Dita botërore e parandalimit te vetëvrasjes

Vetëvrasja është një nga mëkatet më të mëdha, e cila, sipas disa dijetarëve islamikë, zhvlerëson Islamin dhe besimin e individit.

Prej traditës së Pejgamberit ishte të mos ua falte namazin e xhenazes atyre që bënin vetëvrasje. Sipas fesë Islame, njeriu nuk ka të drejtë t’i jap fund jetës së tij para se kësaj t’i vjen fundi nga vetë Krijuesi i tij. Këtë parim e mbështesin shumë hadithe profetike.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, citohet të ketë thënë, siç transmetohet nga Imam Buhariu (3204): “Prej atyre që ishin para jush ishte një njeri që kishte pësuar plagë. Ai u ndje i dëshpëruar, pastaj mori një thikë dhe e preu dorën e vet. Gjakosja nuk iu ndal, derisa vdiq. Allahu i Lartësuar tha:“Robi im ia nguti vetes vdekjen. Atij ia kam ndaluar xhenetin.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, citohet të ketë thënë, siç transmetojnë Imam Buhariu (5333) dhe Imam Muslimi (158): “Kushdo qe hidhet qëllimisht nga mali dhe e vret veten, ai/ajo do të jetë përgjithmonë në zjarr të xhehenemit duke e hedhur veten përherë aty. Kushdo që pi helm dhe e mbyt veten me të, ai/ajo do të jetë me helm në dorë duke e pirë atë në xhehenem,ku do të banojë përgjithmonë. Kushdo që e vret veten me armë të hekurit, ai/ajo do ta mbajë atë në dorë duke e therur barkun e vet në xhehenem, ku do të banojë përgjithmonë.”
Prej këtyre haditheve nxjerrim disa mësime: Vetëvrasja jo vetëm që është mëkat i madh, por është edhe vepër që e hidhëron Allahun.
Disa dijetarë muslimanë e konsiderojnë vetëvrasjen si vepër që e zhvlerëson besimin islamik të individit. Allahu do ta dënojë atë që bënë vetëvrasje përgjithmonë në xhehenem. Shumica e dijetarëve islamikë, qoftë ata klasikë apo bashkëkohorë, kanë deklaruar se vetëvrasja - e padyshim këtu hyjnë edhe sulmet vetëvrasëse - është haram. Kushdo që i lejon misionet vetëvrasëse, nuk do të gjejë asnjë ajet kuranor apo hadith të Pejgamberit a.s., për t’i mbështetur mendimet e tij. Rruga e vetme përmes së cilës arrihet ndihma dhe mbështetja e Allahut, është t’i bindemi Atij, e jo të veprojmë të kundërtën.
10 Shtatori është përcaktuar si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve. Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit në mbarë botën se vetëvrasja mund të parandalohet.
Vetëvrasjet përbëjnë një fenomen në rritje kudo në botë si edhe në vendin tonë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ky fenomen është rritur me 60% në mbarë botën gjatë 45 viteve të fundit. Rreth 3000 njerëz kryejnë vetëvrasje brenda një dite në mbarë botën dhe për çdo vetëvrasje të kryer, rreth 20 të tjerë mund të tentojnë t’i japin fund jetës. Po sipas OBSH, çdo vit,rreth 1 milion njerëz vdesin nga vetëvrasja, dhe si të thuash është shkaku i dhjetë në botë që shkakton vdekje. Vetëvrasja është ndër 3 shkaqet kryesore të vdekjes për grupmoshën 15 – 44 vjeç në disa vende dhe shkaku i dytë i vdekjeve për grupmoshën 10 – 24 vjeç.
Krahasuar me vendet e tjera në botë, sipas OBSH, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me një përqindje të ulët vetëvrasjesh, më pak se 6,5 vetëvrasje për 100 000 banorë (OBSH 2009). Por, pavarësisht kësaj, numri i vetëvrasjeve në vend ka ardhur duke u rritur. Për 15 vite pas luftës se fundit ne Kosove janë regjistruar mbi 800 raste te vetëvrasjes.
Është e nevojshme një rritje e ndërgjegjësimit se vetëvrasja përbën një ndër shkaktarët kryesorë, por njëkohësisht edhe të parandalueshëm, të vdekjes së parakohshme. Vetëvrasja është fenomen kompleks që rezulton si pasojë e një ndërthurjeje të një sërë faktorësh, qofshin ata psikologjikë, social, biologjikë, kulturorë dhe mjedisor.
Në Evropë, çrregullimet mendore (veçanërisht depresioni dhe çrregullimi i përdorimit të alkoolit) përbëjnë një faktor riskues madhor për vetëvrasjen. Në disa dekadat e fundit prirja e vetëvrasjeve është në rritje. Në botë çdo katërdhjetë sekonda ndodhë një vetëvrasje.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmërojnë rritje të vetëvrasjeve në njëzet vitet e ardhshme. Të dhënat tregojnë se në botë, çdo vit, vetëvrasje bëjnë gati një milion individë, kryesisht meshkuj në vitet 50-ta dhe 60-ta të jetës. Shqetësuese është rritja shumë e madhe e vetëvrasjeve e të rinjve të moshës 15-20 vjeç. Shkencëtarisht është vërtetuar se të rinjtë (deri në moshën 35 vjeç) më së shpeshti bëjnë tentim vetëvrasje, ndërsa të vjetrit (50 vjeç e më të vjetër) më shpesh bëjnë vetëvrasje. Shumë më i madh është tentim vetëvrasje se sa vetëvrasjet (të kryera).



Autori është kryeimam në KBI Gjakovë


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi