Dhuratat komerciale dhe lojërat shpërblyese reklamuese nga këndvështrimi i jurisprudencës islame (1)

Marketingu - promotori i tregtisë në kohën bashkëkohore

Edhe pse shitblerja është nga zanatet më të vjetra me se është marrë njeriu, tregtarët asnjëherë nuk kanë pushuar së hulumtuari rreth mjeteve e metodave më efikase, me të cilat do të rrisnin shitjen e mallrave dhe do t’i joshnin njerëzit për t’i blerë produktet e tyre.
Deri vonë, këto metoda stimuluese ishin të kufizuara dhe nuk kishin aq ndikim në joshjen e numrit të madh të konsumatorëve e myshterinjve, mirëpo tani, me përparimin kulturor, teknologjik e ekonomik, në mënyrën e jetesës së njerëzve ndryshuan shumë gjëra dhe në raport me këtë filluan të ndryshonin edhe metodat e tregtarëve në promovimin e mallrave që shesin. Në kohën tonë bashkëkohore, mënyra se si bëhet reklamimi i mallit dhe marketingu i tij jo vetëm që është bërë mjeshtëri e art, por kjo fushë konsiderohet si mjaft tërheqëse për të investuar dhe që mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike. Prandaj edhe si rezultat i mundësive të shumta për marketing, ekzistojnë kompani e agjenci të shumta, që nuk tregtojnë ndonjë produkt, veçse janë të specializuara për të ofruar shërbime që kanë të bëjnë me reklamimin dhe promovimin e produkteve të të tjerëve.
Format e marketingut të mallrave janë të shumta; nga më të njohurat mund të përmendim këto: reklamimi i produkteve nëpër mjetet e informacionit masiv/në medie, aksionet me ulje çmimesh, shitja me likuidim malli, oferta të kufizuara të produkteve të caktuara, garanci dhe servis për mallrat e blera, dhuratat, lojërat shpërblyese etj..
Në këtë shkrim do t’u bëjmë një shqyrtim nga këndvështrimi islam dhuratave dhe lojërave shpërblyese, me të cilat bëhet promovimi i mallrave nga ana e qendrave tregtare apo kompanive prodhuese. Kjo për faktin se krahas faktit që janë mjaft të përhapura në tërë botën, disa prej këtyre formave të marketingut përzihen me veprime që shpien në mëkate, si bixhozi, lotaria dhe monopoli në tregti; veprime nga të cilat duhet të ruhet besimtari.

Dhuratat komerciale

Në terminologjinë e marketingut dhuratat komerciale ose reklamuese janë gjëra a sende që tregtarët ose kompanitë prodhuese ua dhurojnë falas myshterinjve (konsumatorëve) të tyre, gjatë shitblerjes ose si stimulim për blerjen e produkteve të tyre.(1)
Në gjëra të dhuruara, krahas artikujve (sikur kush blen një produkt, merr edhe një falas’), mund të futen edhe shërbimet që ofrojnë tregtarët, sikur ‘kush blen një produkt të caktuar (frigorifer, rrobalarëse, etj.), shërbimi i dërgesës së produktit falas në shtëpi ose shërbimi i mirëmbajtjes është falas për dy vjet, etj..

Llojet e dhuratave reklamuese:

Dhuratat stimuluese që jepen nga tregtarët dhe kompanitë prodhuese, mund të ndahen në tri lloje:

1. Dhurata përkujtimi

Disa qendra tregtare apo ndërmarrje prodhuese, përgatisin disa dhurata të thjeshta për klientët e tyre, sikur janë: lapsa, kalendarë, mbajtës çelësash, fanella, suvenire dhe gjëra të tjera, në të cilat shkruhet reklama e një produkti të caktuar, ose marka e firmës. Këto dhurata u shpërndahen klientëve të rregullt, ose shpërndarjen e tyre e bëjnë gjatë një fushate reklamimi nëpër pika të caktuara, njerëzve që kalojnë andejpari.(2)
Qëllimi i këtyre dhuratave është tërheqja e blerësve për produktet a shërbimet që ofron një kompani e caktuar ose promovimi i një produkti risi. Gjithashtu këto dhurata synojnë edhe mbajtjen e rifreskimin e raportit në mes të konsumatorëve të rregullt dhe një marke apo qendre tregtare të caktuar.

