O Zot i im… Njerëzit më përgënjeshtruan dhe u bënë monotonë nga këshillat e mia.

Nuk më mbeti asnjë shpresë më e vogël në udhëzimin e tyre. U flas atyre, por ata vënë gishtat në veshët e tyre, që të mos dëgjojnë. Kam biseduar me ata, ditë e natë, por kjo vetëm sa i ka larguar edhe më shumë prej meje. Më përgënjeshtruan me shpifje dhe akuza prej më të rëndave. Më përqeshën mua dhe ata që janë me mua. Ata janë kryelartë ndaj robërve të Tu. O Zot i im, hakmerru ndaj tyre dhe më shpëto mua dhe besimtarët e tjerë.
O Zot i im…Nuk ka shpresë se ata do të besojnë. Unë jam thellë i bindur se edhe pasardhësit tyre do të jenë të tillë. Edhe toka është rënduar nga krimet e tyre. Mos lër asnjë prej tyre në sipërfaqen e tokës. Ata janë një kolerë, e cila kudo që arrin, është shkatërrimtare. Kudo në tokë, ata bëjnë trazira dhe i largojnë të tjerët nga besimi i vërtetë.
Pejgamberi i tyre i parë ishte një i dërguari i Allahut në sipërfaqen e tokës. Në mesin e tyre jetoi këshillues, udhëzues, i sinqertë. Jetoi me ta nëntëqind e pesëdhjetë vjet, duke i ftuar ata të besonin dhe ta adhuronin Allahun e Gjithëfuqishëm. Por, nga ata që besuan, ishin një numër shumë i vogël. Akuzuan profetin e tyre se ishte në humbje të vërtetë dhe i drejtoheshin me këto fjalë: “O Nuh, ende pretendon se je i dërguar i vërtetë i Allahut?! Na lër të qetë nga kjo çmenduri jotja! Ti je njeri ashtu siç jemi ne. Si mund të jesh ti bartës i mesazhit e ne jo, ndërkohë që ne jemi paria e këtij vendi?! Hidhu një shikim atyre që të kanë pasuar, a nuk i sheh se ata janë mendjelehtë, ata janë shtresa më e ulët e popullit tonë! O Nuh, kthjellu dhe lëre anash atë që je duke thënë. O Nuh, dëgjo ç`po të themi ne: Nëse dëshiron që ne të besojmë ty, hiq dorë prej atyre mendjelehtëve, ne nuk duam të jemi me ata. Nuk mund të jemi të barabartë me ata në besim, dëboji ata dhe, vetëm atëherë, do të të besojmë ty. Atëherë të gjithë besimtarët do të jemi prej klasës së zgjedhur, zotërinj, paria e vendit, ç´ mendon ti, cili është mendimi yt?” Nuhu ua ktheu me këto fjalë: “Kërkoj mbështetje prej Zotit, o popull! Si mund t’i përzë unë besimtarët? Kush është ai që mund të më shpëtojë nga dënimi i Zotit, nëse unë i përzë ata, ditën e llogarisë para Krijuesit tim? Ju jeni injorantë të vërtetë. Pas jetës ka vdekje, dhe pas vdekjes – ringjallje, dhe pas ringjalljes llogari, pastaj Xhenet ose Xhehenem, a nuk kuptoni?! Si mund ta çoj veten time në rrezik dhe dënim të dhembshëm. Jo, jo, nuk do t’i përzë ata kurrsesi.” Unë jam njeri sikur ju. Unë nuk jam
pronar i depove të Zotit, as që kam farë njohurish për gjërat e fshehta. Nuk jam prej meleqve, e as nuk mund t’u them atyre që më kërcënojnë mua, se Zoti nuk do t´u japë begati, nëse them një gjë të tillë, unë atëherë do të jem prej mizorëve. Bëhu i mençur, o Nuh! Si mund të jemi të barabartë ne dhe shtresa më e ulët e shoqërisë sonë?! Jemi lodhur me ty, dhe me dialogun shterp me ty. Atëherë na sill dënimin tënd që po pretendon, nëse je i sinqertë? Ne nuk të besojmë dhe nuk do të të besojmë asnjëherë. Nuhu a.s., më në fund, pasi humbi çdo shpresë për përmirësimin e tyre, iu drejtua Krijuesit të tij me lutjen që ta shkatërronte popullin e tij pabesimtar. Zoti e inspiroi atë që të ishte i qetë. Se askush tjetër prej popullit të tij nuk do të besonte, përveç atyre që të kanë besuar më parë, mendimi yt për kryeneçësinë e tyre është i saktë dhe se ndëshkimi i Zotit do t’i arrijë ata pa farë dyshimi. Andaj, fillo të ndërtosh, për ty, për familjen tënde dhe për ata që kanë besuar anijen, e cila do të jetë shpëtim për ty dhe për ata që janë me ty. Andaj, mos më lut, o Nuh, për shpëtimin e atyre që i kanë bërë keq vetvetes, si dhe ata të cilët të kanë kundërshtuar ty, sepse do të jesh prej mizorëve. Ndërtoje anijen me urdhrin Tonë dhe prit derisa të vijë dita e caktuar.
Kështu shohim se i dërguari i Allahut, nga thirrësi i popullit të tij në rrugën e Allahut, kthehet në zdrukthëtar për ndërtimin e anijes në rërë, larg detit. Posa dëgjuan lajmin, shkuan tek ai populli i tij dhe i thanë: “O Nuh, tash po u besojmë fjalëve tona se ti je i çmendur! Po ndërton anijen, këtu në rërë, kurse deti është disa mile larg. Ç´ka ndodhur me ty?” Nuhu u përgjigjet , pa pasur dëshirë të polemizojë gjatë me ta: “O popull, kjo është anija e shpëtimit dhe ju, pa farë dyshimi, do të fundoseni!”. Ata pyetën: “shpëtim, çfarë shpëtimi?! Anija zakonisht tërhiqet në det, si do të ndodhë që deti të vijë tek anija e jote, që të na fundosë?!”. Nuhu iu përgjigj: “Nuk ka dyshim se ju do të fundoseni. Pritni, unë do të jem prej atyre që do të presin. Nëse ju sot bëni shaka me mua, do të vijë dita kur unë do të bëj shaka me ju. Atë ditë kur nuk do të ketë shpëtimtar për ju përveç Allahut të Madhërishëm. Pritni, pritni!!”…..
Me kalimin e kohës ndërtimi i anijes kishte përfunduar. Ndërkohë që populli i Nuhut pyeste me përbuzje: “Ku është uji, o Nuh?!!” Pa kaluar shumë kohë, Nuhut i vjen urdhri nga Krijuesi i tij, që në anije të vendosë prej të gjitha krijesave nga një çift si dhe në të të hipin të gjithë ata që kishin besuar. Urdhri hyjnor i vjen Tokës, që të shpërthenin të gjitha burimet e ujit si dhe qiellit që ta lëshonte shiun me tërë forcën. Niveli i ujit filloi të ngrihej. U takua uji i tokës me ujin e qiellit. Urdhrit të Zotit iu nënshtrua natyra e shurdhër, ndërkohë që urdhrit të Tij iu rebelua populli pabesimtar dhe mosmirënjohës. Natyra filloi të hakmerrej ndaj popullit mosmirënjohës. I tërë populli filloi të kacafytej me valët e fuqishme të rrebeshit të ujit, ndërkohë që vdekja u vinte nga çdo anë. Ato ishin valë të fuqishme, të cilat nuk i mbante në mend as Toka dhe as deti. Ato ishin shumë të larta, më të larta se majat më të larta të atyre kodrave. Uji i rrufeshëm arriti edhe në majën më të larë të një kodre, në drejtim të së cilës ishte nisur i biri i Nuhut, që dëshironte të shpëtonte nga dënimi i Zotit. Ai nuk i ishte bindur këshillës së babait të vet, zemra e të cilit ndiente dhembje dhe mëshirë për të birine vet. Babai e thërriste të birin, kurse i biri nuk dëshironte ta dëgjonte; ai ishtei bindur se do të gjente shpëtim nga vërshimi i ujit në majën e malit më të lartë. Babai iu kthye për herë të fundit me tërë dhembshurinë prindërore: “O biri im, eja me ne.. Ja, kjo është anija e shpëtimit! Nuk ka shpëtim tjetër askund. Sot nuk ka shpëtim tjetër nga urdhri i Zotit, përveç atij që Ai e shpëton.” Mirëpo,vala e ujit ishte më e fuqishme dhe më e shpejtë se i biri i Nuhut. Edhe ai u bë viktimë e atyre që u fundosën për shkak të mosbesimit dhe kryeneçësisë së tij. Pejgamberi i parë i dërguar i Allahut dhe i dashuri i Tij, nuk pati mundësi të ndërmerrte asgjë par ta shpëtuar të birin e tij nga urdhri i Zotit. Andaj, Allahu i Madhërishëm, në Kuranin famëlartë, urdhëron e thotë: “….kini frikë ditën kur prindi nuk mund t’i bëjë dobi fëmijës së vet…..” (Kurani. 31:33) “. Ja, pra, Nuhu a.s. është në dilemë, zemra e tij e thyer, e pikëlluar, vuan nga dhembja , gjë që e bën atë që për një çast të harrojë atë që kishte urdhëruar Allahu: “…mos m’u drejto Mua për ata që bënë mizori….”, (Kurani, 11:37).
Këtu shohim se Nuhu a.s. harron urdhrin e Allahut drejtuar atij: “…..ngarko në të prej çdo krijese nga një çift edhe familjen tënde, përveç për kë është marrë vendimi i hershëm kundër tij” (Kurani, 11:40). Po, ishte i biri i tij prej atyre që nuk kishte besuar se do të ndodhte shkatërrimi për shkak të mosbesimit dhe gjynaheve të tij. Mirëpo, ndjenja prindërore kishte bërë atë që Nuhi a.s. të harronte dhe t’i drejtohej Krijuesit të tij duke iu lutur: “O Zot i im më premtove shpëtimin e familjes sime, ja biri im është prej familjes ime. Premtimi Yt është i vërtetë. Si mund të fundoset biri im?!!!” Përgjigja vjen nga lartë: “O Nuh: “Ai nuk ishte nga familja jote, ai ishte punëkeq, e ti mos më kërko Mua atë që nuk di, Unë të këshilloj që mos bëhesh nga injorantët!” (Kur’ani, 11:46). Unë të kam tërhequr vërejtjen më parë si mund të ndodh kjo prej teje?!!!
Shohim shumë shpejt se i dërguari i Allahut zgjohet nga ndjenja prindore, e cila kishte mbisunduar në të menduarit e tij , pranon gabimin e vet , sepse ai ishte lutur për atë që ishte kundër urdhrit të Zotit. Andaj kthehet i penduar duke kërkuar faljet prej Krijuesit: “… Zoti im, unë mbështetem në mbrojtjen Tënde që të (mos) kërkoj prej Teje atë për çka nuk kam njohuri, e në qoftë se nuk më fal mua dhe nuk më mëshiron Ti, do të jam i humbur!” (Kur’ani, 11:47). Të gjithë zullumqarët u përmbytën në dallgët e rrëmbyeshme të ujit. Erdhi koha që gjërat të ktheheshin në gjendje normale. Zoti urdhëroi tokën të përpinte ujin dhe qiellit të pushonte shiun. Uji u tërhoq në brendi të tokës. Shiu pushoi. Urdhri i Zotit u zbatua. Jeta do të kthehet në tokë përsëri, pasi që ishte pastruar nga mbeturinat e pabesimtarëve. Në anije ishin vetëm ata që i kishin besuar Allahut dhe i ishin nënshtruar vullnetit të Tij. Kjo ishte shtresa e zgjedhur që do të jetonte në tokë, e cila do ta bartte mbi supet e veta amanetin dhe do ta realizonte drejtësinë në tokë. Ja këta, pra, ishin mëkëmbësit e Zotit në tokë. Uji gradualisht filloi të pakësohej dhe anija po vendosej aty ku deshi Zoti. Zoti është mbisundues i kësaj bote, por shumica e njerëzve këtë nuk e kuptojnë.
Ky ishte tregimi i anijes së Nuhut. Ku është anija e Nuhut sot? Ajo tash është si një relikt, e varur në një kodër që quhet Xhudi në qytetin Mosul në veri të Irakut, që ruhet si një prej shenjave të Zotit të Gjithëfuqishëm. Njerëzit, një nga një, zbritën prej saj, si edhe krijesat tjera që ishin në të. Me ata edhe pejgamberi i parë që po udhëhiqte popullin në një jetë të re, të pastër nga mbeturinat e pabesimtarëve dhe të zullumqarëve. Zbarkoni të gjithë, qofshi të shpëtuar nga ana Jonë! Allahu i Gjithëfuqishëm i drejtohet të dërguarit të Vet: “O Nuh, konflikti nuk ka marrë fund në tokë. Ai do të vazhdojë pandërprerë midis së vërtetës dhe së pavërtetës, midis së mirës dhe së keqes. Është e vërtetë se ky grusht i njerëzve janë besimtarë, por prej pasardhësve të tyre do të ketë besimtarë e pabesimtarë dhe konflikti do të fillojë përsëri. Ky është ligji i Zotit, që nuk do të ndryshojë. Unë do t’i lë pabesimtarët deri në kohën që kam caktuar për ata. Pastaj do të vijë dita e gjykimit për të gjithë, në të cilën ditë çdo njeri do të jetë: ose i vuajtur ose i lumtur.

