Të qëndrojmë në rrugën e drejtë

Në Kur’anin Famëlartë ekziston një kaptinë që besimtari e lexon çdo ditë, ne çdo namaz të tij, dhe në çdo rekatë. Kaptina në fjalë quhet El-Fatiha, apo siç njihet ndryshe Ummul Kur’an.

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Çdo lavdërim i përket vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
Udhëzona në rrugën e drejt!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi, e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, e as në të atyre që janë të humbur!” (Amin)
Këto fjalë apo porosi të arta të kësaj kaptine të madhërishme i përsërisim në çdo namaz, por edhe në raste të tjera të shumta. Fatihanë e mësojmë në vitet e hershme të fëmijërisë. Por, vallë, e kemi pyetur veten ndonjëherë se si e mësojmë atë? Padyshim se këtë e dëgjojmë nga gjyshërit, prindërit, mësimdhënësit, por e mësojmë me gabime. Mundohemi të përmirësojmë gabimet e njëjta kur e lexojmë në Kur’an apo kur e dëgjojmë nga më të dijshmit. Nuk duhet të qëndrojmë duarkryq, por të mundohemi ta mësojmë dhe ta lexojmë ashtu siç duhet..
Madhështia, bukuria, pajtueshmëria dhe përsosmëria e ajeteve të Fatihasë shihet derisa e lexojmë drejtë apo derisa e dëgjojmë nga ata që e dinë mirë. Është e pabesueshme, por e vërtet se shumica – edhe pas qindra leximeve apo dëgjimeve nuk mund ta lexojnë pa gabime!
Lëshimet e paqëllimta i Gjithëmëshirshmi do të na i fal – shpresojnë lexuesit e devotshëm. Engjëjt përmirësojnë lëshimet e tyre. Megjithatë edhe ata të devotshmit duhet ta obligojnë veten që ta mësojnë drejtë Fatihanë dhe kaptina e tjera që i lexon në namazet ditore.
Vlera e Fatihas është e padiskutueshme. Kuptimi i saj kap shtresa të ndryshme. Mesazhet që na i sjell janë shumëkuptimshme. Me këtë kaptinë fillon Kur’ani. Është njëra nga kaptinat që lexohet më së shumti. Njëra nga emrat e Fatihas është Umul – Kur’an.
Besimtarët e lexojnë Fatihan me shpresë se do ju pranohen fjalët e lutjes që ia bëjnë Zotit ë tyre. Ajeti i mesëm, zemra e Fatihas, është lutje: ihdines-siratel-mustekim! Udhëzona në rrugën e drejt! Ky ajet ka një fuqi dhe reflektim të veçantë. Kur me sinqeritet e lusim Allahun që të na udhëzoj me fjalët: ihdines-siratel-mustekim!, ndjejmë qetësi, siguri, dhe shumë lehtë i përballojmë sprovat dhe fatkeqësitë. Leximi i Fatihasë me përkushtim na jep qetësinë dhe ngushëllimin e duhur. Por, nëse atë e lexojmë sipërfaqësisht, nëse atë e lexojmë sa të falim namazin, atëherë forca e saj dobësohet. Dhe për fat të keq shpesh na ndodhë që Fatihanë ta lexojmë me shpejtësi, pastaj menjëherë suren pas saj, rukunë, sexhdenë… duke vazhduar kështu me automatizëm. Këtu nuk e ndjejmë madhështinë dhe efikasitetin e fjalëve që i shqiptojmë.
A nuk duhet që pas një leximi të tillë të Fatihasë në namaz të bëjmë tevben dhe të kërkojmë nga Allahu i Madhërishëm që të na fal për pakujdesinë dhe jomaturinë tonë?! Këtë na e këshillon njëri nga dijetarët më të mëdhenj të kohës bashkëkohore.
Namazi gjallëron edhe shpirtin por edhe trupin. Leximi i qetë i sureve Kur’anore dhe dhikri mes dy kijameve kthen energjinë dhe forcon durimin. Me anë të lëvizjeve bëhen aktive të gjitha pjesët e trupit. Ndërsa kur namazeve ditore u shtohet edhe ai i natës, dhe ai vullnetarë, atëherë njeriu gjallërohet plotësisht. Pajtohemi plotësisht se nuk është lehtë që në mes të natës të ndërpresim një ëndërr të bukur dhe Zotit tonë t’i biem në sexhde, por besimtari i sinqertë e di vlerën e këtij namazi dhe mposht egon e tij, pikëllon shejtanin dhe gjen rrugën drejt Krijuesit të tij, kaplohet nga mëshira e Tij, ndjenë lehtësimin dhe gjen qetësinë. Kulmin e një jetësimi të tillë e sheh në fund të namazit kur me duart e shtrira dhe të drejtuara drejt qiellit lexon Fatihanë. Në ato momente ai ndjenë tërësinë dhe kuptimin e fjalëve të saj, shpirti i tij mbushte me ngushëllim dhe shpresë.
Mëshirën e Zotit e ndjenë besimdrejti i devotshëm në nënshtrimin e tij pranë fjalëve të Fatihasë. Vërtetimin e kësaj e sheh në këshillat dhe premtimet e të Gjithëmëshirshmit në Kur’an. Njëri nga këto premtime është se i madhërishmi atyre që qëndrojnë në rrugën e drejtë do tu jep jetë të lumtur. Njëra nga këshillat e Tij është se në jetën e tyre besimdrejtët ndihmohen me sabrin dhe namazin.
Fatihaja na ruan nga mëkatet, na ndihmon të mbrohemi nga rreziqet dhe provokimet, na inkurajon të bëjmë vepra të mira. Dhe në momentin kur humbasim në begati dhe bëhemi përbuzës sa që harrojmë falënderimin, lirisht mund të kthehemi kah Zoti ynë, nëpërmjet tevbes, Fatihasë dhe në emrin e Tij të bëjmë vepra të mira. Kur na kaplon ndonjë fatkeqësi shumë më lehtë do ta kemi të durojmë nëse lexojmë Fatihanë – një herë apo më shumë. Në momente të dobësisë dhe humbjes së orientimit shumë dobi do të kishte nëse do të përsërisnim lutjen: ihdines-siratel-mustekim!
Istikameti është i vështirë. Sepse ai kërkon kapërcimin e veseve, shmangien nga forma pa thelb dhe qëndrimin para Zotit me sinqeritet të plotë. Për këtë Pejgamberi alejhi selam thotë: ″Edhe pse nuk do të mundeni tërësisht, përpiquni të jeni në rrugën e drejtë.″ më pas ai thekson duke thënë: ″ Vepra më e mirë e juaja është falja e namazit. Kurse abdesin në mënyrë të vazhdueshme e aplikojnë muminët.″ (Muvatta, Taharet, 4; Ibn Maxhe Taharet, 4; Ibn Hanbel 5, 280).
Istikamet është të jetuarit në përputhje me sunetin e profetit në kufijtë maksimal të sinqeritetit duke mos kaluar në asnjë lloj teprie por duke mos lënë gjithashtu edhe gjë mangët. Në këtë lloj istikameti ka veprim dhe aksion. Ruajtësit e istikametit në aktivitetin e tyre përfshihen me të gjitha energjitë duke ndjekur rrugën e mesme…
Istikameti është shkalla e përsosmërisë së çdo gjëje. Çdo e mirë mundet të shfaqet në fushën e realitetit nëpërmjet istikametit. Fjala, vepra, gjendja dhe puna e atij që nuk është në istikamet janë përpjekje të kota. Allahu xheleshanuhu në lidhje me këtë në një ajet thotë: ″Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…!″ (en-Nahl, 16/92)
Ato që istikametin e përvetësojnë deri në atë shkallë sa ai të bëhet pjesë e jetës së tyre, janë të përmendur në Kur’an në mënyrë të drejtë për drejtë: ″Me të vërtetë, atyre që thonë: ″Zoti ynë është Allahu″, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: ″Mos u frikësoni e mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni xhennetit që ju është premtuar.″ (Fussilet, 41/13)
″Pa dyshim, ata që thonë: ″Zoti ynë është Allahu!″ dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja).″ (el-Ahkaf, 46/13 )
″Ata do të jenë banorë të Xhennetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.″ (el-Ahkaf, 46/14)
Ebu Bekri istikametin e përkufizon si largësia ndaj ortakërisë së Zotit, Umeri si të vepruarit në përputhje me urdhrat dhe ndalesat e Allahut xheleshanuhu, Uthmani si të vepruarit larg hipokrizisë, Aliu si të qenit i drejt dhe i rregullt, i pagabueshëm në vepër, në fjalë dhe në thelb. Të arrish në këto shkallë besimi nuk është e lehtë.
Njeriu në rrugën e jetës kur praktikon rregullat që i mësohen has disa presione të brendshme dhe të jashtme. Një ndër presionet kryesore të brendshme është egoja e tij. Egoja e shtyn atë të mendojë vazhdimisht të nxjerrë unin në sipërfaqe, ta bëjë atë pikë referimi. Disa nga trysnitë e egos janë epshi, pozita dhe fama. Këto dobësi dalin furishëm atëherë kur njeriu sprovohet me pasuri, me pozitë, etj.
Njeriu pandeh fuqinë e tij si dhe atë të njerëzve që e rrethojnë dhe pastaj bie në gabime dhe rrëshqet në mënyrë të papritur. Ky është edhe një ndër problemet themelore të njeriut të sotëm. Mashtrohet nga begatitë dhe pozita që ka duke harruar se ato janë të përkohshme. Harron shumë shpejt se ne jemi udhëtar…drejt një bote të pafundme.
Për të arritur perceptimin dhe praktikimin e plotë të islamit duhet ndihma dhe mirësia e Allahut. Mirëpo ndihma dhe frymëzimi është në raport të drejtë me qëllimin dhe përpjekjet e njeriut. Ashtu sikurse njeriu që është duke u përpjekur t’i bie shënjit pavarësisht se nuk i bie atij, ai i afrohet në mënyrë të vazhdueshme. Ashtu edhe rrugës së drejtë duhet t’i afrohemi në mënyrë të vazhdueshme me përpjekjet tona pa u dorëzuar asnjëherë. Nëse nuk veprohet kështu atëherë mund të shfaqet rreziku i deformimit të nijetit dhe veprës.
Istikamet është qëndrimi me sinqeritet para Allahut dhe në të vërtetën e mbajtjes së besës ndaj Tij. Ai është shpirti ku gjallërohen të gjitha gjendjet. Me fjalë të tjera çka shpirti është për trupin, ajo është edhe istikameti për veprat. Ashtu sikurse trupi pa shpirt nuk jeton ashtu edhe vepra pa istikamet është e vdekur. Pa istikamet nuk shumëfishohen veprat, pa të edhe gjendjet nuk janë të shëndosha.
Të braktisësh përgojimin është istikameti i fjalës, largimi nga bidati është istikameti i veprimit, lërja e mefshtësisë është istikameti i veprimit.
Sa bukur e shpjegon Ebu Bekir Shibliji istikametin, koncept ky i cili së bashku me konceptin e Ahiretit ishin shkrirë tërësisht në jetën e tij. Ai thotë: ″Istikamet do të thotë të dëshmosh ndodhinë e Kiametit dhe përballjen tënde me Allahun kur ti akoma je në jetë, i gjallë.″
Në Kur’an thuhet se mbi poseduesit e istikametit do të derdhen ujërat e mëshirës. ″Sikur të qëndronin në rrugën e vërtetë (istikamet), ne do t’u jepnim ujë të bollshëm″.
Një ditë Profeti alejhi selam tek po rrinte me shokët e tij, vizatoi një vijë të drejtë dhe pastaj në krah të saj vizatoi disa vija të tjera. Duke treguar vijën kryesore ai lexoi ajetin ″Kjo është rruga ime e drejtë″ (el En’am, 153). (Ibn Maxhe, Mukaddime, 2).
Nga ajeti dhe hadithi i mësipërm Muhiddin Arabiu gjykon se istikameti është vija e jetës së Muhamedit alejhi selam, ai flet për istikametin Muhamedian. Gjithashtu duke u nisur nga ajeti: ″Zoti im është në rrugën e drejtë″ ai zbulon edhe istikametin hyjnor. Sepse ajeti që flet për istikametin hyjnor është vazhdim i ajetit “S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e tij″ (Hud, 11/56). Prandaj në këtë univers ka një istikamet profetik dhe njerëzor që është një vijë juridike sipas modelit profetik dhe një istikamet qenësor të ndërtuar me ligjet hyjnore. Njeri i plotësuar është ai që i arrin të dy këto istikamete.



Autori është kryeimam në KBI Gjakovë


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin