Mjedisi ku jetojmë dhe zhvillojmë veprimtarin tonë është mjaft i rëndësishëm, por fatkeqësisht është shumë i ndotur. Faktori kryesor i ndotjes është vetë njeriu me punën e tij. Me qëllim të mbrojtës së mjedisit nga ndotja dhe shkatërrimi në botë janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen konferenca, si nga shkencëtarët ashtu edhe nga krerët e shteteve..
Ç’është mjedisi?
Ne literaturën shkencore nga fusha e mjedisit hasim shumë përkufizime për mjedisin. Ai që ne e kemi zgjedhur është përkufizim më i thjeshtë dhe më i kuptueshëm. Çdo gjë që gjendet rreth nesh quhet mjedis (ajri, toka, ujërat e lumenjve, liqeneve, deteve e oqeaneve, ujërat nëntokësore si dhe gjithçka që jetojnë në të).
Mjedisi në shërbim të njeriut
Çdo gjë që ekziston në planetin Tokë është në shërbim të njeriut. Që nga lindja, e deri në momentin e vdekjes, njeriu është në kontakt të pandërprerëve me mjedisin. Njeriu nga mjedisi merr gjithë elementet e nevojshme për jetë.
Atmosfera është shtresa e gaztë e Tokës, dhe luan një rol të dyfishte për zhvillimin e jetës në të. Është një shtresë vitale që ushqen jetën në Tokë, si dhe mbron Tokën nga veprimet e dëmshme të hapësirës së jashtme.(1)
Atmosfera është burim i oksigjenit për frymëmarrjen e njeriut dhe gjallesave, burim i dyoksidit të karbonit për fotosintezën e bimëve, si dhe burim i azotit që, në formë kimikisht të lidhur, është një faktor esencial i jetës, e në atmosfere gjithashtu realizohet edhe qarkullimi i ujit në natyrë.(2)
Atmosfera mbron Tokën nga efekti përvëlues i rrezeve të Diellit, e shtresa e ozonit mbron Tokën nga rrezet ultraviolet. Meteorët, kur arrijnë në atmosferën e Tokës, ndizen dhe digjen. Brezi Van Alen e mbron Tokën nga efektet shkatërruese dhe dëmtuese të hapësirës. Ndërsa, uji ka rëndësi të madhe për njeriun, Jeta e njeriut nuk do të ishte e mundur pa ujë sepse, njeriu e shfrytëzon ujin në mënyrë direkte, si për: pirje e pastrim, si dhe në mënyrë indirekte për: industri, bujqësi, blegtori, transport, nxjerrje të ushqimit, tregti (biznes) duke e shitur atë etj.
Toka është bazament i prodhimit të biomasës, burim ushqimi për bimët, kafshët, dhe njerëzit. Është vendi ku shpërbëhen trupat e kafshëve, ku bimët dhe njerëzit vdesin; ku pastrohen dhe pasurohen ujërat nëntokësore, pastaj vepron si filtër dhe stabilizator natyror; është rezervuar vendbanimesh dhe gjenesh ku shumë bimë, mikroorganizma e kafshë jetojnë dhe zhvillohen në dhe; është themel fizik mbi të cilin ngrihen të gjitha ndërtesat, infrastruktura, shtëpitë, ndërmarrjet industriale, rrugët etj.; është burim i lëndëve të para për ndërtim, për prodhimin e pajisjeve shtëpiake; është burim i madh i energjive ripërtëritëse: dru zjarri, kashtë, bar (sanë), etj.
Bimët luajnë rol shumë të madh në natyrë, si në jetën e kafshëve ashtu edhe në atë të njeriut. Këtu përmenden proceset, duke nisur që nga prodhimi i oksigjenit dhe pakësimi i gazit karbonik, që realizohet përmes procesit të fotosintezës, e deri te prodhimi i lëndëve organike me të cilat ushqehet vetë bima, por edhe jo rrallë kafshët dhe njeriu. Kohëve të fundit është rritur në mënyrë masive kultivimi i bimëve mjekësore. Një rol i tillë është evidentuar që në kohërat e lashta, gjë e cila me rritjen e civilizimit të njeriut nisi të konsiderohej gjithnjë e më tepër me rëndësi, si dhe të shtohen njohuritë nga ky aspekt.
Kafshët kanë rëndësi të madhe në jetën e njeriut, pasi që prej tyre marrim prodhimet e shumta blegtorale, të cilat i përdorim për ushqim (mishi, qumështi, yndyra, vezët, mjalti etj.); si lëndë e parë në industri, si dhe për punë të tjera shtëpiake (leshin, lëkurën, puplat, qimet etj), prej të cilave fitohen rrobat, këpucët dhe gjërat e tjera. Nga brirët, thundrat, eshtrat, zorrët dhe gjaku përfitohen ushqime të kafshëve shtëpiake; plehu, i cili është i nevojshëm për mbajtjen e plleshmërisë së tokës dhe strukturës së saj; për transportimin e tij dhe gjërave të nevojshme, si dhe në lëvrimin e tokës bujqësore.
Duke e studiuar rolin e atmosferës, ujit, tokës, bimëve dhe kafshëve, pamë se gjithë këta komponentë që e formojnë mjedisin janë të lidhur ngushtë njëri me tjetrin, sa nëse mungon njëri nga këta do të ishte e pamundur ekzistenca e mjedisit jetësor. Gjithashtu, pamë se gjithë këta komponentformues të mjedisit janë të domosdoshëm për jetën e njeriut. Nga kjo që u tha kuptojmë se çdo gjë që është krijuar në mjedisin jetësor është në shërbim të njeriut. Këtë na tregon edhe Zoti xh.sh., kur thotë në Kuran: "Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë.„" (El Bekare, 29).
Ndotja dhe mbrojtja e mjedisit
Ç’është ndotja?
Ndotja paraqet hedhjen e materialit kontaminues (ndotës) në mjedis. Ajo shkaktohet kryesisht nga aktivitetet e njeriut, por gjithashtu mund të jetë rezultat i fatkeqësive natyrore. Ndotja ka ndikim dëmtues në çfarëdo organizmash të gjallë në mjedis, duke e bërë praktikisht të pamundur qëndrueshmërinë e jetës.(1)
Ndotja e mjedisit dhe pasojat
Kemi ndotje të tokës, ujit dhe ajrit. Ndotja e tokës paraqet ndotjen e sipërfaqes natyrore të tokës nga aktivitetet industriale, komerciale, shtëpiake dhe bujqësore, ndotja e ujit paraqet hedhjen e materieve kimike, biologjike dhe fizike nëpër sasi të mëdha të ujit, të cilat materie shkatërrojnë cilësinë e gjallesave ne të dhe që e shpenzojnë atë dhe, ndotja e ajrit paraqet grumbullimin e atyre substancave të rrezikshme në atmosfere, të cilat substanca rrezikojnë jetën e njerëzve dhe të gjallesave të tjera.(2)
Njeriu gjithmonë ka ndikuar në mjedisin jetësor dhe anasjelltas. Ai, me ose pa vetëdije, duke i shfrytëzuar të mirat e mjedisit, në të shumtën e rasteve ndikon negativisht, gjegjësisht ndikon keq në pamjen dhe përbërjen e tij, duke i hedhur mbeturinat në hapësira të hapura, duke e ndotur ajrin me gazra të ndryshme të dëmshme edhe për vetë njeriun, duke e ndotur ujin në mënyra të ndryshme, duke i shkatërruar pyjet, etj.(3)
Mjedisi sot paraqet një problem global, dhe është një nga problemet e përbashkëta, si të vendeve të pasura ashtu edhe të varfra, si të atyre të zhvilluara ashtu edhe të atyre në zhvillim.
Siç u përmend edhe më lart, kemi tri lloj ndotjesh: ndotjen e ujit, ajrit dhe tokës. Ndotja e mjedisit shkakton pasoja të mëdha si në mënyrë direkte ashtu dhe në mënyrë indirekte. Ndotja e tokës, e cila vjen si rezultat i shpyllëzimit, erozionit, hedhjes së mbeturinave në vende jo adekuate, si të atyre industriale ashtu edhe atyre të konsumit shtëpiak, etj., pra shkakton helmimin apo humbje të shtresës pedologjike (sipërfaqësore). Kjo shtresë nga njeriu përdorët për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, nga të cilat njeriu siguron ushqimin.
Ndotja e ujit ka burime të shumta, e ato vijnë: nga rënia e ndotjes së atmosferës, nga burimet industriale, nga plehrat bujqësore, nga plehrat e ndryshme, nga ujërat e zeza, materialet radioaktive, etj. Ca nga elementet ndotës të ujërave të zeza janë: arseniku, kromi, bakri, merkuri, zinku, etj. Ndotja shkon shpesh në produktet ushqimore si: mish, peshk, qumësht, djathë, vajra etj., e që mund të përmbajnë sasi elementesh toksike, si: arseniku, merkuri, seleni etj. Ndotja e ujit sjell pasoja të rënda, si për jetën e njeriut ashtu edhe të gjitha gjallesave tjera që jetojnë në planetin Tokë. Nga ndotja e ujit shkaktohen dhe përhapen shumë lloje të sëmundjeve.(4)
Atmosfera e planetit tonë çdo dit e më tepër është duke u ndotur, e shkaktari kryesor që e ndot atmosferën është veprimtaria e pakontrolluar e njeriut.
Shkaktar të ndotjes së ajrit janë: zhvillimi i industrisë (këtu përfshihen të gjitha llojet e industrisë), zhvillini i komunikacionit, djegia e mbeturinave,etj, Ajri që ne thithim është i mbushur me elemente të rrezikshme për jetën, si: CO2, Pb, N02 etj. Nga ndotja e ajrit shfaqen një numër i madh sëmundjesh, si: lloje të ndryshme kanceri, sëmundje në organet e frymëmarrjes etj. Një studim i ri tregon se në botë më shumë se dy milion njerëz vdesin çdo vit nga efektet e shkaktuara nga ndotja e ajrit. Sipas gazetës për Kërkimet Mjedisore, rreth 2.1 milion vdekje në vit shkaktohen nga rritja e grimcave të dëmshme në ajër. Kësaj shifre të frikshme i shtohen edhe 470 mijë vdekje të shkaktuara nga zgjerimi i përvitshëm i vrimës së ozonit.(5)
Problemet mjedisore nuk janë krijuar vetëm në kohët modeme, mirëpo këto probleme janë trashëguar edhe prej gjeneratave shumë më të vjetra. Deri në kohën e revolucionit të madh industrial, i cili ndodhi në Britani gjatë shekullit XIX-të, mjedisi natyror ishte në gjendje që t'i përballojë ndotjet, duke qenë ne gjendje të vetëpastrohet. Pas revolucionit industrial çdo gjë ndryshoi. Si pasojë e zhvillimit të shpejtë ekonomik, industrialë dhe teknologjik, në nivel global ndodhën çrregullime të mëdha mjedisore, duke derivuar ndërhyje të mëdha në mjedis, ndotje dhe shkatërrim të mjedisit.
Shtrohet pyetja se ç'është mbrojtja e mjedisit?
Mbrojtja e mjedisit është praktikë e mbrojtjes së mjedisit, në nivel individual, të organizatave ose të qeverisë, në dobi të mjedisit natyror dhe (ose) të qenieve njerëzore.(6)
Mbrojtja e mjedisit në botë dhe rëndësia e saj
Problemi i ruajtjes së mjedisit natyror sot është bërë objekt diskutimi në shkallë ndërkombëtare. Në 20 vitet e fundit ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit të njerëzve për rëndësinë e mbrojtës së mjedisit, por interesi i njerëzve për mbrojtjen e mjedisit nuk është një shpikje e re e këtyre viteve të fundit. Termi "Mbrojtje e Natyrës” për herë të parë është përdorur qysh në vitin 1888, nga Erns Rudorff.(7)
Në vitet e '70-ta, njerëzit filluan të merreshin seriozisht me vartësinë midis shfrytëzimit të burimeve dhe problemeve të mjedisit. Në vitet e '8O-ta, OKB-ja drejtoi vëmendjen dhe përgatiti një raport që tregoi sa ngushtë lidhet shkatërrimi i mjedisit me rritjen ekonomike. Në vitet e '90-ta, disa shtete u përpoqën të jenë të një mendjeje për masat konkrete që duheshin marrë për mbrojtjen e mjedisit.(8)
Më qëllim të mbrojtjes së mjedisit u zhvilluan disa konferenca, si: Konferenca e Stokholmit, në vitin 1972, e Rio de Zhanieros më '92, ku morën pjesë rreth 100 kryetarë shtetesh, e Kajros më 1994, e Kopenhagës me 1995, e Pekinit me 1996, e Romës më 1997, e Johanesburgut më 2002, etj. Nga këto konferenca dolën disa platforma apo plane veprime të përbashkëta, siç është: Agjenda 21, Deklarata e Johanesburgut etj. Asambleja e Përgjithshme e OKB caktoi 5 qershorin si "Dita Botërore e Mjedisit”, sepse në këtë datë ka filluar Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972, në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.(9)
Mjedisi ku ne jetojmë dhe zhvillojmë veprimtarinë jetësore është mjaft i rëndësishëm për jetën e njeriut, prandaj ne duhet që ta ruajmë atë nga shkatërrimi dhe ndotja. Mjedisi i pastër ka rëndësi, për shkak së njeriu ka nevojë për ajër të pastër që të marrë frymë lirshëm, ka nevojë për ujë të pastër që ta konsumojë për pije, për pastrim dhe ushqim, si dhe për ambient të pastër jetësor, pastaj edhe për ujitjen e bimëve bujqësore, që i shërbejnë për ushqim etj. Pra, ka nevojë për mjedis të pastër që të këtë një trup të shëndetshëm, si dhe t'i zhvillojë aktivitet e tij gjatë kohës së lirë, si: të shëtitjet, të luajë në park ose te notojë në dete, liqene a lumenj të pastër.
Nga ajo që ne e analizuam më lart rreth ndotjes se mjedisit kuptojmë se shkaktari kryesor i ndotjes dhe shkatërrimit të mjedisit, me vetëdije apo pa vetëdije, është vetë njeriu. Gjithashtu kuptojmë se mjedisi i pastër është shumë i rëndësishëm për jetën e njeriut, prandaj njeriu duhet t'i kushtojë shumë kujdes dhe ta ruajë atë nga shkatërrimi dhe ndotja.
Në Kuran Zoti xh.sh., na tregon se njeriu me veprat e tij është shkaktar i ndotjes dhe shkatërrimit të mjedisit. Gjithashtu Zoti xh.sh., na thërret që ta ruajnë mjedisin jetësor, duke u tërhequr nga të këqijat që ne ia shkaktojmë me veprimtarinë tonë.
Për këtë Zoti xh.sh., në Kuran thotë: "Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, në tokë e në det janë shfaqur të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Rum, 41).
_____________________
(1) httpz//keecorganisation.com/tmp/images/stories/pdf/MbrojtjaMjedisit.pdf shikuar më 01.06.2015.
(2) Po aty.
(3) Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Edukimi dhe ndërgjegjësimi mjedisor, Prishtinë, 2009, f. 4 - 5.
(4) Dr.Sc. Ibrahim Ramadani, Mbrojtja e Mjedisit, Ligjërata, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë 2007.
(5) http: //www. Arnmk-rks.net/?page=1,7,199 shikuar me 05.06.2015.
(6) http://keecorganisation.com/tmp/images/stories/pdf/MbrojtjaMjedisit.pdf shikuar më 01.06.2015.
(7) Dr. sc. Ibrahim Ramadani, Mbrojtja e Mjedisit, Ligjërata, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë 2007.
(8) Leiv Mjeldheim, Solvi Lillejord, Erik Solvbergr, SPEKTRI, Shtëpia Botuese Rozafa, Prishtinë 2006, t 184 - 185.
(9) Dr. sc. Romeo Hanxhari, Zhvillimi i qëndrueshëm, Leksione, Tiranë 2011.
Mr. Artan S.Mehmeti