Besimi islam në Çamëri

Krahina e Çamërisë ish Thesprotia e dikurshme, që sot ndodhet në pjesën më të madhe në administrimin e shtetit grek që prej 100 vitesh, ka pasur përherë një identitet të dukshëm kombëtar.

Një pjesë e këtij identiteti është edhe besimi mysliman që ka qenë i shtrirë jo vetëm në jetën shpirtërore të popullsisë së kësaj krahine, por edhe në atë sociale, arsimore, kulturore, etj. Në vitet e perandorisë osmane, kur besimi islam u përhap me shpejtësi të madhe, në këto fshatra u ngritën bashkë me xhamitë edhe mejtepe dhe mesxhide. Në kushtet e mungesës së madhe të shkronjave shqipe, sidomos në shekullin XX, institucionet fetare islame morën edhe misionin e arsimimit të kësaj popullsie. Ishte koha kur Çamëria bënte jetën e vet sociale nën administrimin e shtetit grek. Dihet historikisht se me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, kjo krahinë iu shkëput trungut amë dhe iu aneksua shtetit grek. Me gjithë rezistencën dhe kundërshtitë e veta historike, popullata autoktone e Çamërisë, iu nënshtrua fatit tragjik të saj, duke e konsideruar si minoritet etnik shqiptar nën Greqi.
Fati i minoritetit shqiptar të Çamërisë përbën një tragjedi kombëtare shqiptare jo vetëm në territore, por edhe në njerëz. Politika dhe qëndrimi zyrtar grek ndaj minoritetit etnik shqiptar në Çamëri mbas aneksimit të Çamërisë më 1913, deri më sot popullsia e saj gjatë tërë viteve nën shtetin grek, nuk ka gëzuar asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare që i takon. Brenda kësaj padrejtësie ishte edhe qëndrimi ndaj fesë Islame. Qarqet zyrtare greke mbështetur në konceptin absurd të mohimit të ekzistencës së grupeve etnike në territorin e saj, kanë ndjekur një politikë shoviniste të drejtuar në dy drejtime: Ata kanë ngatërruar me qëllim fenë dhe kombësinë, veprim që e bëjnë edhe sot ndaj shqiptarëve duke pretenduar se të gjithë ortodoksët janë grekë. Ndaj shqiptarëve të besimit islam aplikuan politikën e gjenocidit dhe shfarosjen duke mohuar gjithashtu etninë.
Në Çamëri në gati 70 fshatrat myslimane, mejtepet bënin jo vetëm dhënien e kulturës islame te brezat e rinj, por edhe ndihmonin që të mësonin pak shqip. Përhapja e besimit islam u bë edhe objekt i studimeve dhe i shkrimeve të ndryshme që kanë bërë shkrimtarë, udhëtarë të huaj, diplomatë, etj. Shkollat në fillim u përhapën nëpër qytete dhe më pas edhe në fshatra, pranë çdo xhamie. Këtu duhet përmendur medreseja e madhe e Konispolit, një nga më të mëdhatë në të gjithë Shqipërinë.
Arsyet që qyteti ishte më përpara nga fshati në këtë drejtim janë të shumta. Këtu mund të përmendim numrin më të madh të popullsisë nëpër qytete, kultura më e lartë e kësaj popullsie, si dhe ekzistenca e administratës ushtarako-civile shqiptaro-turke nëpër këto qytete. Duhet thënë se fëmijët e feudalëve e spahinjve shqiptarë, shkuan në shkollat turke dhe sollën që andej besimin islam, të cilin filluan ta ushtronin në fillim në familje e më pas më gjerë. Gjithashtu, garnizonet ushtarake turke që ishin nëpër qytete, për të ushtruar fenë Islame, kërkonin objektet e kultit islam (xhamitë). Kështu, në Filat e Konispol ku kishte dhe garnizone turke, filluan të ndërtohen xhamitë e para dhe gradualisht u rrit numri i tyre. Sipas Pukëvilit (përfaqësuesit francez pranë Ali Pashë Tepelenës) rreth vitit 1820 në Filat kishim tri xhami. Po të kësaj kohe janë edhe xhamitë e para të Konispolit.
Ndërtimi i xhamive në qytetet çame dhe në fshatrat kishte një specifikë të veçantë arkitekturore. Të gjitha xhamitë kanë hajatin me kolona e harqe guri (qemer), mbuluar me tjegulla ose rrasa guri. Pastaj vjen paradhoma (ose korridori) me pjesën e thelluar, ku kalonin besimtarët për të hyrë brenda. Në të dy krahët e saj, ka dy vende të ngritura 50-60 cm të shtruara me rrasa guri, ku shpesh uleshin besimtarët për të pushuar. Pastaj vinte salla e faljeve e shtruar me dysheme druri ose rrasa guri, me qilima. Mbi derën e hyrjes ndërtohej mafili për gratë, me lëndë druri, me zbukurime. Në krye, te vendi i imamit, pak djathtas, ndërtohej një vend i ngritur me dërrasë, që ishte vendi ku hoxha mbante hytben. Gjithashtu, tavani dhe muret brenda, ishin të zbukuruara e të lyera me gjithfarë bojërash.
Po të shohim përhapjen e fesë Islame në zonën e Konispolit dhe të gjithë Çamërinë, do të shohim se sa kanë ndikuar nizamet dhe spahinjtë nga këto fshatra. Këta duke shkuar ushtarë dhe shërbyer në zona të thella të perandorisë si në Arabi, Siri, Egjipt, 7-10 vjet, sillnin andej jo vetëm besimin islam që e ushtronin në familje, por shpesh ata sillnin edhe shërbëtorë arabë e sirianë, të cilët u vendosën në Konispol, Shalës e fshatrat përreth dhe krijuan familje e fise, ku jetojnë edhe sot.
Xhamitë e fshatrave dhe disa xhami të Konispolit janë ndërtuar rreth viteve 1820-1870. Arsyet pse janë ndërtuar gjatë kësaj kohe si dhe karakteristikat e tyre janë: Edhe para këtyre viteve në këtë zonë ka pasur objekte kulti, por të tipit mesxhide, pa minare, të ndërtuara me ngut, që nuk i rezistonin kohës. Këtë e vërteton ekzistenca e një xhamie të vjetër në Ninat, në lagjen juglindore, pa minare, e cila u braktis kur u ndërtua xhamia e re në vitin 1868. Nëse në vitet 20-40 kishte një jetë gati normale në xhamitë e fshatrave dhe të qyteteve çame, një gjë e tillë pas viteve 1944 u ndalua krejtësisht.
Në këtë kohë popullsia myslimane e Çamërisë u largua me forcë në Shqipëri dhë kështu të gjithë objektet islame u mbyllën dhe për to as edhe sot nuk ka përkujdesje nga ana e shtetit grek, megjithëse janë monumente të vërteta kulturore. Janë sot si relike të rralla vetëm disa minare xhamish në disa fshatra çame si: në Koskë, Arpicë, Grikohor Margëllëç. Nuk është e rastit që në vitet 20-40 e sidomos në masakrat e egra të vitit 1944 e 1945, drejtuesit islamë të Çamërisë të ishin objekti i parë i persekucionit, duke parë se ata kishin një pushtet shumë të madh shpirtëror në masën e banorëve të krahinës.
Objektet e kultit islam në Çamëri mbijetuan deri në fund të luftës (1944-1945), kur qeveria greke vendosi t’i shkatërrojë, t’i nxjerrë jashtë funksionit. Sot ruhen vetëm disa relike të rralla si: minarja e njërës prej xhamive të Koskës, minarja në Arpicë, Grikohor, Margëllëç etj. Një fat të tillë e patën edhe objektet e kultit islam në territorin e fshatrave çamë të zonës së Konispolit. Kjo zonë ishte pjesa më e rëndësishme e krahinës së Çamërisë por që mbetën në administrimin e shtetit shqiptar. Kjo ndodhi në fshatin Ninat, që është edhe vendlindja e dijetarit të njohur islam Hoxhë Hasan Tahsini, në Vërvë etj. Në xhamitë e qyteteve tona apo edhe të fshatrave cep më cep të Shqipërisë edhe sot e kësaj dite pasardhësit e atyre që para 68 viteve erdhën këtu të dëbuar nga masakruesit grekë, janë të parët ata që rreshtohen mes besimtarëve të të gjithë krahinave në xhamitë e vendit. Janë edhe shumë intelektualë që kanë dalë nga gjiri i këtij komuniteti. Është edhe një lloj amaneti dhe identiteti kombëtar i prindërve dhe i gjyshërve të tyre.



Namik Selmani
Revista Drita Islame, Maj 2013


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi