II. Besimtari sikur njeriu i gjallë
Buhariu në Sahihun e tij transmeton nga sahabiu i nderuar Ebu Musa r. a. se Pejgamberi a. s. ka thënë: “Shembulli i atij (besimtarit) që përmend Zotin e tij, dhe i atij që nuk e përmend fare, është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”.
Është ky hadithi i dytë që sjell para nesh portretin e besimtarit në adhurim. Edhe ky hadith, sikur ai i mëparshmi, bën fjalë për një adhurim të caktuar, megjithëse, për dallim nga i kaluari, tenton që njësinë (dhikrin si adhurim i veçantë në këtë rast) ta sjellë në vend të tërësisë (adhurimit në përgjithësi). Pse Pejgamberi a. s. e solli me shembullin e të gjallit?
Ekzistojnë urtësi të shumta që mund të përfitohen nga ky krahasim që i bën besimtarit me të gjallin Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]. Për të përshkruar rolin dhe rëndësinë e besimit për zemrën. Besimi për zemrën është -siç do të shprehej Ibni Tejmije- uji për peshkun.
Për të portretizuar besimtarin e vërtetë:
-Ai ka zemër të pastër (është i gjallë, ka jetë), po dhe vepra e sjellje të mira, ngase E kujton Allahun e Madhëruar, i përmbahet udhëzimit fetar etj.. Ja si e krahason Allahu i Madhëruar besimtarin e udhëzuar:“Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si aiqë ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) u duket mirë mohuesve ajo që veprojnë”. (El En’am, 122)
-Besimtari është i vëmendshëm. Zemra e tij nuk është shpërfillëse. Allahu e ka bërë dhikrin një lloj mjeti, i cilikëndell zemrën nga dehja e shkujdesjes dhe mëkateve. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me drojë, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj prej atyre që nuk kanë kujdes”. (El A’raf, 205)
-Besimtari është i dobishëm. Kjo për shkak se i gjalli është ai prej të cilit mund të shpresohet ndonjë e mirë, përderisa i vdekuri nuk mund të të bëjë mirë asgjë.
-Besimtari është i shoqërueshëm. Natyra e të gjallit është tërheqëse. Njerëzit e gjallë bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë raporte të ndërsjella. Ata ndihen mirë pranë njëri-tjetrit. Ndërkaq, i vdekuri, megjithëse mund ta kesh të dashur, të afërt, shok, mik, po njerëzit kanë frikë nga kufomat. Njerëzit nuk shoqërohen me të vdekurit. Nuk jetojnë me varrezat. Kështu është shembulli i atij që harron Zotin e vet. Ai jeton i trishtuar.
-Për të përshkruar rolin dhe rëndësinë e besimit në arritjen e lumturisë shpirtërore. Nëse zemra nuk motivohet nga përmendja e Allahut të Madhëruar,atëherë lumturia e saj është dehje, shthurje, degjenerim, po lumturi e vërtetë jo. Ka thënë Muhamedi a.s.: “Nëse kaloni pranë kopshteve të Xhennetit, ndaluni dhe hani e pini (përjetoni kënaqësinë dhe lumturinë). E cilat janë kopshtet e Xhenetit?- e pyetën. Tha: Tubimet e dhikrit - përmendjes së Allahut”.(1)
Dhikri, një vështrim i përgjithësuar fetar Çfarë kuptojmë me dhikrin?
Dhikri, rëndom, kuptohet si një mori lutjesh të caktuara, që thuhen, qoftë si pjesë e ndonjë rituali, qoftë edhe si forma të lira të adhurimit. Mirëpo, fetarisht, jo domosdo kufizohet vetëm kaq. Ai është njësi që mund të vihet në vend të tërësisë. Ai përfshin edhe leximin e Kuranit, faljen e namazeve fakultative, leximin dhe mësimin e dijeve të dobishme, angazhimin në punë të mira, etj..
Ndikimi i dhikrit në personalitetin e besimtarit
- Në formimin e tij. Njeriu që nuk ka bazë personaliteti fenë, ka defekte të pariparueshme. Atyre u mungon elementi që vë në jetë shpirtin e tyre. Të tillët janë hipokritë. “Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por All-llahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata, edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t›u dukur te njerëzit dhe fare pak E përmendin Allahun”. (En-Nisaë, 142)
- Dhikri dhe qetësia shpirtërore. Dhikri është ushqim i shpirtit, është gjëja me të cilën zemra arrin prehjen dhe lumturinë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun, zemrat stabilizohen”. (Err-Rra’du, 28)
- Dhikri dhe çlirimi nga ngushtësia shpirtërore. Mungesa e furnizimit të zemrës me këtë element shkakton probleme të shumta. Allahu i Madhëruar përmend në Kur’an se largimi nga dhikri njeriun e hedh në humnerë shpirtërore. “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër”. (Taha, 124); “Atij që All-llahu ia ka zgjeruar kraharorin për besimin islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin Allahun, të tillët janë në humbje të qartë”. (Ez-Zumer, 22)
- Dhikri dhe harmonia familjare. Në një nga versionet e hadithit tonë bazë ka ardhur: “Shembulli i shtëpisë, në të cilën kujtohet Allahu, dhe shembulli i shtëpisë në të cilën nuk kujtohet Allahu, është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”.(2)
- Dhikri dhe kultivimi i tipareve të mira. Kujtimi i Allahut të Madhëruar bën që njeriu, për aq kohë sa është i lidhur me Të, të kultivojë tipare nga më të mirat. Është mirënjohës për dhuntitë, begatitë, mirësitë e dhuruara. Do të doja t’ju përmend një rrëfim interesant që dijetarët e kanë përmendur në librat e historisë. Njëri nga asketët, duke shkuar rrugës, kishte parë një tendë. Ishte afruar dhe kishte dëgjuar një zë që madhëronte Allahun e Madhëruar. Kërkoi leje për të hyrë. Pa se në tendë ishte një njeri i verbër dhe i palëvizshëm. U çudit. Si ka mundësi të jetë kaq adhurues, çfarë e ka motivuar?
- e pyeti. Njeriu filloi t’ia shpjegonte arsyen pse e adhuronte Allahun. Unë kam parë se si Allahu u ka dhënë shumë njerëzve shëndet të plotë, po u ka marrë arsyen. Kam parë se shumë njerëzve u ka dhënë shëndetin, mendjen, pasurinë, po nuk u ka dhënë besimin.
Kur kam parasysh këto se unë, për dallim nga të parët, kam mendjen dhe, nga të dytët - kam besimin, ndiej madje shumë obligim që ta adhuroj Allahun- kishte thënë i verbri.
Dobitë e dhikrit
- Dhikri si mundësi kompensimi dhe alternative. Dhikri kompenson veprat fakultative. Muslimi transmeton se disa ashabë i qenë ankuar Pejgamberit a. s.:
”Na e kaluan pasanikët në shpërblime, falen siç falemi ne e agjërojnë siç agjërojmë ne dhe japin sadaka nga pasuria e tepërt e tyre”. Pejgamberi a. s. tha: «A nuk ju
ka dhënë Allahu me çfarë të jepni sadaka! Çdo tesbih është sadaka, çdo tekbir është sadaka, çdo tahmid është sadaka, dhe çdo tehlil është sadaka, edhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja - është sadaka, edhe marrëdhënia juaj me gratë tuaja është sadaka”. Thanë: “O i Dërguari i Allahut, edhe në kryerjen e epsheve me bashkëshorten ka shpërblim?” Tha: “Po sikur t›i kryente këto marrëdhënie haram, a do të ndëshkohej?! Po kështu, nëse e kryen hallall, do ketë shpërblim”.
- Dhikri është dhe si alternativë. Tirmidhiu transmeton nga Abdullah ibn Busri: Një njeri kishte ardhur tek i Dërguari i Allahut dhe kishte thënë: Vërtet, adhurimet fetare (fakultative) më janë bërë shumë, më trego diçka që të përmbaj veten prej saj! Pejgamberi a. s. i tha: “Le të jetë gjuha jote përherë e lagur nga kujtimi i Allahut”!
- Dhikri dhe ruajtja nga djalli. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë”. (Ez-Zuhruf, 36)
- Dhikri dhe tërheqja e mëshirës së Allahut të Madhëruar. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka asnjë grup njerëzish të cilët tubohen në ndonjë shtëpi nga shtëpitë e Allahut, e lexojnë Kuranin dhe e mësojnë/studiojnë atë midis tyre, e të mos u zbresë atyre qetësia, t’i mbulojë mëshira, t’i rrethojnë/mbulojnë melekët dhe t’i përmendë Allahu tek ata që janë tek Ai”.(3)
1)Transmeton Tirmidhiu, ndërsa Albani thotë se është hasen.
2)Transmeton Muslimi.
3)Transmeton Muslimi.