Komuna e Gjakovës përfiton nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë me restaurimin e Medresesë së Vogël dhe Kutubhanes (Bibliotekës) në Xhaminë e Hadumit
Sot, më 12 mars 2015, në Gjakovë, u mbajt një takim i përbashkët mes Myftiut të Kosovës, Naim ef.Ternava, Kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila dhe përfaqësuesit nga Drejtoria e Vakëfeve të Turqisë, Suad Faruk Giraj, ku në mënyrë solemne u shënua fillimi i punimeve në restaurimin e objekteve fetare të trashëgimisë kulturore në komunën e Gjakovës, restaurimit të Medresesë së Vogël dhe Kutubhanes (Bibliotekës) në Xhaminë e Hadumit, objekte këto të dëmtuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në fillim të takimit, Kryetarja Mimoza Kusari Lila falënderoi qeverinë turke për angazhimin dhe mundësin që Gjakovës t’i kthehen objektet e trashëgimisë kulturore.
“Sot e në vazhdim komuna e Gjakovës po ndjenë frytet e takimeve tona të vazhdueshme në kontributin e restaurimit të objekteve fetare të trashëgimisë kulturore në komunën e Gjakovës, si në ndërtimin e bibliotekës, të Medresesë së Vogël e radhazi, njëra pas tjetrës, të xhamive që gjenden ne Gjakovë. Me respekt të veçantë ju falënderoj për faktin që realizimin e projekteve po e filloni në komunën e Gjakovës. Në Gjakovë ka shumë objekte të trashëgimisë kulturore që i përkasin periudhës osmane, e që kanë nevojë për kujdes meritor e profesional”, u shpreh kryetarja Kusari Lila.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i delegacionit turk Suad Faruk Giraj u shpreh i kënaqur që projektet e tyre do t’i fillojnë në komunën e Gjakovës, siç tha ai “për t’ju dalë zotë vlerave kulturore e fetare”. Ai falënderoi të gjithë për gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, e në veçanti kryetaren dhe stafin punues në përgatitjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm i cili mundëson fillimin e menjëhershëm të punës.
Për rëndësinë e realizimit të këtyre projekteve foli përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Skënder Boshtraj, i cili vlerësoi lartë mbështetjen për renovimin e objekteve kulturore dhe historike.
Më pas të pranishmëve iu drejtua edhe myftiu i Kosovës, Naim ef.Tërnava i cili tha: “Me emrin e Allahut Mëshiruesit Mëshirëbërësit, e nderuara zonja kryetare, Mimoza Kusari Lila, i nderuar kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, Ahmet ef.Hoxha, i nderuar përfaqësues i Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë, Suad Faruk Giraj, i nderuar përfaqësues i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Skënder Boshtraj, të nderuar bashkëpunëtorë të mi dhe ju të pranishëm, më lejoni që në emrin tuaj t’ju dëshiroj mirëseardhje vëllezërve dhe motrave tona që vijnë nga Turqia në Kosovën tonë të dashur.
Kosova është një vend i vogël, por me zemër shumë të madhe, një vend me ardhmëri të islamit brenda për brenda Ballkanit, por edhe Evropës. Për ne e kaluara ka qenë e dhimbshme edhe në fushën e dëmtimit dhe shkatërrimit të trashëgimisë sonë kulturore nga ana e Serbisë në vazhdimësi. Megjithatë, nuk ka komunë që nuk ka ruajtur, diku më shumë e diku më pakë, nga trashëgimia jonë kulturore atdhetare, islame, historike e kombëtare dhe me atë ne krenohemi që ia kemi dalë që në ato kushte mjaft të vështira të përkujdesemi për një begati që nuk mund të peshohet në fazat nëpër të cilat ka kaluar ky vend dhe fazat që presin në të ardhmen. Prandaj edhe një herë dëshiroj të falënderoj Turqinë dhe popullin e saj për tërë atë që ka bërë për Kosovën gjatë luftës e pas luftës dhe për investimet e vazhdueshme që i bën në vendin tonë. Falënderojmë në veçanti Drejtorinë e Vakëfeve e cila ka bërë shumë në restaurimin e shumë xhamive, e tash do të fillon punën këtu, për herë të parë, në komunën e Gjakovës, vend ku kombit tonë i ka dhënë shumë, si në aspektin fetar poashtu edhe në atë kombëtarë dhe unë jam shumë i kënaqur që ata kanë ardhur në Gjakovë, të fillojnë punën në Gjakovë, në qytetin prej nga kanë dalë ulema të shumtë, shumë e shumë dëshmorë dhe shumë njerëz të cilët me përkushtimin më të madh i kanë kontribuar këtij vendi. Është një vend që me të vërtetë e meriton që t’i kthehet shikimi dhe të shikohet e ardhmja dhe perspektiva e saj. dëshiroj edhe një herë të falënderoj kryetaren dhe gjithë stafin punues dhe administratën e kësaj komune që lehtësuan punën tonë në përgatitjen e dokumentacionit për nisjen e punëve dhe lus Zotin e Madhërishëm që të na ndihmoj që ta fillojmë menjëherë punën. Pa dyshim se këtu do të kemi punë edhe më të mëdha se këto që do t’i nisim, në fushën e trashëgimisë sonë të përbashkët që e kemi këtu në Kosovë.