Tradhtia është një fenomen i sjelljes së devijuar, që personifikohet me ngacmimin e meshkujve ndaj femrave apo e kundërta në forma të ndryshme, pavarësisht nëse ai ngacmim ndodh nëpër tregje, parqe apo vende të tjera publike, ose ndodh nëpërmjet aparateve bashkëkohore të komunikimit sikurse telefoni, interneti e të ngjashme me to, me qëllim mbajtjen e lidhjeve të ndaluara sipas sheriatit, më e keqja e të cilave është zinaja (kurvëria).
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Çdo i pabesë në anën e prapme të tij Ditën e Kijametit do ta ketë flamurin e tradhtisë, i cili do të ngrihet sipas sasisë së tradhtisë së tij. Kujdes, nuk ka tradhti dhe pabesi më të madhe se sa pabesia e udhëheqësit të një grupi njerëzish (të vogël apo të madh)." (Transmenton Muslimi dhe Tirmidhiu)
"Njeriu është prirur për të gjitha tiparet, përveç tradhtisë dhe gënjeshtrës." (Transmenton Ahmedi)
Tradhtitë janë disa lloje, por ne do t'i cekim disa ndër më të rëndësishmet:
1. Tradhtia ndaj fesë,
2. Tradhtia bashkëshortore dhe
3. Tradhtia e kombit.
- Tradhtia ndaj fesë
Personi që parimisht hyn në Islam dhe më pas e tradhton atë quhet Murted kurse në terminologji quhet Ridah. Ky lloj largimi mund të jetë i plotë, ndaj dhe kjo fjalë mund të përdoret për një jobesimtar (kafir), por mund të jetë dhe i pjesshëm, ndaj dhe mund të përdoret edhe për një besimtar që kryen gjynahe të ndryshme. I ngjashëm me këtë konsiderohet edhe ai personi i cili e ka pranuar Islamin dhe e ka thënë shehadetin mirëpo nuk i kryen obligimet ndaj fesë së tij dhe kjo quhet Fisk (mosbindje ndaj Allahut).
Pra fisku ndahet në dy lloje:
• Fisku si sinonim i kufrit,
• Fisku, me të cilin nënkuptohen gjynahet e ndryshme dhe
• Dalja nga Islami (Er-riddeh).
-Fisku si sinonim i kufrit:
Fisku (Mosbindja ndaj Allahut) në aspektin fetar kjo fjalë do të thotë: Largimi apo dalja nga bindja ndaj Allahut - Ky lloj largimi mund të jetë i plotë, ndaj dhe kjo fjalë mund të përdoret për një jobesimtar (kafir), por mund të jetë dhe i pjesshëm, ndaj dhe mund të përdoret edhe për një besimtar që kryen gjynahe të ndryshme.
Fisku si sinonim i kufrit, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar për shejtanin dhe jobesimtarët.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet." (Kehf; 50)
"E ata që nuk e respektuan All-llahun, skutë e tyre është zjarri. Sa herë që të tentojnë të dalin nga ai, kthehen në të dhe atyre u thuhet: "Shijoni dënimin e zjarrit që ju e konsideronit rrenë." (Sexhde; 20)
-Fisku, me të cilin nënkuptohen gjynahet e ndryshme:
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë:
"Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t'i rrahni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm." (Nur; 4)
-Dalja nga Islami (Er-riddeh):
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë:
"E kush zbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si pabesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në te do të qëndrojnë përjetshëm." (Bekare; 217)
Pjesët e saj:
Në thelb, njeriu del nga Islami kur kryen një prej të kundërtave të tij, të cilat në të vërtetë janë shumë, porse mund të përmblidhen në katër grupe kryesore:
a) Dalja nga Islami nëpërmjet fjalëve,
b) Dalja nga Islami nëpërmjet veprave,
c) Dalja nga Islami nëpërmjet besimit të diçkaje të gabuar dhe
d) Dalja nga Islami nëpërmjet dyshimit.
-Dalja nga Islami nëpërmjet fjalëve:
Dalja nga Islami nëpërmjet fjalëve, siç është shembulli i atyre që shajnë Allahun apo të Dërguarin e Tij, apo pretendojnë se dinë të fshehtën, apo i luten dikujt tjetër në vend të Allahut, etj.
-Dalja nga Islami nëpërmjet veprave:
Dalja nga Islami nëpërmjet veprave, si p.sh. bërja e sexhdes për dikë tjetër përveç Allahut (qoftë njeri, gur, pemë, varr etj), hedhja e Kur'anit në vende të papastra, praktikimi i magjisë apo mësimi i saj, etj.
-Dalja nga Islami nëpërmjet besimit të diçkaje të gabuar:
Dalja nga Islami nëpërmjet besimit të diçkaje të gabuar, si p.sh. besimi se alkooli, imoraliteti dhe fajdet janë të lejuara (hallall), apo se namazi nuk është detyrë për çdo musliman, etj.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Vërtet, ata që besuan e pastaj tradhëtuan, përsëri besuan e pastaj tradhtuan dhe e shtuan mosbesimin, All-llahu nuk u falë atyre as nuk i udhëzon në rrugë të drejtë." (Nisa; 137)
-Dalja nga Islami nëpërmjet dyshimit:
Dalja nga Islami nëpërmjet dyshimit, si per shembullë dyshimi në ndalimin e atyre gjërave të tjera që përmendëm pak më lart, dyshimi në profetësinë e Muhammedit alejhi selam, dyshimi në vërtetësinë e fesë islame... etj.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë:
"O ju që besuat, mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo." (Enfal; 27)
-Dispozitat islame për ata që dalin nga Islami
Udhëheqësi musliman duhet të kërkojë nga ai person që del nga Islami, që të pendohet. Nëse pendohet brenda tre ditëve lihet i qetë, në të kundërt vritet.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush ndërron fenë, duhet të vritet." (Transmenton Tirmidhiu)
Siç shihet kjo e drejtë i takon vetëm udhëheqësit musliman, në shtetin islam. Gjatë afatit tre ditor ai nuk ka të drejtë që të bëjë ç'të dojë me pasurinë e tij. Nëse pendohet i kthehet kjo e drejtë, në të kundërt pasuria e tij përdoret për gjëra me interes të përgjithshëm. Ka të drejtë që të trashëgojë apo të trashëgohet nga të afërmit e tij muslimanë. Në qoftë se vdes në këtë gjendje, nuk duhet të lahet apo t'i falet xhenazja, si dhe nuk duhet të varroset në varrezat e muslimanëve.
- Tradhtia bashkëshortore
Tradhtia bashkëshortore është shprehje e ç'organizimit të personalitetit dhe e krizës së thellë morale të njërit ose të të dy partnerëve bashkëshortorë. Por kusht thelbësor për të paraqet mungesa e ndërgjegjes dhe e sistemit të qëndrueshëm të vlerave etike që formohen në proceset e identifikimit brenda familjes primare, në fëmijëri dhe gjatë periudhës së adoleshencës, para martesës.
"Mos polemizo për ata që tradhtojnë vetveten. All-llahu nuk e do atë që është gënjeshtar e mëkatar." (Nisa; 107)
Tradhtia është më e ndihmuar në rastet e një çifti të martuar e me fëmijë. Konsiderohet se është e pamundur bashkëekzistenca e dy të martuarve pas tradhëtisë nga ana e burrit ose gruas. Kushti më i rëndësishëm që ndikon në zgjatjen e jetës bashkëshortore janë fëmijët e lërë pas. Edhe vetë ajetet e Kur'anit dhe hadidhet e Pejgamberit alejhi selam, e kanë konsideruar tradhëtinë bashkëshortore nga aspekti moral ndër mëkatet më të mëdha.
Të martuarit konsiderohen nën kurorë bashkëshortore. Njerëzit që bëjnë zina (marrëdhënie seksuale) duke qenë të martuar konsiderohen drejtpërdrejt tradhtar të bashkëshortit/es. Atyre u është mundësuar nga Allahu përmes martesës së tyre që të arrijnë dëshirën e tyre seksuale, kurse të pamartuarit në këtë rast kanë dënim më të lehtë sepse gabimi i tyre konsiderohet më i lehtë dhe pasojat në këtë rast janë më të vogla.
Flirtet janë një lloj tradhtie dhe llogariten si një ndër metodat më të mëdha për sjelljen e çrregullimit dhe përhapjen e të shëmtuarës, duke bërë lehtësime ndaj takimeve të ndaluara, ndërsa dihet se çdoherë që vetmohet një burrë me një grua shejtani vjen midis tyre. Tradhtia është një ndër metodat e shkatërrimit të familjes dhe prishjes së ardhmërisë së femrave... te sa e sa femra është parë kjo sjellje e turpshme dhe me të ia ka mbyllur vetes derën e martesës, madje edhe motrave të saj e ndoshta edhe vëllezërve të saj?! Sa e sa burra kanë rënë viktima të tradhtisë dhe me të humbën fenë, iu zbulua skandali, iu shkapërderdh familja dhe iu nda gruaja, e cila u humb së bashku me fëmijët?! Sa e sa gra u bënë viktima të tradhtisë dhe me te humbën fenë, iu zbulua turpi, iu shpërnda familja, e shkurorëzoi burri dhe ia ndau zemrën duke e ndarë nga fëmijët?!
Tradhtari dhe tradhtarja nuk kanë mendime të mira për të tjerët, për çdo lëvizje që bën bashkëshorti/ja ai mendon se është flirt, për çdo fjalë apo telefonatë supozon se bëhet me ndonjë burrë (grua) ashtu siç ai (ajo) bën me të tjerat/ët, kështu që problemet shtohen dhe humb qetësia në familje. Si duket, ky është një dënim nga Allahu për veprën e keqe dhe prekjen e nderit të njerëzve të tjerë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Atë rob që All-llahu e cakton për ruajtjen e një kopeje, dhe ai vdes duke tradhtuar kopenë e tij, All-llahu ia ndalon atij hyrjen në xhennet." (Transmenton Buhariu)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, ndryshon dhe kur i besohet diçka, tradhton.” (Buhariu)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Dashuria ndaj atdheut është pjesë e besimit."
Ndaj, patriotizmi i sinqertë është një kërkesë e Islamit. Që të kesh dashuri të vërtetë ndaj Zotit dhe ndaj Islamit, kërkon që të kesh dashuri edhe ndaj atdheut. Pra, është shumë e qartë që nuk mund të ketë asnjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj Zotit dhe dashurisë së tij ndaj atdheut. Përderisa dashuria ndaj atdheut është përcaktuar si pjesë e Islamit, është shumë e qartë atëherë që një musliman duhet të orvatet për të arritur standardet e larta të besnikërisë ndaj vendit të tij, sepse edhe ky është një mjet për ta arritur Zotin dhe për t’iu afruar Atij. Prandaj, është e pamundur që dashuria e një muslimani të vërtetë ndaj Zotit të mund të bëhet pengesë që e ndalon atë për të shprehur dashurinë dhe besnikërinë e vërtetë ndaj shtetit të tij.
Fatkeqësisht, në disa shtete shohim që të drejtat fetare ngushtohen madje mohohen tërësisht. Prandaj, një pyetje tjetër që mund të ngrihet është që qytetarët e një shteti të caktuar, në të cilin ata persekutohen nga shteti i tyre, a mund të vazhdojnë të kenë raport dashurie dhe besnikërie ndaj vendit apo shtetit të tyre?
Për shembull, një çështje që mund të dëmtojë rëndë një shtet është babëzia e individëve për para. Shpesh njerëzit pushtohen tërësisht nga dëshirat materiale, aq sa ato u bëhen të pafrenueshme dhe dëshirat e tilla përfundimisht i shpien drejt një sjelljeje të pabesë. Këto gjëra, përfundimisht shkaktojnë një tradhti ndaj shtetit. Më lejoni t’ju sqaroj pak. Në arabisht, është përdorur fjala "bagia", për të përshkruar personat apo sjelljet e tyre që i sjellin dëm shtetit. Bëhet fjalë për ata që marrin pjesë në aktivitete të gabuara ose që dëmtojnë të tjerët.
Ajo gjithashtu nënkupton ata njerëz që bëjnë mashtrime, përpiqen të zaptojnë gjërat në një mënyrë të padrejtë e të paligjshme dhe që shkelin të gjithë kufijtë dhe në këtë mënyrë shkaktojnë dëm dhe humbje. Islami mëson që nga njerëzit që ndjekin këto rrugë nuk mund të shpresohet që ata të tregojnë besnikëri, sepse besnikëria është e gërshetuar me virtytet e larta. Besnikëria nuk mund të ekzistojë pa vlerat e larta morale dhe vlerat e larta morale nuk mund të ekzistojnë pa besnikëri.
Ndonëse, është e vërtetë që njerëz të ndryshëm mund të kenë pikëpamje të ndryshme për standarde të larta morale, megjithatë, feja Islame vërtitet tërësisht rreth kërkimit të pëlqimit të Zotit. Kështu që, muslimanët janë urdhëruar të veprojnë gjithnjë për ta kënaqur Atë. Shkurt, sipas mësimeve të Islamit, Zoti i Madhërishëm ka ndaluar të gjitha format e pabesisë dhe të rebelimit, qofshin kundër shtetit të tyre apo të qeverisë.
Kjo sepse rebelimi ose veprimi kundër shtetit kërcënon paqen dhe sigurinë e vendit. Madje, aty ku ndodh kryengritje apo kundërshtim i brendshëm, ai patjetër i fryn zjarrit të kundërshtimit të jashtëm duke inkurajuar të huajt të përfitojnë nga çrregullimi i brendshëm. Prandaj, pasojat e pabesisë ndaj shtetit mund të jenë shumë të mëdha dhe ekstreme. Kështu që, çdo gjë që mund ta dëmtojë shtetin përfshihet në termin "bagia", që sapo ju kam shpjeguar.
Duke marrë parasysh të gjitha këto gjëra, besnikëria ndaj shtetit i kërkon njeriut që të tregohet i duruar, i virtytshëm dhe zbatues i ligjeve të vendit.
Sipas mësimeve të Islamit, përkufizimi apo kuptimi i vërtetë i besnikërisë është që një person duhet në mënyrë të pastër t’i përmbushë të gjitha zotimet dhe premtimet e tij në të gjitha nivelet dhe në të gjitha rrethanat, pavarësisht nga vështirësitë që has në mes. Ky është standardi i vërtetë i besnikërisë që kërkon Islami. Në shumë ajete të Kur'anit famëlartë, Allahu urdhëron muslimanët që ata duhet të përmbushin zotimet dhe premtimet e tyre, sepse do të merren në përgjegjësi nga Ai për të gjitha ato. Muslimanët janë urdhëruar të përmbushin të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë edhe ato që ata kanë bërë me Zotin e Madhërishëm, si dhe zotimet e tjera që kanë bërë, në bazë të shkallës së tyre të rëndësisë.
Në këtë kontekst, një pyetje që mund të lindë në mendjen e njerëzve është që, besnikëria e një muslimani ndaj shtetit dhe zotimi i tij për të respektuar ligjet e vendit mos kanë rëndësi dytësore tek ai dhe për këtë arsye, vallë, a do të sakrifikojë ai zotimin e tij ndaj shtetit në disa raste? Ka mundësi të krijohet kjo përshtypje, sepse muslimanët pohojnë që Zoti dhe feja e Tij kanë rëndësinë më të madhe për ta, që do të thotë se zotimi i tyre i besnikërisë ndaj Zotit është prioriteti i tyre i parë dhe se atë zotim ata e vlerësojnë mbi gjithçka dhe mundohen ta përmbushin atë.
Allahu e di më së miri!
Allahu na ruajt prej tradhtisë.
AMIN !