Çka mund të mësojmë nga ky tregim?

* Prindi nuk ka mundësi t’i ndihmojë fëmijës së tij në Ditën e Kiametit, qoftë ai edhe pejgamber.
* Prindi është përgjegjës për edukimin e fëmijës së tij me edukatë të shëndoshë derisa të jetë nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e tij. Në momentin kur ai të arrijë moshën madhore apo të bëhet i pavarur nga prindi i tij , babai më nuk mban përgjegjësi për besimin apo mosbesimin e tij. Trashëgimia nuk ka asgjë të përbashkët me besimin, përndryshe të gjithë ne do të ishim besimtarë, sepse të gjithë ne jemi bijë të Ademit a.s. Azeri ishte babai i Ibrahimit a.s., por ishte pabesimtar, ashtu siç ishte i biri i Nuhut pabesimtar. Tek i pari nga babai i pafe, lindi pejgamberi, kurse tek i dyti nga pejgamberi lindi i biri i pa fe. Allahu i Madhërishëm na shpjegoi se nga ai numër i besimtarëve që kishin hipur në anijen e Nuhut a.s., do të lindnin shumë popuj pabesimtarë.
* `Nga ky tregim mësojmë se nuk është me rëndësi gjatësia e kohës, të cilën thirrësi në fe e kalon në mesin e njerëzve, por me rëndësi është se sa janë të gatshme zemrat e njerëzve për t’iu përgjigjur thirrjes së të dërguarit, që u është drejtuar atyre. Kështu, e shohim se i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi a.s. me gjithë jetën e tij të shkurtër, nëse krahasohet me jetën e gjatë të Nuhut a.s., pati sukses në misionin e tij me ndihmën e Allahut të Madhërishëm të kumtojë misionin e tij, i cili arriti në të gjithë meridianët e botës.
* Mësojmë se e vërteta do të ngadhënjejë gjithmonë, pavarësisht nga forca e pabesimtarëve dhe e së pavërtetës.
* Të gjitha punët bëhen me fuqinë e Allahut të Madhërishëm. Ai urdhëron qiellin, e bie shiu. Urdhëron tokën, dhe buron uji në formë burimesh e krojesh të shumtë. Allahu i jep urdhër qiellit, e pushon shiu, toka e pi ujin, kurse anija nuk qe fundosur, edhe pse dallgët e ujit ishin të larta sa malet, e kështu me radhë.
* Allahu i Madhërishëm pranon pendimin e atij që pendohet dhe gëzohet me të. Kështu e shohim që Ai pranoi pendimin e Nuhut a.s. kur ai iu drejtua Krijuesit të tij dhe pranoi gabimin e vet.
* Nëse e do dikë, mos e tepro dhe, nëse urren dikë, mos e tepro. Sepse njeriu patjetër duhet të ndahet një ditë prej atij që e do. Teprimi në çdo send mund t´i kushtojë shumë shtrenjtë atij që bën një veprim të këtillë. Andaj, më e mira është mesatarja.
* Ditën e Kiametit do të ndahen edhe më të afërmit. Lidhur me këtë Allahu i Madhërishëm i tha Nuhut a.s.: “O Nuh, ai (djali) nuk është nga familja jote!” Andaj, Ditën e Kiametit anëtarë të familjes së njeriut besimtar janë vetëm ata që janë besimtarë sikurse ai. Do të ndahet Nuhu a.s. prej të birit të tij, ashtu siç do të ndahet prej gruas së tij, e cila vdiq pabesimtare. Do të ndahet Ibrahimi a.s. prej babait të tij, Azerit, i cili vdiq pabesimtar. Këta do të hyjnë në Xhenet, ku do t’i përjetojnë begatitë e tij të panumërta, e ata të tjerët do të hyjnë në Xhehenem, ku do të digjen në zjarrin e tij dhe do të jenë lëndë djegëse të tij.



Abu Abdurr-rrahman
Përktheu nga arabishtja: Fuad Morina
Marrë nga revista “Risalet el- Xhihad, nr.39,dhjetor 1995, Tripoli, Libi


Artikulli radhës
Grupi ekstrem Havarixh