Të falurit e namazit me imam është sunet i fortë për meshkujt.
Falja e namazit me xhemat ka vlerë më të madhe se sa të falurit vetëm. Për këtë, kemi argument hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s.): "Namazi me xhemat është më i vlefshëm se ai që falet vetmas për njëzet e pesë herë”.
Po ashtu, kur lexojmë disa ajete kuranore, vërejmë se ato na urdhërojnë të bëjmë ruku e sexhde me ata të cilët bëjnë ruku e sexhde.
Vlera e thevabit të xhematit arrihet edhe me një xhemat, qoftë fëmijë apo edhe grua. Sa më i madh të jetë numri i xhematit, më i madh është thevabi. Xhemati mund të formohet në shtëpi, xhami etj., mirëpo xhemati i formuar në xhami është më i vlefshëm.
Është mirë të mos lihet xhemati pa arsye të justifikueshme.
Kushtet e imamit
Imami, përveçse duhet të jetë mysliman dhe i mençur, duhet të plotësojë këto kushte:
1. Imami duhet të jetë i hyrë në moshën madhore. Pa e plotësuar këtë kusht, nuk lejohet falja e namazit pas tij, si imam.
2. Të jetë mashkull.(1) Femra nuk lejohet t'u bëhet imam meshkujve.
3. Të di të lexojë Kuranin mirë, që namazi të jetë i vlefshëm dhe të mos ketë pengesa në shqiptim. Po qe se imami ka pengesa, të cilat gjatë shqiptimit ia humbin kuptimin fjalës, nuk lejohet të bëhet imam.
4. Të mos jetë sahibi udhër(2). Kur personi është sahibi udhër, nuk lejohet t'u bëhet imam atyre që nuk janë sahibi udhër, ndërsa sahibi udhëri mund t'u bëhet imam atyre që janë si ai.
Kush është me i denjë për imam?
Namazi si obligim, mund të falet në shtëpi, në xhami e në vende të tjera. Kur namazi falet në shtëpi, më i denjë për të qenë imam është i zoti i shtëpisë ose ai, të cilit i jep leje i zoti i shtëpisë që të bëhet imam. E po qe se namazi falet në xhami, atëherë më i denjë për të dalë imam, është ai që është imam i rregullt në xhami, me përjashtim të rastit kur në xhami është udhëheqësi i myslimanëve-halifi apo myftiu.
Kur nuk është asnjëri prej këtyre si halifi, myftiu apo i zoti i shtëpisë, nëse namazi falet në shtëpi, atëherë më i denjë është ai person, i cili plotëson këto kushte:
1. I njeh më së miri rregullat-dispozitat e namazit.
2. Lexon mirë Kuranin.
3. Është më i devotshmi.
4. Ai që është më i moshuar, si respekt ndaj tij.
5. Ai që e ka zërin më të bukur.
Mekruh është të bëhet imam fasiku, ai që bën bidate, ai që është injorant dhe i verbëri.
Kur vlerësohen të gjitha këto, atëherë ai që plotëson më shumë nga këto kushte.
Kushtet që duhet të plotësohen për të qenë e vlefshme falja me imam:
1. Nijeti. Nuk kushtëzohet që, kur imami ua fal namazin meshkujve, të bëjë nijet se është imam i meshkujve, ndërsa, kur ndodh që në mesin e xhematit të ketë edhe femra, imami duhet doemos ta bëjë nijet se është imam edhe i femrave. Nijeti mjafton të jetë i bërë vetëm me zemër. Nuk kushtëzohet që imami të bëjë nijet se është imam edhe i femrave në namazin e xhumasë dhe të bajrameve.
2. Që muktediu të mos qëndrojë para imamit, por pas tij ose së paku, të jetë krah për krah me të. Po qe se muktediu qëndron para imamit, namazi i tij konsiderohet i prishur.
