Hoxhë Hasan Moglica

Një atdhetar me përmasa mbarëkombëtare, luftëtar dhe dijetar i shquar

Hasan Shermeti (Sula), i mbiquajtur Hoxhë Moglica, lindi në Moglicë të Dibrës në vitin 1852, ndërkohë që prindërit e tij kishin ardhur në Okshtunin malor nga Dibra e Madhe. Hasan Moglica ka ndjekur studimet fillimisht në mejtepin e Peqinit e më pas medresenë e Elbasanit, ku pas tyre do të vazhdonte shkollimin në Universitetin e Stambollit, me qëllimin final për t’u rikthyer e për t’i shërbyer vendit të tij.

Shtëpia e tij u bë bazë e rëndësishme dhe strehë për të gjithë atdhetarët e asaj kohe. Në këtë kuadër, Hoxhë Moglica, rreth viteve 1887-1900, zhvilloi një veprimtari politike e atdhetare kundër synimeve shoviniste të fqinjëve serbo-bullgarë. Kjo veprimtari i kaloi kufijtë e Okshtunit dhe u shtri pothuaj në të gjitha fshatrat e Gollobordës e më gjerë. Ndërkohë, për të përballuar çdo rrezik e të papritur, me nismën dhe nën drejtimin e Hasan Moglicës, u formua një njësit vetëmbrojtje ku bënin pjesë shumë bashkëfshatarë të tij.

Ndërkohë, pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për çështjen shqiptare, ngjarjet në Ballkan rrodhën në mënyrë të atillë që të krijoheshin kushtet për mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku së bashku me delegatët e tjerë të Dibrës, mori pjesë dhe Hoxhë Moglica. Ai shoqëroi në krahinën e Gollobordës dhe në Okshtun, ideologun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Abdyl Bej Frashërin, i cili pasi bujti dy net në shtëpinë e Hoxhë Moglicës, u shoqërua nga ky i fundit për në Teqen e Martaneshit. Veprimtaritë për zbatimin e vendimeve të Lidhjes e bënë Hasan Moglicën akoma më të njohur në Dibër, Elbasan, e sidomos në Gollobordë. Jo rastësisht ai do të ftohet në të gjitha kuvendet e Dibrës, në Kongresin e II të Manastirit, në Kongresin e Elbasanit dhe në Kuvendin e Fushë Klenjës, ku u bën thirrje bashkëkombësve të tij për përhapjen e gjuhës shqipe.

Pas reputacionit që krijoi figura e Hoxhë Moglicës, iu ofrua detyra e Myderrizit në zonën e Gollobordës, ku nën këtë petk zyrtar kryente më lehtë detyrën patriotike. Më 1909, Hoxhë Moglica mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, ku midis të tjerave u vendos edhe hapja e Shkollës Normale për të përgatitur mësues për gjuhën shqipe. Si inspirues dhe delegat i këtij kongresi, Hasan Moglica organizoi shumë kuvende ku propagandonte vendimet e këtij Kongresi. Ndër këto me rëndësi, është ai i Fushës së Klenjës. Për këtë, patrioti dhe publicisti Haki Stërmilli shkruan: “Hoxhë Moglica e mblodhi popullin e Gollobordës e mbasi ua shpjegoi gjatë e gjerë vendimet e marra në Manastir, u foli mbi rëndësinë e Shkollës Normale të Elbasanit dhe përfundoi tue kërkue prej çdo dere të parisë së Gollobordës të dërgonin nga një djalë në këtë shkollë. Mbasi i dhanë të gjithë besën se fjalët e tij do të realizoheshin, mbledhja u shpërnda krejt entuziaste nga fjalët e Hoxhës, tue qit edhe pushkë nga gëzimi pushtues”.[1]

Më 1879, kur mbaroi studimet e larta në Universitet në Stamboll, me rezultate të shkëlqyera do të shkruhej për të: “Stambolli nëpërmjet Hasan Moglicës i ka dhënë Shqipërisë mësuesin e fesë Islame”. Është për t’u nënvizuar se përveçse një dijetar, klerik dhe atdhetar i flaktë, Hasan Moglica ishte edhe një projektues e inxhinier me zë në të gjithë krahinën e Dibrës. Ai projektoi kanalin e famshëm të vaditjes në lagjen Ballaj, muri i të cilit ngrihet mbi një shkëmb të thepisur 9 metra të lartë. Ai ndërtoi për herë të parë mbi lumin e Okshtunit të parën Valanicë për ngjeshjen dhe përpunimin e shajakut si dhe një farkë (kovaçhanë) për mjetet dhe armët e luftimit etj.; ndërsa shpella te Shkëmbi i Patës, ishte shtëpia e dytë e tij.

Me dashurinë për librin, që ndihmonte në hapjen e dritës së diturisë, me shpenzimet e tij dhe me ndihmën e miqve që i kishte kudo, Hoxhë Moglica e ktheu shtëpinë prej 28 dhomash në Moglicë në një bibliotekë-shkollë, krahas shkollës osmane që e kishte hapur tek Ara e Martinit që në vitin 1904.

