Prof. Dr. Muhamed Tevfik Ramadan El-Buti
Me të vërtetë komuniteti musliman sot ka nevojë imediate që të ndalet dhe ta vështrojë aktualitetin e tij të dhimbshëm dhe të
rishikojë mënyrën e paraqitjes së diskursit fetar. Ndoshta kjo çështje do t’i shërbejë dhe do t’i mundësojë avancimin dhe rikthimin në
pozitën e drejtë, të cilën duhet ta ndërtojë.
Në diskursin fetar islam ndikojnë disa faktorë, nga të cilët më të rëndësishmit janë:
1. Përmbajtja e diskursit,
2. Personaliteti i thirrësit,
3. Personi të cilit i drejtohet,
4. Rrethanat dhe kushtet në të cilat bëhet diskursi fetar.
Për sa i përket përmbajtjes së diskursit, ai nuk do të ndryshojë e as do të ndërrohet, sepse ajo është një ftesë rreth asaj që është plotësuar si në aspektin e besimit e të legjislacionit edhe të moralit. Kjo përmbajtje i ngjason apo është njëra nga format konstante kozmike, siç është sistemi i Diellit dhe i Hënës.
Komponentët e personalitetit të thirrësit:
Për sa i përket thirrësit a personit i cili plason diskursin, ai nga aspekti fetar islam është një lajmëtar që bart trashëgiminë madhështore të Pejgamberit a.s., dhe në të njëjtën kohë, bart përgjegjësinë e bartjes së këtij diskursi tek njerëzit, duke filluar nga rrethi i ngushtë që e rrethon, e deri tek çdo individ mbi rruzullin tokësor.
Bartësi i diskursit fetar tek të tjerët, duhet të jetë bartës i një ideje të cilën e përkthejnë etika, sjellja dhe veprimet e tij. Sepse feja Islame ose parimet e saja nuk pranojnë që ato t’i përhapë a t’i shpërndajë ai që nuk i përfaqëson ato si bindje në të cilat beson, si legjislacion të cilit i nënshtrohet dhe si etikë me të cilën ngjyroset. A nuk ka thënë Zoti ynë:(Shih:El Bekare, 44).
Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë: (Ditën e Kiametit do të sillet një njeri, i cili do të hidhet në zjarr, atij do t’i dalin zorrët nga barku, ai do të qarkullojë (sillet përreth) sikurse qarkullon gomari pranë gurit të mullirit; me këtë rast afër tij do të afrohen banorët e zjarrit dhe do t’i thonë: O Filan, çfarë ka ndodhur me ty? A nuk je ti ai që na urdhëroje për të mirë dhe na ndaloje nga e keqja? Ai thotë: Po, mirëpo ju kam urdhëruar për të mirë dhe unë nuk kam vepruar mirë, dhe ju kam ndaluar nga e keqja e vetë e kam bërë atë). (Muslimi).
Thirrësi fetar (teologu-hoxha) ka mundësi që diskursin e tij ta bartë tek të tjerët përmes gjuhës dhe lapsit të tij, mirëpo do të ishte më e fuqishme dhe më me ndikim në përhapjen e thirrjes së tij, që atë, karshi përhapjes së saj me gjuhë dhe laps, ta përhapë përmes sjelljeve dhe veprimeve të tij, sepse më shumë ndikim ka vepra sesa fjala. Bartësi i diskursit apo thirrësi, duhet të jetë i sinqertë ndaj Zotit në thirrjen e tij, duke pasur të vetmin qëllim arritjen e kënaqësisë së Tij, sepse thirrja-daveti nuk është thjesht një veprim lëvizës a aktivitet shoqëror ose politik, përmes të cilit njeriu bashkohet me njerëzit që e respektojnë atë
dhe kanë simpati ndaj tij e fjalëve të tij; jo, ajo, mbi të gjitha, është një ibadet, përmes të cilit njeriu afrohet tek Zoti dhe përmes tij shpreson në pranimin e Zotit, duke u nisur nga ajeti i Kuranit (Shih: Fussilet, 33 En-Nahl, 125).
Thirrësi e sheh veten e tij thjesht si një shërbëtor të fesë, e nëse ftesa e tij has në mirëkuptimin e masës dhe ata i përgjigjen asaj, atëherë kjo është një begati nga ana e Allahut xh.sh., që ua ka ndriçuar atyre zemrat.
A nuk ka thënë Allahu xh.sh.: “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”. (El Kasas, 56).
Ndërsa, nëse has në kundërshtim dhe në pengesë, atëherë ai duhet të durojë ashtu siç kishte duruar i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s.. A nuk ka thënë Muhamedi a.s. (Shembulli im dhe shembulli i Ymetit tim, është sikurse shembulli i një njeriu që ka ndezur një zjarr, ndërsa kafshët dhe karkalecat filluan të binin në të, e unë ju tërheq nga zjarri përmes nyjës së këmishës, kurse ju zhyteni në të) (Muslimi).
A nuk iu zbut zemra të Dërguarit të Zotit ndaj refuzuesve derisa Zoti i tha atij: “Mos shkatërro veten me dëshpërim për ta”. (Fatir, 8).
Zemra e thirrësit duhet të jetë e pastër nga ndjenjat e zemërimit dhe urrejtjes, çfarëdo që të jetë pozita e të thirrurit. Ai duhet t’i ftojë njerëzit dhe t’i lutet Zotit që t’i udhëzojë ata: “E ti, pra, këshillo, se je vetëm përkujtues”. (El Gashijeh, 21).
Allahu xh.sh. është Ai i Cili ka në dorë llogarinë dhe ndëshkimin e tij, ndërsa thirrësi (teologu- hoxha) ka për detyrë që ta plasojë ftesën e tij me mënyrën dhe me metodën më të përshtatshme. Thirrësi (teologu-hoxha) duhet të ketë njohuri dhe të jetë mirë i informuar për se i fton njerëzit, ai duhet të ketë mundësi ta paraqesë ftesën e tij me një mënyrë të bukur dhe t’i shfaqë qartazi të vërtetat e saj duke u mbështetur në argumente të qarta dhe të fuqishme. Ai duhet të ketë njohuri mbi çështjen e besimit (akaidit), etikës së mirëfilltë dhe dispozitave të Sheriatit. Ai gjithashtu duhet të ketë njohuri të përgjithshme për aktualitetin në të cilin jeton dhe zhvillimet e tij, në mënyrë që të jetë i informuar për sfidat dhe problemet me të cilat mund të ballafaqohet.
Nevoja e kuptimit të karakterit të personit që thirret- ftohet:
Kushdo që të jetë personi që ftohet, thirrësi duhet ta kuptojë personalitetin-karakterin e tij shumë mirë, në një formë që do t’ia mundësonte atij paraqitjen e ftesës drejtuar atij. Personi të cilit i dedikohet ftesa, bën pjesë në njërin nga tri llojet e personave të mëposhtëm:
a) Musliman i pakujdesshëm-neglizhent: Dhe në të vërtetë sot është më me prioritet që të ftohet ky lloj i njerëzve. Po, ne kemi shumë nevojë që dikush të na këshillojë, sepse të gjithë ne jemi të pakujdesshëm, edhe pse kjo pakujdesi dallon në mes një myslimani dhe një tjetri. Ftesa të drejtohet ndaj çdonjërit që ta kontrollojë veten e tij, sjelljen, moralin dhe gjendjen e tij ndaj Krijuesit të tij, e më pastaj ta vërë tërë këtë para peshores së rregullave të Zotit dhe Librit të Tij, në mënyrë që çdonjëri ta kuptojë se është i pakujdesshëm dhe neglizhent ndaj realitetit të gjendjes së tij. Çdonjëri nga ne është duke shkuar drejt vdekjes së vet, çdo orë që kalon na largon nga lindja jonë dhe na afron kah vdekja. Ne duhet ta rikujtojmë atë që ka thënë El-Hasen El-Basri: ‘Ne në të vërtetë jemi ditë dhe çdo ditë që kalon eliminohet një pjesë nga ne, dhe shumë shpejt do të përfundojnë ditët tona, për të dalë para Madhërisë së Zotit’. Allahu xh.sh. thotë:(shih-El Hakka, 18)
b) Musliman kundërshtar: Për sa i përket myslimanit kundërshtar, biseda me të duhet të bëhet në përputhje me respektimin e rregullave dhe edukatës së dialogut, për të cilat na ka porositur Krijuesi ynë që të kemi kujdes ndaj tyre. A nuk ka thënë Zoti ynë: (Shih:En-Nahl, 125 dhe Ali Imran, 64); atëherë më me përparësi do të jetë që fjala e bashkimit në mes nesh dhe myslimanit kundërshtar të jetë vendtakim apo vend bashkim dhe pikënisje për pranimin e dialogut, i cili buron nga respektimi i mendimit të tjetrit. Teksti i legjislacionit islam, i cili ka ardhur përmes Kuranit dhe haditheve, pa marrë parasysh a është tekst i mënyrës-formës së prerë apo i mënyrës-formës jo të prerë (shumica e teksteve të haditheve janë të mënyrës-formës jo të prerë), ka dy kuptime:
1. Ka prej tyre që janë me argumentim të prerë sipas kuptimit, ky tekst nuk ka mundësi të komentohet. Ky lloj përfaqëson një pjesë më të vogël të teksteve të legjislacionit islam.
