këta janë të asaj dore të cilët Allahu nuk dëshiron t’ua pastrojë zemrat. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër ka ndëshkim të rëndë”(Maide: 41).
8. “O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë” (Maide: 67).
Së dyti: Kurani fisnik nuk e ka përmendur drejtpërsëdrejti faktin se Profeti a.s. do të vijë nga prejardhja e Ismailit a.s., porse ka aluduar se Muhamedi a.s. ka ardhur nga prejardhja e Ismailit a.s.
E tillë gjë konstatohet nga fakti se hebrenjtë e prisnin atë duke menduar se ai do të vinte nga prejardhja e Is’hakut a.s. – prej bijve të Izraelit –, prandaj dhe në luftërat midis tyre dhe arabëve, hebrenjtë thoshin: “O Allah, na ndihmo kundër tyre me Profetin e dërguar në fundin e kohës (së dynjasë)”. Kur atyre u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, pra Muhamedi a.s. që doli prej prejardhjes së Ismailit a.s., hebrenjtë nuk besuan në të dhe e mohuan profetësinë e tij, të nxitur nga smira dhe urrejtja….
Këtë realitet e përmend Kurani fisnik dhe komentimet që dijetarët kanë bërë në lidhje me thënien e Allahut të Madhëruar: “Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë (Muhamedin)!(1) Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!” (Bekare: 89).
1. Në “Tefsirin e Ibën Kethirit” vjen: Për këtë histori, pra “Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë (Muhamedin)!”, transmetuesit (prej sahabëve) kanë thënë: Ne (medinasit) ishim superior kundrejt tyre (hebrenjve) për një periudhë kohore gjatë injorancës, periudhë në të cilën ne ishim idhujtarë ndërsa ata ishin Ehlu Kitab (Ithtarë të Librit). Ata thoshin: “Një profet do të dërgohet tani dhe ne do ta ndjekim atë, ka mbërritur koha e tij. Ne dhe ai do t’ju ekzekutojmë sikurse ekzekutimi i (popujve të) Adit dhe Iramit”. Kur Allahu i Madhëruar e dërgoi të dërguarin e Tij nga Kurejshët, hebrenjtë nuk besuan në të. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: “pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë (Muhamedin). Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!”
(Komentuesi i Kuranit) Ebu el Alie thotë: “Hebrenjtë kërkonin të ndihmoheshin me Muhamedin a.s. kundër idhujtarëve arab, duke thënë: “O Allah, na e dërgo këtë profet të cilin e gjejmë të shkruar tek ne (në Teurat), që me të t’i ndëshkojmë dhe ekzekutojmë idhujtarët”. Kur Allahu i Madhëruar dërgoi Muhamedin a.s. dhe ata panë se ai nuk ishte prej tyre (hebrenjve), nuk besuan në të, të nxitur nga smira që kishin për arabët, teksa e dinin se ai ishte i dërguar i Allahut. Për këtë Allahu i Madhëruar tha: “pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë (Muhamedin). Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!”.
2. Në tefsirin “El Muntekhab” vjen: Kur atyre (hebrenjve) u erdhi i Dërguari ynë a.s. me Kuranin – që është libër nga Allahu vërtetues i zbritjes që iu shpall atyre në Teurat, dhe ata e njohën nga vetë Teurati vërtetësinë e këtij Libri – ata nuk e besuan atë nga inati dhe smira pse atyre u erdhi një i dërguar që s’ishte prej popullit izraelit. E bënë këtë edhe pse ata më parë kur hynin në konflikt të armatosur ose polemizues me idhujtarët (medinas), përmendnin se Allahu do t’i ndihmojë me dërgimin e vulës së profetëve, me të cilin kishte përgëzuar libri i tyre (Teurati), cilësitë e të cilit përputheshin në mënyrë kompakte me cilësitë e Muhamedit a.s. Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi të tillë inatçinj dhe mohues.
