Isha dëshmitar i një grindjeje të zjarrtë mes dy grupeve njerëzish, njëri mendonte se duhet të thuhet pa zë "Amin" pas imamit, ndërsa grupi tjetër kishte mendimin se duhet të thuhet me zë të lartë "Amin".
Dikush kishte propozuar që të vinin tek unë për gjykimin e çështjes dhe të vendosja kufirin e kësaj grindjeje...
Thashë; "Të thuash Amin është dua. E rëndësishme në të është të përgjërohesh dhe të lutesh. Në qoftë se prekesh gjatë lutjes dhe e ngre zërin apo, nëse përgjërohesh dhe nuk flet, është e njëjta gjë!...”
Njëri prej dëgjuesve, ndërkohë që sytë po i nxirrnin flakë, tha: "Nuk kuptuam asgjë!"
I thashë: “Po, se të tillë jeni. Ju prisni një përgjigje që do të kënaqë shejtanin e kryeneçësisë, i cili fryhet shumë në kësi lloj debatesh të nxehta dhe ju bën armiq të urryer të njëri-tjetrit. Dhe, në qoftë se nuk ekziston mundësi tjetër veçse një përgjigje juridike, atëherë ta dini se ngritja e zërit në Amin është medhheb, por edhe heshtja në Amin është medhheb dhe që të dyja janë të transmetuara e inshallah kanë shpërblimin e tyre.”
Të dy grupet u larguan prej meje të ngushtuar dhe ndjeva një si rehati, sepse ata ikën nga unë. Mandej, kuptova varfërinë e këtyre njerëzve për një edukator më largpamës, për t'i ngritur në një nivel më të lartë se sa kjo mendjelehtësi, e cila i ka bllokuar prej shpirtit të adhurimit dhe edukatës së namazit.
Ky ndryshim i fikut juridik është një shembull i dhjetëra, dhjetëra rasteve të tilla, që zënë kohën dhe kokën e njerëzve bosh, ndezin fitne, zhvlerësojnë moralin dhe këpusin çfarë Allahu ka urdhëruar të mbajnë lidhur...
Më përfytyrohet sikur këto ndryshime dytësore përngjasojnë me format e bakterieve, të cilat na tregohen nëpër librat e mjekësisë, ku poshtë tyre shënohet "mikrob” filan sëmundje e zmadhuar 1000 herë!!.
Zmadhimi i këtyre formave për t'i njohur, është i kuptueshëm, por çfarë kuptimi ka zmadhimi i këtyre ndryshimeve në mesin e mendimeve dhe opinioneve të disa dijetarëve, derisa ato të duken sikur janë të vërtetat e popujve të zhdukur? Rezultatet e tyre kanë qenë bela për shoqërinë tonë fetare, sepse ky hiperbolizim i fabrikuar mbuloi fusha të gjera, të cilat duhej të lëvizeshin prej moralit se asnjë popull nuk ngrihej, përveçse prej tyre. Kështu që, në vend që t'i zëmë njerëzit me formimin e virtyteve të larta, sinqeritetin, besnikërinë, mbajtjen e premtimit, turpin etj., i kemi zënë me diçka që mendojmë se ka më shumë shpërblim dhe dobi.
Ky është një iluzion i madh, sepse mungesa e moralit do të thotë përhapje e hipokrizisë, fesadit dhe humbje e popujve...
Unë kam mendimin se ndezja e fanatizmit të medhhebeve ka qenë plan dredharak për largimin e vëmendjes së opinionit prej kritikave politike dhe ndjekjes së gabimeve, të cilat e varrosën që moti, për së gjalli shtetin islam! Siç duket, plani akoma është aktiv dhe vazhdon ende të zbatohet...!!
Muhamed El-Gazali
Përktheu nga arabishtja: Lavdrim Hamja