2. Dhurata si mostra të produkteve

Dhurata që janë mostra të produkteve dhe i ofrojnë kryesisht kompanitë prodhuese, janë dhuratat që prezantohen duke i ambalazhuar enkas, për ta njoftuar konsumatorin për produktin e ri, ose atij i jepet mundësia që ta provojë produktin dhe ta sheh e të bindet nëse i plotëson kërkesat e tij.(3)
Shembuj të këtij lloji janë: mostrat e parfumeve që u dhurohen konsumatorëve, të ambalazhuara në shishe të vogla, hapja e tezgave nëpër ambiente të qendrave tregtare ose gjetiu, për t’u ofruar konsumatorëve shijimin e produkteve të reja etj.

3. Dhurata stimuluese për blerësit

Janë dhuratat që u japin tregtarët konsumatorëve të tyre si shpërblim për blerjen e produkteve të caktuara apo për përzgjedhjen e një qendre tregtare a risie të caktuar. Këto lloje dhuratash janë shumë të përhapura në tregti dhe ofertat me këso dhuratash janë të ndryshme. Nuk do të zgjerohemi me përmendjen e tepërt të shembujve, po duhet të kemi parasysh se dhuratat e këtilla mund të jenë:

a) Artikuj, sikurse:
- Shitja e pastës së dhëmbëve duke i bashkangjitur si dhuratë brushën e dhëmbëve.
- Kush blen tre artikuj, merr një falas.
- Konsumatori të blejë një artikull dhe, kur ta hapë, brenda të gjejë një dhuratë, një lodër apo diçka tjetër etj..

b) Shërbime, sikurse:
- Nëse blen një frigorifer, blerësi ka falas transportin deri në shtëpi.
- Kush blen një aparat, instalimi është falas, ose mirëmbajtja për dy vjet etj..

c) Ulje çmimi, sikurse:
- Kush mbush telefonin për pesë euro, merr falas edhe tri euro të tjera.
- Kush bën blerje me vlerë mbi 50 euro, përfiton 10% ulje çmimi.
- Nëse blen tre artikuj të njëjtë, përfiton ulje çmimi etj..

Dispozita sheriatike e dhuratave reklamuese

Edhe pse dhuratat reklamuese janë veprimtari që nuk ishin të njohura në të kaluarën, sepse është një çështje aktuale, kjo problematikë në jurisprudence islame (Fikh), tek dijetarët bashkëkohorë diskutohet në kapitullin e dhuratave (El Hibeh). Sidoqoftë, para se të shpjegojmë dispozitën përkatëse për këtë veprimtari komerciale, do të sqarojmë se në këtë çështje vlen parimi i njohur në jurisprudencën islame se gjërat në esencë janë të lejuara (El aslu fil eshjai ibahatun).
Ky parim është thelbësor jo vetëm në lidhje me dhuratat dhe lojërat shpërblyese, po në përgjithësi gjatë transaksioneve tregtare, pasi tregtia është një fushë e gjerë, që ngërthen në vete veprimtari të shumta. Kështu themi se, parimisht, çdo akt që e ndërmerr tregtari për ta promovuar produktin e tij, është i lejuar përderisa të mos u nënshtrohet ndalesave sikurse janë mashtrimi, tradhtia, bixhozi, lotaria, gënjeshtra dhe mëkate të tjera. Prandaj pranimin e dhuratave të këtilla nga qendrat tregtare ose kompanitë prodhuese, nuk ka asnjë pengesë që ta konsiderojmë si të ndaluar. Në jurisprudencën islame pranimi i dhuratave është i preferuar dhe konsiderohet mirësjellje,(4) e disa prej juristëve islamë thonë se pranimi i dhuratës është vaxhib.(5)
Kemi disa hadithe që nxisin dhënien dhe pranimin e dhuratave, prej tyre është hadithi në të cilin i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, thotë: “Shkëmbeni dhurata në mes jush, do të duheni”.(6)
Ngurrimi i disave në lidhje me dhuratat reklamuese Disa dijetarë bashkëkohorë shfaqin rezerva për lejimin e përdorimit të dhuratave reklamuese nga ana e tregtarëve, për të nxitur blerjen e produkteve . Ata thonë se me këtë metodë dëmtohen tregtarët e tjerë, të cilët nuk japin dhurata të këtilla gjatë shitjes së produkteve të tyre. Me fjalë të tjera, shpërndarja e dhuratave komerciale nga disa tregtarë bën që konsumatorët
të blejnë vetëm në ato qendra tregtare dhe kompani prodhuese, në të cilat jepen dhurata dhe, kësodore, konkurrenca tregtare nuk është e moralshme, ndodhin padrejtësi dhe u shkaktohet dëm tregtarëve të tjerë.(7)
Mirëpo ky pretendim nuk është i qëndrueshëm për këto arsye:
-Tregtarët ndjekin metodologji dhe përdorin mjete të ndryshme për t’i tërhequr njerëzit për produktet dhe mallrat e tyre. Kjo ndodh duke ulur çmimin, duke u dhënë garanci (dikush për gjashtë muaj, dikush për një vit, dikush edhe më shumë, por dikush edhe pa garanci fare), pastaj duke u dhënë të drejtën blerësve që ta rikthejnë mallin nëse nuk u pëlqen, dhe shumë mënyra të tjera. Këto mënyra, disa nga tregtarët i përdorin e disa jo, varësisht se si e sa e shohin të arsyeshme për të zhvilluar biznesin e tyre dhe për t’i tërhequr blerësit. Në fakt këtu qëndron edhe poenta e tregtisë dhe, përderisa tregtari të mos gënjejë, nuk tradhton dhe në përgjithësi nuk shkel ndonjë ndalesë, nuk është e drejtë t`ia kufizojmë disa veprimtari me pretekst se kjo u shkakton dëm të tjerëve.
-Caktimi i çmimit të mallrave në treg u nënshtrohet rrethanave, dhe është e drejtë që atë ta caktojnë nevoja e tregut dhe tregtarët. Prandaj nuk është e drejtë që në këtë të ndërhyjë dikush tjetër, qoftë edhe shteti, përveç në raste specifike, kur bëhet fjalë për evitimin e ndonjë dëmi publik, atëherë mund të ketë ndërhyrje, si p.sh. kur është fjala për monopolizimin e mallrave, për marrëveshje të fshehta të dëmshme të shitësve, kufizimin e shitjes vetëm për njerëz të caktuar etj.. Prandaj edhe në dhënien e dhuratave reklamuese, nëse për ndonjë eventualitet ndodh të ketë çrregullime në treg, ose ndonjë trazim ekonomik, ose keqpërdorim të këtyre reklamave, - atëherë shteti ka për detyrë të ndërhyjë për ta evituar atë dëm. Në anën tjetër, nëse kjo nuk ka ndodhur dhe dhuratat reklamuese të tregtarëve janë brenda formave që përdorin shitësit për t’i tërhequr e stimuluar blerësit, atëherë nuk është e drejtë që, për shkak të disa rrethanave të supozuara, të ndalohen dhuratat.(8)
Pas këtyre sqarimeve, themi se dispozita e këtyre lloj dhuratash komerciale është se janë të lejuara të pranohen nga ana e konsumatorëve, sepse ato jepen me dëshirë nga ana e tregtarëve dhe nuk ka ndonjë ndalesë, së cilës i nënshtrohet pranimi i dhuratave të këtilla.

Së dyti: Lojërat shpërblyese komerciale

Përkufizimi i lojërave shpërblyese komerciale Me lojëra shpërblyese komerciale kemi për qëllim garat që i organizojnë qendrat tregtare dhe kompanitë prodhuese, për të tërhequr konsumatorët që të blejnë në qendrat e tyre, ose për të promovuar shitjen e mallrave që tregtojnë.(9)
Edhe në lojërat shpërblyese, sikurse në dhuratat reklamuese, shpërblim mund të jetë ndonjë artikull a send (si veturë, enëlarëse etj.), mund të jetë edhe ndonjë shërbim (udhëtim turistik, gosti në ndonjë restorant luksoz, mirëmbajtje gratis etj.). Fituesi në këto lojëra zgjidhet zakonisht me short dhe mënyra se si bëhet tërheqja e shortit dallon varësisht se si e zgjedhin organizatorët e lojës.

Llojet e lojërave shpërblyese komerciale

Lojërat shpërblyese komerciale në kohën e sotme janë nga mjetet më stimuluese që përdoren në tregti, për të promovuar shitjen. Kjo për faktin se krijon nxitje e joshje për konsumatorët, që, krahas blerjes së ndonjë
artikulli, të përfitojnë edhe ndonjë shpërblim shtesë. Shumë njerëz ndikohen nga mënyra se si bëhet paralajmërimi i këtyre lojërave dhe secili prej tyre dëshiron të jetë fituesi i shpërblimit konkret, sidomos pasi tregtarët shpikin vazhdimisht forma të llojllojshme joshëse të këtyre lojërave.(10)
Ekzistojnë shumta lloje lojërash shpërblyese komerciale dhe juristët islamë, gjatë trajtimit të tyre, bëjnë klasifikime, duke pasur parasysh aspekte të ndryshme, mirëpo ne në vazhdim do të bëjmë një ndarje duke u munduar që të jetë më lehtë për ta kuptuar lexuesi.

Lloji i parë: Lojëra shpërblyese me të cilat kushtëzohet blerja e kuponit për pjesëmarrësit

Që klienti të blejë një kupon apo tiketë me çmim të caktuar (1 euro, 0.5 euro etj.), që mund të ketë një numër ose i shënohet emri dhe ajo vihet në një kuti dhe kështu ai bëhet pjesëmarrës në garën për tërheqjen e shpërblimit, pavarësisht se çfarë mund të jetë ai televizor, makinë, banesë, para të gatshme etj.. Tërheqja e fituesit bëhet me short ose duke tërhequr numrin, ose duke tërhequr tiketat ku janë shënuar emrat e pjesëmarrësve.
Edhe pse nuk ështëshumë i përhapur ky lloj lojërash për marketing të
produkteve, disa qendra tregtare organizojnë këso lojërash shpërblyese dhe qëllimi i tyre është edhe përfitimi material, po njëkohësisht edhe promovimi i ndonjë qendre tregtare, që njerëzit të vijnë aty e të blejnë mallra. Në lojëra shpërblyese të këtij lloji mund të kushtëzohet blerja e ndonjë produkti në qendër, po ka mundësi edhe të mos kushtëzohet kjo dhe mjafton vetëm blerja e kuponit. Lojërat shpërblyese të këtij lloji janë të ngjashme me lotarinë, madje nuk kanë asnjë dallim nga lotaria, përveç faktit se atë e organizon qendra tregtare që ka mundësi të kushtëzoj blerjen e ndonjë produkti nga vetë qendra. Prandaj, për ta kuptuar dispozitën e lojërave shpërblyese të këtij lloji, duhet ta qartësojmë se çfarë është qëndrimi i jurisprudences islame rreth lotarisë.

