Dyshimi apo mëdyshja, është një gjendje emocionale pasigurie në lidhje me besimin (kur merr formën e mosbesimit), veprimin, vendimin apo hamendësinë ndaj fakteve.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Vini re! Ata janë në dyshim për takimin me Zotin e tyre (me botën tjetër), e ta dini se Ai ka përfshirë me dijen e vet çdo send." (Fussilet; 54)

Mos e bën zemrën tënde për dyshimet dhe veset e këqija si sfungjer për t'i pirë... Dyshimi, inspirim djallëzor! Dyshimet janë sinjale të cilat arrijnë në zemër dhe janë pengesë mes zemrës dhe kuptimit të së vërtetës. Atëherë kur zemra të kupton realitetin e diturisë, nuk kanë efekt dhe as nuk i lënë gjurmë dyshimi.


- Sprova e dyshimeve

Është një gjë e përcaktuar nga Allahu, që njeriu të sprovohet, madje sprova është një përcaktim dhe sjellje hyjnore, e cila mbart në vetvete një sërë urtësish, një pjesë të të cilave njeriu arrin t'i zbulojë, por një pjesë prej tyre janë të panjohura për ta. Dhe një gjë është e ditur, dhe e qartë, se kush del me sukses, dhe i kalon këto sprova, patjetër që besimi i tij është kalitur, gradët e tij janë rritur dhe Ditën e Gjykimit ky njeri do të jetë i mikpritur nga Allahu. Pra, Allahu e ka bërë sprovën pjesë të kësaj jete, u sprova njeriu i parë dhe babai i njerëzimit, kështu që të gjithë do të vihemi në provë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “A menduan njerëzit të thonë: "Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t'i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t'i dallojë edhe gënjeshtarët.” (Ankebut, 2-3)

Sprovat të cilat i paraqiten njeriut janë dy llojesh: sprovat e dyshimit dhe sprovat e epsheve (ku në të parën ranë të krishterët e në të dytën jahudit), por që të dyja këto i kanë shkaqet, pasojat dhe kurimin, por meqenëse jemi në rubrikën e akides, do të qëndrojmë me sprovat e dyshimit, edhe për faktin tjetër se këto lloj sprovash janë edhe më të rëndat e më të rrezikshmet.
"Sprovat e dyshimeve janë më të rrezikshemt, sepse ndodh shpeshherë që njeriu për shkak të një dyshimi të braktisë fenë e tij. Dhe sprovat e dyshimeve janë të shumta, prej tyre kanë lidhje me Allahun e Lartësuar, Krijuesin e Gjithësisë; ka prej tyre që kanë lidhje me Pejgamberin alejhi selam; prej tyre kanë lidhje me Kur'anin; ka prej tyre që kanë lidhje me urdhëresat e ndalesat." (Ibn Bazi )

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Shpejtoni në kryerjen e veprave të mira para se të vijnë disa fitne si nata të zeza. Në to gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset kafir. Ngryset besimtar dhe gdhihet kafir. E shet fenë e tij për dicka të pakët nga kjo dunja." (Transmenton Muslimi)
"Atë që je i dyshimtë zëvendësoje me atë që nuk je i dyshimtë." (Transmenton Tirmidhiu)



"Sprova e dyshimit largohet me siguri dhe bindje..." (Ibn Kajjimi )

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijësa) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur." (Sexhde; 24)
"Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm." ('Asr; 3)

Me këshillimin për tek e vërteta arrihet largimi i dyshimeve, ndërsa me këshillimin për durim largohen epshet. Pra, nëse besimtari kërkon që të shpëtojë nga sprova e dyshimeve, ai patjetër që ka nevojë të shtojë dijen, të pastrojë qëllimin, të forcojë bindjen dhe të realizojë nënshtrimin.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Njerëzit debatojnë derisa njëri prej tyre nuk thotë: Allahu krijoi krijesat, e kush e krijoi Allahun? Kush e bënë këtë pyetje, le të kërkoj strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar dhe të ndalet."
(Transmenton Buhariu dhe Muslimi)
"Largohu prej gjithçkaje që është e dyshimtë, kurse përmbaju asaj që nuk është e dyshimtë. Vërtet sinqeriteti në besim është siguri, kurse gënjeshtra është dyshim." (Transmenton Buhariu)

Nga ilaçet e parandalimit të dyshimeve është largimi dhe mosdialogimi me të devijuarit. Njëherë dikush shkoi tek Hasan El-Basriu dhe i tha: "O Ebu Seid! Unë dua të dialogoj me ty?" - Hasani ia ktheu: "Shko dhe hiqmu, sepse unë i njoh si duhet fenë time, shko e dialogo me ata të cilët kanë dyshime në fenë e tyre."

Andaj, mos e bën zemrën tënde për dyshimet dhe veset e këqija si sfungjer për t'i pirë, pastaj nuk spërkat vetëm me dyshime, por bëre zemrën tëndesi një shishe xhami, kalojnë dyshimet nga jashtë dhe nuk qëndrojnë në të, i shikon me çiltërsinë e saj dhe i largon me ngurtësinë dhe fortësinë e saj, përndryshe nëse zemra yte e pranon çdo dyshim i cili kalon, do të shënohet zemra yte në bazë dhe qendër të dyshimeve. Ty të ftoj të përkujtosh Atë që krijoi çdo gjë! Ai është Bujar, i Butë e i Mëshirshëm. Të mjafton Atij t’i lutesh me përgjërim, e tek Ai strehim e mbrojtje të kërkosh. Ai di se ç’mban kraharori yt! Thuaj: Zoti është më i Madhi! Thuaj: O Zoti im! Tek Ti kërkoj mbrojtje e strehim nga djalli i mallkuar!

Mos humb shpresat te Zoti i Gjithësisë, Atij i takon sundimi, është i Gjithëpushtetshëm. Mjafton t’i kthehesh Atij e t’i drejtohesh me zemër të sinqertë! Mos e fundos edhe më tej veten. Këtë e dëshiron djalli i mallkuar; të të shpie në stres e depresion. Ndërsa, Zoti i Gjithëmëshirshëm paqe e qetësi të premton!

Allahu e di më së miri!

Allahu na ruajt prej dyshimev.
AMIN !