Njëri prej grupeve me problematike dhe me kontroverse qe doli ne skenë nga fundi i halifeve të drejtë, saktësisht në kohën e halifit Ali r.a., është grupi apo sekti Havarixh.
Fjala Havarixh është trajtë e shumësit të fjalës Harixh, që do të thotë të dalë, apo ai që doli jashtë. Dhe dalja këtu nënkupton se personi apo grupi ishte brenda një shoqërie, e më pas doli.(1)
E fjala dalje është e kundërta e fjalës hyrje, dhe si të tilla ato nuk bashkohen asnjëherë. Shembuj të kësaj fjale kemi edhe në Kuranin fisnik, ku Allahu xh. sh. thotë: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata prej errësirave në dritë...”. (El Bekare, 257)
Domethënë, Allahu është ndihmës, përkrahës dhe Ai i nxjerr ata nga errësirat e shumta në dritën e besimit. Ai doli nga faltorja - Xhamia para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre ta lavdëronin Allahun mëngjes e mbrëmje (Merjem, 11). Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte, dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës”. (Kasas 20-21).
Pra, kuptimet e fjalës harexhe, në kontekst të fjalive i gjejmë të shumta, dhe ku aludojnë për kohën, vendin, sistemin dhe konditat etj,. Por kuptimi i kësaj fjale kufizohet shumë ngushtë kur dihet mirëfilli se çdonjëri që del nga radhët e një udhëheqësi apo kryetari, i cili është i zgjedhur nga paria e popullit, të cilin e përkrahin shumica e popullit, apo udhëheqësi i cili zgjidhet nëpërmes shurasë, parlamentit, dhe një pjesë e vogël konteston zgjedhjen e tij, duke refuzuar që të pranojë urdhrat e tij, kuptohet konform ligjit, - ai grup quhen havarixh.(2)
Thotë dijetari i mirënjohur Shehristani: “Secili që del nga sundimi i udhëheqësit të drejtë, për të cilin bien ujdi xhemati- populli, quhet Havarixh”.(3)
Por, ky përkufizim nuk do të thotë se të gjithë kundërshtarët konsiderohen të tillë, sepse në çdo shoqëri ekziston opozita, porse ajo duhet të jetë opozitë konstruktive, e cila kritikon me vend dhe ka për qëllim të mirën e fesë dhe atdheut. Opozitë e urryer është ajo që nuk është konstruktive, që sheh vetëm zi dhe që nuk i përmend kurrë anët pozitive, po është e prirë që, me çfarëdo mjeti, të arrijë ta përmbysë kundërshtarin. Kjo gjë është e ndaluar në fenë islame, sepse kështu futemi nën kategorinë e ziliqarit dhe gënjeshtarit, epitete këto që nuk i takojnë një muslimani. E rrethi i kuptimit të fjalës havarixh ngushtohet edhe më shumë duke përfshirë një periudhë të kufizuar kohore dhe njerëz të veçantë, e ata janë që e pranuan Aliun r.a. për halife dhe iu nënshtruan urdhrave të tij, por më pastaj, pas një mospajtimi jobindës, kundërshtuan atë dhe udhëheqjen e tij. Thotë Ebul Hasen El Eshariu- : E shkaku i emërtimit të tyre me nofkën Havarixh- është dalja apo kundërshtimi i tyre ndaj Aliut r.a..(4)
Havarixhët si sekt sot janë inekzistent
Duhet ta dimë se Havarixhët si sekt fetar sot janë të harruar, ata nuk ekzistojnë, edhe pse mund të ndodhë që mendimet e tyre të jenë ende të pranishme. Prej mendimeve të tyre kemi këto: I bëjnë shoqërinë dhe sunduesit- pa besimtarë - kafira; lejojnë derdhjen e gjakut dhe marrjen e pasurisë së tjetrit, shpërnguljen prej vendeve të ndryshme duke i quajtur ato vende jobesimtare, edhe pse janë vende muslimane. Nëse ekzistojnë këto mendime, e s’ka dyshim se po, atëherë ka një ndërlidhje në mes havarixhëve të djeshëm me ata të sotëm.(5)
Vlen të theksohet se ky grup është një prej grupeve që, nga cektësia e mendjes së tyre, në çdo kohë ishin armiq të të gjithë muslimanëve të të gjitha periudhave. Ata nuk pajtoheshin me askënd që kishte ide a mendim të kundërtë me të tyre. Për këtë grup Pejgamberi a.s. ka aluduar në shumë hadithe, një prejtë cilave është edhe ky:Thotë Muhamedi a.s.: “Udhëheqësit më të mirë janë ata që i doni dhe ju duan, ata që i përshëndetni dhe ju përshëndesin, ndërkaq udhëheqësit më të këqij janë ata që i urreni dhe ju urrejnë, ata që i mallkoni dhe ju mallkojnë”. Shokët i thanë: “O i dërguar i Allahut, a t’i luftojmë me shpatë? Ai tha: “Jo, përderisa ata e falin namazin, dhe, në qoftë se shihni ndonjë gjë tek udhëheqësit tuaj që urreni, urreni punën e tij dhe mos hiqni dorë nga nënshtrimi- ligjshmëria”.(6)
Nga ky hadith kuptojmë se grupi që del pa asnjë hezitim prej bashkësisë së muslimanëve duke i konsideruar të gjithë ata si jobesimtarë dhe armiq të tyre, s’do mend se është i devijuar dhe jashtë ligjshmërisë së kërkuar prej fesë islame.
Shkaqet e formimit të mendimit ekstrem
1. Dijetari i shquar Dr. Jusuf Kardavi, lidhur me shkaqet e ekstremizmit dhe teprimit, thotë: “Ekstremizmi dhe teprimi vjen si pasojë e mendjelehtësisë dhe papjekurisë më të vërtetat e fesë islame, paaftësia e mjaftueshme në legjislaturën dhe zhytjen në thesaret e fesë, për të arritur qëllimet e tij dhe dëlirësinë e shpirtit të fesë”.(7)
Prandaj njohuritë që posedon një person, janë të një rëndësie të veçantë, sepse kontribuojnë në stabilitetin e shoqërisë, mirëpo mund të shohim njerëz të cilët nuk u aftësuan në këtë drejtim, por ngelën shumë të cekët në mendime, duke shtrënguar atë që Allahu dhe Pejgamberi a..s e kanë lënë të lirë. E prej formuesve kryesorë të grupit havarixh ishin njerëz të tillë.
2. Animi i medieve botërore në emër të kulturës, përparimit dhe civilizimit në anën e laicizmit, duke shërbyer në përhapjen dhe zbatimin e mësimeve të tij. Kjo në njërën anë, e në anën tjetër sulmi i hapur dhe përqeshja përbuzëse e elementit fetar dhe të atyre që merren me mësimet e fesë. Pa dyshim që ky anim jo i drejtë shpie në përhapjen e ekstremizmit, e prej elementeve të tij janë edhe mendimet e havarixheve.
3. Nxitja e të tjerëve, të cilët përdorin metodat shkencore materiale dhe teorike në lëvizjet e tyre. E me nocionin të tjerëve, kuptojmë shërbimet sekrete jofetare, te cilat veprojnë me mençuri, duke lëvizur pa u vërejtur, duke përdorur metoda të joshjes dhe frikësimit, që nga petku i jashtëm ngjajnë me atë islam, kurse në brendinë e tyre fshehin dëshirën për shkatërrimin e Ymetit mysliman dhe mbizotërimin e plotë ndaj tyre.
4. Prej shkaqeve të tjera kemi edhe elementin e rëndësishëm ekonomik, që është i pranishëm në Botën Islame. Edhe pse Bota Islame posedon resurse gjigante ekonomike, si p.sh. tokë pune, sipërfaqe të gjerë gjeografike me miliona kilometra, klimë tropikale, ujë të bollshëm, minerale, naftë, ar dhe elementin më të rëndësishëm - atë njerëzor, për t’u shtuar edhe elementin bazë të zhvillimit të mbarë njerëzimit dhe muslimanëve në veçanti, Kuranin fisnik dhe Hadithin e Muhamedit a.s., prapëseprapë puna çalon. Dhe, nëse e hulumtojnë shkakun, atë do ta gjejmë në planifikimin e dobët dhe përdorimin edhe më të dobët, me mosgatishmërinë për të dhënë përgjegjësi. Të gjitha shkaqet e përmendura më lart dhe ky i fundit shërbejnë që në skenë të shfaqen havarixhët e sotëm.(8)
Grupet e havarixhëve:
Edhe havarixhët ndahen në shumë grupe, po më të njohurat prej tyre janë:
1. Ezarikatu
2. El Ibadijje
3. Saferije
4. Nexhdije
Nga grupet kryesore të tyre, të cilat edhe përfaqësojnë mendimit e havarixhëve, janë dy të parat – Ezariaka dhe Ibadije.
