Sharja, vullgariteti dhe primitivizmi në Kosovë

“Ju mos i shani ata që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) ata të shajnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai do t’i njfojtojë për çdo gjë që kanë bërë.” (El-En’am: 108)

Thevbani (r.a.) ka transmetuar se Pejgamberi i All-llahut (s) ka thënë: “Lum për atë që zotëron me gjuhën e vet, për atë që merret me veten dhe familjen e tij dhe për atë që qanë për gjynahet e veta.” (Taberaniu)

Pejgamberi i All-llahut (s) ka thënë: “E mëshiroftë All-llahu atë që e ruan gjuhën e vet, atë që e kupton kohën në të cilën jeton dhe atë që qëndron në rrugën e drejtë”.

Kohët e fundit jemi dëshmitarë që në jetën e shqiptarëve të Kosovës është futur një mal dukurish të pazakonta që kanë të bëjnë me komunikimin e ndërsjellë të njerëzve, të cilët akoma edhe pas 14 vitesh pas lufte nuk mund të gjejnë gjuhën e përbashkët. Më vjen keq që duhet të vë në dukje një fakt që tregon se shqiptarët e Kosovës më mirë komunikonin me njëri–tjetrin në kohën e Serbisë kur gjuhë zyrtare ishte gjuha serbe se sa sot në gjuhën tonë të dashur shqipe. Është e dhimbshme kur dëgjon nga të gjitha anët dhe nga të gjitha mjetet e komunikimit masivë një gjuhë të tillë të ashpër, vullgare dhe primitive. Por, edhe më e dhimbshme është kur e dëgjon atë gjuhë edhe nga disa minbere të xhamive, të cilët konsiderohen si shtëpitë e All-llahut për shkak të shenjtërisë dhe frymës religjioze që kanë ato në vete. Ndërsa fatkeqësi më e madhe se kjo është kur individët të cilët e përdorin dhe demonstrojnë me këtë gjuhë shpallen si hero dhe si alltan të kombit shqiptar, sikurse ishte rasti me këngën e fundit të zhanrit rep. Një këngë që fund e krye përshkohet me sharjet më të ndyta dhe më vullgare, të cilat në kontekstin më të keq lidhen me islamin dhe mbrojtjen tij karshi politikanëve, laikëve dhe ateistëve të Kosovës. A është vallë, kjo gjuha me të cilën ne si myslimanë duhet të komunikojmë me të tjerët qofshin ata besimtarë apo jobesimtarë, laikë apo agnostikë, muslimanë apo jomuslimanë? A përdori ndonjëherë Pejgamberi ynë (s) në jetën tij këtë gjuhë dhe këtë lloj komunikimi? Asnjëherë as kundër armiqve të tij më të përbetuar. As në Uhud, as në Taif, as me rastin e çlirimit të Mekkës as në shumë raste të tjera ku sulmohej në mënyrat më të këqija, ai gjithmonë e ruante dinjitetin e tij dhe nuk e degradoi as gjuhën as zemrën e tij me forma të tilla komunikimi me të cilat ne sot jemi mësuar t’i dëgjojmë për çdo ditë.
Për shembull, Ebu Xhehli vdiq pa e përqafuar Islamin, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Profetit (a.s.) Mosbesimi dhe armiqësia e tij ndaj Profetit ishte në atë shkallë që Ebu Xhehli e meritonte të etiketohej si babai i injorancës dhe paturpësisë. Angazhimi i tij i vazhdueshëm kundër Islamit ishte një problem për muslimanët.
Pavarësisht nga armiqësia e shfaqur prej Ebu Xhehlit kundër Profetit (a.s.), një ditë në një kuvend të sahabeve ku merrte pjesë edhe Ikrime djali i Ebu Xhehlit, Profeti (a.s.) qortoi njërin prej tyre pse kishte fyer Ebu Xhehlin: "Mos i lëndoni të tjerët duke kritikuar baballarët e tyre."
Njëherë tjetër ai tha: "Të mallkosh nënën dhe babën tënd është një mëkat i madh." Bashkëpunëtorët e pyetën: "O i Dërguari i Zotit, a mundet ndonjëri të shajë apo mallkojë prindërit e tij?" Princi i Profetëve u përgjigj: "Kur dikush shan apo mallkon prindërit e të tjerëve dhe merr si përgjigje të njëjtën gjë, atëherë ai ka sharë apo mallkuar prindërit e tij!"

Shikoni shembujt e pejgamberëve tjerë të Zotit në Kur’an dhe reagimet e tyre ndaj kundërshtarëve të tyre ideologjik dhe njerëzve negativë të kohës dhe do të bindemi se format e tyre të komunikimit me të njëjtët kanë shkaktuar impresionim dhe fascinim tek ata. Është shembulli i Ibrahimit (a.s) se si komunikon me babanë e tij idhujtar, e Sulejmanit (a.s.) se si e mahnit Belkisën e Sabës me formimin e tij të mrekullueshëm moral dhe intelektual, si komunikon Musai (a.s.) me Faronin dhe magjistarët, etj. etj.
Reagimet e pakujdesshme verbale të njerëzve të caktuar ndaj situatave të ndryshme duke përdorur formulime të ndryshme të sharjes dhe mallkimit ndonëse në shikim të parë duken si jo të dëmshme, pasojat e reagimeve të tilla mund të jenë shumë lehtë fatale për të dyja palët në komunikim. Në të vërtetë sipas haditheve të Pejgamberit (s) pasojat e mallkimit dhe sharjes e godasin atë që i formulon dhe i shpreh duke e lënduar dhe degraduar shpirtin e tij, e nuk e dëmtojnë atë që i janë drejtuar. Pikërisht për shkak të faktit se njerëzit nuk i definon dhe nuk i bënë të tillë ajo çfarë u ndodh në jetën e tyre, por reagimi ndaj atyre ndodhive, mallkimi si përgjigje ndaj situatave të ndryshme jetësore, apo ndaj karakterit dhe veprave (të këqija) të njerëzve është vetshkatërrimtar. Është krejtësisht e qartë asnjë person nuk mallkon për qejf, veç se për atë akt gjen motive të mjaftueshme rreth vetes, të cilat – pas një përpunimi të caktuar mendor – shkaktojnë një shpërthim (erupsion) emocional të ndjenjave negative (p.sh. pakënaqësia, paaftësia, hidhërimi, dhimbja etj.) që kulmon në formulime të ndryshme mallkuese, fyese, sharëse. Personat të cilët me lehtësi kërkojnë shkatërrimin e njerëzve tjerë, u është bërë padrejtësi apo jo, me atë ves zbulojnë humnerën shpirtërore të ngritur nga shpirtngushtësia, vetëmjaftueshmëria, cektësia e mendjes dhe vogëlsia e zemrës.
Shikuar nga brenda, sharja është primitivizëm, mungesë e kulturës dhe mospërfillje e skajshme, shkretërim dhe zbrazësi e shpirtit. Shikuar nga jashtë, sharja është mungesë e arsimimit dhe edukimit të njeriut. Ajo është dëshmi dhe rezultat e një përpunimi të gabuar mendor të pakënaqësive të ndryshme jetësore. Është dëshmi e mungesës së një sistemi të drejtë mendor, mungesë e fisnikërisë dhe zbukurimit të shpirtit, por edhe dëshmi e varfërisë, primitivizmit dhe vullgaritetit të skajshëm te njerëzit. Zakonisht shajnë ata njerëz që nuk kanë dhe nuk dinë çfarë të flasin, njerëzit, të cilët nuk mendojnë fare se çka flasin dhe të cilët nuk i kushtojnë rëndësi shenjtërive dhe vlerave të jetës. Pejgamberi (s) ka thënë: “ Fol mirë ose hesht”. Sipas mësimit islam jo vetëm që është e ndaluar të shash, por është e ndaluar edhe të jesh i vrazhdë, i shfrenuar, i zemëruar, autoritar, mendjemadh etj. Me sjelle dhe veprime të tilla largohen, dëbohen, shpërndahen e nuk tubohen, nuk njihen, nuk afrohen, nuk shoqërohen, nuk bashkëpunojnë dhe nuk lidhen njerëzit. “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falu atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten” ( 3:159).
Në bazë të ajeteve dhe haditheve të përmendura, padyshim dhe plotësisht në mënyrë të qartë rezulton se Islami e ndalon sharjen, fyerjen, provokimin, nxitjen, sulmin, përshqeshjen, talljen, poshtërimin dhe nënçmimin e njerëzve në cilëndo formë dhe mbi cilëndo bazë qoftë ajo. Në misionin e islamit duhet të sillemi me butësi, urtësi, me zemër të hapur, me shpirtgjerësi, me besim dhe me një respekt dhe konsideratë të plotë ndaj njerëzve, me një gjuhë të qartë dhe elokuente, me plot takt, durim dhe në mënyrën më të mirë.

Ata që All-llahu (xh. sh.) i ka mëshiruar për ta marrë rrugën e misionarëve të së mirës nuk është e mjaftueshme vetëm zotërimi i vullnetit të fortë, por u duhet edhe dije e madhe, durim dhe butësi. Disa dijetar, sikurse ibni Tejmije, konsiderojnë se këto janë cilësitë themelore që duhet t’i ketë ai që dëshiron të promovojë të mirën dhe të përpiqet për ta larguar të keqën. Transmeton Muadh ibn Xhebeli (r.a.) që Muhammedi (s) ka thënë: “dituria është prijëse e veprës.” Prandaj, ai që dëshiron të përmirësojë gjendjen e popullit, në qoftë se nuk ka njohuri (dije) më shumë do të shkaktojë dëme se dobi. Injoranti nuk merr parasysh prioritetet, as dallimin midis shkallëve të së mirës dhe sasive të së keqes. Ai shpesh e ka të njëjtin qëndrim ndaj asaj që është urdhëruar si farz dhe asaj që është e rekomanduar për të bërë. Të tillët vënë shenjën e barazimit të asaj që është rreptësisht e ndaluar dhe asaj që është thjesht e papëlqyeshme. Ata nuk bëjnë asnjë ndryshim rreth çështjeve për cilët dijetarët kanë një mendim të harmonizuar dhe atyre gjërave për të cilat ata nuk kanë një qëndrim të unifikuar. Ata nuk mendojnë dhe nuk marrin parasysh gjendjen e një individi, grupi apo populli të cilit i drejtohen. Ata janë krejtësisht indiferentë karshi klimës shpirtërore, psikologjike, pedagogjike dhe në përgjithësi intelektuale të njerëzve, grupeve apo popujve të cilëve ju drejtohen me ofertën dhe projektin madhështor universal hyjnor të mesazhit islam. Kushtet jetësore, pasioni politiko-ideologjik, shkalla e besimit dhe niveli i njohurive fetare, zakonet e mjedisit, shprehitë dhe sfera e interesimit të njerëzve që i thërrasim, por edhe shumë kushte dhe specifika tjera të cilat nuk i kemi përmendur, kanë një rëndësi thelbësore që duhet t’i njohim në mënyrë që të jemi të suksesshëm në fushatën tonë duke bërë thirrje për promovimin e së mirës së përgjithshme. Në fund të fundit islamin ne nuk duhet ta misionarizojmë, por atë duhet në praktikë ta zbatojmë dhe sipas tij të jetojmë. Omer ibn Abdulazziz ka thënë: "Kushdo që e adhuron All-llahun pa dije (dituri), më shumë do të prishë se do të rregullojë.

Debatojnë dy njerëz të njohur. I pari është i shqetësuar dhe i vrazhdë në gjuhë. I dyti është më i qetë dhe bën kujdes ndaj fjalëve të veta.
"Do të shaj diçka sa që ajo sharje do të vijë me ty në varr." ( i thotë i pari)
"Sharja e jote do të jetë me ty në varr, e jo me mua." (i përgjigjet i dyti)

Nga pikëpamja fetare

Sharja ofendon të gjithë ata për të cilët Zoti është shenjtëria më e madhe

Nga pikëpamja kulturore:

Sharja është shenjë e mungesës së kulturës dhe varfërisë gjuhësore.

Nga pikëpamja shëndetësore:

Sharja dëshmon për ndjenjën e brendshme të pasigurisë, frikës dhe inferioritetit, shkatërron nervat. Lë një boshllëk pas vete, shqetësim, pakënaqësi. Ajo krijon një lloj të skizofrenisë shpirtërore që kalon në skizofreni mendore.

Nga pikëpamja pedagogjike:

Sharja helmon shpirtin e njeriut me egërsi. Ajo jep shembull të keq: për sharësin asgjë nuk është e shenjtë. Sharja ndot atmosferën shpirtërore dhe krijon një mentalitet të ndytë.

Nga pikëpamja nacionale:

Ndërsa me qindra mijëra njerëz që luten krijojnë një digë mbrojtëse rreth popullit tonë, njëkohësisht sharësit dhe mallkuesit tonë me raketat e tyre e shpojnë digën dhe mundësojnë depërtimin armiqësor.



Literatura:

1. Mustafa Spahiq, Ucenje islama, Zenica 2002.
2. Edin Tule, Socio-psiholoske dimenzije Kur’ana, Sarajevë, 2010.
3. http://www.glas-islama.info/


Artikulli i kaluar
Feja dhuron gjallëri
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi