Këshilla e vdekjes

Dr. Jusuf El-Kardavi

“Çdo popull ka afatin e vet, e kur t’u vijë afati i tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përshpejtohet më parë”. (El A’raf, 34).

Pejgamberi a.s. na ka lënë dy këshilltarë të rëndësishëm: njërin që flet dhe tjetrin që hesht. Ata janë dy këshilltarë të përhershëm, prej të cilëve marrim këshilla vazhdimisht. Njerëzit janë të nevojshëm për këshillime të dobishme, ngase zemrat ngurtësohen, mendjet shkujdesen, dynjaja mashtron, pasioni urdhëron për të keq, ndërsa djalli i mashtron njerëzit dhe i shpie në devijime. Prandaj duhet të ekzistojë një këshillëdhënës. Pejgamberi a.s. na ka lënë këta dy këshilltarë të përhershëm dhe të rëndësishëm: I pari është ai që flet, e ai është Kurani, kurse i dyti është i heshtur, e ajo është vdekja.


Vdekja këshilltar i heshtur

Vdekja gdhin me ne dhe me ne pret natën. Ai është këshilltar i dobishëm dhe na çlodh. Mirëpo, për fat të keq, njerëzit janë të shurdhër e nuk dëgjojnë. Ata janë të zënë me dynjanë e tyre dhe për shkak të saj grinden ndërmjet tyre. Për shkak të zbukurimeve të saj (dynjasë), luftojnë, e harrojnë atë që i kërcënon për çdo ditë, madje për çdo orë, çdo minutë dhe çdo çast. E harrojnë këtë këshilltar, siç thotë Pejgamberi a.s.: “Vdekja është këshilltar i mjaftueshëm për ne”. (Taberaniu dhe Bejhekiu nga Ammar ibn Jasir r.a.).A keni parë këshilltar më të mirë dhe më të përshtatshëm se vdekja, që njeriu para teje të jetë fotografi dhe trup i gjallë, fytyrëndritur, me gjuhë që flet, me dëshirë që lakmon dhe përgatitet për dynjanë, por kur kjo fytyrë ndriçuese shuhet papritmas, ky trup i gjallë vdes, kjo gjuhë e rrjedhshme hesht dhe njeriu që kishte vesh e sy, ndodhet në ndonjërin prej varreve.


Vdekja realitet relative

Vdekja është realitet që herë është e pranishme, e herë mungon. Është e pranishme, ngase njerëzit çdo ditë janë dëshmitarë të saj, po mungon ngase njerëzit nuk dëshirojnë ta kujtojnë atë. Sikur çdo njëri t’i kujtonte të dashurit që janë ndarë prej tij, të afërmit, shokët, kolegët, fqinjët, - do të kujtonte shumë e shumë. Vdekja është më afër se hapja dhe mbyllja e syve A mendon se vdekja është larg prej teje? Jo, për Zotin. Vdekja është gjëja më e afërt për njeriun: “Çështja e katastrofës (e Kiametit) është (e shpejtë) vetëm sa hedh një shikim, ose ajo është edhe më afër”. (En-Nahl, 77).
Nëse kjo është katastrofa e përgjithshme, atëherë edhe çdo person ka çastin e vet të veçantë, e kush vdes atëherë, tashmë do të jetë bërë kiameti për të. Ndodhia e vdekjes është si hapja dhe mbyllja e syve, ose edhe më e shpejtë se kjo. Ajo s’është tjetër veçse një goditje e mprehtë, që ndan ndërmjet jetës dhe vdekjes. Me të truri pushon së menduari, zemra (kjo pompë e cila pompon gjakun nëpër trup) pushon së rrahuri, shpirti, i cili ka hyrë, nuk mund të dalë, kurse trupi bëhet kufomë të palëvizshme. Me ardhjen e vdekjes, përfundon shansi, njeriu humb mundësinë që kishte në jetën e tij, e humb për shkak të pakujdesisë. Kur të vijë vdekja, njerëzit sikur dëshirojnë t’u shtyhej afati i vdekjes edhe një muaj, ose një javë, ose një ditë, ose një orë, ose një minutë.
Ndoshta ai në këtë moment do të thoshte: I pendohem Allahut. Por, sa larg dhe e pamundshme që është një gjë e tillë? “Dhe jepni nga ajo që Ne ju kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: O Zoti im, përse nuk ma shtyve afatin (e vdekjes) edhe pak, që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve! Po, Allahu nuk ia shtyn kurrsesi askujt për më vonë, kur atij t’i vijë afati i vet”. (El Munafikun, 10-11).”Çdo popull ka afatin e vet, e kur t’u vijë afati i tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përshpejtohet më parë”. (El A’rafë, 34).


Kujtoni ndërprerësin e kënaqësive

Njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj vdekjes. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. na ka këshilluar duke thënë: “Shtoni kujtimin për ndërprerësin e kënaqësive, vdekjen”. (Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, Hakimi dhe Bejhekiu nga Ebu Hurejra r.a.).
Vdekja është ajo që ndërpret kënaqësitë dhe i çrregullon njeriut lumturinë e tij kur e kujton atë. Prandaj, kur të kujtohet njeriu se kjo gjendje në të cilën është, nuk do të zgjasë shumë, sepse, sikur t’u zgjatej atyre që kanë qenë para tij, do t’i zgjatej edhe atij.
Njëri prej halifeve, i tha një dijetari: “Më këshillo. Ai i tha: Dije se nuk je halifja i parë që vdes, sepse, sikur të mos kishin vdekur ata që kanë qenë para teje, hilafeti nuk do të kishte mbërri tek ti. I tha: Më këshillo më shumë. Tha: Ndërmjet teje dhe Ademit nuk ka asgjë tjetër veçse baballarë të vdekur, ndërmjet njeriut dhe Ademit nuk ka asgjë tjetër veçse baba që ka këshilluar fëmijën e tij për vdekjen”.Njëherë, Xhibrili a.s. i erdhi Pejgamberit a.s. dhe i tha: “O Muhamed, sado që të jetosh, ti je i vdekur. Vepro ç’të duash, për të do të shpërblehesh. Duaje kë ta duash, do të ndahesh prej tij”. (Ebu Shejhi, Ebu Neimi dhe Hakimi). Sado që të jetosh, prapë ti je i vdekur. Thuhet se Allahu xh.sh. e kishte dërguar Nuhun a.s. te populli i vet, dhe me ta kishte jetuar 950 vjet, e pastaj ata i përfshiu vërshimi. Pas vërshimit ai jetoi aq sa dëshiroi Allahu që të jetojë, mirëpo, kur i erdhi meleku i vdekjes për t’ia marrë shpirtin, e pyeti: “O Pejgamberi më jetëg jatë, si e ke gjetur dynjanë? Iu përgjigj: E gjeta si një shtëpi që ka dy dyer. Sikur kam hyrë në të parën njërën dhe kam dalë prej tjetrës”.Në agoninë e vdekjes, kjo jetë pakësohet para teje. Këtë shirit të gjatë e gjen sikur të mos ishte asgjë: “Dita kur ta përjetojnë atë, atyre (idhujtarëve) do t’u duket sikur nuk kanë jetuar më shumë se një mbrëmje ose një mëngjes të saj”. (En-Naziat, 46).
Vdekja është e pashmangshme, dhe, sado që të kënaqesh në jetën tënde, dije se atë do ta lësh e do të ndahesh prej saj. Nëse kjo është karakteristikë e dynjasë, atëherë a mund të ketë gjë më të kotë dhe më të parëndësishme se ajo?Ç’është vlefta e kësaj dynjaje, pasi njeriu për çdo ditë e çdo orë u shfaqet dhuntive të përkohshme ose fatkeqësive të mundshme dhe vdekjeprurëse?! Kjo është dynjaja dhe karakteristikat e saj. Një mbret kishte ndërtuar një pallat të cilin e kishte zbukuruar, stolisur, dekoruar dhe e kishte mobiluar me orenditë më të mrekullueshme, që nuk mund të imagjinohen. Ai iu drejtua një njeriu të mirë që rrinte tek ai, duke i thënë: “A po sheh ndonjë të metë në këtë pallat, që ta riparoj? I tha: Po, në të shoh një të metë, por atë s’mund ta përmirësosh. I tha: Si është e mundur, kur unë kamë para? Tha: E metë e këtij pallati është se në të mund të hysh, por pastaj nuk mund të garantosh se do të dalësh prej saj. Ose mund të dalësh, po nuk e ke të sigurt nëse mund të hysh në të”. Një ditë, Sulejman ibn Abdul-Meliku (njëri prej halifeve emevitë) qëndroi para pasqyrës, u habit me vetveten e u mburr, shikonte rininë e bukurinë e tij, e tha: “Unë jam mbret i ri”. Ai kishte një shërbëtore të mire, që ishte poete, së cilës i tha: “Ç’thua për mua?” Ajo iu drejtua me vargje të poezisë: “Sa i mirë që je sikur të mbetesh, por për njeriun nuk ka përjetësi! Sa shoh, tek ti nuk ka asnjë të metë, ashtu siç kanë njerëzit, por je i përkohshëm”!


Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen

Vdekja është fundi i çdo të gjalli, është enë furnizimi për të gjithë njerëzit: “Çdo krijesë (shpirt) do ta shijojë vdekjen”. (Ky ajet përsëritet në tri vende në Kuran: Ali Imran, 185; El Enbija, 35; El Ankebut, 57). Pejgamberët, njerëzit e sinqertë, dëshmorët, njerëzit e mirë, të gjithë ata e shijojnë vdekjen. Pejgamberët dhe njerëzit e mirë kanë vdekur. Gjithashtu, mbretërit, të mëdhenjtë, perandorët, halifet, qeveritarët, të pasurit, edhe ata kanë vdekur. Atyre nuk do t’u bëjnë dobi pushteti, as ushtarët, as ushtritë, as thesaret, as pasuria, as ari e argjendi që posedojnë. Ç’do të bëjnë me to? A do ta korruptojnë Azrailin me ryshfet? A do të hyjnë në varrë me to?Njerëzit thonë se qefinët nuk kanë xhepa, që domethënë se askush nuk do të shkojë me qefinë e me pasuri, sepse në ta nuk ka vend të fshehur e as xhepa ose diçka të ngjashme me ta, ku do të fuste pasurinë dhe paratë e tij. A e ke parë dikë që ka hyrë në varr me arkën mbushur me ar, ose me librezë kursimi a me xhirollogari? Kur të vijë vdekja, i pasuri e i varfri barazohen. Harun Er-Reshidi kishte zgjedhur qefinin e tij me duart e tij, pastaj qe ulur në shtrat dhe tha: “Pasuria ime nuk më bëri dobi fare. U hoq prej meje çdo kompetencë imja”. (El Hakka, 28-29). Biri i tij, Me’muni, ishte ulur mbi hi dhe, duke u lutur, thoshte: “O Ti, pushteti i të cilit nuk zhduket, ki mëshirë ndaj atij, pushteti i të cilit tashmë është zhdukur”!- Pushteti i askujt s’mbetet, dhe as pasuria e as lumturia e askujt nuk mbesin. Gjithçka është kalimtare, secilit do t’i palohet fleta dhe do të përballet me realitetin e vet. Vdekja është gotë nga e cila secili pi dhe e shijon atë.


Nuk ka shpëtim nga vdekja kur të vijë afati

Shumë njerëz vdesin nga infarkti, astma, ose nga çfarëdo sëmundje të befasishme. Shumë njerëz vdesin në aksidente trenash ose aeroplanësh! Madje, mund të ndodhë që të ecësh në këmbë, dhe të vjen dikush e të godet me automobil dhe të mbyt. Sado që mundohesh të ikësh nga vdekja, ajo do të të vijë, nuk ka dyshim: “Thuaj: S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë”. (El Xhumua, 8). “ Vdekja do t’ju zërë kudo që të jeni, edhe në qofshi në pallate të fortifikuara”. (En-Nisa, 78). Kur të vijë vdekja, s’ka shpëtim prej saj. Ndodh që të shkosh te mjeku më i shkathët, ose të të dërgojnë jashtë shtetit për shërim, por, nëse sëmundja vjen nga qielli, shërimi është i pavlefshëm, mjekët hutohen dhe zbatohet caktimi i Allahut xh.sh..Vdekja vjen dhe për këtë s’ka dyshim, mirëpo, për fat të keq, ne jemi të pavëmendshëm ndaj këtij fakti të rrezikshëm. Ekziston dita dhe ora kur njerëzit do të thonë për secilin prej nesh: Vdiq filani. Ç’ke përgatitur për atë ditë? O njeri, ç’ke përgatitur për atë orë? Në një hadith thuhet: “Mendjemprehtë (i mençur) është ai që e llogarit veten e tij dhe punon për pas vdekjes. Kurse i paaftë është ai që pason epshin e tij dhe mbahet me shpresa të kota”. (Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi nga Sheddad ibn Evsi r.a.).
Pra, llogarite veten në dynja, para se të të llogaritesh në Ditën e Gjykimit, para se të qëndrosh para gjykimit të Allahut xh.sh.. Pejgamberi a.s. ishte pyetur për njerëzit më të mençur dhe më të zgjuar, e kishte thënë: “Këta janë ata që e kujtojnë më së shumti vdekjen dhe për të cilën përgatiten më së shumti. Ata janë të mençurit. Shkuan me nderin e dynjasë dhe krenarinë e Ahiretit”. (Ibn Ebu Dunja dhe Taberaniu në “Sagir”). Atëherë pra, vëllezër, le të përgatitemi për vdekjen para se të na befasojë, le të jemi të mençur e mendjemprehtë. Le të jemi të vëmendshëm, në mënyrë që të mos befasohemi nga ky realitet, e ne nuk jemi furnizuar nga dynjaja me ato që do të na bëjnë dobi gjatë udhëtimit tonë.



Përktheu: Mr. Faruk Ukallo, (Burimi: “Predikimet e Shejh El-Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 2001, v.l 4 f. 228-239).