3. Që namazi i imamit të mos jetë në gradë me të ulët se namazi i muktediut. Kur ndodh që imami është duke falur namaz nafile, ndërsa muktediu i bashkohet për të falur namaz farz, muktediu duhet ta përsërisë këtë namaz, ngaqë kategoria e namazit të tij ka qenë më e fortë se e imamit. Nëse ndodh që namazi i muktediut është i kategorisë me të ulët se i imamit, atëherë namazi i muktediut konsiderohet i pranuar.
4. Që namazi farz të jetë i njëjtë, si i imamit edhe i muktediut. Doemos duhet që imami dhe muktediu të falin farzin e njëjtë, p.sh., imami është duke falur farzin e drekës edhe muktediu duhet ta falë farzin e drekës. Pra, nuk lejohet që imami të falë farzin e drekës e muktediu t’i bashkëngjitet imamit për të falë farzin e iknidisë.
5. Që musaliu të mos jetë i vonuar në namaz e t'i bashkohet imamit tjetër për t'i vazhduar rekatet e mbetura. Nëse ndodh që musaliu është vonuar në namaz dhe e i ka kaluar ndonjë rekat pa falur, nuk duhet që, pasi imami i tij të kryejë namazin, t'i bashkohet ndonjë imami tjetër për ta plotësuar rekatin e kaluar.
6. Që musaliu të mos falet prapa femrës, edhe nëse ata të dy janë duke u falur prapa imamit të njëjtë. Nëse femra falet para mashkullit, namazi i mashkullit konsiderohet i prishur dhe, për këtë arsye, nuk lejohet që mashkulli t'i bashkohet imamit, nëse femra është në rresht para tij.
7. lmamin s'duhet ta ndajë prej muktediut ndonjë rrugë frekuentuese. Nëse ndodh që xhemati të bëjë rreshta në rrugë dhe kështu të bëhet lidhshmëria e rreshtave, namazi është i vlefshëm. Por, nëse në mes rreshtave të xhematit gjendet ndonjë mur, saqë xhemati që mbetet prapa murit nuk mund ta dëgjojë imamin, atëherë namazi konsiderohet i prishur. Po qe se ka mjete të zmadhimit të zërit, atëherë namazi mund të vazhdohet dhe konsiderohet i vlefshëm.
8. Namazi është i vlefshëm, kur muktediu falet në sipërfaqen e jashtme të xhamisë, me kusht që zëri i imamit të dëgjohet nga ana e muktediut.
9. Kur ndodh të jenë grumbulluar një numër i madh i xhematit, muktediut i lejohet të bëjë sexhde në shpinë të muktediut tjetër, me kusht që namazi i xhematit të jetë i rangut të njëjtë.
Shënim:
Namazi është i vlefshëm, po qe se imami është me tejmum e mukrediu është me abdest. Po ashtu, kur ndodh që imami t'i ketë larë këmbët, ndërsa muktediu u ka dhënë mes'h këmbëve, namazi është i vlefshëm.
Namazi konsiderohet i vlefshëm edhe kur imami është udhëtar e muktediu vendas, por është e rekomanduar që imami ta lajmërojë muktediun se është udhëtar dhe se do të japë selam në rekatin e dytë, në mënyrë që muktediu të ketë mundësi të vazhdojë rekatet tjerë vetmas. Po ashtu, namazi është i vlefshëm, kur ndodh që imami të jetë vendas e muktediu udhëtar, por në këtë rast, muktediu, edhe pse është udhëtar, duhet t'i bashkohet imamit deri në fund dhe nuk duhet ta shkurtojë namazin.
Lejohet që muktediu të falet pas imamit, i cili është i sëmurë dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë, por falet ulur. Po ashtu, lejohet që muktediu të falet prapa imamit i cili konsiderohet fasik: pi alkool, merret me kamatë etj., pavarësisht se ai konsiderohet mëkatar.
Nuk lejohet që muktediu, i cili nuk është sahibi udhër, të falet prapa atij që është sahibi udhër, ndërsa lejohet që sahibi udhëri të falët para atij që nuk është sahibi udhër. Po ashtu, lejohet të falet sahibi udhëri para atij që është sahibi udhër.
Disa veprime të muktediut, kur është duke u falur me imam
Muktediu mund të jetë: mudrik, lahik dhe mesbuk,
Mudrik: konsiderohet ai musali, i cili e ka arritur namazin prej fillimit me imamin, dhe e ka vazhuar deri në fund.
Lahik: është ai musali, i cili e ka arritur namazin prej fillimit me imamin, por e ka ndërprerë namazin për ndonjë shkak të justifikueshëm, pastaj i është bashkuar prapë imamit. Por, kur t'i bashkohet imamit, plotëson vetëm ato rekate që i kanë mbetur prej momentit kur ka ndërprerë namazin, ndërsa ato që i ka falur me imamin, nuk i plotëson.
Mesbuk: konsiderohet ai musali, i cili është vonuar, por e ka arritur imamin së paku pa dhënë selam. Ky do t'i plotësojë ato rekate që i kanë kaluar pa i falur.
Si veprime të muktediut, mund të përmendim:
1. Kur musaliu hyn në xhami, por ikameti për t'u falur farzi është bërë ose është duke u bërë, musaliu duhet t'i bashkohet xhematit e jo të fillojë faljen e ndonjë suneti. Nga ky rregull bën përjashtim vetëm suneti i sabahut që, nëse musaliu mendon se mund ta arrijë imamin pa e përfunduar farzin, do të fillojë të falë sunetin, e nëse frikësohet se nuk mund ta arrijë, menjëherë i bashkohet xhematit.
2. Kur muktediu hyn në namaz ndërkohë që imami ka filluar leximin, atëherë muktediu e ka për obligim të heshtë dhe të mos lexojë as subhaneken.
3. Po qe se muktediu e zë imamin në ruku, ai duhet të drejtohet në saff, të bëjë tekbirin fillestar e pastaj të shkojë në ruku dhe, nëse e arrin imamin në ruku veç, e ka arritur rekatin.
4. Kur ndodh që muktediu të jetë mesbuk, ai duhet ta bëjë tekbirin fillestar e pastaj të shkojë t'i bashkohet imamit.
5. Është mekruh, që nëse musaliu është vonuar dhe kur sheh se xhemati është formuar të vrapojë, sepse në këtë rast, mund të shkaktojë hutim në mesin e xhematit. Rekomandohet që, kur të arrijmë për të hyrë në xhemat, edhe nëse jemi vonuar, duhet të ecim në mënyrë të qetë, qoftë edhe nëse kalon rekati. Për këtë, Pejgamberi (s.a.v.s.), ka thënë: "Kur të bëhet ikameti për t'u falur namazi, mos shkoni duke vrapuar, por duke ecur dhe të jeni të qetë (gjatë ecjes), atë çka e arrini prej rekateve, faleni e atë që ju ka kaluar pa e falur, plotësojeni.”(3)
6. Kur të arrijë musaliu dhe e gjen imamin ulur në sexhde ose duke shkuar në sexhde, ai duhet ta bëjë tekbirin fillestar e pastaj të shkojë duke bërë tekbir për t'iu bashkuar imamit aty ku e ka zënë. Për këtë të tillë ka shpërbim, edhe pse rekatin nuk e ka arritur.
7. Kur ndodh që musaliu e ka zënë imamin në ruku, por imami ngrihet pa thënë ende musaliu subhane ra' bijjel adhim, musaliu do ta ndjekë imamin dhe nuk do të ndalet për të thënë subhane rabijel adhim ngase ndjekja e imamit është vaxhib, e thënia subhane rabbljel adhim është sunet.
8. Po qe se imami ngrihet apo jep selam para se muktediu të lexojë teshehudin, ai duhet ta lexojë teshehudin dhe pastaj ta ndjekë imamin dhe nuk duhet t'i lexojë as salavatet e as duatë, sepse leximi i tyre është sunet e ndjekja e imamit është vaxhib.
9. Kur imami bën sehvi sexhde edhe muktediu, duhet të bëjë sehvi sexhde, pavarësisht nëse muktediu e di arsyen e të bërit sehvi sexhde apo jo.
