Modestia është njëra prej cilësive më të rëndësishme të personalitetit të muslimanit.
Modestia është një cilësi që e lartëson njeriun siç shprehet edhe i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem. E kundërta e modestisë është mendjemadhësia, e cila radhitet ndër cilësitë më të këqija që shkakton zemërimin e Allahut Teala. Shejtani u përzu nga mëshira e Allahut të Lartmadhëruar, pikërisht nga mendjemadhësia.
Mevlana thotë kështu, në lidhje me këtë çështje: "0 njeri i burgosur në burgun e cilësive të këqija! Shikoje nënshtrimin modest të Ademit dhe mendjemadhësinë e shejtanit! Pastaj ndaji dhe zgjidh nënshtrimin e Ademit!" (Mesnevi, 4,3343)
Në këtë mënyrë, Mevlana njofton se modestët shkojnë pas gjurmëve të Ademit a.s., ndërsa mendjemëdhenjtë pas shejtanit. Kundërhelmi i mendjemadhësisë është modestia.
Prandaj Sadiu thotë: "Nëse dëshiron të jesh i lartësuar, mos u hiq si i tillë!"
Miqtë e Allahut Teala, të cilët modestinë e kanë kultivuar si parim të jetës së tyre, janë për ne shembuj të shkëlqyer. Një mëngjes feste, Bejazidi Bestamiu kishte dalë nga hamami dhe po ecte. Befas, nga një shtëpi iu hodh në kokë një legen me hi të nxehtë. Edhe pse Bejazidi u përlye i tëri, nuk shfaqi asnjë shenjë zemërimi, madje, ngriti duart për të bërë dua dhe e falënderoi Zotin (xh.sh.).
Atyre që e pyeten për këtë, u tha: "A nuk duhet ta falënderoj Zotin (xh.sh.), që shpëtova me pak hi të nxehtë, ndërkohë që nefsi meriton zjarrin?"
Hasan el Basriu e ka përkufizuar modestinë në këtë mënyrë: "Modestia është vetëpranimi se çdo musliman që ë takon, është më i mirë se ti."
Siç thuhet edhe në Mesnevi, Atlahu Teala e ka krijuar njeriun nga dheu dhe dëshiron qe ai te jete turabi, domethënë, modest si dheu. Ne ajetin 55 te sures Ta ha, Allahu Teala njofton se në fund, njeriu do të kthehet në dhe, do apo nuk do ai, duke thënë:
"Ne ju kemi krijuar prej tokës, aty do t'ju kthejmë dhe nga ajo do t'ju nxjerrim edhe një here tjetër"
Shumë njerëz mendjemëdhenj, që e shihnin veten të lartë, janë kthyer në dhe të poshtëruar dhe në mënyrë të ulët.
Njëra prej sëmundjeve më të mëdha shpirtërore në ditët e sotme, është mungesa e modestisë. Mjekimi i kësaj sëmundjeje është me të vërtetë i vështirë. Ajo mund të shërohet vetëm me edukim shpirtëror. Edhe disa besimtarë në rrugën e përshpirtshmërisë, nuk mund të shpëtojnë menjëherë nga sëmundja e mendjemadhësisë, e cila është fshehur nën perden e modestisë. Sepse egoja e njeriut gjithmonë dëshiron lartësim dhe respekt.
Imam Gazaliu ka thënë: "Njeriu dëshiron të vlerësohet nga të tjerët. Nëse vlerësohet, dëshiron që ta duan. Nëse e duan të gjithë, atëherë dëshiron ta madhërojnë. Madje disa, siç ka ndodhur në shembullin e Faraonit, mund të duan që t'u bëjnë edhe sexhde".
Për këtë arsye, muslimani duhet ta këtë të qartë pozitën e tij në shoqëri dhe të jetë i zgjuar kundrejt kurtheve të nefsit.
Një mik i Allahut Teala na paralajmëron në lidhje me këtë qeshje, duke na thënë: "Ji i kujdesshëm në dënimin e Faraonit, sepse, a do të ishe modest edhe ti po të kishe aq ushtri të madhe, aq saraje, aq pasuri dhe aq shërbëtorë?"
Ata që e dinë se në të vërtetë çdo gjë është e Allahut Teala, i cili është Maliku'l Mulk, çdo lloj mirësie si pasurinë, bukurinë dhe dijen e shohin si mirësi të Allahut të Lartësuar dhe nuk ia atribuojnë vetës. Ndoshta këto i bëjnë ata që të ulin ndikimin e egos dhe ta shtojnë falënderimin ndaj Krijuesit. Ndërsa, ata që kanë karakter të dobët, bëhen mendjemëdhenj dhe fillojnë të mburren, sapo t'u jepet ndonjë mirësi. Dëshirojnë, që çdo gjë të rrotullohet rreth tyre dhe të ulen në krye të vendit. Ata presin respekt dhe vlerësim, duke u mburrur me shërbimet, që pohojnë se i kane bërë për hir të Allahut Teala. Ne nuk duhet të mashtrohemi prej modestisë së rrejshme të njerëzve të tillë. Modestia e tyre i ngjan modestisë së lypësit. Ata kanë shumë respekt për të pasurit, por kur gjejnë ndonjë më të varfër, shfaqin sjellje krejt të tjera.
Allahu Teala në Kuran, njofton se thur kurthe. Sipas Ibn Arabiut, kjo tregon se Allahu Teala i sprovon robërit e Tij me mundësitë e kësaj bote, edhe pse e di cilësinë e tyre. Robi mund të jetë i varfër dhe bëhet i pasur. Mund të jetë nëpunës policie dhe behet shef. Mund të jetë njeri i zakonshëm dhe menjëherë mund të behet i famshëm. Ja pra, këto gjendje janë gjëra të ndryshme, që Allahu Teala ia jep njeriut për t'ia matur modestinë. Shumë pak njerëz i kalojnë me sukses këto sprova.
Allahu i Madhëruar i përkufizon kështu këta robër të Tij në Kuranin Fisnik:
"Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjën: Paqe qoftë (Furkan, 63)
Sipas Mevlanes, modesti do të thotë, që njeriu të shohë gabimet e tij. Vetëm ata që shohin gabimet e tyre mund të përparojnë në fushën e përshpirtshmërisë. Ata që e pëlqejnë veten, duke u larguar nga deti i gjerë i modestisë, i bëjnë shumë dëme vetes dhe atyre që i rrethojnë. Nëse kësaj mendjemadhësie i shtohet edhe lakmia, siç thuhet edhe në hadith, shkaktojnë dëme më të mëdha se sa dëmet qe një ujk i uritur i bënë kopesë së deleve. Në Mesnevi thuhet: Sado që njeriu i kapur nga sëmundja e mendjemadhësisë ta shfaqë veten modest dhe të thjeshtë, ti mos u mashtro nga pamja e pastër e ujit të përroit që në fund ka papastërti...(3217)
0 ti njeri, që e fsheh sëmundjen e egoizmit nën perden e modestisë dhe thjeshtësisë, nëse dikush të zemëron, të emocionon apo të ngatërron, me qellim që të të sprovoje, uji në të cilin gjenden papastërti, turbullohet dhe del në pah ngjyra e papastërtisë.
0 ti i ri! Sado që lumi i ekzistencës tënde ta tregojë veten të pastër dhe pa llum, mos u mashtro! Në fund të tij ka papastërti, që po pret çastin e turbullimit.
Mevlana na këshillon të bëjmë kujdes ndaj shfaqjeve të modestisë së rrejshme, duke e analizuar njeriun si një psikolog. Sepse modestia e vërtetë del në pah, kur njeriu ka të bëjë me ndonjë gjë kundër vetes dhe interesave të tij.
Disa njerëz, që në kohë normale duken të butë dhe modestë, bëhen shumë ofendues dhe mendjemëdhenj kur ndodh ndonjë gjë kundër tyre. Fjalitë si: "A e di se kush jam unë?" - janë shenjat më të qarta të kësaj psikologjie. Ndërsa burrat që ndjekin rrugën shpirtërore, jo vetëm që nuk nxehen, por e mposhtin veten e tyre më shumë se çdokush. Ndërkohë që njeriu modest përhap ndjenjat e modestisë te njerëzit përreth, njeriu mendjemadh përhap iluzione boshe të mburrjes. Prandaj njeriu duhet të qëndrojë larg mendjemëdhenjve.
Një njeri mendjemadh erdhi te një dijetarë dhe i kërkoi diçka. Atë ditë dijetari nuk kishte asgjë për t'i dhënë. Ky njeri i paturpshëm, doli jashtë dhe filloi të flasë keq për dijetarin. Kur një njeri ia tregoi këto fjale dijetarit, ai qeshi dhe tha: "Fjalët e lypësit nuk janë asgjë. Ai ka thënë shumë pak gjëra në lidhje me gabimet e mia. Ato që ka thënë ai, janë vetëm një për qind e atyre që di unë. Ai është njohur me mua këtë vit. Nga do t'i dijë ai gabimet e mia përgjatë shtatëdhjetë viteve? Unë nuk kam parë njeri që mendon kaq mirë sa ai. Nëse në mahsher ai do të jetë dëshmitari i vetëm i mëkateve të mia, nuk do të frikësohem nga xhehenemi"
Njeriu duhet të marrë mësim nga historitë e miqve të tillë të Allahut Teala. Ai duhet të largohet nga mendjemadhësia, që është një sëmundje djallëzore dhe të përvetësojë modestinë. Sigurisht, nuk është e drejte, që një musliman ta poshtërojë veten duke menduar se do të bëhet modest.
Sjellja me modesti për interesa të kësaj bote, veçanërisht kundrejt të pasurve, është prej veprave që e vrasin fenë e njeriut. Për këtë arsye, njeriu duhet ta dijë mirë vendin dhe kohën e modestisë. Modestia nuk duhet të perceptohet si sjellje prej dallkauku. Nuk duhet të harrojmë se të shfaqesh mendjemadhësi kundrejt mendjemëdhenjve, konsiderohet një lloj sadakaje.
Prof. Sulejman Derin
Etika nr.68