Dhuratat komerciale dhe lojërat shpërblyese reklamuese nga këndvështrimi i jurisprudencës islame (2)

Aplikimi i shortit në jurisprudencën islame:

Shorti është mënyrë përmes së cilës caktohet diçka ose zgjedhim dikë nga një grup i njerëzve, për t'i dhënë diçka me paanësi, ose edhe për të zgjidhur një heshtje. Ky veprim është shumë i vjetër dhe i njohur në historinë njerëzore, ndërsa në ligjin islam është i lejuar dhe ka bazë edhe në Kur'an edhe në hadithe profetike, nder të cilat po përmendim:
a) Allahu i Madhërishëm në ngjarjen me Merjemen, nënën e Isait.a.s., tregon se njerëzit hodhën short se kush do të përkujdesej për Merjemen dhe shorti i ra Profetit Zekerija që të kujdesej për të. Zoti i Madhërishëm thotë: "Ti (Muhamed) nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte në përkujdesje Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin". (Ali Imran, 44)
b) Në historinë e Profetit Junus, shpëtimi qoftë për të, tregohet se, kur anija në të cilin ishte hipur ai, u ndal dhe nuk ecte për shkak të ngarkesës së madhe dhe ishte gati të mbytej, detarët ranë dakord që të hidhnin short se kush duhej të hidhej nga anija dhe shorti i ra Junusit. Zoti i Madhërishëm thotë: "Ai (Junusi) nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi". (Saffat, 140-141)
c) I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, ka thënë: "Po ta dinin njerëzit se çfarë vlere ka safi (rreshti) i parë, atëherë ata do të hidhnin short (se kush do të falet aty)". (Muslimi)
Pa u zgjeruar më shumë në këtë pikë, të themi se aplikimi i shortit në Islam lejohet dhe praktika e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, vërteton një gjë të tillë, prandaj përdorimi i shortit për të zgjedhur fituesin, nuk është i ndaluar dhe ai veprim nuk e shpie një lojë shpërblyese në bixhoz.

Lloji i tretë: Lojërat shpërblyese komerciale të kushtëzuara nga blerjet

Janë ato lojëra shpërblyese stimuluese, në të cilat kuponi (falas) jepet vetëm nëse pjesëmarrësi respektivisht konsumatori, bën blerje në qendrën tregtare. Nganjëherë kërkohet që, për të marrë pjesë në lojë, të blihet një produkt i caktuar (kafe, lëngje etj.) dhe zakonisht kuponi gjendet brenda produktit të blerë, ose duhet prerë nga ambalazhi. Këtë formë e organizojnë kompanitë prodhuese. Nganjëherë, për të marrë pjesë në lojë, kërkohet të blihet në qendër tregtare çfarëdo të dëshirojë konsumatori, pra pa kufizuar blerjen e prodhimeve të caktuara dhe në këtë rast, në disa lojëra, për ta marre kuponin e lojës është kusht që konsumatori të blejë së paku deri në një shume të kufizuar (p.sh. 20 euro dhe jo më pak), e në disa lojëra nuk ka ndonjë kusht, po mjafton vetëm të blihet diçka. Gjithashtu edhe në këtë lloj të lojërave shpërblyese fituesi përcaktohet duke bërë tërheqjen me short.

Dispozita e lojërave shpërblyese të kushtëzuara nga blerjet

Ky lloj i lojërave shpërblyese është temë diskutimi në mes dijetarëve bashkëkohorë dhe, nëse i lexojmë sqarimet e tyre, atëherë mund të kuptojmë se ekzistojnë kryesisht tri qëndrime:

1- Mendimi i parë:

Nuk lejohen lojërat shpërblyese të këtilla dhe këtë mendim e kanë përkrahur dijetari i mirënjohur Abdulaziz ibn Baz dhe Ibn Xhibrini, Allahu i mëshiroftë të dy, dhe disa dijetarë të tjerë. Ata thonë se ky lloj i lojërave shpërblyese është i ndaluar për faktin se:
* Në një masë bazohet në fatin dhe arritja e pasurisë (shpërblimi) bëhet pa mund dhe kjo në një aspekt mund t'i ngjajë bixhozit, pasi pjesëmarrësi vihet në mes fitimit dhe harxhimit të parave. Me një fjalë, nëse konsumatori fiton me short, atëherë ai e fiton shtesën që kanë paguar të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa nëse humb, atëherë ai humb shtesën për se ka paguar dhe nuk e ka fituar.
* Kjo formë e lojërave shpërblyese reklamuese i bën njerëzit të ngashënjehen dhe të blejnë mallra, për të cilat nuk kanë nevojë dhe, në fund, dëshpërohen ngase nuk fitojnë.
* Tregtarët organizojnë lojëra shpërblyese të këtilla për t'i joshur myshterinjtë për produktet e tyre dhe për t'i tërhequr në qendrat e tyre, e tërë kjo u shkakton dëm tregtarëve të tjerë që nuk organizojnë këso lloj lojërash.

2- Mendimi i dytë:

Dijetari i mirënjohur bashkëkohor hanefit, Mustafa Zerka, Allahu e mëshiroftë, në fetvatë e tij i lejon këto lojëra shpërblyese vetëm nëse shpërblimi nuk është i madh, pra që të mos jetë një makinë, banesë, frigorifer etj.. Përkundrazi, nëse shpërblimet janë të vogla e të thjeshta, atëherë ai thekson se ato lejohen.
Dr. Jusuf Kardavi, gjate recensimit të librit të fetvave të Mustafa Zerkase, e lavdëroi dhe e përkrahu këtë mendim, mirëpo në librin e vet të fetave "Fetva bashkëkohore", ai e lejon këtë lloj lojërash shpërblyese pa këtë kusht, po me gjithë këtë lejim, ai këtë formë të lojërave për reklamimin e mallit nga ana e tregtarëve e urren (e konsideron mekruh).

3- Mendimi i tretë:

Lojërat shpërblyese në të cilat kuponi jepet falas, janë të lejuara me kushtëzime. Këtë mendim e kanë përkrahur dijetari i njohur Muhamed Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, dhe një numër i juristëve islamë bashkëkohorë. Ai në një sqarim të tij thekson se këto lojëra shpërblyese, që tani janë përhapur nga kompanitë e mëdha, me të cilat ata reklamojnë dhe promovojnë shitjen, janë të lejuara, por ai vë dy kushte:
a) Kushti i parë:
Çmimi i produktit që blihet, të jetë i njëjtë, pra malli që do ta blejmë dhe nga ajo blerje do të fitojmë të drejtën për pjesëmarrje në lojën shpërblyese, të mos jetë më i shtrenjtë sesa do të blihej në rrethana të zakonshme. P.sh., nëse blejmë një pako pije freskuese dhe me atë blerje bëhemi pjesëmarrës në tërheqjen e shpërblimit në lojën shpërblyese, çmimi i asaj pakoje duhet të jetë i njëjti çmim edhe të cilin shitet ne rrethanat pa lojë shpërblyese.

b) Kushti i dytë:
Klienti të mos e blejë mallin vetëm me qellim që të marrë pjesë në lojën shpërblyese, por ta blejë sepse ka nevojë për të. Nëse ai e blen vetëm me qëllimin që të krijojë mundësinë për të marrë pjesë në lojën shpërblyese dhe jo sepse ka nevojë për atë produkt, atëherë ky konsiderohet harxhim i pasurisë kot, sikurse njeriu të blinte një pako qumështi pa pasur nevojë e pastaj ta derdhte, në këtë rast loja shpërblyese nuk lejohet, për shkak se kjo bën pjese në harxhimin e pasurisë kot, një veprim i ndaluar nga i Dërguari a.s., dhe personit të tillë nuk i lejohet pjesëmarrja në lojën shpërblyese.

Konkluzion rreth lojërave shpërblyese te kushtëzuara me blerje

Pas elaborimit të mendimeve të dijetarëve, mund të themi se mendimi më i qëndrueshëm prej tyre është i treti, ky i fundit, i cili e lejon këtë lloj lojërash shpërblyese me dy kushtet e lartpërmendura. Arsyet që na bëjnë ta përzgjedhim këtë mendim, janë:
1- Në këtë forma lojërash shpërblyese, konsumatorët nuk paguajnë ndonjë shumë shtesë për pjesëmarrje dhe gjendja e tyre është ose të fitojnë shpërblimin (dhuratën), ose të mos e fitojnë dhe të mos humbasin asgjë. Për këtë arsye nuk është e drejte që këtë lloj të lojërave shpërblyese ta krahasojmë me bixhozin dhe lotarinë.
2- Synimi i dhuratës duke blere një produkt për të cilin kemi nevojë, është veprim i lejuar për faktin se njerëzit janë të krijuar me dëshirën për të qenë fitues.
3- Gjërat nga tregtia në thelb janë të lejuara dhe nuk është e drejtë të ndalohet diçka vetëm për shkak se për të nuk kemi argument të qarta dhe, sa kohe qe nuk kemi, atëherë dispozita mbetet ashtu.
4- Stimulimi, nxitja dhe joshja e konsumatoreve për blerje është një veprim i lejuar dhe ndalimi i ndonjë veprimtarie reklamuese, sikurse janë këto lloj lojërash, me pretekstin se kjo u shkakton tregtareve dem, nuk është i drejte. Tregtaret gjithmonë bëjnë konkurrence ne mes tyre se kush do te tërheqë me shume myshterinj dhe kjo llogaritet si një nga format e këtilla stimuluese.

Lloji i katërt: Lojërat shpërblyese komerciale me disa kuponë (falas)

Ky lloj i lojërave shpërblyese komerciale është i njëjtë sikurse lloji i tretë dhe dallon vetëm sepse këtu nevojiten disa kuponë (dy, tre, pese, etj.), për të marrë pjesë në tërheqjen e shpërblimit. Organizuesit, pavarësisht nëse janë qendra tregtare apo kompani prodhuese, vënë kushtin që për çdo shumë të blerë (p.sh. për çdo 20 euro), konsumatori të marrë një kupon gratis dhe kështu, kur të mblidhen pesë kuponë, të vihen në një zarf dhe të dërgohen për pjesëmarrje në lojën shpërblyese. Nganjëherë kuponi vihet brenda në produkt ose në ambalazh të produktit nga ana e kompanisë prodhuese.

Dispozita e lojërave shpërblyese komerciale me disa kuponë:

Për këtë formë lojërash shpërblyese shumë dijetare kanë shfaqur rezerva; ata që e ndalojnë llojin e tretë, e ndalojnë detyrimisht këtë lloj, mirëpo edhe disa nga ata që lejojnë llojin e tretë, mbajnë qëndrimin e ndalimit ndaj këtij lloji. Sido që të jetë, ndoshta më e drejta është që, nëse njeriu blen artikujve për të cilët ka nevojë, pa e pasur qëllimin vetëm për të marrë pjesë në lojën shpërblyese dhe pastaj, nëse i ofrohen kuponët ose ndodhen në produkte, atëherë nuk ka ndonjë të keqe që ai të bëhet pjesëmarrës në këtë lloj lojërash shpërblyese, duke i plotësuar dy kushtet e përmendura në llojin e tretë.

Lloji i pestë: Lojërat shpërblyese me shpërblimin brenda produktit.

Zakonisht këtë lloj lojërash e organizojnë kompanitë prodhuese për të promovuar produktet e tyre. Organizuesi i kësaj loje shpërblyese cakton shpërblime dhe në një numër të kufizuar të produkteve të ndryshme (në kafe, pije freskuese etj.), nëse shpërblimi është i vogël (kartelë celulari, ndonjë lodër etj), ato vihen drejtpërdrejt brenda ambalazhit të produktit. Nëse produkti është i madh (frigorifer, rrobalarëse etj.), atëherë brenda produktit në ambalazh gjendet shënimi: "Urime, keni fituar këtë shpërblim", ose ndonjë shprehje tjetër dhe kështu blerësi lajmërohet për shpërblimin që mund ta marrë.

Dispozita e lojërave shpërblyese komerciale duke vënë shpërblimin brenda produktit

Dispozita e kësaj forme lojërash shpërblyese është e njëjtë sikurse e llojit të katërt dhe themi se pjesëmarrja në këtë lojë lejohet nëse plotësohen këto dy kushte:
- Nëse produktit me të cilin realizohet loja shpërblyese (si kafeja), nuk i është shtuar çmimi për shkak të kësaj loje.
- Nëse konsumatori e blen produktin sepse ka nevojë për të, pra të mos e blejë vetëm me qellim që të marrë pjesë në lojë, pa pasur nevojë për produktin.

Lloji i gjashte: Lojërat shpërblyese komerciale me shpërblimin të ndarë në disa ekzemplare të produktit që shitet

Kjo forme e lojës shpërblyese realizohet në atë forme që organizatorët e vënë shpërblimin të ndarë në disa ekzemplarë të produktit. P.sh. në njërin nga ambalazhet e pijeve freskuese konsumatori e gjen të shkruar se ka fituar gjysmën ose një të tretën e një makine, ose gjen një kupon në të cilin është e vizatuar gjysma e makinës. Për ta fituar makinën, ai duhet ta gjejë të njëjtën gjë edhe një herë ose dy herë të tjera.

Dispozita e lojërave me shpërblimin të ndarë në disa ekzemplarë

Lojërat shpërblyese në të cilat shpërblimi ndahet në disa ekzemplarë të një produkti, në mënyrë që, për ta fituar shpërblim të plotë, konsumatori duhet t'i mbledhë ato, konsiderohen të ndaluara, sepse është i përzier me bixhoz. Kjo për faktin se blerësi i këtyre produkteve harxhon pasuri për blerje të tilla vetëm e vetëm që të bashkojë pjesët e shpërblimit, po për këtë nuk është i sigurt nëse do të arrije t'i mbledhë apo jo. Kështu, harxhimi i pasurisë është i sigurt, kurse fitimi i shpërblimit nuk është i sigurt. Për këtë lloj lojërash shpërblyese dijetari Muhamed Uthejmin ka thënë: "Ndërsa forma e dyte është që gjysma e fotografisë së makinës të vihet në një tiketë dhe gjysma tjetër në një tiketë tjetër, sa kohë që nuk dihet madje a ekziston gjysma tjetër apo jo! Mirëpo, edhe nëse themi se ekziston gjysma e dytë e saj, nuk ka dyshim se (kjo loje) është e ndaluar, për shkak se, nëse njeriu blen një pako që i mjafton për vete e për familjen, dhe në të gjen tiketën me gjysmën e makinës, ai do të vazhdojë të blejë dhjetëra a qindra pako të tjera me shpresën se do ta gjejë edhe gjysmën tjetër të makinës. Kështu ai shpenzon shuma parash dhe në fund nuk gjen gjë. Është e mundur që pjesa tjetër t'i bjerë dikujt tjetër dhe kështu bëhet harxhimi i pasurisë pa nevojë, prandaj kjo formë e lojërave shpërblyese nuk lejohet."



Alaudin Abazi