10. Kur ndodh që imami ndalet duke lexuar dhe nuk i kujtohet çfarë të lexojë në vazhdim, muktediu ka të drejtë t'ia rikujtojë leximin, por nëse imami ka lexuar aq sa mjafton për t'u kryer rukni, nuk ka nevojë rikujtimi, por imami duhet të shkojë në ruku dhe të vazhdojë namazin në mënyrë normale.
11. Po qe se imami jep selam, muktediu që është mesbuk, duhet t'i plotësojë rekatet e mbetura, menjëherë pasi imami të ketë dhënë selam. Kur ndodh që mesbuki të ketë falur rekatin e tretë dhe të katërt me imam, kur të ngrihet për t'i plotësuar dy rekatet e mbetura, duhet të lexojë fatihanë dhe suren.
Namazi i xhumasë
Obligueshmërinë e namazit të xhumasë e vërejmë qartë nga ajeti: "O ju që keni besuan kur të thirret për t'u falur xhumaja, nxitoni ta përmendni Allahun dhe lini shitblerjen...”
Namazi i xhumasë është farzi ajn për çdo mukel-lef që është mashkull, i shëndoshë, vendës në qytet ku ka prijës ose gjykatës.
Xhumaja nuk konsiderohet obligim për:
1. fëmijët, të cilët ende nuk kanë hyrë në moshën madhore,
2. femrat, nuk e kanë obligim faljen e xhumasë,
3. i sëmuri, i verbëri, plaku i moshës së thellë, që nuk mund të shkojë vetë në xhami, dhe
4. udhëtari.
Kushtet e xhumasë
Për të qenë e vlefshme, xhumaja duhet të plotësojë këto
kushte:
1. Xhumaja të falet në vendbanime. Të falet në atë vend, ku ka udhëheqës ose kadi.
2. Para faljes së namazit, të bëhet hutbeja. Namazi i xhumasë konsiderohet i pavlefshëm, nëse falet pa u bërë hutbeja.
3. Imami dhe hatibi të jetë vetë prijës i myslimanëve ose zëvendësi i tij apo person, të cilin e ka autorizuar vetë prijësi.
Autorizimin e imamit dhe hatibit e ka bërë prijësi i myslimanëve, por tani institucioni i halifatit, për fat të keq, nuk ekziston, kështu që autorizimin e bëjnë organet kompetente fetare të secilit vend.(4)
4. Xhumaja të jetë e lirë që ta falin të gjithë. Me këtë kusht, nënkuptohet se, nëse dikush prej njerëzve pengohet që të mos e falë xhumanë, namazi i xhumasë në këtë rast nuk është i vlefshëm.
5. Nuk kushtëzohet të ketë numër të madh të xhematit. Kërkohet që së paku, të jenë tre veta xhemat dhe imami, për t'u konsideruar namazi i xhumasë i vlefshëm. I këtij mendimi është Ebu Hanifja (r.a.), dhe imam Muhamedi (r.a.), ndërsa Imam Ebu Jusufi (r.a.), mendon që mjafton të jenë dy veta xhemat dhe imami, mirëpo mendimi i parë është më i pranuar.
6. Namazi i xhumasë të falet në kohën e namazit të drekës.
Disa rregulla të veçanta për xhumanë
1. Kur të thirret ezani për të shkuar në namazin e xhumasë, duhet nxituar për namaz dhe duhet lënë shitblerjen.
2. Nuk është detyrim namazi i xhumasë, për atë që ka arsye të justifikueshme si, i verbëri, i sëmuri, mjeku kujdestar, i cili doemos duhet të jetë pranë pacientit, ai që ka frikë se do ta dëmtojë nxehtësia e madhe apo të ftohtit e madh. Po ashtu, xhumaja nuk është detyrim edhe për atë person që është në armiqësi me dikë dhe ka frikë se, po doli, do të vijë deri tek ndonjë problem serioz etj.
3, Mekruh është dalja nga qyteti pasi të jetë thirrur ezani, për atë person, i cili e ka detyrim xhumanë.
