Ithtarët e argumentimit logjik
Ky është njëri prej grupeve islame, i cili, edhe pse hasi në kundërshtim të hapët nga dijetarët e ehli-synetit për arsye se Mu’tezilet përdorën metodat filozofike në argumentimin e mësimeve islame, megjithatë luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e Islamit nga sulmet ideologjike të ateistëve dhe filozofive të vjetra greke dhe atyre persiane
Ky grup u formua në kohën e kalifatit Emevi, por rolin më të madh për një kohë të gjatë e pati në kohën e kalifatit Abasi.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me daljen në skenë të këtij grupi. Disa mendojnë se fillet e këtij grupi qenë vënë qysh në kohën pas vdekjes së Muhamedit a.s., kur një pjesë e ashabëve u larguan nga jeta politike dhe u morën vetëm me çështje fetare, më saktë kur Hasani r.a. ia dorëzoi pushtetin Muaviut r.a.. Dijetari Hasan Ettaifi ne librin “Ehlul Ehvai vel Bidei”- shkruan: “Ata e quajtën veten Mu’tezile atëherë kur Hasani r.a. hoqi dorë nga hilafeti dhe pranoi për udhëheqës Muaviun. Ata i braktisën që të dy dhe të gjithë njerëzit, duke qëndruar në shtëpitë dhe në xhamitë e tyre e thoshin: “Më mirë për ne është të merremi me dituri dhe adhurim”.(1)
Mirëpo shumica e historianëve pajtohen se kreu i Mu’tezileve ishte Vasil ibn Atau, i cili ishte nxënës i Hasan el Basriut. Porse në atë kohë qarkullonte shumë shpesh pyetja rreth personit që bën mëkat të madh, se ku do të ishte vendi i atij njeriu- muslimani në Botën Tjetër. E Vasili e kundërshtoi mësuesin e tij lidhur me këtë pyetje. Ai tha se ky njeri që ka bërë mëkat të madh, nuk konsiderohet tërësisht musliman, po as pabesimtar i plotë, veçse ai qëndron diku në mes dy vendeve, gjegjësisht në mes besimit dhe pabesimit. Hasan El-Basriu u distancua nga mendimi i tij dhe e largoi atë nga mexhlisi –klasa e tij. Vasili u largua dhe formoi një mexhlis - klasë të re. Mutezilet në librat e tyre përmendin faktin se edhe Imam Hasan Basriu ishte prej këtij grupi, do të thotë se zanafilla e këtij grupi ishte me e hershme sesa prej Vasilit - formuesit të parë. Këta përmendin mendimin e Hasan Basriut lidhur me autorin e mëkatit të madh, i cili thotë: Ai që bën mëkat të madh, është mynafik- hipokrit. Me këtë mendim ai nuk ishte shumë larg tyre, sepse edhe hipokriti është përgjithmonë në zjarr, dhe si i tillë nuk konsiderohet prej besimtarëve.
Nga kjo që u tha, përfundojmë se grupi është më i vjetër se Vasili, dhe këtë rrugë ndoqën shumica e ehlu-Bejtit (sa i përket dispozitës rreth kryerjes së mëkatit të madh), siç ishte Zejd ibn Ali r.a., i cili ishte shok i Vasilit, e ky i fundit ishte prej prijësve më të dalluar të Mu’teziles.
Përse u quajt Mu’tezile ky grupacion
-Nuk do mend se fjala Mu’tezile buron nga vetë shprehja apo formimi i këtij grupi, kur Vasili e braktisi - u largua nga klasa e Hasan Basriut.
- Disa orientalistë mendojnë se ata u quajtën Mu’tezile, sepse ishin njerëz të devotshëm, asketë ndaj të mirave të kësaj bote, kështu që edhe shprehja apo nocioni Mu’tezileh - të larguar, vjen si rezultat i përshkrimit të tyre, sepse ata hoqën dorë prej të mirave të kësaj bote. Mirëpo jo të gjithë pjesëtarët e këtij grupi ishin të tillë. Prej tyre kishte të devotshëm, por kishte edhe njerëz mëkatarë dhe jo të denjë.
Rahmetliu dr. Ahmet Emin në librin e tij Fexhrul Islam thotë: Ne kemi edhe një hipotezë tjetër lidhur me emërtimin e tyre, bazuar në dokumentet e Maksiziut, se prej grupeve jehudite që ishin përhapur në atë kohë e edhe më herët, ishte grupi-El- Ferushiim, që në gjuhën arabe do të thotë -Mu’tezile. Ky grup fliste për çështjen e kaderit dhe thoshte se veprat e njeriut nuk janë të gjitha të krijuara, dhe nuk përjashtohet mundësia që këtë emërtim- pra Mutezile, ta kenë përdorur ata
që përqafuan Islamin prej jahudinjve, në një kohë kur vërejtën ngjashmërinë shumë të ngushtë në mes këtyre dy grupeve.(2)
Prandaj grupi jehudi Mutezile- komentonin Tevratin sipas metodologjisë filozofike, e edhe Mu’tezilja që ishte prej muslimanëve vepronin të njëjtën gjë me Kuranin, Madje të shumtën e rasteve.
Mësimet e Grupit Mu’tezile
Duhet të dimë faktin që dikush të meritojë epitetin Mu’tezili apo të jetë pjesëtar i këtij grupi, duhet të besojë- të përqafojë pesë parimet e këtij drejtimi, që janë:
1. Njëshmëria e Allahut xh. sh, Drejtësia e Tij, Premtimi për shpërblim dhe ndëshkim, Pozita në mes dy vendeve dhe Urdhëresa për të mirë e Ndalimi nga e keqja.(3)
Ne vazhdim po i shpjegojmë shkurtimisht të gjitha një nga një:
1. Njëshmëria e Allahut xh sh.
- Njëshmëria apo Tevhidi është truri apo esenca e këtij drejtimi. Eshariu këtë gjë e paraqet kështu:
- Zoti është Një, i Pashoq, nuk i përngjan askujt, dëgjon, sheh, nuk është trup, e as hije, as trup i ngurtë, as nuk ka fizionomi, mish apo gjak. Nuk është person, materie apo pasqyrim i saj, nuk ka ngjyrë e as shije, nuk ka erë, nuk ka gjatësi, gjerësi, thellësi etj.. E në mesin e shumë gjërave të tilla përmend edhe faktin se Ai është i Gjithëdijshëm i Gjallë dhe i Plotfuqishëm.(4)
Duke u bazuar në përpjekjet e tyre që Allahun xh. sh. ta zhveshin nga çdo e metë, ky grup mendoi se është e pamundur që Ai- Allahu të shihet në Ditën e Gjykimit, gjë që bie ndesh me hadithin i cili e sqaron këtë çështje shumë mirë kur thekson se do ta shohim Allahun sikurse e shohim Hënën ne një natë të kthjellët. Gjithashtu ata mendojnë se Kurani është i krijuar, duke mos u lënë vend llojshmërive të hershmëve, duke vazhduar me mohimin e cilësisë së të folurit. Pra, ndodh që nga shkuarja në ekstrem te disa gjëra, edhe pse me qëllim shumë të pastër, të rezultojnë mësime të cilat nuk përkojnë me të vërtetat e Islamit, ashtu siç vepruan Mu’tezilet.
2. Drejtësia
- Ky bazament (I drejtimit Mu’tezil) shpjegohet kështu: Allahu xh.sh. nuk e do çrregullimin, dhe nuk i krijon veprat e njerëzve, por ata veprojnë në bazë të urdhëresave dhe ndalesave përmes fuqisë- mundësisë që Ai u ka dhënë atyre. Allahu nuk urdhëron përveç asaj që e dëshiron, dhe nuk ndalon përveç asaj që e urren. Ai është meritor për çdo vepër të mirë që urdhëron, dhe është i Pafajshëm për çdo vepër e keqe që ndalon, kështu që njerëzit nuk i urdhëron jashtë mundësive të tyre dhe nuk kërkon prej tyre atë që nuk mund ta kryejnë. Porse askush nuk mund të veprojë përveçse me fuqinë- dëshirën e Tij. Sikur të dëshironte, do t’i detyronte krijesat t’i nënshtroheshin Atij, dhe t’i ndalonte prej rebelimit. Mirëpo, Ai nuk e bën këtë, sepse kjo do të thoshte largim i sprovës. Mu’tezilja me këtë mendim u kundërvihet grupit Xheberivje, të cilët thonë se robi- njeriu nuk është i lirë në veprat e tij, dhe, nëse është kështu, atëherë dënimi për mëkate është padrejtësi. Prandaj nuk do të kishte kuptim që njeriu të urdhërohej për diçka që është i detyruar ta thyejë atë urdhër dhe të ndalohet nga diçka që është i detyruar ta bëjë.
3. Premtimi për shpërblim dhe ndëshkim
- Ata mendojnë se premtimi për shpërblim a ndëshkim do të ndodhë patjetër, dhe ai që bën mirë, do të shpërblehet, dhe ai që bën keq, do të ndëshkohet me dënim të rëndë. Nga kjo rezulton se nuk ka falje për mëkatarin e madh pa pendim, dhe nuk ka gjë që e pengon shpërblimin për veprën e mirë. Ky mendim i tyre është si kundërpërgjigje ndaj grupit El-Murxhietu, të cilët thonë: Mëkati nuk ndikon as dëmton imanin- besimin, ashtu siç nuk ndikon vepra e mirë tek pabesimi, kështu që, sikur të vlente kjo, premtimi i Allahut për ndëshkim do të ishte i kotë. Allahu na ruajt nga ky mendim i shtrembër!
4. Pozita në mes dy vendeve
- Mendimi se muslimani që kryen mëkat të madh - është në pozitën në mes dy vendeve- mes Imanit dhe pabesimit. Ky është mendimi që karakterizon më së shumti këtë drejtim ideologjik islam. Dijetari dhe historiani i njohur islam- Shehristani, lidhur më këtë gjë, thotë: “Vasil ibn Atau pandeh se Iman d.m.th që besimtari, nëse vepron dhe punon mirë - quhet besimtar, e ky është emër i lavdëruar. Ndërkaq, mëkatari-fasik nuk është meritor për epitetin punë mirë dhe nuk e meriton këtë emër lavdërues, prandaj edhe nuk quhet besimtar. Mirëpo ai nuk konsiderohet as pabesimtarë, sepse dëshmia- shehadeti dhe vepron punët e tjera të mira, gjë që nuk mund t’ia mohojmë. Nëse del nga kjo botë me ndonjë mëkat të madh pa u penduar, ai është prej banorëve të Xhehenemit përgjithmonë. Kjo, sepse në Ahiret janë vetëm dy grupe të banorëve - të Xhenetit dhe Xhehenemit, porse atij i lehtësohet dënimi”.(5)
Porse mëkatari i madh, sipas tyre, në këtë botë quhet musliman, për t’u dalluar prej pjesëtarëve të feve të tjera, e jo pse meriton këtë epitet, dhe se duhet të trajtohet si musliman, sepse prej tij kërkohet pendimi.
5. Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja
- Ky është bazamenti i pestë i mësimeve të Mu’teziles. Ata e obliguan këtë konditë për të gjithë muslimanët, për përhapjen e thirrjes islame dhe udhëzimin e njerëzve. Këtë gjë e vepruan edhe si mbrojtje ndaj Islamit nga ata që mundohen të përziejnë të vërtetën me të pavërtetën, në mënyrë që t’i devijojnë muslimanët nga feja e tyre. Kështu që ata ishin si perde e hekurt ndaj sulmeve dhe intrigave të mohuesve në fillim të formimit të tyre si drejtim.
Kjo gjë është edhe njëra nga bazat e Ehli-Synetit gjithashtu, tek të cilët urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është urdhëruar me Kuran dhe me Synet.
- Metodologjia e tyre në argumentimin e bazave të fesë.
- Ata bazoheshin në argument dhe logjikë për të argumentuar bazat e fesë. Përjashtim nga kjo bën ajo që nuk mund të kuptohet me anë të logjikës. Ata i besonin mendjes dhe e respektonin më shumë se çdo gjë, përjashtim bënin vetëm urdhrat apo mësimet e fesë, të cilat zinin vendin e parë në respekt. Ata çdo çështje ia parashtronin mendjes, ato që pranonte mendja, i pranonin, të tjerat i refuzonin. Pikërisht prandaj u shquan për metodologji logjike të të argumentuarit.
- Ndër shkaqe të tjera që ndikuan në ndjekjen e metodës së argumentimit, ishte edhe qëndrimi i tyre në Irak dhe Iran, ku ishin prezente kulturat dhe civilizimet e hershme.
- Shumica e pjesëtarëve të tyre ishin joarabë. Prej gjurmëve të tyre kemi edhe mbështetjen e plotë në logjikë. Ata i trajtonin veprat e mira dhe të këqija vetëm sipas logjikës, saqë është e njohur thënia e tyre: Njohuritë, të gjitha janë të pranueshme dhe duhet të maten vetëm përmes mendjes dhe logjikës. Nuk mund të mohohet as ndikimi i filozofisë greke dhe persiane në metodën e argumentimit të tyre për shumë çështje fetare.(6)
Përfundim:
Grupi Mu’tezile lindi si rezultat i përpjekjeve për zgjidhjen e shumë çështjeve fetare, nga se edhe u karakterizua ky drejtim. Ky grup fetar, si bazë të mbështetjes kishte mendjen- argumentet logjike, të ndikuar nga logjika e Aristotelit e Platonit dhe nga filozofia greke në përgjithësi dhe ajo persiane.
Edhe pse dallohej për këto cilësi, nuk duhet mohuar fakti se ky grup kontribuoi shumë në mbrojtjen e mësimeve islame dhe argumentimin e tyre kundër grupeve të devijuara, siç ishin- atesitët, Rafiditë, Murxhiet, Havarixhet, dhe gjithashtu kundër mësimeve të filozofëve të huaj, disa prej të cilëve, me a pa qëllim, kishin synim rrënimin e mësimeve islame. Ndaj, duke marrë parasysh kontributin e bujshëm të grupit të Mu’teziles në këtë fushë, megjithatë u zihet shumë për të madhe përdorimi i forcës për t’i detyruar kundërshtarët e tyre (prej muslimanëve) që të pranojnë mendimet a mësimet e tyre.
Vlen të përmendim sprovën e Imam Ahmedit e të shumë dijetarëve të Ehli-Synetit, të cilët u dënuan me burg dhe u rrahën vetëm sepse nuk thanë që Kurani është i krijuar, por ai është Fjalë e Zotit. Prandaj disa prej Muhadithinëve e akuzuan këtë grup si të devijuar: p.sh. Ebu Jusufi, nxënësi i Ebu Hanifes, i cili i konsideronte
si të dalë feje; Imam Maliku dhe Shafiu dhanë fetva se dëshmitë e pjesëtarëve të Mu’teziles nuk pranohen; Imam Shejbaniu gjithashtu tha se ai që falet pas një
Mu’tezili, duhet ta përsërisë namazin e tij etj,. Por, nëse analizojmë katërçipërisht veprimin e këtij grupi, me gjithë të metat që mund t’i kenë veprimet e tyre përgjatë kohës sa vepruan, mund të përfundojmë se prej të gjitha grupeve islame- përveç Ehli- Synetit- mu’tezilja meriton një lëvdatë, sepse u munduan që, me mësimet e tyre -të qëlluara apo të paqëlluara- të kontribuonin për Islamin dhe ta ngrinin lart Fjalën e Allahut xh. sh..
_________________________
1) Tarih el medhahib el silamije fi es-sijase vel akaidi Imam Muhamed Ebu Zehrete, f. 124 – Darul Fikril Arabi- Kajro, Egypt. 1997.
2) Fexhrul Islam. Dr. Ahmed Emin- Daru- shuruk - Kajro 1999. Marrë nga Terih fil Medhahibul Islamijjeti- po aty- f. 125.
3) Nasirul Akl – El Xhehemije vel- Mu’tezile- f. 127. Darul Vatan Li Neshri,2000, Rijad.
4) Mekalatul Islamijjine- El- Eshariju- darul- Hadith- Kajro 2009. Kapitulli- El Mu’teziletu- Tahkik- prof. Ahmed Xhad. Pjesa: 15 dhe 21. e librit bazë. (komplet pjesët flasin për Mutezilen.)
5) Milel ve Nihal- pjesa 1- f 4 ElImam Shehristani - Darul Kutub Elilmije Kajro- 1992, 1999 dhe versioni i plotësuar më 2000.
6) Terihul Medhahibul Islamijje- po aty f. 124-138
Mr. Adnan Berbatovci
DituriaIslame 287