Shtirja (syfaqësia)

Shtirja aludon në çdo që e themi e nuk e ndjejmë dhe nuk na e don zemra atë thjesht për t'i kënaqur të tjerët dhe nuk e ka burimin tek zemra.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni! (Saff, 2-3)

Syefaqësia është veti që duhet të jetë e huaj për çdo musliman, sepse sinqeriteti që i stolisë pjestarët e Islamit nuk mund të ekzistoj dhe qëndroj në zemrën e cila shtiret (sa për sy e faqe) dhe bënë hipokrizi. Për shkak të rrezikut të madh nga syefaqësia shumë ajete Kur'anore dhe hadithe përkujtojne pasuesit e Islamit që të largohen nga ajo veti.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe)." (Ma'un; 6)

Syefaqësia në lutje është p.sh. kur njeriu në prani të dikujt (p.sh. në xhami) e "zbukuron" namazin e tij, e kur është vetëm atë e falë në shpejtësi duke mos i interesuar për pendim dhe plotësimin e kushteve të namazit.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Gjëja prej të cilës më së shumti frikohem për juve është shirku i vogël. Pyetën ç'është shirku i vogël o i Dërguari i Allahut? Tha: Rijaja (shtirja) dhe pastaj shtoi në ditën kur Allahu do ti shpërblen njerëzit për veprat e tyre do tu drejtohet njerëzve me këto fjalë: "Shkoni tek ata para të cilëve shtireshit. Shikoni a do të gjeni pranë tyre ndonjë shpërblim." (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)

-Manifestimi i hipokrizisë

Esenca e syefaqësisë pasqyrohet në perpjekjen e njeriut që të arrijë prestigj te të tjerët duke ua treguar atyre vetitë e tija të mira. Ato veti ai mund t'i shpreh përmes pamjes së trupit, përmes fjalëve, veshjes, punës etj.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Kush punon për nam, All-llahu do t'ia mundësojë namin, e kush punon për syefaqësi, All-llahu do t'ia mundësojë syfaqësinë.” (Transmenton Tirmidhiu)

-Syefaqësia në trup:

Syefaqësia përmes trupit më së shumti shprehet në fytyrë, ashtu që njeriu shtiret me gjestikulacionet e fytyrës, p.sh. se mendon shumë, se i frikohet Ditës së Gjykimit, se e mundon gjendja e rëndë e muslimanëve etj. Rasti i njëjtë është edhe me shprehjen e pikëllimit të rrejshëm, apo gëzimit me qëllim që t'i kënaqë ata që për ndonjë arsye janë të lumtur, apo për ndonjë arsye janë të pikelluar. Syefaqesia përmes trupit mund të shprehet edhe sipas mënyrës së të ecurit, p.sh. njeriu shtiret si i përvuajtur, ashtu që kur ecë shiqon para vetës dhe ecë me hapa të ngadalshëm. Syefaqësia përmes trupit mund të shprehet edhe përmes lëvizjeve që njeriu i bënë me duar, këmbë, kokë etj., pastaj me lënien e gjurmëve me qëllim të sexhdes apo dhe të atij lloji, në mënyrë që njerëzit t'i vërejnë (ato gjurmë). Syefaqësia mund të shprehet edhe përmes frizurës, të cilën njeriu e mban.
Poashtu të tregohesh i dobët kinse je agjërues apo falë namaz të natës, zëri i ulët, për të menduar të tjerët se ke bërë shumë ibadet, flokët e shprishura nga ibadeti i gjatë.
Transmentohet se Isa alejhi selam, ka thënë: "Kur të agjërojë njeriu, le ti lyen me vaj flokët, mjekrën dhe buzët, që të mos e dallojnë njerëzit se është agjërues, dhe kur të jap me dorën e djathtë le të fshehë nga e majta, dhe kur të falet le të mbyllë derën e shtëpisë, ngase All-llahu e ka ndarë falënderimin sikurse furnizimin." (Transmenton Buhariu)

Për këtë Omeri njeriun të cilin e pa me kokë të ulur i tha: "O ti që e ke ulur kokën, drejtoje, sepse modestia dhe devotshmëria nuk janë në kokë por në zemër."

-Syefaqësia në fjalë:

Syefaqësia në fjalim është kur njeriu predikon, këshillon, flet për atë që është e mirë e dobishme për njerëzit, jo me qëllim që ata t'i udhëzoj në të mirë dhe t'u ndihmoj atyre, por me qëllim që ai rrejshëm të paraqitet se si brengoset për ta, apo të shpreh superioritetin e tij ndaj tyre. Rast i njëjtë është edhe kur njeriu lëvizë buzët duke u shtirë se është duke bërë dhikr etj. Poashtu duke folur me mimikë, elekuencë, polemikë, hadithe përmendësh, për të menduar se është i ditur.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson All-llahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. All-llahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar." (Bekare; 264)

-Syefaqësia në veshje:

Syefaqësia në veshje është kur njeriu veshë rrobat me qëllim që mesi ku jeton t'u paraqitet si njeri i përvuajtur dhe i mirë, kurse në zemrën e tij ai nuk është i tillë, e as që don të jetë njeri i mirë. Poashtu veshja e rrobave të leshit, shkurtimi i mëngëve dhe i pantallonave nën gjunjë, për të menduar se nuk ka kohë për kujdesin e rrobave nga ibadeti, ose vënia e ahmedisë kinse është alim, si dhe deri te format e sotme të moderuara.

-Syefaqësia në vepra:

Syefaqësia në vepra është p.sh. kur njeriu shoqërohet, fton në gosti etj, njerëz të ndershëm vetëm që të tjerët të shohin se si ai shoqërohet nga një shoqëri e njerëzve të mirë. Syefaqësia është edhe kur njeriu me rregull falë namazet në prani të të tjerëve, e kur është vetëm ai në faljen e namazeve nuk është edhe aq preciz. Këtu hyjne edhe punët e tjera të cilat njeru i provon vetëm sa për ta parë të tjerët, e nuk i punon për kënaqësinë e Allahut. Poashtu qëndrimi i gjatë në kijam, në sexhde, dhënia e lëmoshës haptazi, ecja më kokë të ulur për tokë e që në vetmi do ta falte namazin në shpejtësi.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Ka disa njerëz që thonë: "Ne i kemi besuar All-llahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen ta mashtrojnë All-llahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë. Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e All-llahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm. (Bekare, 8-10)

Pejgamberi alejhi selam transmenton se Allahu ka thënë: “Kush punon diçka për Mua e në të ka pjesë edhe ndonjë tjetër, e tërë ajo vepër i takon tjetrit, Unë nuk kam me të asgjë, Unë jam Ai i cili më së paku kam nevojë për ortak”. (Hadith Kudsijj)

-Syefaqësia në pamje:

Syefaqësia, si e pame, mund të pasqyrohet në shumë aspekte. Megjithatë, veçori e përbashkët e syefaqësisë është se ajo, për shkak të së cilës njeriu shtiret, është e lidhur për interesin e njerëzve, e jo për interesin e kënaqesisë së Allahut. Poashtu lërja e shenjave të sexhdes në ballë, mbyllja e syve për tu dukur se je në meditim të thellë.

-Syefaqësia me nxënës:

Hipokrizia me nxënës është kërkimi i pozitës, pasurisë, të ketë shërbëtorë, rroba të bukura, vetëm e vetëm për ta parë të tjerët.

Frika jote nga syefaqësia është shenjë e sinqeritetit tënd ndaj Allahut, thotë Hasan el-Basri dhe Sufjan eth-theuri: "Nuk është i sigurt nga syefaqësia vetëm munafiku, dhe nuk friksohet nga rijaja (shtirja) vetëm besimtari."

Duhet të dihet se disa hipokrizi janë të qarta, e disa të fshehta si miza e truallit.
Duhet të kesh kujdes, se edhe mjalti është i ëmbël por nëse ka helm do të helmoj.
Kujtoje Ditën e Gjykimit - dhe forcoje shpirtin tënd sepse kënaqësia e njerëzve shkakton hidhërimin e All-llahut, e pastaj All-llahu do ti kthejë njerëzit kundër teje. Mos u friko prej kritikës së njerëzve nëse je i çmuar te All-llahu. nëse je i çmuar te All-llahu atëherë All-llahu do ti kthejë njerëzit nga ti dhe do të të duan.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ai që ka qenë hipokrit në Ditën e Gjykimit do të thirret me katër emra: o ti që ke bërë hipokrizi, o ti që ke qenë i bindur epsheve tua, o mëkatarë, o humbës. Shko dhe merre shpërblimin për atë që ke punuar sepse për ty këtu tek Ne nuk ka shpërblim." (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)

Katade radi All-llahu anhu ka thënë: "Kur njeriu bënë hipokrizi All-llahu thotë: "Shikoni se si po luan me Mua."
Ndërsa Hasani radi All-llahu anhu ka thënë: "Jam shoqëruar me njerëzit të cilëve kur u tregoja ndonjë urtësi u shërbente atyre dhe të tjerëve dhe nuk e tregonin për t'u ruajtur nga hipokrizia."

-Shkaqet e syefaqësisë

Janë shumë shkaqe dhe motive të ndyshme të cilat i nxisin njerëzit që të shtiren. Në përgjithësi këto janë interesa të caktuara të kësaj bote që në esencë mund të jenë të lejuara (hallall) apo të ndaluara (haram). Kështu p.sh. dikush shtiret se është i ndershëm dhe besnik për të arritur deri te posti i arkatarit, në mënyrë që të ketë mundësi sa më shumë të vjedhë. E njoh një njeri i cili, në një shi të madh, falte namaz nafile para shtëpisë së njeriut që dëshironte t'ia blejë kujat. Pronari i kuajve natyrisht se këtij "muslimani të mirë" ia jep kuajt veresi dhe normalisht kjo punë do të shkoj deri në gjyq, në mënyrë që t'i paguhet dëmshpërblimi për kuajt e tij. Tek Allahu më të urrejtur janë këta që shtiren se bëjne vepra të mira që ato t'u mundësojnë atyre për të bërë atë që është e ndaluar (haram).
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur." (Furkan; 23)
"Pasha All-llahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: "Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve." (Zummer; 65)

Mëkati është më i vogël në syefaqësin e njeriut që shtiret, jo për të arritur pozitë që t'u mundësoj të ndaluarën, por nga dëshira që të fshehin mangësit e veta. Edhe pse ky aspekt i syefaqësise është më pak i rrezikshëm, nuk ka dyshim se edhe ky është i ndaluar, sepse muslimanët duhen të bëjnë vepra të mira vetëm për kënaqësinë e Allahut.
"Sikur të mos kishte rëndësi sinqeriteti në vepra, Allahu nuk do t'i dënonte munafikët." (Ibn Kajjimi)

Syefaqësia shkakton humbjen e veprave të mira dhe mospranimin e tyre tek Allahu të cilën gjë e kuptuam nga hadithi i lartpermendur. Allahu ata që shtiren, në Diten e Gjykimit, do t'i dërgoj tek ata para të cilëve shtireshin që të shohin se mos ata do t'i shpërblejnë, por këta nuk kanë mundësi t'i shpërblejnë (as veten, e as ata), sepse Ai është i Vetemi që do të shpërblej në atë ditë. Duke u nisur nga ky fakt, çdo besimtar i sinqertë duhet të bëj përpjekje maksimale që ta flak syefaqësine në çfarëdo aspekti dhe ta lus All-llahun që t'ia falë mëkatet nga çdo shtirje e pavetëdijshme, të tillës vështirë se mund t'i shpëtoj ndokush.

-Shërimi i syfaqësis

Për të shëruar njeriu këtë sëmundje të rrezikshme është e nevojshme që t'ia prejë rrënjët, e të cilat pasqyrohen në tri dëshira:
• dëshira që ta lavdërojnë të tjerët,
• që mos ta kritikojnë dhe
• që të hapen rrugët për të fituar ndonjë të mirë.

Këto tri dëshira shpesh nxisin njerëzit që të shtiren, me vetëdije apo pavetëdije. Sipas kësaj, këto dëshira njeriu duhet t'i largoj nga zemra e tij. Në vend të tyre duhet të mbjell dëshirën që Allahu të jetë i kënaqur me veprat e tij dhe se veprat e tij të jenë të pranuara si vepra të mira tek Allahu.

Gjate synimit të shërimit të kësaj sëmundje është me rëndësi që të dihet rreziku i saj në shkatërrimin e veprave te mira. Kur njeriu e dinë se veprat e përcjellura me syefaqësi nuk do të kenë dobi në Diten e Gjykimit, normalisht se ai do ta largoj atë ves. Pastaj, ai që e kupton këtë realitet, do të vëren se interesat eventuale të dunjasë që mund të arrihen me shtirje, nuk janë të denja që për to të humbet kënaqësia e Xhennetit në ahiret, apo për to të fitohet Xhehennemi.

"Ai që vepron për sy e faqe ka tre shenja: përton kur vetmohet, aktivizohet kur është pranë njerëzve, e shton punën kur lavdërohet dhe e pakon kur kritikohet." (Aliu radi All-llahu anhu)

Çfarë humbje dhe çfarë dështimi për ata që kanë vepuar që të lavdërohen, të përmenden, të parandalojnë kritikën, të kthejnë shikimet e njerëzve drejtë tyre.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "O ju besimtarë, respektojeni All-llahun dhe respektojeni të dërguarin, e mos i çoni kot veprat tuaja!" (Muhammed; 43)

Allahu e di më së miri!

Allahu na ruajt prej shtirjes (syefaqësisë).
AMIN !


Artikulli radhës
Lakmia