Lakmia paraqet ndjenjë keqardhjeje, moskënaqësie a xhelozie, që është e ngjallur nga të shikuarit e epërsisë së një njeriu, nga sukseset e tij, nga posedimet e tij a nga përfitimet e tij të ndryshme.

Ajo është fyerje ziliqare kundër ndonjë tjetri që është i suksesshëm a ndaj ndonjë poseduesi të ndonjë përfitimi apo levërdie që është për t'u lakmuar. Lakmia është shqetësim mental, në saje të dyshimeve a frikës nga rivaliteti. Arsyet që e shtyjnë individin drejt një vetie të tillë duhen kërkuar mes të tjerash, tek varësia (në mënyrë kronike) nga paratë dhe pasuria. Individi i prekur nga lakmia shndërrohet lehtësisht në skllav të parasë.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Dy ujq të uritur të cilët bien ndër dele nuk bëjnë më tepër dëm se sa lakmia e njeriut për pasuri dhe karrierë (autoritet) që i bën fesë së tij." (Transmenton Buhariu dhe Tirmidhiu)

Arsyet që e shtyjnë individin drejt një vetie të tillë duhen kërkuar mes të tjerash, tek varësia (në mënyrë kronike) nga paratë dhe pasuria. Individi i prekur nga lakmia shndërrohet lehtësisht në skllav të parasë.

"Bëje paranë robin tënd, por mos u bëj rob i parasë." ( Fjalë e urtë Arabe )

Në fakt, ne na shqetëson fakti se shumë vëllezër muslimanë e kanë bërë qëllimin e vetëm të jetës së tyre, fitimin e sa më shumë parave dhe grumbullimin e një pasurie sa më të madhe. Disa muslimanëve nuk u prish shumë punë fakti, se tek pasuria e madhe mund të vihet shpesh vetëm në rrugë të pandershme ose në sajë praktikash biznesi jo të pastra.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)!" (Tekathur; 1)

Besimi islam nuk është kundër mundësisë që myslimanët të bëhen të pasur dhe të jetojnë në bollëk. Përkundrazi, Islami i nxit ithtarët e vet që të zhvillojnë tregtinë dhe të dinë t'i investojnë paratë e tyre me logjikë të ftohtë, sidomos në ditët e sotme kur me para mund të bësh çudira – (në mënyrë metaforike). Por, Islami është kundër faktit që paraja të shndërrohet në qëllimin dhe hobin e vetëm në jetën e muslimanit.

"Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të All-llahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit." (Tegabun; 16)

Islami gjithashtu është kundër mundësisë që muslimani të bëhet i pasur duke shkelur mbi familjen e tij, mbi shoqërinë dhe fenë e tij. Islami i dënon dhe i konsideron lakmitarët dhe lakminë si simbol të hipokrizisë dhe të hienizmit (babëzisë).

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar." (Hashr; 9)

Në Islam, nuk ka vend për egoizëm vetjak dhe ata që vuajnë nga kjo veti e përbuzur, meritojnë të dënohen nga Zoti . Pejgamberi ynë, Muhamedi alejhi selam, i cili shërben si shembull për të gjithë ne, besimtarët, e urrente lakminë dhe vetë ishte mjaft bamirës. I dërguari i Zotit e konsideronte vetinë e sipërpërmendur si shenjë të besimit të dobët.

Pejgamberi alejhi selam, lutej që zemrën e tij të mos vendosej lakmia: "O Zoti im! Më merr nën strehimin Tënd dhe më mbro nga paaftësia dhe dembelizmi si dhe nga mendjelehtësia dhe lakmia..."

Ambicia për të fituar sa më shumë para, shpesh e shtyn njeriun të mbylli sytë para mënyrës sesi fitohen këto para dmth. nëse janë fituar në mënyrë të ndershme dhe në bazë të ligjit. Muslimani i ndershëm e shikon paranë si mjet dhe jo si qëllim në vetvete.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit." (Kasas; 77)

Nëse paratë fitohen sipas parimeve tregtare të përcaktuara nga Islami, ato mund të shërbejnë për të zgjidhur jo pak probleme, dhe mund t'u ndihmojnë muslimanëve të kapërcejnë pengesa dhe probleme të ndryshme të cilat mund t'u dalin atyre në jetë. Islami e kupton që lakmia dhe dashuria për paranë është veti apo tipar (dobësi) e karakterit njerëzor.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë." (Kehf; 46)

Por problemet lindin atëherë, kur ambicia për para e bën muslimanin lakmitar dhe egoist në një kohë, kur momenti e kërkon që duhet t'i ndihmojë të tjerët. Është e trishtueshme të shikosh, sesi disa muslimanë nuk e paguajnë zekatin (taksën e detyrueshme fetare) përkundër faktit se i përmbushin kushtet sipas të cilave Islami ua bën detyrim atë.

Allahu i ka paralajmëruar myslimanët para një sjelljeje të tillë dhe u ka premtuar atyre që s'paguajnë zekatin, dënim të rreptë.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroi për një dënim të dhembshëm." (Tewbe; 34)

Mund të konstatojmë me keqardhje, se lakmia ka pushtuar zemrat e disa muslimanëve aq thellë, sa i pengon ata të kryejnë detyrimet themelore jetësore si p.sh. të mbajnë dhe të kujdesen për familjen d.m.th për gruan, fëmijët, prindërit apo edhe farefisin.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar." (Hashr; 9)

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Për paratë që mund t'i dhurosh familjes të takon shpërblim më i madh, sesa për paratë që mund t'i dhurosh një varfanjaku apo për paratë që mund t'i përdorësh për qëllime bamirësie." (Transmenton Buhariu)

Ky hadith, të dashur vëllezër dhe motra, nuk nënkupton aspak se na hiqet obligimi për t'u ndihmuar të tjerëve d.m.th personave jashtë farefisit. Ky hadith veçse përcakton prioritetin që ka farefisi para të tjerëve nga aspekti i ndihmës.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t'ia shtojë atij shumëfish atë? All-llahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai." (Bekare; 245)

Mes muslimanëve egziston një tip i çuditshëm individësh, të cilët janë të aftë të shpenzojnë shuma të mëdha parash për të kënaqur qejfin e tyre (qëllimet e dynjasë), por u dridhet dora kur vjen puna të kontribuojnë me një shumë sado simbolike për asistencë sociale ose lëmoshë. Individi lakmitar nuk mund të jetë njëkohësisht edhe musliman i mirë, sepse besimi dhe lakmia e përjashtojnë njëra-tjetrën. Çdo musliman duhet të jetë i vetëdijshëm për shpërblimin e majmë që ia ka premtuar Allahu xh.sh. nëse jep sadaka d.m.th lëmoshë (d.m.th tregohet bamirës).
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush prej jush ka mundesi ta mbroje veten nga zjarri, duhet te jape sadaka, madje dhe me nje gjysem hurme. Nese nuk e gjen as ate, atehere me nje fjale te mire." (Transmenton Ahmedi dhe Muslimi)

Të dashur vëllezër dhe motra! Kini parasysh ju lutem, se sadakaja (lëmosha-bamirësia) ka disa përfitime e përparësi:
1. Sadakaja është një mjet efikas për mbrojtjen e pasurisë nga shpërdorimi, falimentimi apo likuidimi.
Allahu xh.sh. thotë në Kur'anin famëlartë: "...e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh." (Sebe'; 39)

Allahu e pranon sadakanë, pendimin e gjynahtarëve (mëkatësve) dhe ua shton atyre shpërblimin.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "A nuk e ditën ata se All-llahu është ai që pranon pendimin e robërve të vet, pranon lëmoshat dhe se vetëm All-llahu është Ai që shumë pranon pendimin dhe është mëshirues." (Tewbe; 104)

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Sadakaja e fshin veprën e keqe ashtu sikurse uji shuan zjarrin." (Transmenton Buhariu)

Bamirësia e ruan muslimanin nga zjarri i xhehenemit (ferrit) dhe e largon nga ai (ferri), Ditën e Gjykimit. Bamirësia e mbron muslimanin nga humbja në çastet e vdekjes.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t'i vijë vdekja, e atëherë të thotë: "O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!"" (Munafikun; 10)

Lakmia (në kuptimin e babëzisë) është një nga vetitë më negative, së cilës duhet t'i shmangen muslimanët e ndershëm.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor." (Bekare; 145)
"All-llahu dëshiron t'ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t'u përballuar epsheve)." (Nisa; 28)

Lakmia më e madhe është gara në arritjen e gradave të larta. Lakmia e sëmur njeriun.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Sikur njeriu të kishte një luginë me arë, do të dëshironte t'i ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngopë) përveç dheut." (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)


Lakmia e çnderon njeriun. Lakmia e vret të zotin (vetveten).


Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "All-llahu dëshiron t'ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë)." (Nisa; 27)

Një ndër arsyet tjera që e shtyejnë njeriun drejt lakmisë është edhe frika nga varfëria me të cilën ka premtuar djalli se do t'i frikësojë njerëzit me besim të dobtë, me ç'rast kjo disa njerëz i dërgon në përuljen dhe nënshtrimin ndaj disa njerëzve të ligë.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm." (Bekare; 268)
"Nëse i frikësoheni skamjes, All-llahu me dëshirën e vet do t'ju pasurojë me mirësitë e Tij. All-llahu është i gjithëdijshëm, është i urtë." (Tewbe; 28)
"E nëse i përuleni një njeriu që është si ju, vërtet, atëherë do të jeni të humbur e të mashtruar." (Mu'minun; 34)

Mos iu përul njeriut nga lakmia për interesa të çastit, sepse të dobësohet besimi.

"Shpërlaje zemrën me vetëpërmbajtje nga gjërat e ndaluara e të dyshimta dhe largohu nga lakmia e pangopësia." (Sufjan eth-Theuri)

Lakmia poashtu përfshihet edhe në kuadër të dëshirave të njeriut, por një nga lakmitë më të mëdha të njerëzve janë edhe gratë (konkretisht për burrat). Lakmia ndaj bukuris së femrave shpesh ka bërë që të jesh shkak për vrasje dhe kurthe edhe ndërmjet vëllezërve, shokëve e familjarëve, andaj nga besimtarët kërkohet që të ulet shikimi në mënyrë që të mos vuajnë më pas nga dëmet e shikimit.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "All-llahu e di se ju do t'ua përmendni atyre (dëshirën për martesë), por kurrsesi mos u premtoni atyre fshehtazi (diç tjetër), përpos t'u thoni fjalë të lejuara." (Bekare; 235)

"Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit).." (Nur; 30)

"Mos lakmoni në atë që Allahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave u takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu u takon hise nga ajo që fituan ato. Allahut kërkoni nga të mirat e Tij. Allahu është i dijshëm për çdo send!" (Nisa; 32)

Për shkak të lakmisë u shfaq edhe kamata.


Allahu e di më së miri!
Allahu na ruajt prej lakmis.
AMIN !


Artikulli i kaluar
Shtirja (syfaqësia)