Ali Muhiddin El-Kurredagij
Nëse reflektojmë në Kuranin fisnik apo në traditën ndriçuese të Pejgamberit a.s., do të vërejmë se feja Islame nuk i ka kushtuar vëmendje më të madhe ndonjë çështjeje tjetër sesa luftimit të çrregullimit në Tokë.
Çrregullimi në Tokë nga këndvështrimi Islam është një krim shumë i madh; feja Islame e krahason atë më luftën e njerëzve kundër Zotit xh.sh. dhe Pejgamberit a.s.. Allahu i Madhëruar thotë:
“Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është tjetër vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen), t'u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dunja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh. (El Maide, 33).
Ky ajet ka krahasuar dhe ka bërë lidhje në mes dy çështjeve shumë të rrezikshme, në mes luftës kundër Zotit e të Dërguarit të Tij dhe çrregullimit në Tokë.
Prandaj, çrregullimi në Tokë konsiderohet krim i madh, atij nuk i ngjet asnjë krim përveç krimit të politeizmit (shirkut ndaj Zotit). Ky krim është krim gjithëpërfshirës, përfshin çrregullimin e vetvetes, çrregullimin e zemrës, çrregullimin e mendjes dhe çrregullimin e shpirtrave, d.m.th. përfshin çrregullimin e brendshëm dhe të jashtëm. Për këtë arsye Allahu xh.sh. e ka lidhur atë në mes pastërtisë së zemrës dhe pastërtisë së individit në Botën tjetër:
“Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Esh-shuara, 88-89).
Zemër e pastër është ajo që qëndron larg çrregullimit, larg epsheve, larg qëllimit për dëmtimin e njerëzve dhe larg gjithë asaj që çon në çrregullime në Tokë. Rrezikun atij që dëshiron të bëjë çrregullime në mes njerëzve, Allahu xh.sh. e ka sqaruar, gjithashtu edhe i Dërguari i Tij, e ka sqaruar dhe e ka konsideruar si një nga ndëshkimet më të mëdha dhe krimet më të mëdha, duke e quajtur atë “prerëse”, Pejgamberi a.s. ka thënë: (Ju kanë kapluar sëmundjet e popujve të mëhershëm:xhelozia dhe urrejtja, ajo është prerësja, nuk them prerësja e flokëve, mirëpo ajo është prerësja e fesë), d.m.th. çrregullimi është prerës i fesë, prerës i besimit të drejtë dhe sjelljeve të mira, gjithashtu ai është prerës i çdo vlere dhe edukate të mirëfilltë islame. Detyra e personit musliman është përmirësimi e jo çrregullimi:
“O populli im, më thuani pra nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t'ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!” (Hud, 88).
Çrregullimi është krim
Çrregullimi përfshin çdo veprim që çon në përçarje, çdo veprim që ndikon në krijimin e problemeve në mes dy personave apo dy familjeve, ose në mes dy shteteve apo mes dy popujve, çfarëdo qofshin ato. Çrregullimi gjithashtu përfshin krimet e mitos (ryshfetit), krimet favorizuese dhe çdo gjë që përfshihet nën atë dukuri, që sot e quajmë korrupsion, për se shumica e shteteve islame sot zënë vendin e parë. Shtetet islame nuk zënë vendin e parë në klasifikimin ndërkombëtarpërveçse në çështje të korrupsionit, që përfshin ryshfetin, favorizimet, jotransparencën dhe shumë çështje të tjera, që sot njihen si korrupsion. Çrregullimi është krim shumë i gjerë që përfshin veprime të individit, veprime të shtetit, përfshirë ministritë, agjencitë dhe institucionet qeveritare dhe joqeveritare. Për fat të keq, korrupsioni sot ka përfshirë shumë shtete të Botës Islame dhe dhjetë vendet e para nga shtetet më të korruptuara, zënë shtetet nga Bota Islame. Ky është një problem për të cilin nuk duhet të heshtim. Kur lexojmë në Kuran, gjejmë se 50 ajete kuranore të qarta flasin rreth çrregullimit. Allahu xh.sh. thotë: “Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj (me të ardhur të pejgamberëve) dhe lutnie Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën. S’ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve”.
“Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj (me të ardhur të pejgamberëve) dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën). S'ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve.” (El Araf, 56)
Zoti i cilëson çifutët si çrregullues: “Jehuditë thanë: “Dora e All-llahut është e shtrënguar!” Qofshin të shtangur duart e tyre dhe qofshin të mallkuar, pse thanë atë. Jo, duart e Tij janë të shlira. Ai furnizon ashtu si të dojë. Kjo që t’u zbrit ty do t’u shtojë disave nga ata (nga paria fetare) shumë largimin dhe mohimin. Ne ndërmjet tyre hodhëm armiqësi dhe urrejtje që do t’u vazhdojë deri në Ditën e Kiametit...”. (El Maide, 64),
“E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!” Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë. (El Bekare, 11-12)
Përmes këtyre ajeteve, Allahu xh.sh. na e ka sqaruar se çifutët, si në të kaluarën ashtu dhe në të tashmen, janë çrregullues në Tokë, janë ata që bëjnë çrregullime dhe fusin përçarje në mes popujve,në mes qeverive dhe popujve e qeverive e kështu me radhë. Shtetet islame sot janë duke vuajtur nga çrregullimi i brendshëm dhe i jashtëm. Çrregullime për shkakun tonë dhe çrregullime që na imponojnë forcat e jashtme çrregulluese. Për këtë arsye Pejgamberi a.s., siç tregon Zejnebi - bashkëshortja e Pejgamberit a.s., një ditë Pejgamberi a.s. doli i trishtuar dhe me fytyrë të skuqur duke thënë: (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut,mjerë për arabët nga një e keqe që u është ofruar, sot është hapur nga vendndodhja e Gogut dhe Magogut sikur kjo – duke bërë një rreth me gishtin tregues dhe me atë afër tij – Zejnebi tha: “O i Dërguari i Allahut, a do të shkatërrohemi duke pasur në mesin tonë njerëz të mirë? Pejgamberi a.s. tha: Po, në qoftë se shumohet e liga”), d.m.th. nëse shtohet çrregullimi, siç ka ardhur në disa transmetime të tjera.
Çrregullime në mes popullit dhe shtetit
Kur e liga dhe çrregullimi përhapen në Tokë, ndodhin nga këto probleme dhe ato për çfarë ka paralajmëruar Pejgamberi a.s., dhe ato për çfarë na ka tërhequr vërejtjen Pejgamberi a.s. e kishte frikë prej tyre, shumë nga të cilat kanë ndodhur tashmë sot; shumë prej tyre jemi duke i parë në jetën tonë reale, madje nuk mund të gjesh një vend të sigurt ku nuk ka probleme; kanë mbetur shumë pak shtete pato, për se i lutemi Zotit që t’i ruajë dhe të rikthejë paqen dhe sigurinë në shtetet islame.
Nëse vështrojmë situatën në Egjipt, vëmë re se aty ka shumë përpjekje për të futur çrregullime në mes popullit dhe shtetit apo ushtrisë, me qëllim që aty të ndodhë një luftë civile. Këtë madje e ka pranuar edhe një personalitet i rëndësishëm i cili është prej çrregulluesve me të mëdhenj në atë vend, kur thotë se kemi marrë urdhra nga jashtë. Gjithashtu ajo që është duke ndodhur në Siri, historia nuk mban mend të tilla krime, siç është vrasja e fëmijëve, grave dhe pleqve. Aty ka shumë grupe të cilat, fatkeqësisht, edhe në emër të Islamit janë duke bërë çrregullime në Tokë. Ato veprime që i bëjnë ata, nuk kanë të bëjnë fare me mësimet e Fesë Islame. Ato janë veprime çrregulluese në Tokë. Nëse vështrojmë këshillat e Pejgamberit a.s., që kanë të bëjnë me luftën, vërejmë që ai kishte porositur që të mos mbyteshin fëmijë, gra e pleq, të mos digjeshin shtëpitë, të mos shkuleshin pemët etj.. Gjithashtu gjendja nuk është më e mirë as në Irak. Atje ka orvatje për të futur përçarje sektare, gjë që është një rrezik potencial për mbarë Botën Islame, duke i klasifikuar njerëzit dhe duke thënë se këta janë pasuesit e Hysejnit, ndërsa banorët e Enbarit apo pasuesit e Ehli-Synetit janë pasues të Jezidit!
Ymeti po vuan nga çrregullimet në tokë
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).”(Err Rrum, 41)
Allahu xh.sh. do t’i dënojë patjetër ata çrregullues, që t’u jap të shijojnë pjesë nga ajo që kanë punuar. Këto gjëra janë shkak që Allahu të zbatojë ligjin e Tij ndaj këtyre çrregulluesve.
E sa shumë nevojë që kemi sot për reformatorë, prandaj ku janë reformatorët? Ku janë ata udhëheqës të cilët i rregullojnë çështjet në mes njerëzve, duke pasur parasysh forcën dhe ndikimin që kanë. Përse heshtin ata e nuk ndërmarrin asgjë. Sikur të bashkoheshin disa shtete arabe dhe islame, pra jo vetëm një shtet, do të kishin pasur mundësi për të arritur pajtimin në mes njerëzve, sepse ata kanë mundësi dhe janë përgjegjës para Zotit të Madhërishëm.
Çrregullimi në Tokë është nga çështjet më të rrezikshme
Çështja e çrregullimit në Tokë është nga çështjet më të rrezikshme, prej të cilave është duke vuajtur meti musliman sot. Ajo ka përfshirë si individin ashtu dhe shoqërinë. Disa shtete sot janë duke shpenzuar miliarda dollarë a euro nga pasura shtetërore e tyre, me qëllim çrregullimin dhe përçarjen në mes njerëzve, me qëllim eliminimin e një orientimi a partie; këtë nuk e bëjnë për ndonjë urtësi, po thjesht duke pasuar epshin e tyre. Sepse, përndryshe, sikur të ishte ai investim me qëllim të mirë, atëherë ka mundësi që të orientohet në vendet më me prioritet dhe kundër armiqve të kësaj feje, të cilët ndoshta i kanë dhe në kufijtë e tyre, e jo të investohet me qëllim të futjes së vëllavrasjes në një popull.
Pasi të lexojë këtë shkrim, dikush mund të pyesë: Ç’është ajo që mund të bëjmë ne? Ajo që ne duhet të bëjmë është që: të rregullojmë brendësinë tonë, çdo njëri prej nesh të shikojë brendësinë e tij; të vëzhgojmë veprimet tona dhe - ku mund të ketë ndonjë çrregullim, nëse në zemër kemi urrejtje ndaj një tjetri pa arsye, nëse në shpirt kemi ndonjë nijet të keq ndaj të tjerëve, nëse në shpirt kemi mendjemadhësi, atëherë duhet të mundohemi t’i shërojmë këto sëmundje, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë që këto çështje janë “prerëse të fesë”, ndërsa Allahu xh.sh. ka thënë: ““Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Esh-Shuara, 88-89) -zemra e pastër është ajo që nuk ka në veten e saj sëmundje, është zemra e cila ka mëshirë, zemra e cila i dashuron njerëzit, zemra e cila ia do tjetrit atë qëe do për veten e saj, zemra e cila nuk bënë intriga ndaj tjetrit, zemra e cila nuk fut përçarje në mes një personi e një tjetri, dhe zemra e cila nuk bart fjalë dhe nuk merret me thashetheme. Për këtë qëllim, ne duhet t’i pastrojmë zemrat tona dhe t’i bëjmë të shëndosha zemrat tona, mendjet tona dhe shpirtrat tanë të mirë dhe të ndershëm, të lidhur me Zotin e Madhërishëm dhe të preokupuar me përmendjen e Tij. Në këtë mënyrë do të shërojmë zemrat tona dhe kështu Allahu xh.sh. na i pranon lutjet tona. Ymeti përbëhet nga individët, nëse individi është i pastër dhe i mirë, atëherë edhe Ymeti do të jetë i pastër dhe i mirë. Asnjëri nga ne nuk mund të lirojë veten e tij dhe të thotë se nuk jam përgjegjës.
Duhet ta dimë se të gjithë ne jemi përgjegjës para Allahut xh.sh.. Çdonjëri nga ne ka mundësi të flasë një fjalë të mirë dhe të orvatet t’i ndihmojë ata që kanë rënë pre e përçarjeve të njerëzve të ligj.
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: Mr. Vedat Shabani.
Burimi: www.iumsonline.org