Islami është feja të cilën Allahu ia zgjodhi njerëzimit. “...dhe zgjodha për ju islamin fe...” (El-Maide, 3)
Si e këtillë, kjo fe, nuk paraqet vetëm shpëtimin në botën tjetër, por edhe në këtë botë. Mbajtja për parimeve të saj dhe zbatimi i mësimeve dhe porosive të saj janë shkak për të bërë një jetë të mirë dhe të qetë. “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.“ (En-Nahl, 97)
Pra, një jetë të mirë në këtë botë do të kenë ata që janë besimtarë dhe që bëjnë vepra të mira- që përfillin mësimet fetare, sikur që në botën tjetër do të jenë të shpërblyer.
Në anën tjetër, largimi nga mësimet e kësaj feje, është shkak për jetë të shthurur dhe të çrregulluar në kuptimin shpirtëror, emocional e shoqëror. Të gjitha këto pasoja të ikjes nga feja, Allahu i përmbledh në një ajet në Kur’an: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.“ (TaHa, 124)
Pra, jetë të vështirë në këtë botë, ndërsa edhe më keq në botën tjetër.
Pra, është një ekuacion për lumturinë dhe dëshpërimin në të dy botët: kush pason fenë, bëhet i lumtur në këtë botë dhe tjetrën, ndërsa kush ik prej saj, dëshpërohet në të dy botët. Madje, po shihet qartë se, si parakusht për të arritur lumturinë në botën tjetër, është ta arrish atë në këtë botë. Kjo edhe është tematika e kësaj hutbeje. Me lejen e Allahut të Madhëruar do të merremi me lumturinë në këtë botë që na dhuron feja. Do t’i referohemi një ajeti, i cili reflektimin e fesë në jetën shpirtërore dhe shoqërore të njeriut e quan ‘gjallëri’. Thotë Allahu: “O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai.” (El-Enfalë, 24)
Domethënia e përgjithshme e ajetit
Dijetarët myslimanët, duke shpjeguar këtë ajet fisnik, kanë dhënë mendime të ndryshme, të cilat, nuk kundërshtojnë njëra tjetrën, por shprehin kapacitetin përmbajtjesor të madh dhe të gjerë të kuptimeve dhe domethënieve që bartin fjalët e Allahut. Si përmbledhje të të gjitha këtyre mendimeve, Imam Kurtubiu citon Muxhahidin dhe xhumhurin (shumicën e dijetarëve) të kenë thënë se domethënia e ajetit është: “Përgjigjuni nënshtrimit dhe respektimit si dhe urdhëresave dhe ndalesave që përmban Kur’ani. Në këtë është jeta juaj e përhershme dhe mirësia juaj e përjetshme.”
Një dijetar tjetër, Sa’di, na tregon se gjallëria e shpirtit dhe zemrës arrihet duke e adhuruar Allahun e Madhëruar si dhe duke iu përmbajtur në vazhdimësi respektit ndaj Tij dhe ndaj të Dërguarit të Tij, (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem).
Reflektimet e ajetit
1. Imani, elementi që i jep gjallëri jetës
Imani -siç komenton Sudijji- është ai që ngjall jetën, ai që i jep kuptim jetës. Imani, për shpirtin, është sikur uji për tokën. Kjo tregon se çdo gjë ka barin dhe ilaçin e vet. ose edhe më qartë, se asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë imanin në gjallërinë e shpirtit, sikur që ujin nuk mund ta zëvendësojë asnjë element tjetër. Nuk është parë askund që toka të ujitet me naftë, me benzinë, me lëndë tjera të lëngëta, sepse efekti i tyre mund të jetë i dëmshëm. Nga këtu, Allahu na tregon se shpirti mund të arrijë qetësinë, prehjen, mirësinë, vetëm me fe. “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.“ (Err-Rra’du, 28)
Pejgamberi (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem), duke folur për namazin, e përshkruan si kurr-rretu ajn (gëzim, kënaqësi shpirtërore). “...dhe kënaqësia shpirtërore më është bërë në namaz.”
Allahu i Madhëruar na tregon se kjo kënaqësi nuk arrihet ndryshe dhe se çdo rrugë e trasuar jashtë fesë për ta arritur këtë kënaqësi, është devijim. “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta…“ (Ek-Kasas, 50)
Pra, nëse nuk i përgjigjen Allahut, nuk do të jenë në rrugën e Tij, dhe, për pasojë, do të radhiten në mesin e atyre që pasojnë epshin dhe të kotën. Do të kenë probleme të mëdha, për shkak se epshi i sjell njeriut një jetë të shthurur, të çorientuar, me probleme të shumta.
2. Përgjigja Pejgamberit (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem) si gjallëri e shpirtit
Buhariu transmeton nga Ebu Seid ibn El-Mual-li (radijAllahu anhu) se ai derisa falej, Pejgamberi (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem) kishte kaluar rpanë tij dhe e kishte thirrur ndërsa ai nuk i qe përgjigjur derisa kishte rkyer namazin. Pejgamberi (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem) i kishte thënë: ‘Çfarë të pengoi të më përgjigjeshe?’ Tha: Isha duke u falur! Pejgamberi (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem) i tha: A nuk ka thënë Allahu: “O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së)...” (El-Enfalë, 24)
Pra, ka kërkuar t’i përgjigjet dhe në këtë gjendje, dhe në bazë të këtij hadith disa dijetarë, si Imam Shafiu dhe Imam Evzaiu, kanë nxjerrë rregulla juridike fetare të rëndësishme. Ajo që na intereson neve, është se për të arritur gjallërinë shpirtërore, na duhet ta pasojmë Muhammedin (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem). Bile, Allahu i Madhëruar, në këtë ajet që po shpjegojmë, siç kanë nënvizuar komentuesit, kur i është referuar Vetes dhe të Dërguarit, nuk ka thënë: ‘kur t’iu thërrasin ata Dy’, por ka thënë: ‘idha deakum – kur t’iu thërret’, prë të treguar se feja është e Allahut dhe se përgjigja Muhammedit (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem) është përgjigje ndaj Alalhut. Madje, në Kur’an, dashurinë ndaj Tij, e ka kushtëzuar me respektimin e Muhammedit (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem). “Thuaj: "Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.“ (Ali Imran, 31)
Dhe jo vetlëëm kaq. Devijimi nga rruga e Pejgamberit (sal-laAllahu alejhi ve sel-lem) është vepër e kërcënuar fetarisht. “…le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t'i zë ndonjë telashe, ose do t'i godasë dënimi i idhët.“ (En-Nur, 63)
3. Gjallëria fetare të bën produktiv
Në koment të ajetit është thënë se fjala ‘iu ngjall - juhjikum’ aludon në veprat e mira të cilat përmirësojnë gjendjen tonë. pra, për të qenë besimtar me zemër të gjallë, duhet të jesh bamirës, pozitiv, produktiv, i gjallë me vepra të mira. Këto janë ato që na garantojnë lumturinë në të dy botët. Në shpjegim që dijetarët i kanë bërë shumë haditheve që flasin për vlerën e lëmoshë, solidarizimit me të tjerët, mbajtjes së lidhjeve familjare, etj., kanë theksuar se ato, si vepra, janë të rëndësishme, për shkak se kryesit të tyre i dhurojnë një kënaqësi më të madhe se përfituesit prej tyre. Një besimtar që jep lëmoshën ndihet i lumtur kur sheh se me mundin e tij një besimtari iu largua skamja, gjë kjo që ndikon pozitivisht në shëndetin shpirtëror por edhe fizik të tij.
4. Gjallëria fetar na përgatit për rolin tonë si ummet i dalluar
Në ajet, Allahu i Madhëruar i është drejtuar besimtarëve, dhe, duke qenë se ne jemi ummeti i misionit, atëherë, për ta arritur këtë kënaqësi shpirtërore, këtë jetë e gjallëri, na duhet ta kryejmë misionin tonë: të thërrasim në fe. Në kuptim të ajetit, gjegjësisht fjalës juhjikum, dia dijetarë kanë përmendur, përveç tjerash, edhe xhihadin. Siç dihet, xhihadi është mjet i cili garanton lirinë e popujve dhe ruan të drejtat e tyre. Fatkeqësisht, xhihadi, që do të duhej të shihej dhe nga të huajt si shpëtim, për shkak të aplikimit të gabuar të tij, ka bërë që sot të njolloset dhe njerëzit të frikësohen prej tij.