Prof. Dr. Ibrahim el-Bejumi Ganimi
Pa dyshim që çështja e vizionit islam ndaj botës -e cila është e bazuar dhe e ngritur mbi bazat e besimit në Zotin Një dhe në unitetin e njerëzimit- është mesazhi islam botëror: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. (El-Enbijau,107).
Vizioni islam për botën buron nga baza e besimit, që është “tevhidi-monoteizmi”, me të cilin nënkuptohet miratimi i ekzistimit të Zotit dhe Njësisë së Tij si i Vetëm (I Lartësuar është Allahu), Ai është që ka krijuar këtë gjithësi , Sunduesi i vërtetë dhe i Vetëm që nuk ka rival, Ai është i Cili e ka krijuar njeriun dhe e ka bërë atë mëkëmbës në Tokë, me qëllim që ta gjallërojë atë dhe të veprojë sipas Urdhrave të Tij e të zbatojë vullnetin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është mbizotërues ndaj robërve të Tij. Ai i di hollësisht punët e Tij dhe të robërve të Vet”.(El-En’am,18).
Po ashtu besimi në Zotin Një përfshin në vete edhe përsosmërinë e besimit në aspektin e pranimit të Zotit si Krijues (Rrububjeti) dhe si i Vetëm, Që meriton adhurimin (uluhijeti).
Por, si ndikon ky besimi monoteist për vizionin islam që ka për botën, nga perspektiva islame? Ndikimi do të shfaqet nga dominimi i parimit të “unitetit” dhe harmonizimi i vizionit islam për botën, duke mos lejuar copëtimin dhe armiqësi nga periferia. Parimi i unitetit nuk konsiderohet si një utopi, por është i rrënjosur thellë në shoqëri vetëm e vetëm për të bërë unitetin e racës njerëzore, e ky unitet është shpirtëror në aspektin e unifikimit të besimit dhe mesazhit se nga buron. Ky unitet shpjegohet me sa vijon:
Uniteti i racës njerëzore
Feja islame ka miratuar unitetin e racës dhe prejardhjes së të gjithë njerëzve, se të gjithë njerëzit e kanë prejardhjen prej Ademit a.s.: “Nuk ka dallim në mes arabit dhe joarabit, e as në mes të ziut dhe të bardhit, përveçse në devotshmëri”. (Buhariu).
Urtësia e ndarjes në popuj dhe fise është në mënyrë që të njihen në mes tyre e jo për mospajtueshmëri në mes tyre, është solidariteti e jo dobësia dhe dallimi në mes tyre është vetëm në aspektin e devotshmërisë dhe punëve të mira, të cilat janë në dobi të të gjithë njerëzve. Allahu i Lartësuar është Krijues i të gjithëve dhe këtë vëllazëri e vështron dhe në të njëjtën kohë nga robërit e Tij kërkon që të respektojnë dhe pranojnë këtë vëllazëri. Kur’ani fisnik e shpreh haptas këtë të vërtetë në mënyrë shumë të qartë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj Që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi shoqen e saj, e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun me Emrin e të Cilit përbetoheni, ruani farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju”.(En-Nisa,1); “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni midis jush, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat,13) dhe po ashtu i Dërguari a.s., në Haxhin e lamtumirës ishte shprehur duke thënë: “Vërtet Allahu e ka larguar prej jush trupësin e injorancës dhe lavdërimin me baballarët tuaj, njerëzit janë prej Ademit e Ademi është prej dheut”. (Buhariu); “Nuk është prej radhës sonë ai i cili bën thirrje për racizëm, nuk është prej radhës sonë ai i cili lufton për racizëm, dhe nuk është prej radhës sonë ai i cili ka vdekur për racizëm”. (Ebu Davudi).
Me këtë vendim feja islam ka mohuar çdo ligj që bën thirrje për racizëm dhe besimi islam është i vetmi që, në mënyrë shumë të qartë dhe të hapur, bën thirrje për unitetin njerëzor në kontekstin e ndërtimit të diversitetit.
Unifikimi i fesë
Feja islame ka përcaktuar unifikimin e “fesë” mbi bazat e saj të përgjithshme dhe ka vërtetuar se Sheriati i Allahut të Lartësuar për njerëzit është ngritur mbi parimet e shëndosha të besimit, veprës së mirë dhe vëllazërisë dhe se të gjithë Pejgamberët janë të dërguar prej Allahut të Lartësuar, se të gjithë librat hyjnorë janë shpallje prej Allahut, se të gjithë besimtarët –në cilindo ymet qofshin ata- janë robërit e Tij të sinqertë, që kanë ngadhënjyer si në këtë botë, ashtu edhe në Botën tjetër. Përçarja dhe ndarja në aspektin e fesë dhe shprehja e armiqësisë në emër të saj, janë mëkate që bien në kundërshtim me parimet dhe bazat e fesë dhe po ashtu janë në kundërshtim me qëllimet dhe synimet e fesë.
Është obligim njerëzor që ata të jenë fetarë,që të bashkohen në aspektin fetar dhe kjo është feja e vetme, e cila është e drejtë, feja në të cilën i ka krijuar Allahu njerëzit. Mu për këtë arsye Allahu i Lartësuar në Kur’an fisnik thotë: “Ai ju përcaktoi juve për fé atë që ia pati përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty, dhe atë me se patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të”. (Esh-Shura,13); “E për këtë shkak(të përçarjes së tyre), ti thirr dhe përqendrohu ashtu si të është urdhëruar dhe mos shko pas dëshirave të tyre e thuaj: “Unë kam besuar në
librat që i shpalli All-llahu, jam urdhëruar të mbaj drejtësi në mes jush, All-llahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj; Ne kemi përgjegjësinë e veprave tona e ju të veprave tuaja, nuk ka polemikë në mes nesh e jush; All-llahu bën tubimin mes nesh dhe vetëm tek Ai është përfundimi”! (Esh-Shura,15).
Po ashtu i Dërguari s.a.v.s. për të shpjeguar këtë fenomen,thotë: “Shembulli im dhe shembulli i të dërguarve para meje është sikur shembulli i një njeriu i cili ka ndërtuar një shtëpi, e ka zbukuruar atë po që nuk ka vendosur një tullë, e kështu njerëzit filluan të silleshin përreth saj dhe u befasonin me të. Thoshin: A nuk është vendosur ende kjo tullë!Unë jam kjo tullë, unë jam vula e të Dërguarve”. (Buhariu).
Ja kështu ne shohim se feja islame i ka ofruar njerëzimit parimin “unifikimi i fesë”dhe bën thirrje për këtë kur në botë është ndezur zjarri i smirës fetare dhe i armiqësive sektare...Në këtë arenë të krizës shpirtërore - kur u shprehën armiqësia dhe injoranca, vjen Kur’ani me një thirrje të re: thirrja për vëllazërim fetar dhe bashkimi mbi bazat dhe parimet e së vërtetës,të besuarit në të si unifikim hyjnor, edhe nëse dallojnë gjërat dytësore me kalimin e kohës të përbashkëta dhe unikate, janë parimet e përhershme, ngase këto janë parimet mbi të cilat janë krijuar njerëzit. Duke parë rëndësinë e madhe që ka parimi i unifikimit fetar dhe rolin që ka në ndërtimin e vizionit fetar islam përballë botës e ndikimet e tij në sistemin e vlerave të marrëdhënieve më të larta qeverisëse në mes të kombeve dhe popujve nga këndvështrimi i këtij vizioni, kjo do të mund të ishte e dobishme duke
dalë nga tema nga pak, duke shpjeguar parimet e njohjes së këtij uniteti dhe kjo është një prej fushave më të rëndësishme e të aplikuara në kuadër të marrëdhënieve me jomyslimanin. Ajetet kuranore në mënyrë eksplicite shpjegojnë
unitetin fetar dhe i Dërguari a.s., dhe shokët e tij kanë urdhëruar për një unitet të tillë dhe ata kanë qenë të parët besimtarë që kanë besuar në këtë parim. Myslimani duhet të besojë në çdo pejgamber që ka qenë më herët, të besojë çdo libër që është shpallur prej Allahut, të respektojë çdo sheriat të mëhershëm, të ketë respekt për çdo Ymet të mëhershëm që kanë qenë besimtarë. Allahu thënë: “Ju (besimtarë) thoni: “Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që u shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe besuam atë që u është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm Atij i jemi bindur (jemi myslimanë)”. (El-Bekare:136).
E më pastaj shihet se e vetmja është kjo rrugë e unitetit dhe se besimtarët e feve të tjera, po të besonin sikurse besimi islam, atëherë do të ishin edhe ata të udhëzuar, e nëse nuk veprojnë kështu, atëherë ata do të mbesin në mospajtime dhe përçarje dhe çështja e tyre mbetet tek Allahu. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju, ata vërtet kanë gjetur rrugën e drejtë, e, nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhamed) kundër tyre do të të mjaftojë Allahu. Ai është dëgjuesi, i dijshëm”.(El- Bekare,137).
Asistenca për unitet fetar
Janë dy baza kryesore dhe shumë të fuqishme për të asistuar në unitetin fetar dhe mënjanimi i të gjitha dyshimeve mund të sjellë shumëllojshmërinë e misioneve hyjnore, të cilat do të jenë si burim i mospajtimeve apo i luftës në emër të fesë. Këto dy parime apo baza i ka përmendur Kur’ani, e ato janë si vijon:
1. Vërtet feja e Ibrahimit a.s. është baza e fesë dhe burimi parësor i tre të dërguarve misioni i të cilëve ka qenë i njohur, e këta zotërinj janë: Musai, Isai dhe Muhamedi a.s.;
2. Veçimi i fesë nga qëllimet dhe pasionet e njerëzve dhe ngritja e saj vetëm tek i Lartësuari dhe i Madhëruari. Ne për këtë lexojmë në kaptinën El-Bekare fjalën e Allahut të Lartësuar: “E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që e poshtëron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në Botën tjetër ai është njëri prej të lartëve”.(El-Bekare,130); “Ai ishte një popull që shkoi, të cilit i takoi ajo që fitoi, e juve ju takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata”. (El-Bekaretu,141).
Për këtë mund të lexojmë kaptinën El-Ahzab,69, En-Nisa,75, Ali Imran, 46, El-Maide, 44 e 75. Ka edhe shumë ajete të tjera, të cilat shprehin lëvdata për të gjithë të dërguarit e Allahut dhe që thonë se Tevrati dhe Inxhili janë udhëzim, dritë dhe këshillë për besimtarët.
Marrëdhëniet e myslimanëve me të tjerët
Nga të gjitha këto ajete dhe nga të tjerat mund të nxjerrim dy konkluza praktike që kanë të bëjnë me raportet e myslimanëve me të tjerët. E këto dy konkluza janë:
1. Marrëdhëniet e ndërsjella në mes myslimanëve dhe të tjerëve ngrihet mbi bazat e interesit shoqëror dhe të mirës njerëzore. “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu jua ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes”. (El-Mumtehine,8-9).
2. Dialogu dhe polemika në mënyrë të sjellshme-e jo lufta- janë mjeti më i mirë për t’u kuptuar në çështjet e besimit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri,përveç atyre që janë mizorë, dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbritneve dhe që ju zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij”. (El-Ankebut, 46)
Pasi dialogu dhe polemika janë mjeti i miratuar për zgjidhjen e këtyre çështjeve që janë shumë të rëndësishme, atëherë është më prioritare që ky mjet të vihet në praktikë ndaj mjeteve të tjera dhe po ashtu ky duhet të konsiderohet si mjeti më i përgjithshëm dhe më prioritar në zgjidhjen e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe atyre ndërkombëtare. Nga ajo që u theksua, bëhet e qartë se bazat njohëse të vizionit islam ndaj botës mohojnë çdo burim të përçarjes, zilisë dhe armiqësisë në mes njerëzve, pavarësisht nga feja së cilës i takon dhe se nuk mjaftohet vetëm me hapjen e shprehjeve retorike apo sentimentale, por hap derën e bashkëpunimit praktik dhe të komunikimit efektiv e bashkëjetesës paqësore... Shembujt për këtë janë të shumtë, siç është shembull që
përmendet në ajetin kuranor: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar). Gratë e ndershme besimtare dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush...”.(El-Maide, 5).
Origjinaliteti i Paqes Islame
Pa dyshim që çështja e vizionit islam ndaj botës -e cila është e bazuar dhe e ngritur mbi bazat e besimit në Zotin Një dhe në unitetin e njerëzimit- është mesazhi islam botëror: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. (El-Enbijau,107).
Pra, mesazhi islam nuk është territorial, rajonal a fisnor dhe “paqja” është përbërë në formë strukturale në zemër të formimit të shoqërisë botërore, që e kërkon feja islame, e nuk është diçka e papritur. E kështu lufta është një përjashtim dhe përleshja është dalje prej rregullave të përcaktuara. Përsëri ne mbështetim faktin se ndërtimi i doktrinës së paqes dhe origjinaliteti i saj në vizionin islam, është në të gjitha nivelet, duke filluar nga personi, për të kaluar në familje, në bashkësi, në shoqëri dhe në shtet, e për të arritur deri në një shkallë globale të tërësishme. Ky është një vizion i përsosur, për të cilin fton feja islame dhe që përmes saj të integrohet bota duke e konsideruar atë të harmonizuar. Paqja është një qëndrueshmëri e harmonizuar dhe lufta gjen shprehjen kur të mos respektohet ky harmonizim dhe të bëhet dhunë e tirani. Dhe që në këtë mënyrë lufta e përkohshme të rikthehet përsëri në paqe të qëndrueshme. Nuk është e mjaftueshme që për realizimin e kësaj paqeje, për të cilën fton feja islame, të jetë
shembull që myslimanët vetëm të angazhohen për zbatimin e fesë dhe gjërave që janë në dobi të përgjithshme, por duhet të dihen dhe të njihen rrugët e mënyrat se si të realizohet dhe të praktikohet ajo në tokë, në jetën e njerëzve dhe të shoqërisë. Prandaj këto mënyra dhe metoda janë objekt i gjykimit sipas angazhimit (ixhtihadit) në bazë të rrethanave kohore dhe hapësinore, por në çdo rast duhet të jenë të përcaktuara në kontekstin e një sistemi të vlerave dhe parimeve që janë të pranuara dhe që janë të atilla që me to të merret vendimi. E prej këtyre parimeve, si më të rëndësishmet, janë: drejtësia, barazia e vëllazërisë njerëzore, liria, zbatimi i premtimeve dhe ndihma e ndërsjellë në mes racës njerëzore në përgjithësi.
Përktheu nga gjuha arabe: Mr. sci. Flamur Sofiu