Për ke po flijohemi ...!?

Në fillim ju përshëndes të gjithë juve, lexues të dashur të kësaj shkrese të vogël e modeste, me përshëndetjen e banorëve të qiellit, me përshëndetjen e banorëve të xhennetit, pra me përshëndetjen islame, Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Paqa, mëshira dhe dhuntia e Allahut qoftë mbi ju dhe mbi gjithë ummetin islam.

Duke iu referuar titullit të lartpërmendur në shikim e sipër pak si tragjike, mirëpo ne esencë e ëmbël. Por, kjo ëmbëlsi nuk vlen për të gjithë, kjo vlen vetëm për ata të cilët dinë dhe që kanë ditur të zgjedhin mënyrën e jetesës dhe sakrificave të tyre.

"Koha është emërues i barabartë për të gjithë njerëzit. Pa marrë parasysh se a jeni të pasur apo të varfër,të fuqishëm apo të dobët, të sëmurë apo të shëndoshë, koha për te gjithë është e njëjtë. Ajo nuk ndryshon, të gjithë këtë kohë e jetojnë, mirëpo përfundim i zgjedhjes nuk është për të gjithë i njëjtë. E gjithë kjo varet nga vetë individi, si ka zgjedhur ai, se si t’i shfrytëzojë ditët e dhuruara nga Perëndia dhe në të njëjtën kohë edhe modelin si ta jetoj jetën e tij.

Te jetosh është gjëja më e rrallë në botë ...
shumica e njerëzve nuk jetojnë, ata vetëm ekzistojnë.

Dëshira jonë është që nga të rinjtë e të rejat tona, përpos që ta zgjojnë mendjen e tyre, të mundohen ta zgjojnë edhe ndërgjegjen e tyre. Të mundohen ta kalisin veten me të mirën, të formojnë një personalitet ashtu siç kërkon islami, e me formimin e vetes kanë arrit të formojnë familjen e tyre, e me formimin e familjeve, atëherë formohet edhe shoqëria e pastër. Të edukohen të rinjtë që të jenë përgjegjës dhe t'i thonë "JO" të keqës. Mëkati (gjynahu) nuk është rregull i jetës, sepse jeta nuk mbështetet në mëkate e në të keqën, por në të mirën... Xhelaludin Rumiu thotë: "Biri im, edukoje shpirtin tënd, qenien tënde, kjo është rruga e drejt. Për shkak të edukimit të mirë kjo gjithësi noton në dritë."

Është shumë e dhimbshme kur një pjesëtarë i shoqërisë sonë mendjen e tij e bën rob, kurse egon (epshin) princ. Lum për atë i cili mendjen e tij e bën princ e egon rob.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që servimet që po na bëhen nga të huajt dhe fatkeqësisht nga ne po pranohen në shoqëritë tona pa i kontrolluar fare ato, se a janë dobi apo janë dëm për neve, duhet që t’i klasifikojmë, sepse "nuk është gjithçka ashtu siç shihet". Për atë qe sot me të madhe punohet në prishjen e moralit të të rinjve tanë me lloje e mënyra të ndryshme, duke filluar nga imitimi i verbër si në veshje, sjellje, emisione televizive, seriale, filma, e deri tek fshehja nën fjalën "emancipim" e në realitet emancipimi i tyre nuk është tjetër për neve vetëm se "copëtim". Pra me pak fjalë, të mos bëhemi kurban i të tjerëve, por nëse është nevoja ta flijojmë vetën, atëherë ta flijojmë siç flijoi i riu Ismaili a.s.

Allahu, me sprovën që ia bëri robërve të Tij të dashur (Ibrahimit a.s. dhe te birit Ismailit a.s.) neve deshi që të na tregoje dhe mësojë se si duhet të flijohet krijesa për Krijuesin.

