Gënjeshtra (apo rrena gegërisht), është një lloj mashtrimi në trajtën e një të pavërtete të shprehur me qëllim mashtrimin, shpesh me qëllim të mëtejshëm mbajtjen e një sekreti apo namit (famës), apo për të shmangur një ndëshkim.
Gënjimi është shprehja e diçkaje kur njeriu e di se është e rremë me qëllim që të pranohet si e vërtetë nga dikush tjetër. Gënjeshtar është njeriu që gënjen, ka gënjyer, apo gënjen vazhdimisht. Gënjeshtra është veti e keqe dhe shëmtuar. Gënjeshtër llogaritet çdo fjalë që nuk është e vërtetë, qoftë duke e thënë për shaka, apo për seriozitet, apo kur je i nevrikosur, apo për t'i bërë të tjerët që të qeshin.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e All-llahut; të tillët janë ata gënjeshtarët."
(Nahl; 105)
Për fat të keq, në shoqëri është përhapur shumë kjo dukuri negative. Vështirë është të shpëtojë nga ajo i vogëli apo i madhi, gruaja apo burri. Madje gënjeshtra gati se është bërë artikull i shitblerësave, argument i bashkëshortëve, arsyetim i fëmijëve... Gjithashtu ajo është bërë atraktive tek mediat dhe shkrimet gazetareske, tek artistët dhe humoristët.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Andaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët!" (Kalem; 8)
Vërtetë gënjeshtra sjellë dëm tek individi dhe shoqëria. Ajo tregon shpirtligësinë e gënjeshtarit, qëllimet e dobëta të tija dhe devotshmërinë e pakët që posedon. Gënjeshtari vetëm veten e tij e poshtëron, ai e largon nga vetja e tij krenarinë dhe motivitetin.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Keni kujdes nga gënjeshtra! Gënjeshtra të shpie në gjëra të këqija e ato të shpiejnë në Xhehennem. Robi vazhdon gjithnjë të jetë gënjeshtar derisa tek All-llahu shkruhet si gënjeshtar." (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)
Sa gënjeshtra kanë shkaktuar urrejtje dhe armiqësi mes njerëzve?! Sa e sa gënjeshtarë kanë humbur besueshmërinë e tyre tek njerëzit për shkak të gënjeshtrave që bëjnë?!:
• Gënjen për të mashtruar të tjerët.
• Gënjen për ta shitur mallin e tij të dobët, të prishur dhe me çmim që nuk e meriton.
• Gënjen për të blerë ashtu si i konvenon atij.
• Gënjen bashkëshortin e vet për t'ia mbuluar vetës gabimet apo tradhëtin.
• Gënjen bashkëshorten për arsye të dobëta.
• Gënjejnë për t'i bërë programet më interesante dhe për t'i tërhequr lexuesit.
S'ka dyshim se në Ditën e Gjykimit do të ketë llogari për të gjitha këto.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Mallkuar qofshin gënjeshtarët!" (Dharijat; 10)
- Gënjeshtra ndaj Allahut
Është prej gënjeshtrave më të rënda të shpifësh për All-llahun atë që nuk e di. Të thuash për një vepër të ndaluar se është e lejuar apo të thuash për një vepër të lejuar se është e ndaluar.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Mos i thuani asaj rrenës së gjuhve tuaja: "Kjo është hallall e kjo është haram" e të shpifni ndaj All-llahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj All-llahut, nuk kanë shpëtim." (Nahl; 116)
"Kush është më mizor se ai që ndaj All-llahut shpif gënjeshtra apo ka përgënjeshtruar faktet e Tij? S'ka dyshim, shpifësit dhe gënjeshtarët nuk kanë shpëtim." (En'am; 21)
"E kush është më mizor se ai që trillon gënjeshtër për All-llahun? Të tillët paraqiten para Zotit të tyre, e dëshmitarët thonë: "Këta ishin të cilët gënjyen ndaj Zotit të tyre, pra mallkimi i All-llahut qoftë kundër mizorëve!"
(Hud; 18)
Duhet pasur kujdes ata që japin fetva, të mos e thojnë diçka që All-llahu nuk e ka ligjësuar apo e ka lejuar. Apo t'i udhëzojnë njerëzit për në Xhennet në një rrugë që i devijon ata nga ai. Apo t'ia mveshin All-llahut diçka që Atij nuk i takon dhe nuk është i kënaqur me të.
Allahu e përsërit një ajet 8 herë duke treguar për dëmet e gënjeshtrës.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Atë ditë është shkatërrim për ata që përgënjeshtruan." (Murselat )
- Gënjeshtra ndaj Pejgamberit alejhi selam
Nuk lejohet që njeriu të tregojë hadithe që nuk janë të sakta, duke thënë se i ka thënë Pejgamberi alejhi selam. Edhe nëse këtë e përdorë për t'i motivuar njerëzit për vepra të mira.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Gënjeshtra ndaj meje nuk është sikur një gënjeshtër ndaj dikujt tjetër. Kush gënjen ndaj meje qëllimisht, le ta përgatisë ulësen e tij prej zjarri." (Transmenton BuhariU)
Andaj le të ketë kujdes ai që flet në emër të Pejgamberit alejhi selam! Ose t'i mësojë hadithet e sakta të Pejgamberit alejhi selam, ose le të heshtë, e mos të flasë atë që nuk e di!
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Po nëse ata ty të përgënjeshtrojnë, janë përgënjeshtruar edhe para teje të dërguar që u erdhën me argumente të prera, me shkrime qiellore dhe me libër të ndritshëm." (Ali Imran; 184)
- Gënjeshtra për t'i bërë njerëzit për të qeshur
Humoristët që trillojnë tregime, që të qeshin njerëzit, janë nën një kërcënim nga ana e All-llahut Fuqiplotë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Mjerë për atë i cili flet diçka që i bën për të qeshur njerëzit dhe gënjen, mjerë për atë, mjerë për atë!" (Transmenton Tirmidhiu)
"Unë ia garantoj një shtëpi në mes të Xhenetit atij që edhe në shaka e lë rrenën." (Transmenton Bejhekiu)
"Nuk do ta ketë njeriu besimin e plotë, derisa nuk e lë rrenën në shaka dhe në zënka,edhe nëse është korrekt." (Transmenton Ahmedi)
Nëse dikush don që të bëjë shaka, le të flasë drejtë e mos të gënjejë!
- Gënjimi i fëmijëve
Shumë prindër i gënjejnë fëmijët e tyre të vegjël që të "rehatohen" nga ata apo për t'i trembur, ashtu që të ndalen nga lojërat e të rrijnë urtë. Apo u tregojnë atyre tregime të rrejshme. Këto sjellje e dëmtojnë moralin e fëmiut, sepse fëmiu më pas pason prindërit në këtë veti të keqe.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush i thotë një fëmije: "eja, merre këtë e pastaj nuk ia jep, kjo është gënjeshtër." (Transmenton Ahmedi)
- Gënjeshtra në shitblerje
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Tre personave nuk do t'u flasë Allahu , në Ditën e Kijametit dhe nuk do t'i shikojë. Ata do të kenë një dënim të dhembshëm." Pejgamberi alejhi selam, e përsëriti këtë tri herë. Ebu Dherri tha: "Paskan humbur dhe qenkan shkatërruar, kush janë ata?" Profeti tha: "Ata që mbajnë rrobat të gjata nën nyjen e këmbës (nga mendjemadhësia), bartësi i fjalëve dhe ai që e shet mallin e vet duke u betuar rrejshëm." (Transmenton Muslimi)
"Ata dy persona që shesin dhe blejnë me njëri-tjetrin, kanë të drejtë ta blejnë apo ta kthejnë mallin, përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Nëse thonë të vërtetën dhe tregojnë gjithçka për mallin që shesin, Allahu u jep begati, por nëse i fshehin (mangësitë e mallit) dhe gënjejnë, shitblerja e tyre nuk ka bereqet." (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)
- Gënjeshtra e datës "1 prill"
Është për të ardhur keq që kjo datë njihet edhe në mesim e muslimanëve si "Dita e Rrenës". Muslimanët janë të urdhëruar që të flasin gjithmon drejtë e mos të gënjejnë, larg asaj që rrenës t'ia veçojnë një ditë të veçantë, e të shkrehen në gënjeshtra duke mos patur rezervë. A nuk ia kanë frikën All-llahut?!
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Një përson e thotë një fjalë që e hidhëron All-llahun e Madhëruar, e që ai nuk e mendon se me të ka shkaktuar dëm aq sa ka shkaktuar, e All-llahu t'a shkruaj hidhërimin e vet ndaj tij për këtë fjalë deri që ta takojë." (Transmenton Buhariu)
Andaj, i këshillojmë të gjithë besimtarët që të mos marrin pjesë në këto gjeste të dobëta dhe veti të shëmtuara dhe të ruhen nga hidhërimi i All-llahut.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo: Kur flet, gënjen. Kur i besohet diçka, nuk e mban amanetin. Kur premton, nuk e mban premtimin. Kur është në konflikt, është i padrejtë."
(Transmenton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi." (Isra; 36)
Dije se gënjeshtra është prej sëmundjeve më të rënda që i kaplon shoqëritë, është ves me dëme të mëdha sepse nuk mund të paramendohet një shoqëri e mirfilltë ku bazë e mardhënieve ndërnjerzore është gënjeshtra. Gënjeshtra është cilësi e hipokritëve siç u përmend në hadithin e lartëpërmendur, gënjeshtari gënjen për shkak moralit të tij të cekët për këtë ai është shumë larg nga morali islam.
Poashtu, Pejgamberi alejhi selam, është pyetur: "A mund të jetë besimtari frikacak?" Tha: "Po!" I thanë: "A mund të jetë besimtari koprrac?" Tha: "Po!" I thanë: "A mund të jetë besimtari gënjeshtar?" Tha: "Jo!" (Transmenton Maliku)
Transmetohet prej Aishes ( ), nënës së besimtarëve, e cila thotë: "Asnjë veti nuk ka qenë më e urrejtur për Pejgamberin alejhi selam, sesa gënjeshtra; sa e merrte vesh se dikush posedon diç prej saj, e nxirrte prej zemre, derisa e merrte vesh se ishte penduar." (Transmenton Ahmedi)
"Asnjë veti nuk ka qenë e urrejtur për Pejgamberin alejhi selam, sikur rrena. Njeriu rrente tek ai ndonjë gënjeshtër, e kjo mbetej në shpirtin e tij, derisa ta merrte vesh se është penduar nga ajo." (Transmenton Ibn Hibbani)
Nëse njerëzit ikin prej gënjeshtrës për shkak të qenurit të saj ves i neveritur gjithashtu ikin edhe melekët prej këtij vesi të shëmtuar.
"Rrena e njeriut e largon nga ai melekun një milje, nga qelbësia e asaj që ka bërë." (Transmenton Tirmidhiu)
Gënjeshtra është gënjeshtër qoftë ajo në tallje apo në seriozitet, kur flet me fëmiun apo me të rriturin, madje edhe nëse “ i thotë fëmiut merre këtë pastaj nuk ia jep llogaritet gënjeshtër” (Imam Ahmedi në Musnedin e tij)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë:
"Tradhti e madhe është që t'i tregosh diçka vëllait tënd, ai të beson, e ti e gënjen." (Transmenton Buhariu)
"Nuk ka pjesë të trupit më të dashur për Allahun se gjuha nëse ajo e flet të drejtën dhe nuk ka pjesë të trupit më të urrejtur se gjuha nëse ajo gënjen."
( Fudajl ibën Ijad )
Parimisht duhet ditur se gënjeshtra në fenë tonë konsiderohet prej veprave më të rrezikshme dhe bën pjesë në mëkatet e mëdha. Mirëpo ka tri raste kur ajo lejohet dhe për të njeriu shpërblehet e nuk dënohet. Këto tri raste janë përmendur në hadithin e saktë të Pejgamberit alejhi selam, i cili na i tregon ato.
Këto raste janë:
1. Ndërmjet bashkëshortëve për të shtuar dashuri mes tyre.
2. Personi i tretë që është ndërmjetës mes dy besimtarëve të hidhëruar për t’i pajtuar ata.
3. Gënjeshtra e armikut.
Këto janë tri raste kur sheriati e lejon gënjeshtrën ndërsa raste tjera nuk përmenden ku lejohet ajo. Por duhet pasë kujdes në këto raste të që të jetë për të mirë e jo për keq, kam për qëllim që prej tyre të përfitojnë muslimanët e jo të kenë pasoja.
-Ndërmjet bashkëshortëve për të shtuar dashuri mes tyre:
Tek gënjeshtra në mes bashkëshortëve kushtëzohet që të jetë me limit e jo të kuptojnë palët se janë duke e gënjyer njëri-tjetrin dhe kështu të fillojnë dyshimet apo të fillojnë të mos i besojnë njëri-tjetrit. Duhet pasë kujdes edhe realitetin se kjo është e lejuar vetëm në ato fjalë që e shtojnë dashurinë mes vete e jo gjëra të ndaluara.
Ta ilustrojmë me shembuj:
"Është e lejuar që burri nëse i blenë gruas një dhuratë e ajo të mos e pëlqejë sa duhet por për hir të shtimit të dashurisë mes tyre të pohojë se kjo është dhurata më e çmuar që ajo ka marrë, dhe e kundërta gënjeshtra që nuk lejohet është që burrin nëse gruaja e pyet ku ishte deri në këto orë të vona të natës ai të mos e gënjejës duke i thënë se isha në xhami ndërsa në fakt ai ka qenë në bixhoz, në zina, në alkool, etj. sepse kjo lloj gënjeshtre nuk futet në radhët e asaj që lejohet në Islam."
-Personi i tretë që është ndërmjetës mes dy besimtarëve të hidhëruar për t’i pajtuar ata:
Rasti i dytë; ai i gënjeshtrës për t'i ndrequr dy persona mes tyre është i qartë, pra personi që qëndron mes dy palëve të hidhëruara për të arritur tek pajtimi i lejohet që të shtojë dhe gënjejë fjalë nga vetja duke i transmentuar tek secila palë kinse i ka thënë pala tjetër e kështu ta zbusë situatën.
-Gënjeshtra e armikut:
Lufta është strategji dhe në të është e lejuar edhe gënjeshtra karshi armikut. Nëse një musliman mund të kontaktojë apo zihet rob nga armiku dhe pyetet se sa është numri i muslimanëve apo ku janë pozicionet e tyre ose gjëra të tjera atëherë atij i lejohet të gënjejë. Po ashtu i lejohet të gënjejë nëse futet në tokat e armikut dhe e pyesin se kush je ai mund të mos tregojë drejtë, e raste tjera të shumta të gënjeshtrës kundër armikut.
Nga ky sqarim i shkurtë arrijmë të kuptojmë se në të gjitha rastet ajo është për të mirën e palës muslimane, për të mirën e bashkëshortëve, të vëllezërve musliman dhe të shtetit Islam, pra ka të bëjë me shtëpinë Islame, me shoqërinë Islame dhe me shtetin Islam.
Duhet pasur kujdes çdo musliman që përveç këtyre rasteve të mos mendojë se lejohet gënjeshtra. Kam pasë rastin të dëgjoj apo edhe të pyetem se lejohet apo a lejohet ta gënjesh shtetin. Bazuar në këtë që përmendëm nuk lejohet një gjë e tillë dhe muslimani duhet të jetë njeri i drejtë dhe stabil me gjithsecilin duke përfshirë këtu edhe shtetin ku jeton ai. Ky është parim dhe rregull që duhet pasë parasysh gjithsecili ndërsa rastet specifike siç ishte rasti i shtetit serb gjatë okupimit të Kosovës e të ngjashme me të ato trajtohen në mënyrë të veçantë dhe për rastet të tilla jepen fetva specifike sipas nevojës dhe rrethanave të krijohen në vend duke pasë kujdes se shteti i tillë a futet në radhët e armiqve apo të aleatëve apo është shtet neutral. Prandaj mosngutja është detyrë e çdo besimtari kurse ngutja vie prej shejtanit.
Gënjeshtra është fjalë e thënë e pavërtetë ose të vepruarit në kundërshtim me të vërtetën. Kur një njeri thotë diçka të kundërt me të vërtetën duke menduar se ka thënë të vërtetën, nuk është gënjeshtër. Gënjeshtra mund të jetë thënie por edhe vepër: P.sh.: Një njeri shfaq një mënyrë të caktuar jetese me qëllim që t'u tregojë njerëzve se ai është i përkryer, por në të vërtetë nuk është i tillë. Kjo është gënjeshtër, sepse është në kundërshtim me të vërtetën, me realitetin.
- Gënjeshtra sipas Kur'anit
Ka shumë ajete Kur'anore që flasin për gëbjeshtrën dhe gënjeshtarët. Po përmendim disa.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Pra, kështu: Kush madhëron atë që All-llahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet. Juve u janë lejuar kafshët, pos atyre që u lexohen (në Kur'an), pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse." (Haxhxh; 30)
"Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e All-llahut; të tillët janë ata gënjeshtarët." (Nahl; 105)
"Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s'ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar." (Zummer; 3)
Nëpërmjet këtyre ajeteve mësojmë se Allahu e ka bërë gënjeshtrën sinonim të adhurmit të idhujve. Gënjeshtra flet për dobësim të zemrave. Kur ka gënjeshtra, udhëzimi dobësohet dhe mallkimi i Allahut zbret mbi gënjeshtarët. Ajetet thonë qartë se sa e shumtuar është gënjeshtra dhe se gënjeshtarët janë larg rrugës së përsosmërisë.
- Gënjeshtra sipas Pejgamberit alejhi selam
Hadithet sqarojnë më së miri rrezikshmërinë e gënjeshtrës dhe ndikimet e saj shkatërruese në jetën e njeriut. Gënjeshtra është në kundërshtim me besimin. Besimtari kurrë nuk gënjen, por edhe nëse ndosh që të gënjejë ai pendohet thellë për atë që bëri. Ai njeri që e ka zakon gënjeshtrën ai nuk është besimtar.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "S'ka dyshim se gënjeshtra të çon në djallëzi dhe djallëzia të çon në zjarr." (Transmenton Buhariu)
"Është tradhti e madhe që të bisedosh me vëllanë tënd e ai të të besojë e ti ta gënjesh për ato që thua ." (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)
"”Mëkati më i madh është të thuash gënjeshtra." (Transmenton Tirmidhiu)
"Morali më i keq janë, gënjeshtra dhe dyfytyrsia (hipokrizia)." (Transmenton Buhariu)
"Nuk ka veti më të shumtuar se gënjeshtra." (Transmenton Muslimi)
"E vërteta është amanet ndërsa gënjeshtra është tradhti." (Transmenton Buhariu)
Nëpërmjet këtyre transmetimeve mësojmë se gënjeshtra është tradhti dhe është në kundërshtim me besimin dhe intelektin.
"Largohuni nga gënjeshtra, sepse ajo të largon nga besimi.Vërtet, ai që thotë të vërtetën, është i nderuar dhe i shpëtuar, ndërsa gënjeshtari është gjithmonë në fatkeqësi dhe humbje."
"Mbrohuni nga gënjeshtra, sepse ajo është prej moraleve më të ulëta dhe të përbuzura.Ajo është që të çon në poshtërsi."
"E vërteta është krenari."
"E vërteta është motra e drejtësisë." (Aliu)
"Vërtet, Allahu i ka dërguar profetët që të thonë të vërtetën dhe të çojnë në vend amanetin." (Sadiku)
"Vërtet, gënjeshtra është shkatërruese e besimit."
"Kam dëgjuar babanë tim, të thotë: "Frikësojuni gënjeshtrës edhe kur është e vërtetë edhe kur është e pavërtetë, e vogël a e madhe qoftë." (Bakiri )
"Çelësi i të gjitha të këqijave është gënjeshtra." (Askeriu )
Gënjeshtra është e kundërta e sinqeritetit.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "O ju që besuat! Ta keni në kujdes All-llahun dhe të jeni me ata të drejtit." (Tewbe; 119)
Prej pjesës së fundit të ajetit nënkuptohet edhe e kundërta, d.m.th: mos jini me ata që thonë gënjeshtra.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "E vërteta të udhëzon për në rrugën e mirësisë, ndërsa mirësia të shpie në xhenet. Kur njeriu thotë gjithmonë vetëm të vërtetën, konsiderohet tek Allahu si njeri i drejtë dhe besnik. Me të vërtetë gënjeshtra të shkatërron dhe të çon në zjarrin e xhehenemit. Kur njeriu e bën shprehi gënjeshtrën, konsiderohet tek Allahu gënjeshtar." (Transmenton Buhariu, Muslimi, Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh)
Ky hadith tregon se personi që mundohet të jetë vazhdimisht i saktë dhe i sinqertë në fjalët e tij, saktësia dhe sinqeriteti i shndërrohen në tipare të karakterit, ndërsa personi që gënjen me vetëdije duke e shndërruar në shprehi, mashtrimi bëhet tipar i natyrës së tij. Në Islam, gënjeshtra është e ndaluar dhe konsiderohet njëra nga mëkatet e mëdha. Gënjeshtër konsiderohet çdo thënie dhe veprim që është i ndryshëm nga fjala dhe vepra reale. Sa gënjeshtra kanë shkaktuar urrejtje dhe armiqësi mes njerëzve?! Sa e sa gënjeshtarë kanë humbur besueshmërinë e tyre tek njerëzit?! Për fat të keq, në shoqërinë tonë është përhapur shumë kjo dukuri negative.
Gënjeshtra dëmton edhe individin, edhe shoqërinë. Ajo nxjerr në pah shpirtligësinë e gënjeshtarit, qëllimet e ulëta të tija dhe devotshmërinë e pakët që ai ka. Gënjeshtra është njëra prej sëmundjeve më të rënda që mund të përfshijë një shoqëri, është vesi me pasoja negative më të mëdha, sepse nuk mund të paramendohet një shoqëri e mirëfilltë e bazuar në marrëdhënie ndërnjerëzore të gënjeshtërta. Gënjeshtra është burimi i të gjitha të këqijave, origjina e çdo poshtërimi, si pasojë e përfundimit të keq dhe rezultatit negativ të saj. Nga gënjeshtra lind shpifja, nga shpifja lind urrejtja, që të çon drejt armiqësisë së ndërsjelltë dhe atëherë nuk ka më as siguri dhe as qetësi. Islami e ndalon gënjeshtrën, këtë sëmundje të keqe, veti të shëmtuar dhe të urryer nga çdo njeri me mendje dhe arsye të shëndoshë. Ajo ka pasoja të këqija. Shpeshherë edhe fatale. Gënjeshtari është njeri i urryer nga të gjithë dhe, në të njëjtën kohë edhe njeri i pabesueshëm.
"Po gënjeve tërë jetën, s'të besojnë as të vërtetën." (Fjalë e urtë Popullore )
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë:
"Pra, kështu: Kush madhëron atë që All-llahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet. Juve u janë lejuar kafshët, pos atyre që u lexohen (në Kur'an), pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse." (Haxhxh; 30)
Fjala është pasqyrim i shpirtit dhe i mendimeve tona, d.m.th kur flasim, mes të tjerash, flet edhe personaliteti ynë, tendencat tona dhe këndvështrimi ynë mbi botën. Gënjeshtra konsiderohet shenjë e dyfytyrëshit (munafikut). Për fat të keq, sot ekziston një ditë, të cilën e festojnë shumë njerëz në botë, 1 Prilli apo, siç është e njohur tek ne, “dita e rrenave”. Në këtë ditë gënjeshtra është e lejuar pa ndonjë kufi. Viktima e kësaj dite nuk duhet të hidhërohet, edhe pse në disa raste pasojat e gënjeshtrave janë katastrofale dhe e dëmtojnë seriozisht atë. Për muslimanët, gënjeshtra është haram. Nuk ka dallim mes 1 Prillit apo 2 Prillit.
- Shkaqet e gënjeshtrës
Arsyet dhe shkaqet që i shtyjnë njerëzit të gënjejnë janë të shumta.
Disa prej tyre janë:
1. Frika e pakët nga Allahu dhe mosdhënia rëndësi faktit se Allahu të shikon kudo që të jesh dhe të dëgjon në çdo moment.
2. Përpjekja për të ndryshuar të vërtetën, me dëshirën për të fituar ose për t'i ulur vlerën një malli apo edhe për t'u mburrur.
3. Përshtatja me njerëzit me të cilët qëndron dhe tërheqja e vëmendjes së tyre me tregime dhe informacione të pavërteta.
4. Mungesa e përgjegjësisë dhe përpjekja për të ikur nga e vërteta në kohë krize.
5. Të bërit e gënjeshtrës shprehi që në vogëli, gjë që vjen nga edukimi i ulët. Njeriu që i ka parë dhe i ka dëgjuar që në moshë të vogël prindërit e tij duke gënjyer, ka ndjekur shembullin e tyre derisa e ka bërë gënjeshtrën një zakon të pandarë nga vetja e tij.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Me të vërtetë sinqeriteti (drejtësia) udhëzon në vepra të mira, ndërsa veprat e mira udhëzojnë në xhenet. Njeriu me siguri do të vazhdojë duke vepruar drejt, derisa të regjistrohet te Zoti njeri i sinqertë. Ndërsa me të vërtetë gënjeshtra udhëzon në vepra të këqija, kurse veprat e këqija udhëzojnë në xhehenem. Njeriu me siguri do të vazhdojë duke gënjyer deri sa të regjistrohet edhe te Zoti njeri gënjeshtar." (Transmeton Buhariu)
Allahu i Madhërishëm ka veçuar kohë të caktuara, në të cilat besimtarët duhet të përkushtohen me adhurime të caktuara, sepse vlera e tyre është mjaft e madhe. Shembuj të tillë janë të shumtë, si: agjërimi i ditës së Arafatit, ditës së Ashurasë, gjashtë ditëve të shevalit, ditëve të bardha të çdo muaji, ditëve të hëna dhe të enjte, pastaj, veçimi i netëve të fundit të ramazanit për ibadet, veçimi i muajit të ramazanit, veçimi i ditës së xhuma etj. Mirëpo, Allahu , asnjëherë nuk ka caktuar ditë, apo momente, në të cilat lejohen mëkatet. Krijuesi kërkon prej njeriut që gjithherë të jetë i drejtë, të dëshmojë të vërtetën.
Muhamedi alejhi selam ka qenë njeri i drejtë dhe i sinqertë. Gënjeshtra nuk ka qenë cilësi e tij asnjëherë, as para shpalljes e as pas saj. Në kohën para shpalljes, populli i Mekës i dhanë epitetin "El-Emin" që don të thotë: "Besniku – i Sinqerti". Për këtë arsye, Herakliu, mbreti i Romës, kur e pyeti Ebu Sufjanin disa gjëra në lidhje me Muhamedin alejhi selam, ndër të tjera i tha: "A e keni akuzuar atë ndonjëherë me gënjeshtër para se ta thotë atë që thotë tani (se është i dërguar i Allahut)?" Ebu Sufjani tha: "Jo." Atëherë Herakliu tha: "Nuk ka mundësi që ai të mos gënjejë për njerëzit e pastaj të gënjejë për Allahun."
Ndërkaq, poqëse hulumtojmë në fjalorët e gjuhës shqipe, gjejmë se gënjeshtra definohet si: fjalë a pohim që fsheh me qëllim të vërtetën. (Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë, 2006, faqe 312). Pra, na del se është një cilësi, që njeriu duke u pajisur me të, arrin ta degradojë vetveten dhe të rreshtohet në radhën e hipokritëve. Muhamedi alejhi selam në mënyrë kategorike ishte i vendosur në luftimin e kësaj dukurie të ligë e qyqare.
Allahu e di më së miri!