Të drejtat individuale në Sheriatin Islam (I)

( Pjesa e parë)

Të drejtat individuale kanë të bëjnë me të drejtat që janë të ndërlidhura me njeriun dhe që lindin me të dhe pasi që duhet të flas në mënyrë të drejtë për to, më duhej që këtë pjesë ta ndajë në nëntitujt vijues:

a. E drejta e njeriut në jetë.
b. E drejta e njeriut në adhurimin e Zotit.
c. E drejta e njeriut në mësim.
ç. E drejta e njeriut në punë.
d. E drejta e njeriut në pasuri.

a. E drejta e njeriut në jetë.

Zoti i Madhëruar ka krijuar një numër të madh të krijesave, që mund t’i numërojë vetëm Ai, qoftë mbi ose nën tokë, në lumenj apo në dete.
Zoti i Madhëruar krijoi llojllojshmëri në ngjyra, forma, kodra dhe për këtë shkak truri i njeriut i nënshtrohet Zotit të Madhëruar duke dëshmuar hyjninë e Tij.
Zoti i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë).” (El-Bekare, 21-22)
Zoti i Madhëruar thotë: “Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë” (El-Bekare, 29)
Zoti i Madhëruar thotë: “Allahu është Krijues i çdo sendi dhe Ai është Mbikëqyrës ndaj çdo gjëje.” (Zumer, 62)
Shiko fillimin e krijimit në ajetinkur’anor: “Falënderimi i qoftë vetëm Allahut që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën, e megjithëkëtë (që Ai meriton lavdërim) ata që mohuan, i barazojnë (idhuj) me Zotin e tyre. Ai është që ju krijoi nga balta, e mandej ju caktoi një afat (për vdekje) dhe një afat është i caktuar pranë dijes së Tij, dhe pas (gjithë kësaj të vërtete) ju dyshoni.” (El-En’amë, 1-2)
Jeta është një nga parimet islame që Islami e mbështet duke caktuar rregullat dhe ligjet, të cilat duhet të ruhen e të praktikohen me kujdes të madh. Kjo është dhuratë nga Zoti për ne dhe ne duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë derisa të vijë exheli, të cilin e di Ai që krijoi jetën dhe vdekjen.
Shumë ajete kur’anore dhe hadithe të Profetit Muhammeds.a.v.s. konfirmojnë rëndësinë e mbrojtjes së jetës njerëzore në përgjithësi. Zoti i Madhëruar na informon rreth vrasjes së të birit të Ademit Habilit (Abelit) nga vëllai i vet Kabili (Kaini): “Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve..”(El-Maide, 32); Në hadithin e Profetit a.s. thuhet: “Tre lloj njerëzish janë më të urryer te Zoti: Jobesimtari në vendin e shenjtë, ai që kërkon jetën e xhahilijetit në vend të Islamit dhe ai që kërkon të derdh gjakun e njeriut pa të drejtë.”
Profeti a.s. po ashtu thotë: “Gjëja e parë që gjykohet në mesin e robërve (njerëzve) është ajo e gjaqeve.”
Po ashtu edhe mbytja dhe vrasja e kafshëve pa të drejtë konsiderohet krim te Zoti dhe për të njeriu do të hyjë në zjarr.
Profeti a.s. thotë: “Një grua ka hyrë në zjarr, sepse e ka lidhur një mace dhe nuk e ka ushqyer e as që e ka lënë atë të hajë nga thërrmijat e tokës.”
EbuHurejre transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Një njeri ishte duke ecur dhe e kaploi një etje e madhe, e pa një pus dhe hyri e piu ujë aty dhe kur doli, e pa një qen duke ngrënë dheun nga etja, dhe tha: “Ky qen ndjen të njëjtën etje që e kisha unë”; ndaj zbriti në pus, e mbushi grushtin me ujë, e hapi dhe i dha ujë të pijë, e falënderoi Zotin e Ai e fali!”
Nga hadithet e sipërpërmendura kuptojmë se mbrojtja e kafshës dhe jetës së saj konsiderohet derë për të hyrë në mëshirën e Zotit.
Nëse kështu është qëndrimi i Islamit ndaj vlerës së jetës në krijesat e kësaj bote, atëherë si do të dënohet ai që cenon të drejtën e jetës së njeriut? Si do të ndëshkohet ai që shkel këtë të drejtë?