4. Kur imami është duke ligjëruar në minber, të falurit dhe të folurit konsiderohet mekruh. Për këtë, Pejgamberi (s.a.v.s.), ka thënë:
"Kur dikush prej jush hyn në xhami dhe imami është duke ligjëruar në minber, nuk lejohet të falet namaz e as të flitet, derisa imami ta kryejë hutben.”(5)
5. Kush e arrin imamin në namazin e xhumasë, pa dhënë ende selam, duhet t'i bashkohet dhe, pasi imami të japë selam, ai duhet t'i falë dy rekate të xhumasë.
6. Ai i që nuk e ka arritur xhumanë, duhet ta falë namazin e drekës.
7. Po qe se imami bën ndonjë lëshim, për të cilin duhet bërë sehvi sexhde, nuk duhet bërë sehvi sexhde, sepse ka numër të madh të xhematit.
8. Rekomandohet që në ditën e xhumasë, myslimani të pastrohet. Transmetohet nga Enes bin Maliku (r.a.), se Pejgamberi (s.a.v.s.), ka thënë: "Kush ka marrë abdest, ka bërë mirë, ndërsa kush është larë është më mirë”.
9. Është mirë që të vishen rrobat më të bukura dhe të përdoren erëra të mira.
10. Rekomandohet të shkohet në xhuma, para se imami të ketë hipur në minber.
11. Preferohet të mbulohet koka me ndonjë kapuç, kur të shkohet në xhami. Për këtë, mund të përmendim transmetimin e Amr bin Hurejthit, i cili ka treguar: "Në të vërtetë, Pejgamberi (s.a.v.s.), e mbajti hutben para njerëzve dhe në kokë kishte një kapuç të zi.”(6)
12. Nuk preferohet të veçohet vetëm dita e xhuma për të agjëruar.
Hutbeja e xhumasë
Kemi përmendur më lart se të mbajturit e hutbes është kusht për t'u plotësuar dhe konsideruar i plotë namazi i xhumasë. Nëse nuk bëhet hutbeja, namazi i xhumasë nuk është i kryer.
Ajo që më së paku duhet të shprehet në zbatimin e hutbes, është që të shprehet lartësimi dhe falënderimi ndaj Allahut (xh.sh.).
Hutbeja e xhumasë përbëhet prej dy hutbeve; në mes dy hutbeve bëhet një ulje e shkurtër, sa të lexohen tri ajete të shkurtra. E pëlqyer është që, duke hipur shkallëve të hutbes, të hipet vetëm me këmbën e djathtë. Kur hatibi të ngrihet për të mbajtur hutben, duhet vepruar sipas sunetit të Pejgamberit (s.a.v.s.): të fillojë hutben me falënderim ndaj Allahut (xh.sh.), të shprehë dëshminë se Allahu është i vetëm, i pa shoq, po ashtu të konfirmojë se Muhamedi (a.s.), është pejgamber i Zotit dhe t'i dërgojë salavate atij e pastaj të hyjë në shpjegimin e temës për të cilën është përcaktuar hatibi.
Namazi i bajrameve
Namazi i bajrameve është vaxhib për atë, për të cilin është farz xhumaja. Pra, namazi i bajrameve është vaxhib për këta persona:
1. Për atë që është mashkull. Femra nuk e ka vaxhib namazin e bajrameve.
2. Ata që janë vendës në atë vend ku ka prijës, kadi apo myfti. Namazi i bajrameve nuk është vaxhib për atë që konsiderohet udhëtar dhe jeton në ato vende ku nuk ka prijës, kadi apo myfti.
3. Që personi të mos jetë i sëmurë. Personi i cili është i sëmurë dhe nuk mund të shkojë në xhami, nuk e ka obligim faljen e namazit të bajrameve.
Koha e namazit të bajrameve
Namazi i bajrameve mund të falet afërsisht njëzet minuta pasi të ketë lindur dielli e deri para se të hyjë koha e namazit të drekës.
Mënyra e të falurit të namazit të bajrameve
Për namaze të bajrameve nuk këndohet ezani e as ikameti. Ky namaz përbëhet prej dy rekateve, njëlloj si namazi i sabahut, por dallon, se në këtë namaz është vaxhib të këndohen tekbiret. Këto tekbire këndohen në këtë mënyrë: tri tekbire këndohen pas leximit të subhanekes në rekatin e parë, pastaj lexohet fatihaja dhe sureja, ndërsa, kur të ngrihemi në rekatin e dytë, pasi të lexohet fatihaja dhe sureja këndohen tri tekbire, Po qe se tekbiret lexohen para leximit ose pas leximit, namazi konsiderohet i vlefshëm. Sa herë që të bëhen tekbiret duhet të ngrihen duart.
Disa rregulla që kanë të bëjnë me namazin e bajrameve
1. Namazi i bajrameve ka shartet dhe ruknet si edhe namazet tjera të zakonshme, mirëpo, nëse namazi i bajramit është duke u falur dhe musaliu nuk ka abdest dhe nuk i mjafton koha për të marrë abdest, atëherë, ai duhet të marrë tejemmum, për shkak se i është ngushtuar koha e faljes së bajramit.
2. Kur ndodh që musaliu të arrijë imamin pasi t'i ketë kryer tekbiret, musaliu do ta bëjë tekbirin fillestar e pastaj do t'i bëjë tekbiret e namazit të bajramit, pa lexuar fare subhaneken. Nëse e arrin imamin në ruku, po pati mundësi i kryen tekbiret dhe shkon në ruku e, nëse nuk mundet, i bën në ruku.
3. Po qe se musaliu e arrin imamin në rekatin e dytë, ai duhet ta plotësojë rekatin duke i kënduar edhe tekbiret.
4. Kur ndodh që imami të këndojë më tepër se tri tekbire, muktediu duhet ta ndjekë doemos imamin.
5. Atij që i kalon namazi i bajramit pa e falur me imam, nuk duhet ta falë kaza.
6. Konsiderohet mekruh të falurit e namazeve nafile, qoftë në shtëpi apo në xhami, para se të falet bajrami. Po ashtu, mekruh është të falet nafile pasi të jetë falur bajrami në xhami, ndërsa në shtëpi, pasi të jetë falur bajrami, nuk është mekruh të falësh namaz nafile,
7. Sunet është që, pasi të falet bajrami, të mbahet hutbeja.
Këndimi i tekbirit të teshrikut
Me shprehjen tekbiri teshrik nënkuptohen ato tekbire, të cilat fillojnë të këndohen pas namazit të sabahut të ditës së Arefatit, d.m.th., natës së kurban bajramit dhe këto tekbire vazhdojnë të këndohen pas çdo namazi farz deri në farzin e ikindisë, të ditës së katërt.
Forma e tekbirit teshrik është kjo:
“Allahu është më i madhi. Allahu është më i madhi. Nuk ka zot tjetër, veç Allahut. Allahu është më i madhi. Allahu është më i madhi. Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut.”
Të kënduarit e tekbiri teshrikut është vaxhib vetëm një herë e, po qe se këndohet më tepër, është mustehab. Gruaja kur të këndojë tekbiri teshrikun, duhet të këndojë me zë të ulët.
Hutbeja e bajrameve
Të mbajturit e hutbes është sunet. Hutbeja e bajramit përbëhet prej dy hutbeve, sikurse hutbeja e xhumasë. Hatibi, hutben e bajramit e fillon me tekbire.
______________
1). Argument për këtë është hadithi: "Nuk lejohet që femra të bëhet
imam për mashkullin”. (Transmeton Ibn Maxhhe)
2). Sahibi udhër është ai person që ka diçka që ndikon vazhdimisht
për t'ia prishur dhe duhet të marrë abdest për çdo kohë të namazit.
3. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
4. Në këtë rast tek ne, autorizimet i ka në kompetencë, Bashkësia Islame e Kosovës.
5. Transmeton Taberaniu në "el-Kebir”,
6. Transmeton Muslimi.