Dispozita e lotarisë

Lotaria është lojë e fatit, në të cilën marrin pjesë një numër i madh i njerëzve duke paguar secili një shumë të vogël parash, me shpresën se do t’i kapë fati, që mund të jenë një sasi e madhe parash (shpërblim i madh) ose ndonjë mall. Të gjithë pjesëmarrësit kanë letra me numra, të cilat vihen në një vend (kuti ose diku tjetër) dhe prej andej me short tërhiqet një numër ose disa numra. Kështu numri i kujt të shfaqet, ai është fitues i lojës së fatit. Sipas këtij sqarimi kuptojmë se lojërat e fatit konsiderohen bixhoz, sepse çdo pjesëmarrës në këtë lojë, ose do ta fitojë lojën ose do ta humbë atë që ka paguar. Ky është thelbi i bixhozit të ndaluar në Kuran (El Mejsir). Akademia e Fikhut Islam e ka diskutuar çështjen e lojërave të fatit - loton në seancën e katërmbëdhjetë dhe pjesëmarrësit janë pajtuar unanimisht se të gjitha lojërat loto që aplikohen në kohën tonë, janë bixhoz i ndaluar.(11)
Në vendimin e Akademisë, ndër të tjera, thuhet: “Në praktikën e lotarisë futet bixhozi, pasi secili nga pjesëmarrësit në të ka mundësi ose ta fitojë garën në tërësi ose t’i humbë paratë që i ka futur (në lojë)”.(12)

Dispozita e lojërave shpërblyese duke blerë kupon:

Dispozita e lojërave shpërblyese në të cilat marrin pjesë njerëzit duke blerë kuponë, qoftë edhe me çmim shumë të vogël, i nxjerr se ato janë lotari dhe lloj i bixhozit të ndaluar në Kuran. Pa u zgjeruar më shumë, do të
përmendim vetëm tri aspekte se pse ndalohet pjesëmarrja në këto lloje lojërash shpërblyese:
1- Pjesëmarrësi në lojërat shpërblyese të këtilla ose është fitues ose harxhues; “lojtarët” paguajnë para për të fituar të drejtën që të hyjnë në tërheqjen e shpërblimit dhe në këtë lojë fitues është vetëm njëri ose disa persona nga qindra e mijëra të tjerë pjesëmarrës. Kjo formë e lojës është bixhoz i kulluar dhe kumar. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni prej tyre, me qëllim që të shpëtoni!” (El Maide, 90)
2- Me këtë formë të lojës njerëzit hanë pasurinë e tjetrit pa të drejtë, kurse organizatorët mbledhin qindra e mijëra euro nga pjesëmarrësit, të cilët, edhe pse paguajnë shuma të vogla, megjithatë janë mijëra të mashtruar nga ëndrrat e të cilëve tallet shejtani, se ndoshta mund të jenë fituesit. Në lidhje me këtë Zoti i Madhërishëm thotë:“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme”. (En-Nisaë, 29)
3- Lojërat shpërblyese që janë bixhoz, krijojnë urrejtje në mes njerëzve dhe i bëjnë ata që, vetëm e vetëm për ta fituar shumën e premtuar, të harxhojnë pasuri të mëdha, duke blerë sa më shumë kuponë, pastaj kur të humbasin, mërziten, dëshpërohen, i akuzojnë organizatorët për mashtrim dhe kështu lind armiqësi në mes njerëzve. Zoti i Madhërishëm në Kuran thotë: “Vërtet, djalli, me pije alkoolike dhe me bixhoz, kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë”? (El Maide, 91)

Lloji i dytë:
Lojërat shpërblyese me short, pa blerë kupon

Janë lojëra shpërblyese komerciale, në të cilat organizatorët (zakonisht qendrat tregtare) u mundësojnë pjesëmarrje të gjithë konsumatorëve, duke u shpërndarë kuponë pa pagesë (gratis) dhe pastaj bëhet tërheqja e fituesit ose e fituesve me short. Pra kuponët i shpërndahen çdonjërit që viziton qendrën tregtare dhe që dëshiron të marrë pjesë në lojë, pavarësisht se a blen apo jo ndonjë produkt. Kjo ndodh zakonisht në qendra tregtare të reja, me qëllim promovimi të tyre dhe kështu në hyrje të këtyre qendrave shpërndahen kuponë për të gjithë vizitorët. Pas kësaj caktohet një orë kur do të bëhet tërheqja e fituesit me short.

