Shkapërderdhja (teprimi) në vetvete, është tejkalim i kufirit të përcaktuar mbi diçka.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi All-llahu (i bëri hallall) dhe mos teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit)." (Maide; 87)
O ju besimtarë, ekziston një karakteristikë e qortuar, për të cilën ka qortuar dhe paralajmëruar Libri i Allahut, e po ashtu i ka qortuar ata njerëz që kanë këtë karakteristikë, si dhe ka sqaruar për dënimin e tyre në këtë botë dhe tjetrën. Ajo karakteristikë është teprimi, për të cilën ka qortuar dhe paralajmëruar Kurani më se njëzet herë.
Shkapërderdhja (mastrafi) ka kuptimin e shpenzimit në vende të pamerituara, që përfshijnë:
- Gjërat e ndaluara që Allahu i Madhëruar nuk i do. Mu për këtë, është thënë se shkapërderdhja nuk është vetëm cilësi e të pasurit. Ajo vjen edhe nga të varfrit.
"Çdo gjë që nuk shpenzohet për hir të Allahut të Madhëruar, është Israf, edhe nëse është pak." (Sufjan Eth-Theuri )
- Anashkalimi i qëllimit për çka duhet të shpenzohet pasuria.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij." (Isra; 27)
- Shpenzim i tepërt në vende të lejuara, cilësi kjo që nuk shkon shtati me besimtarët.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur." (Furkan; 67)
- Shkapërderdhja konsiderohen:
1. Nënçmimi i ushqimit,
2. Hudhja e ushqimeve dhe pijeve të mbetura,
3. Shpenzimi i parave pa nevoja primare,
4. Keqpërdorimi i të hollave në ushqime dhe pije të kota.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "All-llahu i Madhëruar te ju i pëlqen tri gjëra, kurse i urren tri gjëra. Te ju i pëlqen: ta adhuroni Atë, mos t'i bëni shok Atij dhe të mbaheni fuqishëm për litarin e All-llahut të gjithë dhe mos u ndani. Te ju urren: thashethemet, shumë pyetje dhe shpenzimin e tepruar të pasurisë." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu ka njoftuar se nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin) dhe kalojnë kufijtë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "...Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)." (A'raf; 31)
Poashtu ka njoftuar se ata që e teprojnë janë banorë të zjarrit.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ata që e teprojnë me të këqija, do të jenë banorë të Zjarrit." (Gafir; 43)
Ai ka njoftuar se shkapërderdhja është shkak i shkatërrimit dhe ndëshkimit në këtë botë dhe në tjetrën për ata që e teprojnë:
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ne u plotësuam pastaj premtimin, i shpëtuam ata dhe kë dëshiruam Ne, ndërsa ata që kaluan çdo kufi, i zhdukëm." (Enbija; 9)
"Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atij vendi (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht." (Isra; 16)
Allahu njofton se teprimi (shkapërderdhja) vjen nga shpirti i prirë për të keqe dhe nga shejtani.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "E kur njeriun e godet dëmi, ai na lutet qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikurse të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu kriminelëve u duket mirë ajo që veprojnë." (Junus; 12)
Ai poashtu na njofton se teprimi e sjell privimin nga udhëzimi dhe suksesi.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Nëse ai është rrenës, për vete e ka rrenën, e nëse është i drejtë, juve do t'ju godasë diçka nga ajo që ai ua premton. S'ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është rrenës." (Gafir; 28)
O ju besimtarë, teprimi është largim nga mesatarja, dhe nuk kuptohet vetëm teprimi në shpenzim, siç është i përhapur tek njerëzit por çdo shpenzim që nuk është për hir të Allahut.
"E tëra ajo me të cilën i tejkalon kufijtë e Allahut konsiderohet teprim." (Ijas ibën Muauije )
- Shkapërderdhja është shumë llojesh dhe formash, e nuk kufizohet vetëm në pasuri, ushqim e veshmbathje.
Ndër to janë:
• Teprimi në vrasje,
• Teprim në veprat e turpshme dhe amoralitet etj.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ha ç'të duash dhe vesh ç'të duash përderisa nuk bie në këto dy gjëra: teprim dhe mendjemadhësi." (Transmeton Buhariu)
O ju besimtarë, teprimi në pasuri, ushqim dhe veshmbathje është çdo kalim i kufirit, qoftë duke e fituar pasurinë apo qoftë duke e shpenzuar. E tëra kjo hyn në teprim, sepse çdo kalim i kufirit të fesë duke e fituar pasurinë apo duke e shpenzuar atë konsiderohet teprim, kurse ai njeri i ekspozohet ndëshkimit.
- Teprimi në pasuri
Ngrënia e kamatës, mitos (ryshfetit), fitimi nga bixhozi, mashtrimi i njerëzve gjatë shitblerjes, të gjitha këto janë teprim në fitimin e pasurisë.
- Teprimi në pije
Gjithashtu ushqimi dhe pija që e ka ndaluar Allahu, siç është përdorimi i drogës, pirja e alkoolit, duhanit e gjëra të tilla, të gjitha janë teprim. Sa pasuria ka humbur në shitblerjen e këtyre gjërave të ndaluara! E tëra kjo është teprim, dhe ai njeri i është ekspozuar ndëshkimit.
- Teprimi në festa
Teprim është edhe ajo që ndodhë në raste festimesh, sidomos në raste dasmash; sa forma të shëmtuara të teprimit ndodhin në to! E të mos flasim për veprat tjera të ndaluara që ndodhin në to. Të gjitha janë teprim dhe ata njerëz i ekspozohen ndëshkimit.
Çështja e teprimit është një derë e gjerë të cilën e kupton çdonjëri që vështron. Prandaj, duhet ta kemi frikë Allahun, duhet ta përkujtojmë se do të kthehemi tek Ai, do të qëndrojmë para Tij dhe se do të pyetemi nga Ai. Prandaj, duhet të përgatitemi për përgjigje, e ajo përgjigje duhet të jetë e saktë.
Allahu e di më së miri!
Allahu na ruajt prej shkapërderdhjes.
AMIN !