Shpirti i njeriut u krijua nga Allahu Fuqiplotë, mirëpo ai ka shumë mistere, dhe vërtet për të na është dhënë shumë pak dituri.
Diturinë rreth shpirtrave apo shpirtit i marrim nga urtësitë kur’anore dhe mësimet e Pejgamberit Muhamed a.s.
Kur shtrohet pyetja për shpirtin Kur’ani, Fjala e Allahut xh.sh, na jep këtë përgjigje: “Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije" (Isra-85).
Mirëpo tema e këtij libri ‘Gjurmë në udhën shpirtërore’ na tregon se shpirti i njeriut përjeton shumë udhëtime të ndryshme deri në takim me Allahun xh.sh, në botën e përtejme.
Shpirti në Kur’an spikatet si nefs dhe në Kur’an na shpalosen tre lloje të shpirtrave:
a. Nefsul-Mutmeinne (Nefs i qetë)
b. Nefsul-Ammaretun Bi su (Nefs që urdhëron për të këqija)
c. Nefsul-Levvame (Nefs i cili qorton i cili ndien keqardhje)
1. Shpirti i qetë na tregohet në suren Fexhr:
“O ti shpirt i bindur plotësisht!, Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar!, Hyn në turmën e robërve të Mi!, Dhe hyn në xhennetin Tim!” (Fexhr-27-30).
2. Kurse nefsi apo shpirti që urdhëron për të këqija, është egoja ndjesia epsharake e pa kontrolluar: “
Unë nuk e shfajësoj veten time, pse uni është shumë nxitës për të keqën, përveç atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë.” (Jusuf: 53).
3. Shpirti apo nefsi që qorton apo ndjen keqardhje.
Betohem në shpirtin që është shumë qortues! (Kijameh- 2).
Këtu hyjnë ata shpirtra që janë të luhatur dhe i bien pishman kur gabojnë pra janë të rikuperueshëm shpesh herë qortojnë vetveten dhe pendohen.
Por, në fakt shpirti i njeriut ka shumë gjurmë sidomos gjatë jetës së kësaj bote, ne zakonisht kur e duam dikë, me ndjesi të veçantë i themi ‘ju duam me shpirt’, apo ‘të dua me shpirt’. Në fakt njerëzit kanë përjetime të mëdha, por dhe shpirtrat e tyre, Allahu e di më së miri se sa.
Ubejd ibn Umejri tha: “Kur vdes njeriu, e presin atë shpirtrat dhe fillojnë të marrin informata, sikundër marrin informata udhëtarët, çfarë ka bërë filani dhe çfarë ka bërë filani? E nëse thotë për ndonjë: po ai ka vdekur dhe nuk është bashkuar me ata. Thonë e kanë dëgjuar në El-Havijeh (Në xhehenem, apo te shpirtrat e jobesimtarëve).”
Seid Ibnul-Musejjibi tha: “Kur vdes njeriu, e pret babai i tij ashtu si pritet udhëtari.”(1)
Salih El-Merriu tha: Më është bërë e njohur se shpirtrat takohen në momentin e vdekjes, kurse shpirtrat e të vdekurve i thonë atij shpirti që është duke shkuar tek ata: Si ka qenë vendi yt, në çfarë trupi ke qenë, në trup të mirë apo në trup të keq? Pastaj filloi të qante derisa e kaploi të qarët.(2)
Studjuesi David Lawrence thotë: 'Shpirtërore' do të thotë diçka 'jo-fizike'. Idetë tona, inteligjenca, imagjinata, ndjenja e humorit, mirëdashja, kreativiteti dhe kështu me radhë, pra të gjitha cilësitë që na bëjnë në realitet se kush jemi. Ne kërkojmë lumturi, dashuri, miqësi dhe paqe, dhe të gjitha këto nuk janë fizike por metafizike. Shpirtërorja jonë formon botën tonë, sepse jetët tona janë thjesht një refleksion çfarëdo qoftë gjëje që ne mbajmë në mendjet tona.(3)
Thuhet se në të kaluarën kishte qenë një njeri që kish kërkuar pasuri nëpër tokë, kërkonte diamante e flori, duke ecur nëpër kontinente kishte zbuluar shumë thesare e pasuri, por ato nuk e kënaqën aspak. Edhe pse të gjitha i arriti, nuk kishte pasurinë më të madhe atë shpirtërore. Mirëpo në rrugë e sipër pasi kishte humbur shpresat për të qenë i lumtur për thesaret që kish zbuluar, i trishtuar takoi pranë një lugine një njeri i cili ishte ulur poshtë një peme dhe po lutej e meditonte. Ky person që ishte i varfër shpirtërisht, por i pasur shumë materialisht e pyeti këtë njeri poshtë pemës se a ndjehet i lumtur dhe i pasur. Ai i kishte thënë “po”. Ky ishte habitur dhe duke hapur sytë i kishte thënë: “Çka të lumturon ty?” Ai ishte përgjigjur: “Shpirtin ma pasuron e lumturon lidhja me Krijuesin e tokës dhe qiellit, dhe sa herë që shkoj poshtë kësaj peme falem, lutem e meditoj.” Pra shpirtin e qetëson ose pasuron lidhja me Krijuesin, ajo është qetësi dhe e vërteta që e liron nga çdo brengë krijesën.
Sipas Platonit, shpirtit i njeriut para se të binte në botën e gjërave, jetoi në një botë ideale, botën e ideve. Atje njohu thelbin e vërtetë të gjërave. Shpirtin e Krijoi i Madhi Allah dhe kjo është një realitet. Do të vie dita kur ky shpirt të dalë. Prandaj e lusim Allahun që të takohemi në Xhenet me Krijuesin e këtyre shpirtrave, Allahun Fuqiplotë.
Njeriu përjeton shumë gjurmë në udhën e shpirtit:
1. Gjurmë të dashurisë
2. Gjurmë të afërsisë dhe ndjenjave
3. Mbushjen e shpirtit me dashuri dhe besim ndaj Zotit
4. Gjurmë në udhëtimet e tij gjatë kësaj bote
5. Gjurmë në takimin me shpirtrat e tjerë
6. Gjurmë në pastrimin e shpirtit nga gjynahet
7. Gjurmë në historinë e shpirtrave dhe shpirtit të vet
8. Gjurmë në atë se shpirti është një mister që Allahu na dha pak dije për të
9. Gjurmë që shpirti duhet të jetë gjithmonë i përulur ndaj Krijuesit
10. Gjurmë që shpirti duhet tu shërbejë të tjerëve me mirësi
11. Gjurmë që shpirti ta zhdukë egon dhe arrogancën.
12. Gjurmë që Allahu i nxori shpirtrat e njerëzve nga shpina e Ademit njeriut të parë në tokë.
1. Iben Kajjim El-Xhevzije “Shpirti”,Botues : Fondacioni Rinisë Islame,Shqipëroi: Osman Abazi,Fq-38
2. Iben Kajimi, Po aty–Fq-38
3. David Lawrence Preston,”365 steps to practical spirituality”Published by How To Content A division of How To Books Ltd Spring Hill House, Spring Hill Road Begbroke, Oxford OX5 1RX, United Kingdom 2007-Faqe-12