Dispozita e llojit të dytë të lojërave shpërblyese:

Ky lloj i lojërave shpërblyese komerciale është i lejuar për shkak të disa arsyeve:
1. Tashmë e kemi të qartë se në fushën e tregtisë gjërat në esencë janë të lejuara, prandaj dispozita mbetet e tillë përderisa të mos vërtetohet e kundërta me ndonjë argument. Me këtë mënyrë të organizimit të lojërave shpërblyese, tregtarët ndjekin metoda dhe përdorin mjete të ndryshme legjitime për t’i tërhequr konsumatorët për produktet e tyre, prandaj kjo formë e lojërave shpërblyese nuk ka ndonjë pengesë që ta konsideronim të ndaluar.
2. Në këtë formë të lojërave shpërblyese, pjesëmarrësi nuk shpenzon dhe nuk paguan ndonjë shumë për pjesëmarrje dhe për të fituar, po organizatori (qendra tregtare) e jep shpërblimin me dëshirë si dhuratë. Pra nuk është bixhoz (lotari), sepse pjesëmarrësi në këtë lojë nuk vihet në mes fitores ose humbjes së ndonjë shume që ka paguar, me se do të fitonte të drejtën për pjesëmarrje.
3. Kjo mënyrë e lojërave shpërblyese në fakt është dhuratë që shpërndahet nga qendra tregtare, mirëpo meqë është një dhuratë ose janë disa dhurata dhe ato nuk ka mundësi t’i shpërndahen secilit, atëherë i jepet një personi ose vetëm disave, të cilëve u bie shorti. Me fjalë të tjera, kjo është njësoj sikur të kemi një gjë që dëshirojmë ta japim dhuratë, ose kemi sasi të kufizuar dhuratash e, në anën tjetër, numri i personave që dëshirojmë t’ua japim dhuratën është më i madh dhe,ë për ta bërë përzgjedhjen, përdorim shortin. Pranimi i dhuratave në Islam lejohet, madje edhe preferohet të mos refuzohet, ndërsa rreth pjesëmarrjes në short ose aplikimit të shortit në shpërndarjen e dhuratave, do të flasim në vazhdimn e dytë. (vijon)


1) Havafizut Tixharijeh et Tesvikije”, Dr. Halid Muslih, f. 59.
2) Fenul Bej`i”, f. 117.
3) “El Muamelatul Muasireh, Asaletun ve Muasereh”, Dubejan Muhamed Dubejan, v. 4 f. 331.
4) “Bedaiu Sanai”, Kasani ElHanefi, v. 7, f. 117.
5) “El Insaf”, Ahmed Elmerdavi, v. 7, f. 165.
6) Hadithin e shënon Buhariu në librin “El Edebul Mufred” dhe jo në koleksionin e Sahihut të tij. Ibën Haxheri këtë hadith e cilëson Hasen në librin “Et Telhisul Habir”, v. 3, f. 60.
7) El Muamelatul Muasireh, Asaletun ve Muasereh”, Dubejan Muhamed Dubejan, v. 4 f. 323.
8) “El Havafiz et Tixharijeh et Tesvikije”, Dr. Halid Abdullah Muslih, f. 109.
9) Idaretu Tesvik”, f. 498-499; “Fikhul Muamelat el Malije el Mukarin”, dr. Alaudin Zateri, f. 343.
10) “El Musabekat et Tixharije fi Fikhil Islamij ve Tatbikatuha el Muasire”, Feras Ridvan, f. 50.
11) Akademia e Fikhut Islam, seanca e katërmbëdhjetë, vendimi i shtatë në lidhje me lojërat e fatit. data 20, Shaban, 1995.
12) islamtoday.net/bohooth/artshow-32-4798.htm Më gjerësisht rreth shortit në Islam: “Tefsir El Kurtubi”, v. 4, f. 86.


Alaudin Abazi