Disa prej mësimeve a konditave kryesore të havarixhëve
1. Mangësia në kuptimin e jo thellimi në dije dhe marrja e gjërave në mënyrë shumë sipërfaqësore, duke u mjaftuar me kuptimin e teksteve pa ndonjë studim serioz. Kjo duke i shtuar edhe të konsideruarit e mendimit tjetër si të gabuar. Havarixhët nuk komentojnë fare ajetet e Kuranit, nuk gjurmojnë fare në qëllimet e atyre ajeteve, po i marrin ashtu si janë, në mënyrë sipërfaqësore. e kuptimi i tillë i Kuranit një havarixh e shtyn të thotë: “Nëse një njeri ha pasurinë e një jetimi, nuk obligohet të hyjë në zjarr”, bazuar në ajetin kuranor, ku Allahu xh sh. thotë: “Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues”. (En-Nisaë,10).
Në bazë të këtij ajeti, ai që mbyt jetimin, e shqyen barkun e tij, nuk digjet në zjarr, sepse Allahu nuk e përmend këtë gjë në ajet.(9)
2. Mangësisë në të kuptuar i shtojnë edhe mburrjen dhe mendjemadhësinë ndaj të tjerëve, dhe kjo cilësi i shtyn ata të konsiderojnë veten çdo gjë, kurse të tjerët të paditur dhe të pavlerë. Prej fjalëve të tyre të njohura janë edhe këto: Sikur të mos ishim ne, Islami do të zhdukej, si dhe: Dituria është tek ne e jo tek doktorët e Ez-herit, prandaj kërkohet dhe obligohet që këta profesorë të mësojnë tek ne, derisatë përmirësojnë gjendjen e njerëzve e ta ruajnë fenë. Këto janë fjalët që ia thanë njërit prej profesorëve të Ez-herit një grup prej havarixhëve të sotëm, pas një bisede që u zhvillua në mes tyre, që rezultoi me kryelartësi të tyre ndaj një mësuesi të fesë. Ruana Zot nga njerëzit e tillë.
3. Ata - havarixhet bëjnë ibadet shumë, e ibadeti a adhurimi tek ata kufizohet në namaz, agjërim dhe lexim të Kur’anit. Sikur të krahasohet një musliman i zakonshëm me ta, muslimani i zakonshëm do të mendonte se është shumë larg tyre në aspektin fetar, mirëpo duhet të kemi parasysh fjalën e Aliut r.a.: ‹›Njëri nga ju do ta quajë të parëndësishëm namazin e tij, krahasuar me namazin e tyre (havarixhëve) dhe agjërimin tuaj (nafile) krahasuar me atë të tyre, veprën tuaj, krahasuar me veprën e tyre. Ata do ta lexojnë Kur›anin, por ai s›do të shkojë përtej fyteve të tyre. Ata (havarixhët) dalin nga feja ashtu siç del shtiza nga harku”.(10)
4. Ata merren më shumë me gjëra sekondare se me ato primare. P.sh. Prej synetit është që mjekra të lëshohet e mustaqet të shkurtohen, sipas hadithit “shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat”; gjithashtu shkurtimi i petkut si shenjë largimi nga mburrja dhe mendjemadhësia. E kuptohet se pasimi i synetit nga muslimani është më mirë për të, mirëpo, nëse nuk e zbaton një prej syneteve, atëherë ai ka lënë më të mirën. Ndërkaq, havarixhët i marrin të dy hadithet si obligative, prandaj, sipas tyre, nuk është musliman ai që nuk e lëshon mjekrën apo nuk e shkurton petkun. E marrja me gjëra primare të fesë, siç janë: ruajtja e shpirtit, pasurisë, moralit, mendjes dhe fesë - këto janë gjëra obligative. Pra, për ta gjërat e pjesshme janë bazë, kurse gjërat e përgjithshme të pavlera.
5. Animi në përdorimin e forcës dhe dhunës kundër kundërshtarëve të tyre në mendime. Në vend që të gjykojnë me mendje dhe logjikë, në mënyrë që t’i afrojnë mendimet me kundërshtarët, duke hapur debatin për mendime ndryshe dhe duke hulumtuar për të ardhur tek e vërteta. Ata- havarixhët nevrikosen dhe janë shumë ekstremistë në mendimet e tyre duke mbyllur veshët dhe mendjet e tyre ndaj mendimeve dhe argumenteve të tjera. E nuk mjaftohen vetëm kaq, po kthehen në injorancën e hershme dhe i kapin armët e i shajnë e luftojnë muslimanët - për se Muhamedi a.s. ka thënë: “Sharja e muslimanit është fusuk- mëkat, ndërkaq luftimi i tij është kufër- pabesim”. (Muslimi)
6. Nxitimi, i cili i shtyn në ndryshim të menjëhershëm të qëndrimeve. Dhe kjo shihet edhe nga dalja apo rebelimi i tyre ndaj udhëheqjes së Aliut r.a., duke mos menduar aspak për pasojat e mundshme, të cilat çuan në ndërprerjen e synimeve të Aliut r..a, i cili për pak sa nuk arriti të fitonte ndaj kundërshtarëve të tij, e më pastaj të vendoste stabilitetin e mbarë shtetit islam.
7. Prej cilësive të tyre është edhe dominimi i medhhebit në ta, prandaj ai që lexon historinë e havarixheve, do të vërejë që drejtimi apo medhhebi mbizotëron në mendjet e tyre, kështu që nuk shikojnë aspak në mësimet e Kuranit, përveçse ato që ua përcakton medhhebi. Shumica e havarixhëve e hedhin në pabesim- kufër autorin e mëkatit të madh, edhe pse kjo gjë nuk qëndron, sepse ai që beson me zemër dhe beson se kjo dispozitë është nga Zoti xh sh, e shqipton shehadetin, po nga përtacia nuk e zbaton atëherë ai konsiderohet mëkatar e jo Kafir.
Këto dhe shumë mendime të tjera të ngjashme, përveç në të kaluarën i hasim edhe në ditët e sotme, e ato janë në kundërshtim të plotë me mësimet e pastra islame. Për këto arsye, me plot të drejtë themi se havarixhët si grupim ekstrem, më shumë u ngjajnë mendimeve të tyre të mbyllura dhe shumë të ngulfatur, të cilat vështirë se pranohen nga njerëzit, sesa që kanë të bëjnë me realitetin e fesë së përkryer islame.
______________
1) Havarixh bejnel emsi vel jevmi.dr. Muhamed Hamid Isa. f. 34, Kajro. 1997.
2) Po aty f.35-36.
3) Milel ve Nihal- v.1. f. 14 Sheristani, Kajro.
4) Mekalat Islamijin. v.1.f. 207 1969- Nahdatul Misrijjti.
5) El Imam Muhamed Ebu Zehra –Terihul medhahibul islamijeti - Darul fikril arabi. 1997. Kajro.
6) Transmeton Muslimi- Kitabul- imareti- v .2 f. 138- darul-kutub ilmije. Bejrut. 1996.
7) Dr. Jusuf el Kardavi, Sahvetul islamijeti bejnel xhumud ve tetarruf. f. 62 Kitabul Ummeh 1402- Katar.
8) Havarixh bejnel emsi vel jevmi. Ibid f.42- Kajro. 1997.
9) Dr. Muhamed Husejn Dhehebi, Etefsiru vel mufessirune.v. 2. f. 310. 1976- Kajro.
10) Muslimi, Kitabu- Zekat, v. 1. f. 430. 11) Sherhul Mevakif dhe Tefsiir Fahruddin Rrazi. v.12- f. 7.Bejrut. 1998.
Mr. Adnan Berbatovci