2. Ka prej tyre që janë me argumentim jo të prerë në formën e jashtme, mirëpo ai ka mundësi të komentohet. Shumica e teksteve të legjislacionit islam janë të fushës që japin mundësi për hulumtim, përpjekje (ixhtihad) dhe komentim, gjë që i ka shtyrë dijetarët e vyer të zgjojnë vullnetin dhe të japin mundin me qëllim të kuptimit të synimeve dhe qëllimeve të tyre. Meqenëse tekstet kanë disa mundësi (argumentimi), mu për këtë arsye ndryshojnë edhe komentimet e dijetarëve dhe kuptimi prej tyre i atyre teksteve. Disa tekste janë më elastike në të argumentuar dhe për këtë nxjerrim më shumë se një kuptim. Kjo larmi dhe ky dallim në vetveten e tij është një nxitje për pronarët e mendjes dhe dijes, për të dhënë mund edhe më të madh me qëllim të kuptimit të tekstit, gjë që divergjenca e tyre –ata realisht të pajtohen – e bën më të pasur dhe më të efektshme në aspektin e ripërtëritjes së të menduarit rreth legjislacionit islam.
Sot ne shohim urtësinë e Zotit në tërë këtë, sepse legjislacioni ynë, me gjithë këtë pasuri dhe llojllojshmëri, është bërë arenë e gjerë për të zgjedhur atë që përshtatet me zhvillimet bashkëkohore dhe për problemet e ndryshme. Me këtë rast duhet të sinjalizojmë patjetër faktin që grupet myslimane që dialogojnë në mes tyre në bazë të teksteve me argumentim jo të prerë, këtë dialog duhet ta bëjnë më qëllim të përforcimit të lidhjeve të tyre dhe shtimit të bashkëpunimit në mes tyre, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të përshtatshme për tërë Ymetin musliman. Ne sot jemi duke jetuar në një ofensive dhe duhet të jemi të bashkuar e jo të përçarë, të unifikuar e jo të shkapërderdhur.
c) Jo muslimani: Ndërsa për grupet jomuslimane, ne duhet ta kemi në konsideratë dhe ta kujtojmë se me ftesën tone, jemi duke bashkëvepruar me një “njeri” tjetër, me plot kuptimin dhe specifikat e fjalës “njeri”. Ai, gjithashtu është i lindur në natyrshmëri, ashtu siç kemi lindur edhe ne, edhe pse ndoshta ajo natyrshmëri tek ai është mbuluar nga disa njolla a të meta. Ai gjithashtu posedon “logjikën” sikurse e posedojmë edhe ne. Logjika është peshorja apo ekuilibri i përpiktë, për të cilën mund të gjykojmë. Ajo është gjykim i drejtë, kur është e lirë. Ajo është një njësi matëse, gjykimet e së cilës nuk ndryshojnë përderisa ajo të jetë e lirë e korrekte dhe përderisa premisat që i janë shfaqur, janë të sakta dhe korrekte. Për këtë arsye e vërejmë atë që gjithë herë është në kërkim të vetes dhe në kërkim të universit dhe të jetës. Dhe ajo do të arrijë tek e vërteta një ditë. Jomuslimani, të cilit i drejtohemi me ftesën tonë, është një “njeri” i cili ka ndjenja njerëzore, edhe pse ndoshta ato ndjenja janë goditur nga topitja ose deformimi, po megjithatë ai i bart ato ndjenja të cilat ndoshta një ditë zgjohen dhe këndellen. Tek ai person mund të zgjohen ndjenjat e mëshirës, të turpit dhe dashurisë ndaj Krijuesit Fuqiplotë. Tek ai person mund të nxiten dhe të ngjallen ndjenjat e dashurisë, respektit dhe butësisë, edhe pse ato janë mbuluar fuqishëm nga aspekti materialist. Këto ndjenja janë tek ai njeri, mirëpo ato janë në një gjendje kome, po ato mund të zgjohen dhe të shndërrohen në një arenë e cila pranon ndikimet më pozitive dhe e cila edhe mund të ndiejë uri të thellë për ushqimet për të cilat ka nevojë shpirti. S’ka dyshim që esenca e marrëdhënieve tona me jomuslimanët është elementi i përbashkët i të qenit njeri, me se na ka nderuar i Madhi Zot. Ai thotë: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)”. (El Isra, 70).
Njeriu është mbikëqyrës në Tokë dhe Zoti e ka obliguar atë që ta realizojë drejtësinë mbi Tokë, që të jetë shenjë e urtësisë, mëshirës dhe drejtësisë së Tij përmes praktikimit të Ligjit të Tij.
Po, çdonjëri nga ne është “njeri” i cili posedon elementet e zgjedhjes, siç janë logjika, të kuptuarit dhe dëshira, elemente që i japin mundësinë për të marrë “vendim”, për këtë arsye ai është përgjegjës para Zotit. (vijon)
Burimi: www.hiramagazine.com nr; 10
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe, Mr.Vedat Shabani