Në kohët antike, e drejta për jetë ka qenë e drejtë ekskluzive e disa njerëzve, sepse sipas disa ligjeve antike, vriteshin robërit, ndërsa në periudhën e xhahilijetit, babai kishte të drejtë t’i mbytë vajzat e veta. Kur’ani Fisnik e përshkruan këtë egërsi në këtë mënyrë: “Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzë, fytyra e tij prishet dhe bëhet pot mllef. Fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela, e jo dhuratë prej Zotit).Pastaj, (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre!” (Nahl, 58-59)
Pastaj i shkatërron arsyet që ndikonin në ekzistimin e këtij fenomeni: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh” (Isra, 31)
Ligji islam garanton jetën e të gjithëve dhe ndalon vrasjen e njeriut pa të drejtë dhe në këtë kontekst, në ajetin 33 të sures Israë, thuhet: “Dhe mos e mbytni njeriun që Allahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati).”
Islami nuk dallon në të drejtën e jetës në mes të bardhit e të ziut, në mes të ndershmit dhe të pandershmit, në mes të lirit e robit, në mes burrit e gruas, në mes të madhit dhe të voglit, madje edhe fëmija në barkun e nënës është i shenjtë dhe s’lejohet assesi t’i merret e drejta. Nuk lejohet as fëmija që është formuar jashtë martesës të abortohet, sepse është shpirt i respektuar dhe s’guxon të mbytet. Transmetohet se një grua nga Gamidi ka vajtur te Profeti a.s. dhe i ka thënë: “Unë kam bërë kurvëri (zina) dhe dua të më pastrosh (dënosh)!”; Kur i tregon Profetit a.s. se ajo është shtatzënë, i thotë: “Kthehu derisa të lindësh!” Kur e lind fëmijën kthehet dhe i thotë: “O i Dërguari i Allahut, unë e linda fëmijën”; Profeti a.s. i tha: “Kthehu derisa të rritet!”; Kur fëmija u rrit, gruaja sërish vajti te Profeti a.s., duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, e rrita!”; Profeti a.s. ia dorëzon fëmijën njërit nga myslimanët, pastaj e hapên një gropë, e futën gruan në dhê deri në gjoks dhe pastaj i urdhëroi myslimanët që ta gurëzojnë (ta bëjnë rexhëm).
Islami e lejon hakmarrjen ligjore vetëm e vetëm për ta ruajtur këtë të drejtë të shenjtë dhe për ta mbrojtur qetësinë absolute mes njerëzve: “O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit).” (El-Bekare, 179)
Llojet të cilat thekson Zoti i Madhëruar për t’i dënuar me vrasje janë rregulla dhe preventivë e të drejtës së jetës në formën më të mirë në mes njerëzve.
Islami ndalon çdo vepër që dëmton këtë të drejtë qoftë në formë të kërcënimit, nënçmimit, rrahjes, vrasjes apo dëmtimit në nder. Jeta morale dhe materiale e njeriut është e garantuar dhe e respektuar.

Ndalimi i vetëvrasjes

Vetëvrasja ka të bëjë me njeriun e mençur, të moshës së rritur dhe që vetëvritet me qëllim. Pra, në këtë çështje duhet kërkuar tre çështje dhe nëse vetëvrasësi është i mençur, i moshë-rritur dhe vetëvritet me qëllim, Zoti i Madhëruar do të hidhërohet me të dhe do ta dënojë.
Zoti i Madhëruar na e tërheq vërejtjen rreth kësaj çështje dhe thotë: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm për ju.”
Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është lehtë për Allahun!” (En-Nisaë, 29-30)
Kjo është një vërejtje rrëqethëseqë i jepet atij i cili merr guximin të vetëvritet dhe qartë tregon se vetëvrasësit janë të humbur dhe ata do të dënohen përjetësisht në zjarr. Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Kush e mbytë vetveten me hekur, hekuri do t’i futet prej dorës në bark dhe do të jetë në zjarrin e Xhehennemit përgjithmonë; Kush pi helm dhe e mbytë vetveten, do të hyjë në zjarrin e Xhehennemit përgjithmonë, duke e shijuar atë dhe kush hidhet nga kodra dhe e vret vetveten, do të hidhet në zjarrin e Xhehennemit përgjithmonë!”


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi