Njerëzit shpesh mendojnë për përfitimet ekonomike në këtë periudhë të shpejtësisë së informacionit dhe ndryshimit modern si dhe digjitalizimit të tejskajshëm të planetit tokë.
Por, pak mendojnë se koha po kalon shpejtë, dhe ajo po kthehet në mikun më të madh të njeriut ose armikun më të madh, varet se ku ti e vendosë atë në listë, të parën apo të fundit.
Trajtesa në këtë temë do jetë surja “Asr”, apo ndryshe “Koha”, sepse Allahu betohet në gjënë e cila është shumë e çmueshme për njeriun. Në qytetin “Huy” të Belgjikës besimtarët musliman shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Kosova lindore, më ftuan në odën e vëllait musliman Ibrahim, ata kërkuan nga unë një ligjëratë-ders, dhe dersi i zgjedhur nga unë ishte pikërisht komentimi i sures “Asr”. Duke iu dhënë atyre dhe gjithë umetit islam, por së pari vetvetes, një shkëndi që një ditë ajo të ndriçojë me etikën profesionale të një pedagogu me një fjalim pedagogjik, por nga plani teorik të na sjell në planin praktik.
Le ta citojmë suren në fjalë: “Pasha kohën!. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Asr,1-3)
Tre ajete si tre akademi shkencore, gjithsecila fushë në vete, por që gërshetohen me njëra-tjetrën.
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë), ky dijetar brilant, thoshte: “Sikur kjo sure t’i zbriste umetit islam do t’ju mjaftonte”.
Teologu dhe filozofi krishterë Shën Augustini thoshte: “Koha dhe hapësira janë dy realitete në vetvete që përbëjnë kuadrin apriori të çdo paraqitjeje”.
Kjo sure rreshtohet tek suret “Mekase”. Ne e dimë se suret Mekase thërrasin për ndryshim dhe e ushqejnë njeriun me besim, por janë dhe thirrje për analizim duke logjikuar dhe dalluar të vërtetën nga e pavërteta.
Betimi i Allahut në kohën është e drejtë vetëm nga Ai, por me këtë betim na tregohet neve si krijesa që sa rëndësi ka koha dhe ruajtja e saj duke e zënë me vepra të vyera dhe punë që lënë gjurmë të mira në gjenerata.
Të dhënat e historisë theksojnë se ishte shkencëtari Galile Galileo i cili zbuloi se më kryesorja në krijimin-formësimin e kohës si një sasi themelore dhe të matshme në veprimtarinë njerëzore ishte ligji i kozmosit.(1)
Shkenca e përgjithshme e pikatë kohën në një definicion interesant:
Koha është përmasa në të cilën kuptohet dhe matet rrjedha e ngjarjeve në gjithësi. Koha është kapja e rendit në shfaqjen e ngjarjeve nga ndërgjegjja njerëzore. Të gjitha ngjarjet mund të përshkruhen në një kohë që mund të jetë e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Thelbi i domethënies së kohës është një ndër çështjet më të vjetra filozofike dhe shkencore të njeriut. Fjalori Anglisht i Oksfordit e përkufizon kohën si "procesi i vazhdueshëm dhe i pakufishëm i ekzistencës dhe ngjarjeve në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, e quajtur si e tërë". Një tjetër përkufizim standard fjalori është "sekuencë e vazhdueshme lineare (e drejtë) jo hapësinore nga ku ngjarjet dukshëm ndodhin sipas një rregulli të pakthyeshëm"
Omeri r.a shoku i ngushtë i Muhamedit a.s., i dërguar si mëshirë për mbar njerëzimin, thoshte: “Koha është si shpata, nëse ti nuk pret me të, ajo të pret ty".
Ndërsa Napoleon Bonaparta thoshte se: “Çdo orë e kohës së humbur është një mundësi dëmi për të ardhmen.”
Nga Hasan El-Basriu tregohet se ka thënë: “O bir i Ademit, ti je dita dhe sa herë që kalon një ditë, ka kaluar një pjesë e jetës sate.”
Transmeton Ibni Mes`udi nga Muhamedi a.s. se ka thënë: “Në Ditën e Kiametit asnjë këmbë e birit të Ademit nuk do të lëvizë para Zotit të Lartëmadhëruar pa dhënë përgjegjësi (pa u pyetur) për pesë çështje: E në mesin e këtyre pesë çështjeve hyn dhe ajo “Kohën dhe jetën e tij si dhe ku e ka kaluar”.
Njerëzit gjindet përballë sfidave të ndryshme dhe ajo është ruajtja e tempos, kohore, dhe mos humbja e sajë në gjëra pavlerë. Shembull fjala vjen unë në udhëtimet e mia që kam bërë deri tani me autobus kam lexuar afro 100 libra pra vetëm gjatë udhëtimit. Kaq libra po të lexohen, kryhet dhe një fakultet pra ne kemi kryer një fakultet gjatë udhëtimit tonë me autobus. Po gjatë pritjes së autobusit në stacion sa kemi lexuar, po gjatë qëndrimit në pushime verore sa kemi lexuar po t’i shtohen edhe këto do bëjmë edhe një gradë shkencore më shumë se fakulteti.
Koha, durimi, suksesi, ambicia, zelli, punët e mira janë motoja e kësaj sureje kaq të shkurtë, por me plot vlera të çmueshme.
Shkëndijat që marrim nga kjo sure janë shumë, por mund të veçojmë disa :
1. Vlera e kohës në shoqërinë njerëzore
2. Vlera e kohës në (arsimim, edukim, shkrim, ekonomi, dituri, meditim, adhurim)
3. Besimtari duhet të jetë vigjilent dhe konciz në praktikimin e këtyre ajeteve
4. Vepra e mirë si p.sh (fjala, mendimi, puna, veprimi, praktikimi i së mirës)
5. Vepra e mire ndaj vetvetes dhe të tjerëve.
6. Porosit dhe këshillat duhet të jenë të matura
7. Këshilla së pari bie mbi vetveten pastaj reflekton tek të tjerët
8. Durimi është çelësi i suksesit
9. Koha, shpresa, besimi, durimi janë cilësi e krijesave fisnike të Allahut
10. Komplet surja “Asr” thërret në ndryshim dhe drejton kah:
• Ruajtja e kohës
• Ruajtja e zemrës
• Ruajtja e shikimit
• Ruajtja e durimit
• Ruajtja në këshillim
• Ruajtja në porosi
• Ruajtja e veprave të mira
1. Paul Davies,”About time: Einstein’s Unfinished revolution”-Simon&Schuster Paperbacks, Rokfeller Center,1230 Avenue of Americas, New York, Ny 10020.Page-30.