Me gjithë dëshirën e madhe të Hasan Moglicës për të marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë më 1912 në Vlorë, për arsye të ndjekjes nga pushtuesit serb, nuk mundi t’u bashkëngjitet delegatëve dibranë, por i entuziazmuar për këtë eveniment, ngriti flamurin mbi çatinë e shtëpisë në prani të njerëzve dhe bashkëfshatarëve të tij. Pas shpalljes së Pavarësisë, Hoxhë Moglica do të ndodhej para pushtuesve të tjerë të egër serbo-bullgarë.

Më 1914 atë e kapën esadistët, e burgosën dhe e keqtrajtuan, pa marrë parasysh moshën, autoritetin dhe petkun fetar që kishte. Por me gjithë presionin dhe torturat që përdorën ata ndaj Hoxhës, ai nuk u mposht e nuk u thye, dhe pas 3 muajsh tortura të egra, kur serbët iu afruan postave të Elbasanit, Hoxhë Moglica arriti të arratisej nga burgu me ndihmën e shokëve e miqve të tij dhe në fillimin e vitit 1915 u kthye në Okshtun.

Edhe pas kthimit në vendlindje, serbët e ndoqën këmba-këmbës. Ata dhanë shuma të konsiderueshme për të zbuluar vendndodhjen e tij, ndërkohë që shtëpinë ia dogjën dhe familja u largua në fshatrat e Çermenikës. Serbët mundën t’i kapin djalin e vetëm që kishte, Osmanin, i cili kishte mbaruar normalen e Elbasanit dhe kryente detyrën e mësuesit të gjuhës shqipe. Patrulla serbe i solli të lidhur djalin duke i bërë presion që të dorëzohej. Hoxha gjykoi se “meqenëse ata po më lirojnë djalin e vetëm, do të “dorëzohem” se unë di si të qëndroj”. Ndërkohë serbët lirojnë Osmanin dhe arrestojnë Hoxhën dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Abdi Sollakun, duke i vënë si kusht për lirim firmosjen e një deklarate sipas së cilës, rajoni nga Fusha e Kolgrekut në perëndim në Kaptinë, në Vervjak, Qafë Buall dhe Qafë-Murrë, e më tej në Lurë të quheshin toka serbe.

“Nëse do të firmosej deklarata nga Hoxhë Moglica, serbët jo vetëm do ta lironin, por ai do të përfitonte shpërblime dhe ofiqe të majme”- shkruhej në revistën “Zani i Naltë” (nr. 11, viti 1937). Atdhetari e priti me neveri këtë propozim, duke thënë: “Mos m’i lidhni sytë se një ditë do të hapen, më lejoni të shikoj edhe një herë malet dhe luginat e Dibrës nga Korabi, Kurora e Lurës, Mali i Bardhë, Verviaku, Kaptina, e deri në Thellësi të Malit të Babjes, se andej e shikoj agimin për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Rroftë Shqipëria! Rroftë Flamuri!”… Por plumbat ia prenë fjalën në mes, e trimat ranë në gropën që e kishin hapur me duart e tyre nën kërcënimin e bajonetave serbe. Ndonëse shpirti akoma nuk u kishte dalë e ende përpëliteshin, pushtuesit u hodhën dhe sipër. Tre ditë më vonë, pasi u largua komanda serbe nga Kodër-Moglica, familjarët, të afërmit e fshatarët i morën kufomat e të pushkatuarve dhe i varrosën, ku Hoxha u varros në Varrezat e Sulajve në Moglicë.

Hoxhë Moglica në vitin 1975 është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si Patriot e Atdhetar i shquar dhe eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Peshkopi.

Jo rastësisht dekorimi i tij është bërë me rastin e 50 vjetorit të pavarësisë dhe në të njëjtin urdhër dekorimi krahas me Ismail Qemalin, Abdyl, Sami dhe Naim Frashërin, me Iljas Pashë Dibrën, Dom Nikollë Kaçorrin, Vehbi Dibrën, me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Mihal Gramenon dhe Çerçiz Topullin dhe me dhjetëra atdhetarë të shekujve XIX-XX. [2]

Gazeta “Dibra” në anketën e saj “Dibrani i shekullit XX” organizuar në fundshekullin e XX shpalli Hoxhë Moglicën “Dibrani i shekullit”, në një kohë kur ishin në “garë” dhjetëra atdhetarë dhe njerëz të shquar të Dibrës, kontributi i të cilëve ka qenë dhe mbetet mbarëkombëtar.

Si i tillë, Hoxhë Moglica është dhe do të mbetet krenaria e të gjithë shqiptarëve, një atdhetar dhe një dijetar me përmasa mbarëkombëtare.



[1] Stërmilli, Haki, “Dibra në pragun e Historisë”, 1940: 53.
[2] Cami, Sakip, studiues i jetës dhe veprës së Hoxhë Hasan Moglicës.


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?