Ymeti Islam ka identitetin e vet , nga i cili identifikohet dhe të parët punuan dhe sakrifikuan shumë për të. Omeri, me intuitën e vet, la gjurma të pashlyeshme. Në rrugën e Islamit ai vendosi shumë shenja identiteti që ngritën Ymetin. Një ndërmarrje e tillë i atribuohet vetë atij, ngase në përpjekjen për fillimin e një periudhe kalendarike që do të identifikonte Ymetin e ri, qëllimisht mori si pikënisje hixhretin e Pejgamberit a.s..
Urtësia me ngjyra vahji
Personaliteti i Muhamedit a.s. na mbanë afër gjithmonë. Edhe atëherë kur nuk jemi pranë njëri tjetrit, mësimet e tij na bëjnë të përgjegjshëm që të përjetojmë dashurinë dhe respektin për të tjerët. Ne i ngjajmë një ndërtimi struktura e të cilit lidhet fort, për tëbërë një godinë shumë madhështore. Ndërkaq,në kujtimin e hixhretit, kjo ndjenjë na ngroh shpirtin edhe më tepër, ngase të gjithë na ngrohë dashuria për të mësuar nga rrugëtimi i tij, shtegtimi nga Meka në Medinë.
Nuk ka dyshim se ai për ne është mësimi më i mirë, dhe paraqet shëmbëlltyrën më të lartë në të gjitha segmentet e jetës. Në vija të ngushta dhe të gjera, ecuria e jetës së tij pasqyron modelin më shembullor, të cilin e ka bërë ligj Allahu.
Veprimet e tij përmbajnë urtësinë me ngjyra vahji, që para nesh paraqiten shumë të qarta dhe objektive. Me një meditim më të thukët, ato mund të lexohen dhe të shihen si një hartë rruge, ku besimtari prehet duke mësuar nga urtësia e Shpalljes që udhëzoi Pejgamberin a.s.. Për të gjithë ata që e njohin Pejgamberin a.s, është e qartë se rruga e davetit të tij është e mbushur me mësime dhe këshilla nga më të mirat. Ngjarje që nuk përsëriten në historinë njerëzore. Ndodhi që ndërruan rrjedhën e historisë. Umet që lindi duke u ndërtuar mbi parime të shëndosha, baza mbi të cilat synohet realizimi i obligimeve ndaj Allahut dhe që njeriut t’i japë pozitën e merituar.
Në përkujtimin e Hixhretit
Në këtë përkujtim, kur po shkruajmë rreth Hixhretit të Pejgamberit a.s., në mendje na sillen shumë ndjenja dhe kujtime që, me mall e dashuri, na lidhin me Pejgamberin a.s.. Të kujtojmë ty, o i dërguar i Allahut, mundin dhe vuajtjet e tua, por me shumë rezerva ndaj vetes sonë! A jemi duke u përpjekur që nga mundi yt së paku të nxjerrim mësime, dhe ato të jenë
udhëzues i jetës sonë? Ndoshta shumëkush prej nesh kënaqet duke lexuar tregimin mbi Hixhretin, duke e parë atë si një rrugëtim të rëndomtë pa zgjuar ndonjë interesim të veçantë. Kështu, në jetën tonë kalojnë sa përvjetorë e përgjegjësia ndaj Hixhretit kurrsesi nuk po troket në ndërgjegjen tonë. Në këtë shkrim e shoh të udhës të ndalem në disa refleksione te Hixhretit, me synimin që të sjell në kujtesë atë që keni dëgjuar sa herë më parë.