Ngjarja e Ibrahimit a.s. dhe Ismailit a.s. është një shkollë për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë të diplomuar si në këtë jetë ashtu edhe në ahiret. Nga kjo ngjarje që shumë mirë shtjellohet në Kur'anin Famëlartë, mund të nxirren shumë mësime dobiprurëse, mirëpo ajo që më bënë më tepër kurioz është flijimi i një të riu shumë të edukuar, me ndërgjegje dhe besim të lartë.

Kjo është një histori që na tregon se si duhet të edukojmë veten tonë, fëmijët tonë, familjet tona dhe shoqërinë në përgjithësi.
Na mëson se si duhet të bëhet sakrifica dhe për kë të flijohemi
Na mëson se si duhet të i zgjedhim problemet hallet dhe dertet tona.
Urdhri i Ibrahimit a.s. për të flijuar të birin e tij Ismailin ishte një problem apo më mirë të themi një hall shumë i madh, mirëpo këta të dy këtë hall e zgjodhën me dy fjalë shumë të shkurta, ajo që ua mundësojë ta zgjidhnin problemin ishte vullneti dhe dëshira për ta zgjedhur. Nëse mungon vullneti, dëshira dhe vendosmëria, problemet jo me dy fjalë, por as me dyqind fjalë nuk mundë të zgjidhen.
Na mëson se si duhet të arrihet ideali më i lartë, dhe na tregon se si duhet të nënshtrohemi para Krijuesit tonë.
Kur Allahu urdhëroi Ibrahimin a.s. për ta flijuar (ta prerë kurban) fëmijën e tij të dashur, nuk iu deshtë të mendoje për të gjet arsye apo ndonjë justifikim për mos kryerjen e urdhrit të Krijuesit, por me atë që ishte i urdhëruar, e zbatoi, edhe pse ishte një ndër sprovat më të mëdha.

I guximshëm u tregua si i ati edhe i riu Ismaili. Pasi qe mori urdhrin nga Allahu xh.sh. Ibrahimi a.s., me një edukatë shumë të lartë prindërore iu afrua të birit dhe e pyeti: “Jam urdhëruar për të bërë kurban për Allahun, çfarë mendon për këtë vendim?” Fjalët e te riut bujar, të ndërgjegjshëm, e guximtar ishin: “Me atë çka je urdhëruar zbatoje, e në dashtë Allahu mua do të më gjesh prej durimtarëve.”

Momente të vështira babai po e flijon të birin, e i biri po e flijon veten, mirëpo që të dy e dinin se për kë po flijohen (për Allahun ), zaten kjo është urtësia që na ka bë neve të mendojmë më tepër dhe të shkruajë këtë shkresë të vogël me përmbajtje "NË SHIKIM E SIPËR TRAGJIKE, MIRËPO NË ESENCË E ËMBËL"
Për ata që e dinë dhe që kanë lexuar apo dëgjuar mbi këtë histori. Fillimi i kësaj është shumë trishtues dhe tragjik, mirëpo fundi është shumë i ëmbël, shpëtim dhe tepër i shpërblyer.

Më lart pamë rastin më të mirë të flijimit të robërve të dashur të Allahut dhe që duhet marrë shembull që edhe ne të dimë se për kë duhet të flijohemi. Sot, fatkeqësisht, shumë nga prindërit, ashtu edhe nga bijtë e bijat po e flijojnë veten jo për Allahun, por për hir të pasurisë, po flijohen për hir të famës, bukurisë, e për gjëra tjera të kota.

Si përfundim së bashku po e përkujtojmë fjalën e Aliut r.a. ku thotë: "Sot jemi ne dhe vepra jonë, kurse nesër jemi ne dhe llogaria jonë..." Së bashku, duke i dhënë njëri-tjetrit dorën, ta shtojmë dëshirën dhe vullnetin për ngritjen e moralit-besimit te shoqërisë sonë, e s’ka dyshim se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.

Çdo njeri sado që të përjetojë dhimbje-mundim, le të përjetojë, nëse vërtet punon atë që duhet, një dite atij një dore nga larg ëmbëlsirën do t’ia dhurojë.


Artikulli i kaluar
Lëreni kombin
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi