Ftesë për lumturim

Dr. Aid El-Karni

1. Buzëqeshja: buzëqeshja magjepsëse është garancia e miqësisë dhe karta e identitetit. Lëshoje atë në fytyrën e vëllait tënd në çastin më të parë, pa u luhatur, sepse të buzëqeshurit ndaj vëllait tënd, duke e parë në fytyrë konsiderohet sadaka. Me të ti arrin të blesh miliona zemra dhe njerëzit nuk e harrojnë atë qeshje vezulluese sa të jesh gjallë, pasi në të gjendet shpresa, besimi, dhembshuria, dashuria dhe optimizmi.

2. Fjala e mirë: fol qetësisht, me butësi dhe brishtësi. Zgjidh fjalët e marrëveshjes dhe paqes, lëvdoje shokun tënd dhe lutu për të, ruaje veten nga fjalët kryelarta, dominuese, tallëse dhe përçmuese, pasi ato janë rruga e rrëzimit dhe rrënimit. Me to e kapitullon reputacionin tënd, e shkatërron stadin tënd dhe shndërrohesh në burim urrejtjeje, zemërimi dhe sharjeje.

3. Modestia: jeta është e shkurtër dhe të gjithë ne do t'i rikthehemi tokës, teksa origjina jonë është nga i njëjti baba dhe e njëjta nënë, dhuntitë tona nuk na bëjnë të kemi epërsi, pasi vetëm Allahu është Ai që na e dha këtë epërsi, kuptoje veten dhe tregohu modest, ule kokën para Zotit të lavdisë dhe plotfuqisë. Ti o njeri, je prej dheu, ecën mbi dhe varrosesh në të. Mos u shquaj ndër njerëz, se kanë për të të përçmuar dhe urryer. Jepu atyre shans të gëzohen për arritjet e tyre, dhurojua pranimin tënd, modestinë tënde, që tujesh tek ata më i dashur se fëmijët e tyre.

4. Përmbaju altruizmit: fisnikët u japin prioritet të tjerëve kundrejt vetes së tyre. Ushqimi yt në barkun e tjetërkujt është më i shijshëm se në barkun tënd, rroba jote në trupin e tjetrit është më e bukur se në trupin tënd. Mos domino mbi sendet, shpenzoje çehren, pozitën, ushqimin, mallin dhe kohën tënde për njerëzit, në rrugë të Allahut e kështu do të jesh më i lumturi.

5. Dëgjoje me kureshtje bashkëbiseduesin: bëja veshin pipëz atij që po të flet, përqendrohu tek ai dhe dëgjoje me vëmendje nëse të flet, mos u merr me gjë tjetër ndërkohë që tjetri të flet, dhuroja atij vështrimin dhe dëgjimin tënd, derisa të ta thotë krejt atë që ka për të të thënë. Vetëm duke e dëgjuar me vëmendje do ta robërosh shpirtin e tij dhe do të marrësh konsideratën e tij. Ti ke një gjuhë të vetme dhe dy veshë, pra dëgjo shumëfishin e asaj që flet, lëri shokut tënd shans të flasë rreth vetes së tij, lëre atë ta shkarkojë energjinë dhe ngarkesën e fjalës.

5. Duhet të falësh: fali njerëzit, varrosi gabimet e tyre, harroji të këqijat e tyre dhe kaloje në heshtje sharjen e tyre, që zemra jote të kullohet dhe të fitosh mijëra zemra, të arrish amnistinë e Allahut dhe faljen e Tij. As mos e ço ndërmend hakmarrjen dhe mos bëj monolog me veten për kompensim. Jeta është shumë e shkurtër dhe Allahu e do faljen. Nëse ti i fal robërit e Tij, edhe Ai të fal ty.

7. Komuniko me atë që është shkëputur nga ti: është gjë e bukur të komunikosh me dikë që është i lidhur me ty, por me e bukura dhe më e mrekullueshmja është të komunikosh me atë që është shkëputur prej teje, pasi kësisoj ti verifikon dëlirësinë e shpirtit tënd, pastërtinë e brendisë tënde dhe ji i meritueshëm për mirësitë që Allahu ka zbritur mbi ty. Provo të komunikosh dhe të lidhesh me atë që sillet thatë me ty dhe do ta gjesh atë një shok tëndin. Urrejtja e tij do të shndërrohet në dashuri rrjedhëse dhe kompliment të parfumuar; e ti ke për t'i vjelë frytet.

8. Jepi atij që të privon: ndjenjat, dhuratat dhe donacionet lidhur me njerëzit, mos i trajto me standardin e shitblerjes, as me kandarin e fitimit dhe humbjes, por trajtoji me fisnikëri dhe mirësi. Atij që të privon nga diçka, ti nga ana jote jepi, atij që tregohet koprrac me ty, ti nga ana jote bëji favor; që të arrish shpërblimin, përfitimin, komplimentin e bukur, kompensimin në zbukurimin e shpirtit, shëndetin e trupit dhe ndalimin e të keqes së armiqve.

9. Fale atë që të ka bërë padrejtësi: amnistoje dhe fale atë që sillet padrejtësisht me ty. T'ia marrësh armën e vet nga dora, t'ia thyesh shkopin, t'ia kthesh shpatën në mill, ta bësh të bëhet pishman e të ndihet fajtor, ta bësh që të kërkojë ta pëlqesh, ta kërkojë me ngulm pajtimin me ty, Kur ti e fal atë që të ka hyrë në hak, kjo përbën për ty një fitore të qartë dhe triumf të skajshëm. Urime, nëse tregohesh falës dhe tolerant.

10. Largoju përgojimit: përgojimi është cofëtinë e dekompozuar, morali ulët, cilësi e pështirë. Ruaje gjuhën tënde prej saj, pastroje gojën tënde nga rënia në nderet e njerëzve, mos i ha mishrat e njerëzve, pasi ato janë të helmatisura mos i përmend njerëzit veçse për mirë, mos gërmo për të metat e tyre, mos u gëzo nga shkarjet e tyre, mos i publiko gabimet e tyre, që të jetosh në paqe dhe siguri.

11. Mos mbaj dinamit në xhepa: boshatisu nga urrejtja dhe armiqësia, laje zemrën tënde me drejtësi, që të endesh në xhenetin paraprak të qetësisë dhe prehjes, të jetosh në pajtim me veten dhe njerëzit. Mos e bëj zemrën tënde rrënojë ku strehohen brenda akrepa dhe gjarpërinj, por bëje atë parcelë lulesh, frutash, zogjsh dhe lumenjsh.

12. Shtriji urat e komunikimit që ta shpëtosh anijen tënde prej fundosjes: mbill në zemra pemët e dashurisë, sepse kjo është në favorin tënd. Bëje shprehi të shoqërohesh me njerëzit dhe t'u fitosh simpatinë, bëj kujdes të mos humbësh ndokënd pre] njerëzve, nëse e ke të mundur ta fitosh atë.

13. Kujdes se mos të fanit shejtani që ti je njeriu më i mirë: hiq dorë një herë e mirë nga nyja e iluzionit, që të bën të mendosh mbi meritat e tua personale dhe të sodit dhuntitë etua, për të rënë kësisoj pre fantazisë se tije uniku i epokës tënde dhe më i miri i bashkëkohësve të tu, gjë e cila është tërësisht një mashtrim dhe manipulim, prej psonisjeve të shejtanit. Në botë ka mijëra dijetarë, fisnikë, të urtë, gjeni dhe yje, që janë me të mirë se unë dhe se ti, me qindra herë. Reduktoje vetëkënaqësinë, ule kokën, kija drojën Zotit tënd dhe tregohu modest me bijtë e sojit tënd human... Në qofsh dijetar, dije se në kombin tënd ka dijetarë edhe më fisnikë e më të merituar dhe në qofsh shkrimtar, dije se rreth e rrotull teje gjenden shkrimtarë edhe më të shquare më të urtë se ti... Kësisoj, pranoje realitetin dhe përtype vetveten,

14. Njihi dhuntitë e njerëzve, që ata t'¡ njohin të tuat: prej gjërave më të vështira për shpirtrat humane, është mohimi i dhuntisë dhe intelektit si dhe lënia në hije nga ana e tyre, e meritave të të tjerëve. Nëse dëshiron që njerëzit të ta njohin dhuntinë dhe intelektin tënd, njihua atyre dhuntitë dhe falënderoji me zemër e vepra; zotërimi i të tëra dhuntive nuk është një ekskluzivitet vetëm i yti, porse realiteti qëndron se njerëzit bartin dhunti që nuk janë prezente te ti. Kështu, nëse tije poet, tjetri është lektor, nëse ti je sipërmarrës, tjetërkush është mjek, ministër, inxhinier apo pilot... Si po tenton ta monopolizosh dhuntinë e gjerë të Allahut, teksa në mesin e njerëzve gjendet dikush që ka aftësi intelektuale mbi ty dhe epërsi ndaj teje në çdo dhunti?

15. Pas një farë kohe nuk do të jesh më në këtë botë: mendo sesi do ta lëshosh këtë jetë së shpejti, ndaj angazhohu të kesh raporte sa më të denja me njerëzit, që pas vdekjes të përmendesh për mire dhe ata të bëjnë lutje për ty. Nga kjo botë nuk ke për të marrë asgjë tjetër veç punës tënde. Ti erdhe përkohësisht në këtë dynja dhe ke për të ikur nga ajo ashtu siç ikën të tjerët para teje, që t'u jepet mundësia të tjerëve që vinë pas teje. Tregohu dinjitoz me njerëzit, pasi ti s'je veçse në një udhëtim të shkurtër.

16. Lëre kompleksin e fobisë prej intrigës dhe pusisë që njerëzit po të kurdiskan ty: njerëzit s'e kanë mendjen astek unë dhe astek ti. Ata kanë hallet, shqetësimet dhe brengat e tyre. Jeta është e vështirë dhe po e angazhon njeriun tërësisht me veten, pa dashur t'ia dijë për botën mbarë. Mos hamendëso se të tjerët po rrinë pa gjumë duke kurdisur të keqen tënde apo se ata janë të shqetësuar me irritimin tënd. Pastroje mendjen nga këto bindje, që të bëjnë viktimë e hamendësisë se ti qenke preja e gjykatësit, privatit, kolegut, tregtarit dhe mbarë shoqërisë. Jetoje qetësinë dhe mbështetu tek Allahu. Asgjë nuk ka për të të goditur, veçse me lejen e Tij.

17. Askush nuk mund të marrë gjë nga risku (furnizimi) yt: furnizuesi është Allahu Një i Vetëm. Ai ua ka ndarë furnizimin robërve, askush nuk do të marrë nga furnizimi dhe as nga dhuntia e tjetrit. Mos ki smirë askënd për atë që Allahu i ka dhënë dhe mos ki dert për mirësitë e tua, pasi askush nuk mund të arrijë tek to. Të gjitha depozitat i disponon Allahu, andaj gjithë sa dëshiron kërkoja Zotit tënd, pasi njerëzit nuk kanë në dorë as dëm, as dobi, as vdekje, as jetë dhe as ringjallje. Braktise egoizmin, babëzinë dhe zemërngushtësinë. Begatia është e shumtë dhe askush nuk mund ta privojë tjetrin prej saj.

18. Jeta është bashkëpunim, ndaj mos i anulo rolet e të tjerëve: disa njerëz mendojnë se jeta varet prej tyre, gjë që ua ekzagjeron në mendje dhuntitë e tyre intelektuale, teksa e vërteta është se jeta do të vazhdojë edhe pa ta, krejt siç ishte çështja edhe para ekzistencës së tyre. Jeta nuk është peng i sojit të dijetarëve, gjykatësve, tregtarëve, pedagogëve dhe mjekëve, por realiteti qëndron se ajo ngrihet mbi energjitë, kontributin dhe dhuntitë që vijnë nga të gjitha sojet, kategoritë dhe ngjyrimet. Nëse Allahu të ka dhënë një dhunti, dije se përkundrejt saj ka dhunti të panumërta në këtë univers, dhe dhuntia jote midis tyre s'është veçse një thërrmijë. Ti i tëri s'je veçse një pikë e vockël në oqean, Nëse donë të jetosh, të duhet ta njohësh kapacitetin tënd dhe të mos e përçmosh atë të të tjerëve.

19. Kur të takon të gjendesh në dyndje njerëzish dhe trafik, sillu me delikatesë: ty si, çdo njeriu, të takon të kalosh nëpër situata dyndjesh në aeroport, spital, panair ndërkombëtar apo arenë e ambiente të tjera. Në këto rrethana lypset të reagosh butësisht, që të fitosh respektin e të gjithëve. Lëshojua vendin të tjerëve që të bëjnë përpara. Kjo dyndje do zgjasë vetëm pak momente nga jeta jote e pastaj problemi mbaron dhe ti del i freskët dhe i gëzuar. Merri në konsideratë situatat e njerëzve. Ndër to gjendet i thyeri në moshë, dijetari, i sëmuri,fëmija...Trajtësoje ndër ta delikatesën dhe modestinë tënde. Jepu atyre prioritet, që prej tyre të marrësh lutje, lavdërim, kënaqësi dhe dashuri.

20. Merru me mëkatet e tua dhe jo me ato të njerëzve: problemi i shumëkujt prej nesh është se ne merremi me fajet dhe gabimet e të tjerëve dhe harrojmë tonat, duke na u dukur vetja si të ishim engjëj të dëlirë apo profetë të pagabueshëm e paskëtaj na hip mendja mbi flokë e u krekosemi robërve të Allahut... Athua se koha e mbetur në këtë dynja na premton të inspektojmë dosjet e njerëzve dhe të zbulojmë shkarjet e tyre. Ekspozeja e çmendurisë më të madhe, është kur zhytesh në fajet e të tjerëve, teksa vetë je i kredhur në një det fajesh dhe mëkatesh. Nëse merresh me të metat e tua, një gjë e tillë s'të lë kohë të merresh me të metat e njerëzve. Madje kësisoj, i mëshiron ata, të dhimbsen, pajtohesh me ta, e braktis arrogancën, mahnitjen dhe kotësinë.

21. Zbrit te mendësitë e njerëzve të thjeshtë dhe shqetësimet e masës: jo të gjithë njerëzit janë dijetarë, filozofë dhe gjeni, porse realiteti është se shumica e njerëzve i përkasin masës së gjerë, ndaj sillu me ta me modesti dhe thjeshtësi. Mos u ekspozo atyre aftësitë dhe muskujt e tu. Folu me dialektin e tyre dhe sipas kapacitetit të tyre, në donë t'u fitosh zemrat atyre. Bëhu pjesë e festave dhe gëzimeve të tyre dhe mos e tepro të flasësh me ta me fjalë të thella, sepse kështu shndërrohesh për ta në një person të rëndomtë, që ata s'e honepsin. Sillu thjesht, lehtësisht, qasju mentalitetit dhe gjuhës së tyre, lëre ekspozenë e dhuntive të tua, pasi e tillë gjë ka për të të kushtuar vetëm urrejtje dhe ftohje.

22. Respektoji emrat dhe mos i anashkalo titujt e nderit: thirri shokut tënd me emrin e tij më të bukur, pasi kjo është thirrja që i tingëllon atij më bukur në vesh, por mos i neglizho titujt e tij të nderit që i ka fituar me mund në jetë, si për shembull, artikulimin i nderuar, profesor, doktor, inxhinier... etj. Ç’tjetër do përfitosh nga anulimi i këtyre titujve, veç armiqësisë dhe paraqitjes tënde me rrobën e smirëziut dhe mohuesit? Ua dhe ti atyre këta tituj nderi apo i arritën ata me përpjekjet dhe djersët e tyre? E pse pra do që t'i anashkalosh ata? Nderoji njerëzit, që të nderohesh prej tyre dhe respektoji, që të respektohesh.

23. Njerëzit do të të trajtojnë ashtu siç i trajton: siç sillesh, do të sillen me ty. Atë që jep edhe do të marrësh. Moralet janë si treg: paguaj shtrenjtë dhe ke për të marrë mall të shtrenjtë, paguaj lirë dhe ke për të marrë mall të lirë. Nëse i përshëndet njerëzit, ata të përshëndesin e, nëse sillesh ftohtë me ta edhe ata do të sillen ftohtë me ty. Si kërkon të vlerësohesh dhe mbështetesh nga të tjerët, teksa ti vetë abuzon me të drejtat e tyre? Nëse nderon njerëzit, ke nderuar vetveten, nëse i përbuz ata, vetveten ke përbuzur, pra zgjidh për veten tënde atë që do, shpërblimi është në bazë të veprës së bërë.

24. Lëri armikut një linjë tërheqjeje: nëse konfliktohesh me dikë, lër vend për marrëveshje. Ti nuk di se deri ku mund të arrijnë pasojat. Të mundësosh një pajtim, do të thotë të mos e shtosh numrin e rivalëve. Njëmijë shokë janë pak, teksa një armik i vetëm është shumë. Bërja e çdokujt armik ta shqetëson rendjen dhe të turbullon kujtesën, dëm ky i mjaftueshëm. Prej çdo personi dalin gabime dhe ato do mund të eliminohen, nëse tregohesh i matur dhe i përmbajtur, nëse e kuron rivalitetin që në nisje, para se të trashet.

25. Mos sfido askënd: mos fto në sfidë asnjë prej njerëzve. Bile, nëse të përmendet ndonjë gabim që ti ke bërë, folësit nxirri në pah se çështja është e pranueshme, se midis teje dhe tij sundojnë lidhje dhe raporte superiore, që nuk lejojnë që situata të përkeqësohet. Bëj kujdes të mos i hakërrehesh dikujt se do t'i bësh keq, pasi kjo bart kuptimin se ti je një burim frike dhe stresi, gjë që do t'i bëjë njerëzit të ta kenë trikën dhe do të të shndërrojë në një agresor, që përbën kërcënim për njerëzit. Thirr në paqe, dashuri, shoqëri dhe harmoni.

26. Shndërroji armiqtë e tu në shokë: urtësia dhe humanizmi angazhojnë që armikun ta bësh shok, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke i shtrirë urat drejt tij, teksa shndërrimi i shokut në armik është padyshim kulmi dhe skaji i budallallëkut. Reago me mend dhe përgjegjësi. Dërgoji mesazhe pozitive rivalit tënd dhe aspiro që ai të të kthehet në shok, kësisoj shpëton nga gjëmat e tij dhe fle i qetë. Me butësinë tënde përthithe mllefin e rivalit tënd, për të qenë ti vetë i fituari dhe i lumturi.

27. Ekspozoju diellit dhe lahu me dritën e tij: dielli është mirësi madhështore për gjallesat. Mos e privo vetveten nga rrezet e tij, ekspozoju atij dhe laje trupin tënd me dritën e tij; pasi ai i vret parazitët e trupit, e pajis trupin dhe gjakun me energji, e lulëzon shpirtin, i sidomos në kohën pak pas agimit. Hapja në këtë kohë dritës së diellit dyert dhe dritaret. Lëre atë të hyjë në dhoma, të rrënojë mikrobet dhe rinovojë jetën.

28. Asnjeri nuk është i kulluar, prandaj pranoji njerëzit ashtu siç janë: pranoji ata, fali, tregohu i duruar me ta dhe mos vendos kushte të rënda për t'i qasur njerëzit apo për t'i bërë shokë, pasi, nëse të tilla kushte do i zbrisje në realitetin tënd, do e gjeje veten të padenjë, Allahu është Krijuesi, Furnizuesi. Ai qëndron mbi robërit e Tij, të cilët u detyrohen dhuntive të Tij. Ai u bën lëshime dhe i fal ata. Nuk je ti krijuesi dhe furnizuesi i njerëzve, që t'i marrësh ata në llogari për të mëdha e të vogla, prandaj pajtohu me dobësinë e tyre njerëzore dhe bëj lëshime, që t'i fitosh të gjithë ata.

29. Sënduku familjar i bamirësisë: në shtëpinë tënde bëj një sënduk të vogël me çelës, që të hapet çdo muaj dhe ne të çdo anëtar i familjes të vendosë për çdo ditë qoftë edhe disa qindarka. T'i vendosë ato me dorën e tij, që ta shijojë ëmbëlsinë e dhënies së lëmoshës. Pastaj në fund të muajit, shumën që u mblodh shpenzoje për nevojtarët, të varfrit dhe jetimët. Çdo muaj ky sënduk të jetë sënduk i mëshirës dhe bereqetit, largues i fatkeqësive dhe sëmundjeve, që kurrsesi nuk e zvogëlon kapitalin tënd, por përkundrazi, e shton atë.

30. Mos e vështro me ëndje fatkeqin: gjithkush nga ne do sprovohet në jetë me ndonjë fatkeqësi. Pse pra duhet të gëzohemi me fatkeqësitë e të tjerëve? Kush prej nesh ka garanci se nuk do të sprovohet? Të gjithë ne jemi të dobët, nën vullnetin e Allahut, ndaj falënderoje Allahun për shëndetin, lutu për të mirën e të gjithëve dhe mos u gëzo me fatkeqësitë e të tjerëve. Bota rrotullohet dhe nxjerr në pah se ai që gëzohet me fatkeqësinë e tjetrit është i marrë, i pashpirt dhe i pamëshirshëm, teksa ajo që duhet është të solidarizohesh me personat në fatkeqësi, të qëndrosh në krah të atij që vuan dhe të ndjesh dhimbje për robërit e Allahut.

31. Shkruaj një program ditor: bëj për çdo ditë, në varësi të punës tënde, një plan të studiuar, ku të dedikosh kohë për adhurimin, leximin, namazin,vizitën, kryerjen e angazhimeve, Përmbaju këtij programi, përveçse në raste domosdoshmërie dhe kështu ke për të parë se do ta kalosh ditën tënde i lumtur, i qetë dhe i prehur. Do të shpëtosh nga destabilizimi dhe rrëmuja, angazhohu me disiplinë, që të jetosh i qetë.



Përktheu. Altin Torba