Dr. Zaglul Nexhar
“Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin, dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe, vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët”. (En-Nisa, 58).
Ky ajet kuranor ka ardhur nga çereku i tretë i Sures “En-Nisa”. Është quajtur me këtë emër për shkak të dispozitave të shumta të Sheriatit që janë përmendur në të e që i përkasin gruas. Tema kryesore e kësaj sureje ka të bëjë me dispozitat e gruas , familjes e të shoqërisë si dhe me disa rregulla edukative, morale dhe sjellje, të cilat rregullojnë shoqërinë myslimane për ta vënë në baza të shëndosha të kësaj feje madhështore.
Aspekte të mrekullisë së dispozitave të tekstit kuranor
Zoti ynë i Lartësuar në librin e Tij fisnik thotë: “ Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe, vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët”. (En-Nisa, 58).
Amanetet janë shumësi i fjalës amanet, është ajo që ka obliguar Allahu për adhuruesit e Tij nga besimi: adhurimi, morali dhe sjellja. Besimtar është ai që beson. Imani është të besuarit në Shpalljen qiellore. Çështja e parë që na kujtohet prej këtij urdhri të Allahut, lidhur me kthimin e amaneteve tek ata të cilëve u përkasin, është kthimi i amaneteve të njerëzve dhe depozitave të tyre materiale. Thuhet se shkaku i zbritjes së këtij ajeti kuranor ka të bëjë me rastin e çlirimit të Mekës, kur Uthman ibnu Talha mbylli derën e Qabesë dhe u ngjit lart në kulm. Ai refuzoi që t’ia dorëzonte Pejgamberit a.s. çelësat e Qabesë dhe tha: “Po ta pranoja se është i dërguari i Allahut, nuk do ta kisha refuzuar”. Në atë moment erdhi Ali ibnu Ebi- Talibi, ia mori me dhunë çelësat, e hapi derën e Qabesë, hyri në të i Dërguari i Zotit dhe i fali dy rekate. Kur doli prej Qabesë, Pejgamberi a.s. e urdhëroi Aliun t’ia kthente çelësat Uthman ibnu Talhas dhe t’i kërkonte falje. Kur shkoi Aliu r.a. për t’i kërkuar falje, Uthmani i tha: “Më poshtëruat, më detyruat t’jua jap çelësat, e pastaj vjen të më kërkosh falje”! Aliu r.a. ia ktheu se Zoti i lartësuar ka zbritur në Kur’an për të dhe ia lexoi ajetin kuranor: “All-llahu ju urdhëron që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. All-llahu dëgjon dhe sheh si veproni”. (En-Nisa, 58).
Në momentin kur Uthmani e dëgjoi këtë, pa u hamendur, e pranoi fenë Islame. Pastaj Pejgamberi a.s. iu drejtua Uthman ibnu Talhas me këtë fjalë: “Merreni çelësin, o bijtë e Talhas, që përgjithmonë të jetë tek ju dhe nuk jua merr askush përveç atij që bëhet zullumqar”!
Nuk ka fe ai që nuk e kryen premtimin
Fjalimi në këtë ajet është i përgjithshëm, vlen për të gjithë myslimanët, adhuruesit e Zotit të Madhërishëm. Amanetet përmbledhin gjithë të drejtat e njerëzve, të drejtat e Zotit dhe të drejtat e adhuruesve të Tij. Ky ajet uranor siguron detyrat dhe të drejtat e njerëzve, përmbledh amanetin ndaj gruas dhe amanetin e edukimit të mirë të brezit të ri, amanetin e edukimit të shenjtërisë së pjesëtarëve të familjes dhe për popullin e për shtetin, për sigurimin e tij dhe amanetin në punë, e shumë të tjera, siç janë prindërit , vëllezërit, motrat, amanetet ndaj shoqërisë, pasurisë, sigurisë dhe interesave të tij, pastaj amaneti i punës si dhe amanetet dhe obligimet e tjera, me të cilat i ngarkoi Allahu i Madhërishëm robërit e Tij besimtarë.
Të gjitha këto amanete duhet të kryhen për Allahun e Madhërishëm si dhe për të gjitha krijesat e Tij, sepse të drejtat e robërve janë të shenjta tek Krijuesi i krijesave. Allahu është Që fal kë dëshiron prej robërve të Vet, nëse ai nuk ka kryer ndonjë prej obligimeve ndaj Tij. Ndërkaq, për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve ndaj robërve, ato ose duhet të kryhen në këtë botë, ose ekzekutimi të bëhet në Ahiret, kur njeriu nuk posedon vetëm të mirat e tij, ndaj të cilave nuk do të heqë dorë në asnjë mënyrë. Për këtë, Pejgamberi a.s u kishte thënë shokëve të tij: “A e dini se cili është i varfër prej populli tim? Ata iu përgjigjën: I varfër është ai që nuk ka asnjë dërhem dhe gjësend. I Dërguari i Allahut ua ktheu: “I varfër i popullit tim është ai person që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, agjërim dhe zekat, mirëpo e ka ofenduar këtë, e ka përgojuar atë, ka keqpërdorur pasurinë e dikujt, ka derdhur gjakun e dikujt tjetër,ka rrahur dikë, -
atëherë prej të mirave të tij i jepet atij e këtij. Kur të përfundojnë të mirat e tij, para se të gjykohet, i jepen prej mëkateve të tyre dhe, nëse ato peshojnë më shumë, atëherë ai hidhet në zjarr (Xhehenem).” (Muslimi).
Nga zbatimi i amaneteve është që myslimani të jetë i vetëdijshëm për mesazhin e tij në këtë jetë: Duke qenë adhurues i Zotit të Lartësuar, myslimani është i obliguar të adhurojë vetëm Zotin, siç ka urdhëruar. T’i vërtetojë të gjitha cilësitë që i përkasin Krijuesit, heqjen e cilësive që nuk i përkasin të Lartësuarit. Duke qenë ai mbizotërues i suksesshëm në Tokë, prej tij kërkohet meremetimi i saj, vendosja e ligjit të Zotit dhe drejtësisë së Tij në Tokë, me sa të ketë mundësi ta bëjë këtë, që nesër ta takojë Zotin dhe Ai të jetë i kënaqur me të.
Këto janë të gjitha amanetet për të cilat na ka urdhëruar Krijuesi ynë, me zbatimin dhe përcjelljen e tyre tek ata të cilët janë pronarë të tyre. Në qoftë se i ngel robit një nga këto në qafë dhe nuk e kryen, ai duhet ta paguajë atë nga të mirat e tij Ditën e Gjykimit, dita kur nuk bën dobi as pasuria e as fëmija përveç nëse vetë njeriu vjen me zemër të pastër tek Allahu i Madhërishëm. Për këtë i Dërguari i Zotit thotë: ”Në qoftë se humb amaneti, atëherë prite Kiametin”. Është pyetur, si humbet amaneti? Pejgamberi a.s. tha: “Në qoftë se gjërat u lihen jokompetentëve, atëherë priteni Kiametin“. (Buhariu).
“Nuk ka besim ai që nuk ka amanet, dhe nuk ka fe ai që nuk e kryen premtimin”. (Dy imamët, Ahmedi dhe Bejhakiu).
“Dërgoje amanetin, tek ai që të është besuar, dhe mos tradhto atë që të tradhton!” E ka nxjerr Ebu Davudi. Ebu Dherri, mëshira e Allahut qoftë për
të, i tha Pejgamberit a.s.: “O i Dërguari i Zotit, pse nuk po më ngarkon ndonjë përgjegjësi? I Dërguari i Allahut më ra me dorën e tij në shpatullën time, pastaj më tha: “O Ebu Dherr! Ti je i dobët, dhe ajo është amanet dhe në Ditën e Kiametit është poshtërim e pendim, përveç atij që ka marrë hakun e vet dhe e ka kryer atë me se është ngarkuar”, sipas Muslimit.
Në këtë mënyrë shpjegohet aspekti legjislativ i mrekullisë për çështjen e kryerjes së amaneteve tek pronarët e tyre. Kjo është e domosdoshme, pa të cilën nuk mund të paramendohet ekzistimi i shoqërisë njerëzore.
Përktheu nga arabishtja: Desara Vathaj