3. Në “Tefsirin” e Sejid Tanatauit (Allahu e mëshiroftë!) vjen: Domethënia e dy ajeteve fisnike është: Kur hebrenjve u erdhi Muhamedi a.s. me Kuranin fisnik, librin të cilin atij a.s. ia shpalli Allahu i Madhëruar vërtetues të çfarë gjendet specifikisht në Teuratin e tyre në lidhje me dërgimin e Profetit a.s. dhe përshkrimin e tij, teksa më parë hebrenjtë kërkonin të ndihmoheshin kundër armiqve të tyre me të (Profetin a.s.), kur atyre u erdhi Profeti që pritej dhe me të edhe Kurani fisnik, hebrenjtë e mohuan profetësinë e tij dhe e përgënjeshtruan librin e tij, prandaj“Mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!”. (Ajetin në vijim: “Ata e shitën veten keq, kur nuk besuan në atë që shpalli Allahu, nga zilia se Allahu ia zbret shpalljen kujt të dëshirojë nga robtë e Vet. Dhe kështu tërhoqën mbi vete zemërim përmbi zemërim! Sigurisht që mohuesit i pret një dënim poshtërues” (Bekare: 90), Tantaui e komenton në tefsirin e tij si vijon:) Sa gjë e shëmtuar ajo gjë me të cilën e shitën veten e tyre. Smira që u pleks në zemrat e tyre dhe urrejtja ngase Allahu i Madhëruar po e zbriste Shpalljen e Tij mbi Muhamedin arab a.s., ky moral diskreditues qe shkaku që bëri që ata të tërhiqnin mbi vetët e tyre zemërimin shumëfish të Allahut të Lartësuar. “Sigurisht që mohuesit i pret një dënim poshtërues” si shpërblim për mosbesimin dhe smirën e tyre.
Në fjalën e Allahut të Lartësuar “Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu”, me fjalën “Libër” synohet Kurani fisnik… Në tregimin se ai është prej Allahut, tregohet se Shpallja që shpall Allahu Lavdiplotë është e denjë që të pritet me pranim dhe bindje virtuoze, pasi ai del prej të Urtit, të Gjithëdijshmit. Me “Shkrimet e tyre”, synohet Teurati. Përshkrimi se Kurani është vërtetues i Teuratit, është me kuptimin se Kurani e mbështet Teuratin dhe përputhet me të në bazat e fesë dhe në specifikën e dërgimit të Profetit a.s. dhe përshkrimit të tij. Gjithashtu përshkrimi i Kuranit fisnik se ai është vërtetues i Shkrimeve të tyre, përbën një regjistrim shtesë të tyre (hebrenjve) si persona të diskredituar, duke qenë se ata nuk mohuan diçka që kundërshtonte bazat e librit të tyre, porse realisht mohuan Librin që vërtetonte librin e atyre vetë.
Fjala e Allahut të Lartësuar: “ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve”, sqaron gjendjen e tyre (hebrenjve) para profetësisë muhamedane, sepse hebrenjtë kur futeshin në ndonjë konflikt me armiqtë e tyre, kërkonin ndihmë kundër tyre me Profetin a.s., para se ai të dërgohej, gjë të cilën e bënin duke thënë: ‘O Allah, na ndihmo kundër tyre me Profetin, përshkrimin e të cilit e gjejmë në Teurat’”.
Së treti: Librat e Sunetit (traditës profetike), Sirës (jetëshkrimit profetik) dhe ato historik, janë librat që e përmendin gjenealogjinë dhe prejardhjen. Në to ka ardhur se Muhamedi a.s. është prej prejardhjes së Ismailit a.s… sa në fjalë është mëse e mjaftueshme…
Referencat për këtë janë të shumta dhe ne prej tyre po përmendim:
1. Libri “Delailu en Nubue” me autor El Bejhakiun (numër 88), nga Muhamed ibën Is’haku vjen: “(Ai është) Muhamedi i dërguari i Allahut a.s., ibën (i biri i) Abdullahut, ibën Abdulmutalibi, ibën Hashimi, ibën Abdumenefi, ibën Kusiji, ibën Kilab, ibën Murra, ibën Keabi, ibën Lueje, ibën Galibi, ibën Fihr, ibën Malik, ibën Nadri, ibën Kinene, ibën Khuzejme, ibën Mudrike, ibën Iljas, ibën Mudar, ibën Nizar, ibën Muad, ibën Adnan, ibën Uded, ibën el Mukauim, ibën Nahur, ibën Tareh, ibën Jearub, ibën Jeshxhub, ibën Nebit, ibën Ismail, ibën Ibrahim, ibën Ezer…”.
2. Në librin “Kenzu el Umel” (me numër 35512) (me autor El Muteki el Hindi) nga Ibën Abasi vjen se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë: “Unë jam Muhamed ibën (i biri i) Abdullahut, ibën Abdulmutalibi, ibën Hashimi, ibën Abdumenefi, ibën Kusiji, ibën Kilab, ibën Murra, ibën Keabi, ibën Lueje, ibën Galibi, ibën Fihr, ibën Malik, ibën Nadri, ibën Kinene, ibën Khuzejme, ibën Mudrike, ibën Iljas, ibën Mudar, ibën Nizar, ibën Muad, ibën Adnan, ibën Ud, ibën Uded, ibën El Humejsea, ibën Jeshxhub, ibën bint ibën Xhemil, ibën Kedar, ibën Ismail, ibën Ibrahim…”.
3. Në librin “Zedu el Meadi” me autor Ibën el Kajim-in (vëllimi 1 / faqja 70), (vjen se ai mbi gjenealogjinë e Muhamedit a.s. ka thënë): “Ai është Muhamed ibën (i biri i) Abdullahut, ibën Abdulmutalibi, ibën Hashimi, ibën Abdumenefi, ibën Kusiji, ibën Kilab, ibën Murra, ibën Keabi, ibën Lueje, ibën Galibi, ibën Fihr, ibën Malik, ibën Nadri, ibën Kinene, ibën Khuzejme, ibën Mudrike, ibën Iljas, ibën Mudar, ibën Nizar, ibën Muad, ibën Adnan. Deri këtu gjeneaologjistët janë në pajtim midis tyre dhe nuk kanë asnjë kundërshtim në mënyrë kategorike. Kurse për (brezat e gjenealogjisë) sipër Adnanit ata kanë mospajtime, porse ata nuk kanë asnjë mospajtim mbi faktin se Adnani është prej fëmijëve të Ismailit a.s. dhe Ismaili a.s. sipas fjalës korrekte midis dijetarëve prej sahabëve, tabi’inëve dhe të tjerëve pas tyre, është kurbani (i biri i profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) të cilin ai u urdhërua ta bënte kurban).
Së katërti: Bibla, në librin Zanafilla, na përmend një profetësi të madhe të Ismailit a.s. si dhe përmend pasuesit e tij që janë një komb i madh – me në krye Muhamedin a.s. –. Nisur nga kjo vetë Bibla ka përgëzuar mbi Muhamedin a.s. se ai do të vijë nga prejardhja e Ismailit a.s., sikurse në Kapitullin 17 vargu 20, ku vjen:
“17:20 Sa për Ismaelin (Ismailin), unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh”.
Ja ku e kemi Biblën të flas në lidhje me Kedarin, i cili është prej bijve të Ismailit a.s., prej prejardhjes të të cilit është Muhamedi a.s., siç sqarova më sipër.
Pikërisht në lidhje me të, Bibla në librin Zanafilla, kapitulli 25 vargu 13-15, thotë:
“25:13 Këta janë emrat e bijve të Ismaelit (Ismailit), simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami, 25:14 Mishma, Dumahu, Masa, 25:15 Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu”, duke mos lënë vend për koment.
Së fundi, a s’do kishte qenë më mirë që kundërshtarët të zgjidhnin problemin që vjen në Librin e tyre të shenjtë (në Bibël) në lidhje me prejardhjen e Jezusit, që herë thotë: “Jezusi i biri i Jusufit (Jozefit) të birit të Jakubit (Jakobit)”, dhe herë tjetër thotë: “Jezusi i biri i Jusufit (Jozefit) të birit të Helit (Elit)” (sikurse në burimet biblike në vijim):
Tek Mateu vjen: “16:1 Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht”;
ndërsa tek Luka vjen: “3:23 Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit”.
Të vërtetën thotë Allahu i Madhëruar kur bën fjalë për çështjen e të krishterëve, duke thënë: “Me të vërtetë, një grup ithtarësh të Librit e shtrembërojnë Librin me gjuhët e tyre (ndërsa e lexojnë atë), që ju të mendoni se ai farë leximi është prej Librit (që ka zbritur Allahu), kurse në të vërtetë, nuk është prej Librit. Ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Allahu”, por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtra për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm për këtë” (Ali Imran: 78).


________________________________________
(1) Sipas Ibn Abasit, para ardhjes së Profetit Muhamed (a.s.), hebrenjtë e Medinës i kërkonin Allahut t’u dërgonte një profet në ndihmë kundër fiseve arabe të Medinës Eus dhe Hazraxh. Por, kur Allahu e zgjodhi Profetin nga radhët e arabëve, ata nuk e pranuan atë.



Prof. Ekram Hasen Mursi
Shqipëroi: Altin Torba