Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes sonë Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX, kurse në historinë e shkencës turke si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e në ato natyrore. Gjithashtu edhe Abetarja shqipe e tij me shkronja arabe kishte shtrirje të gjerë dhe arrinte deri në Gallapin e Kosovës.
Jeta e këtij hoxhe nuk është veçse një mësim që ka vazhduar për një gjysmë shekulli; ai e kaloi gjithë jetën duke lexuar dhe duke mësuar të tjerët. Përpjekjet
dhe dëshira e tij e zjarrtë përqendroheshin në dy gjëra:E para, dëshironte t’i shtonte njohuritë që kishte fituar, duke hedhur përherë e më shumë nga një hap përpara, për t’iu afruar “së vërtetës”. Dhe e dyta, ai digjej nga dëshira për t’i bërë kombit dhe atdheut një shërbim, duke u mësuar të tjerëve ato që dinte. Dhe ai, këtyre dy dëshirave u kushtoi tërë jetën, tërë mundin; tërë kohën, zgjuarsinë dhe fuqinë e mendjes, për t’u shërbyer këtyre qëllimeve, ai sakrifikoi qetësinë, çdo zbavitje e kënaqësi tjetër, çdo gëzim tjetër, të ngrënët dhe gjumin. Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes sonë Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX, kurse në historinë e shkencës turke si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e në ato natyrore. Gjithashtu edhe Abetarja shqipe e tij me shkronja arabe kishte shtrirje të gjerë dhe arrinte deri në Gallapin e Kosovës.
Biografia e shkurtër
Hoxha Hasan – Tahsin Efendiu u lind në vitin 1812. Ishte biri i Osman Efendi Rushit Ahmedit, i cili ka qenë një dijetar i shquar: ishte kadi, myfti dhe kryesisht myderriz, nga katundi Ninat, rrethi i Filatit të Konispolit, në Çamëri. Dëshira e tij ishte që Hasani të vazhdonte mësimet fetare dhe të bëhej hoxhë, kështu që, menjëherë pas kthimit të tij nga Shkodra, Hasan Tahsini drejtohet në Filat, ku do të ndiqte mësimet. Më pastaj Hasani filloi studimet mbi teologjinë në qytetin e Janinës, ku i përfundoi dhe filloi punën si hoxhë. Ambiciet, dëshira dhe etja për t’i thelluar njohuritë, e shtynë atë që të shkonte në Stamboll. Bënte jetë modeste dhe, sa t’i binin të holla në dorë, do t’i shpenzonte për libra dhe mjete shkencore dhe, vetëm kur e merrte uria, kujtohej për të ngrënë. Aty ku flinte përballë shtratit kishte një makinë elektrike, sipër një teleskop të gjatë, te këmbët një mikroskop dhe në dorë një libër. Muret dhe tavani ishin të mbuluara me vizatimet e figurat e historisë së natyrës, gjeologjisë, gjeografisë, politike e fizike, kozmografisë, fizikës dhe kimisë. Mund të thuash se dhoma e tij paraqiste të zvogëluar krejt natyrën e rruzullit tokësor. Merrej me përkthime, shkrime poetike, letrare, iluministe e me enciklopedi, pra nuk ishte vetëm fetar a teolog, po ishte dhe psikolog, sociolog, pedagog dhe ishte më i pari astronom në tërë Perandorinë Osmane…(1)
Studimet e tij, fillimisht i botoi në revistën shkencore “Mexhmual-i-Ulum”, themelues i së cilës ishte vetë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, astronomikë, psikologjikë, pedagogjikë…(2)
Pas një periudhe të gjatë në shërbimin e Perandorisë Osmane, u kthye në vendlindjen e tij për të kontribuar denjësisht për atdheun. Veprat e tij më të famshme janë: “Psikologjia” dhe “Bazat e astronomisë”.(3)
Nga një dokument që është gjetur në arkivat e Londrës, dëshmohet se në vitin 1874 Hasan Tahsini u arrestua në Delvinë, sepse “u predikonte bashkatdhetarëve lirinë kombëtare”. Mendimi për një alternativë tjetër kundrejt principatës, pra për një demokraci shqiptare ishte mjaft i guximshëm për kohën, por i shpjegueshëm dhe i kuptueshëm në gojën e këtij rilindësi, të cilin Sami Frashëri e ka quajtur “më i larti ndër të lartët”.(4)
Me përpjekjet e pandërprera në dobi të popullit, të kombit e të atdheut, për zgjimin dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, Hasan Tahsini vuri një gur të shëndoshë në themelet e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai jo vetëm që nuk e harroi asnjëherë se ishte shqiptar, por, meqë ndër shqiptarët ishte më i formuari, më i dituri, më i ngrituri, printe gjithnjë në çështjen shqiptare-kombëtare.(5)
Kudo shpërndau dhe u mësoi shqiptarëve alfabetin e vet. Si atdhetar i flaktë që ishte, ai kërkonte kudo që të jepte kontributin e tij për çështjen shqiptare. Ishte pjesëmarrës në Lidhjen historike të Prizrenit (1978-1881), ku thotë se një nga mjetet dhe armët më me rëndësi në arritjen e çlirimit, arsimit, edukimit, kulturimit të vendit ishte gjuha shqipe.(6)
Ndërroi jetë më 4 korrik 1881. Trupi i tij u varros në varrezat e lagjes Eren Qoj në Ysqydar, në të njëjtat varreza ku do të varroseshin edhe Tre Vëllezërit Frashri.
Shkencëtar i rrallë
Titulli hoxhë i përket dijetarit a akademikut, kurse mbiemri Tahsini, pas emrit Hasan, nuk është mbiemër, po një cilësi dalluese, shquese, vlerësuese, që i ishte dhënë qysh kur ishte student në Stamboll, sepse ishte më i dalluari, më i shquari, më i vlerësuari…(7)
Më pastaj ai u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku tregoi suksese të rralla dhe atje, me vendim mbretëror, e emëruan Imam në Ambasadën e Perandorisë Osmane në Paris. Nëpër bibliotekat dhe sallat e leksioneve të Universitetit të Sorbonës në Paris, ai mësoi mbi Revolucionin Francez, njohu filozofinë e iluministëve, si: Volteri, Rusoi, Didëroi, Kanti, etj.. U njoh me metodikën e kryerjes së eksperimenteve në fushën e fizikës dhe kimisë, për të vërtetuar hipotezat e shtruara në atë kohë. Eksperimentoi shumë, por përparësi u dha vetëm shkencave natyrore.(8)
Sipas Prof. Dr. Nuri Abdiut, Hasan Tahsini ishte një poliglot i jashtëzakonshëm. Ai zotëronte disa gjuhë: latinisht, greqisht, persisht, arabisht, osmanisht, italisht dhe frëngjisht, të cilat e ndihmuan të lexonte e të shfrytëzonte gjithë literaturën e kohës. Në vitin 1869 shkoi në Stamboll dhe do të emërohej rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Eksperienca, studimet e pareshtura, njohuritë që kishte përfituar në Universitetin francez, i ndihmuan ne projektimin e planprogrameve. Ai në universitet zhvilloi leksione për letërsinë, historinë, astronominë, kiminë, fizikën psikologjinë etj.(9)
Ka shkruar libra mbi astronominë, si libri me titullin “Bazat e astronomisë”, ku përmend teoritë e shkencëtarëve të famshëm, gjurmëlënës, si: Keplëri, Koperniku, Ptolemeu i Greqisë së lashtë. Ai vlerësohet si njeriu më i ditur i kohës, sipas të dhënave turke. Kjo vërtetohet nga veprat e tij, ku pasqyrohen dijet e thella në fushat shkencore dhe shoqërore që kishte. Me dijet e tij , mbi shkencën e filozofitë, qoftë të lashtësisë dhe qoftë të kohëve moderne, ai habiste këdo, jo vetëm për periudhën kur jetoi e punoi plot pasion, por edhe në ditët e sotme.(10)
Numërohet ndër shkencëtarët e parë dhe më të lartë jo vetëm në Turqi dhe si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, po dhe si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e natyrore.(11)
Kontributi për ngritjen kombëtare
Ishte një nga figurat më të shquara të Rilindjes, motori i asaj periudhe të ndritshme kombëtare. Ai ishte mësues i Abdylit, Naimit e i Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut, etj.. Në drejtim të formimit të tij atdhetar, ndikuan ngjarjet mjaft të vrullshme të viteve ‘20-’30 të shekullit XIX. Lufta e Ali Pashë Tepelenës dhe e Bushatlinjve kundër Portës së Lartë. Kryengritjet popullore të viteve ’30-’50 e çuan më tej këtë proces dhe, në fillim të viteve ’60 Tahsinin e gjejmë midis organizatorëve më veprues të një kryengritjeje të re në veri të vendit. Veprimtaria patriotike e Hasan Tahsinit kulmon në prag dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 18 dhjetor 1877 u formua Komiteti qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare apo, siç u quajt shkurt - “Komiteti i Stambollit”, në të cilin Hasan Tahsini ishte pjesëtar aktiv. Në fillim të vitit 1878, kur një bandë e ashtuquajtur “epirotë” të rekrutuar në Greqi, të pajisur me armë, zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, Hasan Tahsini shkoi në vendlindjen e tij në Filat të Çamërisë, ku gëzonte një autoritet dhe ndikim të madh, dhe organizoi mbrojtjen vullnetare të krahinës. Autori turk Ismail Habib, lidhur me aktivitetin patriotik të Hasan Tahsinit, shkruan: “Hasan Tahsini ishte patriot i shquar. Në luftën me grekët në vitin 1878, në kundërshtim me moshën e tij të pleqërisë, formoi një tabor vullnetarësh nga bashkatdhetarët e tij dhe u nis për në luftë”. Siç dihet, Traktati i Shën- Stefanit u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, veçanërisht nga Anglia dhe Austro-Hungaria, të cilat kërkuan rishikimin e marrëveshjes së Shën- Stefanit nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878. Në këto kushte Komiteti i Stambollit organizoi tri kuvende ndërkrahinore në Prizren, në Shkodër dhe në Frashër të Dangëllisë, që shqyrtuan detyrat politike dhe përgatitën kushtet për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm në Prizren dhe formimin e Lidhjes Shqiptare. Në Kuvendin e Frashërit dhe në mbledhjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka marrë pjesë si delegat i Çamërisë edhe Hasan Tahsini. Pjesëmarrja në këto kuvende dhe kontributi i tij në mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe formulimin e programit autonomist për bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative, dëshmon qartë e flet shumë për atdhetarinë e Tahsinit.
Kontributi për gjuhën shqipe
Hoxha Tahsini thoshte “Jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, ndaj duhet të jetojmë më vete, si gjithë kombet e tjera”. Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera, për të treguar personalitetin e popullit të tij. Hoxhë Hasan Tahsini ishte jo vetëm një dijetar i gjithanshëm dhe personalitet poliedrik, po edhe një atdhetar e patriot i flaktë, lëvrues i gjuhës shqipe dhe përhapës i diturive në gjuhën amtare, me një veprimtari politike të spikatur në mbrojtje të trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet shoviniste fqinje. Veprimtarinë intensive, kombëtare, së bashku me patriotët e tjerë të Rilindjes e gjejmë tek “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, e themeluar në Stamboll më 1879, dhe në hartimin e të famshmit Alfabeti i Stambollit.
Në komisionin për hartimin e alfabetit unik të gjuhës shqipe, Tahsini paraqiti alfabetin e tij metodik, universal i cili përbëhej prej 30 bashkëtingëlloresh dhe 8 zanoresh. Për alfabetin shqip punën e kish nisur që në vitin 1850, ndërsa në vitin 1870 propozoi një alfabet të bazuar në parimin fonetik me 7 zanore e 29 bashkëtingëllore dhe të ndërtuar në formë tabele”.
Hasan Tahsini alfabetin e vet e hartoi qysh në vitin 1870. Shtrirja e Abetares së tij erdhi deri tek shkolla e parë që njihet ajo e Brainës (1895), që funksiononte në xhaminë që konsiderohet më e vjetra në Gallap, e ndërtuar 1766. Imami dhe mualimi – mësuesi i kësaj shkolle ishte mulla Mustaf Braina, nxënës i hoxhë Tahsinit të njohur si shkruesi i Abetares shqipe me shkronja osmane, dhe anëtar i shoqërisë “Drita” të Stambollit.
____________________
1) Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Historia e Popullit Shqiptar II, Tiranë, 2002. f.128.
2) Akademia e Shkencave e Shqipërisë , Instituti i Historisë , Historia e Popullit Shqiptar II. ibid. f.129.
3) A. Naqellari, A. Pango, vep. cit. f.10.
4) Kristaq Prifti, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane, Tiranë, 1978. f.48.
5) L.Mile, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, v. Tiranë, 1978. f. 146.
6) Gazmend Shpuza, Hasan Tahsini Rilindas i shquar dhe shkencëtar i madh, – Buletini Shkencor Shkodër 1987, nr. 1. f.68.
7) Sami Frashëri, Hoxha Hasan Tahsin Efendi në Kamusul- Alam, f.87.
8) ASSH – Fjalori enciklopedik shqiptar, v. 3,Tiranë, 2009. f.54.
9) A.Naqellari, A. Pango, Ibid. f.1.
10) Hysni Myzyri, “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” Tiranë 1979 f.93.
11) Kristaq Prifti, Ibid f.53
Avni Hajrizi