Sprovat e pejgamberëve
Ata që më së shumti u sprovuan në rrugën e Allahut, ishin të dërguarit e Tij. Nuhu a.s., së bashku me atë tufë besimtarësh, bëri një hixhret nga më të veçantët. Ndërtoi anijen në tokën e thatë të shkretëtirës, që të bëhej gati për udhëtimin mbi ujin që kishte vërshuar tokën. Anija e Nuhut lundroi së bashku me besimtarët. Me ndihmën e Allahut dhe mrekullitë e Tij, çështja e besimit në Një të vetmin Allah, duhej të arrinte në një vend të sigurt. Ibrahimi, që njihet si babai pejgamberëve, ishte ballafaquar me idhujtarinë dhe përjetoi sprova të ndryshme. Në një periudhë të caktuar u detyrua të largohej nga Babilonia, ngase situata ishte e papërballueshme. Kaloi në viset e Shamit, gjegjësisht në Palestinën e sotme, të cilën e bëri qendër të thirrjes për besimin në Njëshmërinë e Allahut. Me gjithë lëvizjet në vendet përreth, vazhdoi të mbetej në Palestinë duke mos u kthyer më në vendlindjen e vet. Diçka e ngjashme i ndodhi edhe Musait a.s., i cili iku nga dhuna që ushtronte Faraoni me tiranët e vet. Në një formë a tjetër, të gjithë pejgamberët, u ballafaquan me migrimin si rrugë e largimit nga e keqja, me synimin e realizimit të direktivave të besimit në një Zot.
Mendo për alternativën tjetër
Hixhreti i Pejgamberit a.s. ishte i ngjashëm me hixhrete të pejgamberëve të mëparshëm dhe erdhi si produkt i rrethanave të krijuara në kohën kur shteruan të gjitha mundësitë për zgjidhje të tjera. Muhamedi a.s. shpenzoi tërë mundin e vet duke u munduar ta bënte të qartë thirrjen islame. I bëri sabër gjithë asaj dhune që ushtrohej pamëshirshëm mbi besimtarët. Izolimi dhe sanksionet ishin bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Refuzimi vetëm sa kishte betonuar qëndrimin e tyre. Në këtë situatë, mendoi të dilte jashtë Mekës, ndoshta të tjerët do ta pranonin më lehtë dhe do t’i përgjigjeshin thirrjes së tij. Kërkonte një vatër besimi, ku do të shtronte thirrjen për besimin në Allahun. Megjithatë, populli i Taifit nuk e pranuan. Përkundrazi, u sollën keq dhe e trajtuan e refuzuan në mënyrë të dhunshme, aq sa reagimi i tyre la gjurmë të pashlyera në jetën e Pejgamberit a.s.. Me gjithë refuzimin dhe ngushtimin e hapësirës për veprim, rruga e përhapjes së Islamit nuk mund të ndalej. Duhej të hulumtoheshin shtigje të reja, që të krijoheshin
kushte të favorshme për jetësimin e misionit islam. Sido qoftë, dhe në çdo situatë e me çdo çmim, Islami do të vazhdonte rrugën e vet. Hixhreti ishte rruga e daljes nga kjo situatë, por paraprakisht duheshin harxhuar mundësitë e kërkimit të zgjidhjes brenda Mekës. Pejgamberi a.s., edhe në rrethana të tilla, donte të realizonte thirrjen islame ndër banorët mekas,
në të kundërtën, rruga e hixhretit paraqiste alternativën tjetër, të cilën Pejgamberi a.s. do ta merrte në kohën e duhur. Gjithsesi, ai donte
të shteronte mundësinë e qëndrimit në Mekë. Vullneti i Allahut ishte mbi të gjitha, prandaj ai priste urdhrin e Tij.
Bëje atë që është në përgjegjësinë tënde
Edhe hixhreti është një mrekulli, por e një lloji pak më ndryshe. Nuk ka dyshim se ndihma e Allahut dhe kujdesi i Tij ishte gjithmonë me të, por, gjithsesi, shtegu i hixhretit kishte diçka të veçantë. Ishte në mundësinë e Allahut t’i krijonte pejgamberit të Tij shumë lehtësira dhe në një kohë të kalonte nga Meka në Medinë, apo, t’i garantonte rrugëtimin dhe ai të ndihej shumë i lirë, por, objektivisht, kjo nuk ndodhi! Pejgamberi a.s. e projektoi vetë atë udhëtim, ndërmori masat e duhura të sigurisë, në mënyrë që daljen e tij të mos e merrte vesh askush. Edhe më herët, në mënyrë të tërthortë kishte lajmëruar Ebu Bekrin për mundësinë e bashkudhëtimit. Ebu Bekri kishte blerë dy deve të majme dhe i ushqente në stallën e tij, që të tjerët të mos kuptonin mundësinë dhe mjetet e daljes. Pejgamberi a.s. doli fshehurazi, në terrin e natës, dhe mori drejtimin e kundërt nga rruga e Medinës, ngase, mendonte se pabesimtarët do t’i shkonin pas, rrugës së zakonshme. Jo larg nga Meka, në dalje, u fsheh në shpellë dhe aty qëndroi për tri ditë, ku, përmes sistemit të sigurisë që kishin përgatitur më herët, mbanin lidhje vazhdimisht. Pasi kishin nevojë angazhuan një udhëheqës rruge, i cili do të ishte me ta deri në Medinë. Duke lexuar për hixhretin mendja të thotë: Pse fuqia e Allahut nuk e barti nga Meka në Medinë për një çast, dhe të ndodhte mrekullia ashtu siç ngjau me Isran dhe Miraxhin?! Sa e keqkuptojnë njerëzit këtë Islam dhe sa koncept të gabuar kemi mbi perceptimin e të qenit mysliman! Dikush mendon se një fakt i tillë është i mjaftueshëm, që Allahu të na ndihmojë, dhe gjithçka të na vijë e gatshme pa lodhje dhe pa mund. Besoj se ky është një devijim nga koncepti i shëndoshë mbi Islamin. A mos keni lexuar në ndonjë ajet të Kuranit ku të kishte thënë Allahu: O besimtarë uluni, rrini, rehatohuni, mos punoni e mos u angazhoni, mos u lodhni, e mos u mundoni, sepse ju jeni besimtarë? Jo, jo kurrsesi. Në të gjitha thirrjet e Kuranit gjejmë të kundërtën, por ne sikur nuk jemi të vetëdijshëm për këto fakte. A nuk e kemi shembullin më të mirë në Pejgamberin tonë? Si veproi ai në të gjitha situata? A nuk shohim sa u angazhua që rruga e Hixhretit të ishte e suksesshme, sa sakrifikoi dhe derdhi gjithë mundin e tij njerëzor duke bërë atë që ishte në mundësinë e tij.
Hixhreti dhe imani
Të gjitha ngjarjet me rëndësi në jetën e Pejgamberit a.s., kanë pasuar zbritjen e ndonjë sureje apo ajeteve specifike. Këtë realitet nuk e gjejmë në rastin e hixhretit, a thua pse? Muhamed El Gazali, njëri nga dijetarët bashkëkohorë, që vdiq para disa vitesh, thotë se kjo i atribuohet madhështisë së hixhretit, i cili ka merituar të përmendet në disa sure, ngase ka qenë një veprim që ka zgjatur për disa vite, prandaj edhe është përmendur sistematikisht dhe gjithmonë i ka paraprirë ndjenja e imanit.
Pra, kemi të bëjmë me një tregim të qëllimshëm. Ishte e domosdoshme të shoqërohej me imanin, ngase mund të bëhej vetëm mbi një bazë të tillë. Njerëz që sakrifikuan familjen, pasurinë, vendlindjen dhe shumë interesa të kësaj bote, për të arritur kënaqësinë e Allahut. Përjetuan
gjithë këto sakrifica pasi atëherë më kishin shijuar ëmbëlsinë e imanit. Ata kishin jetësuar hadithi e Pejgamberit a.s., ku thuhet: ”Asnjëri nga ju nuk ka besuar sinqerisht derisa unë të mos jem më i dashur për të se prindërit e tij, fëmijët dhe gjithë njerëzia”. Vlera e imanit të tyre peshonte më rëndë edhe sfidat e mundshme në rrugën e hixhretit.
Sakrifica e duhur
Hixhreti ngërthen në vete thellësinë strategjike të veprimit, kur duheshin ndërmarrë patjetër masat e duhura për të arritur qëllimin e caktuar. Islami duhej vendosur në baza të shëndosha edhe nëse kjo kërkonte një vend të ri, shoqëri të re, sakrifica shtesë e të tjera. Besimtarët kishin provuar në grupe më të vogla rrugën e hixhretit edhe më herët, kur, duke kërkuar një jetë më të qetë dhe pushtet të rehatshëm shkuan deri në Abisini. Kishin përjetuar shumë vuajtje, por jetësimi i misionit islam ishte mbi të gjitha dhe për këtë askush nuk kursente asgjë.
Puno, do të vilen frytet e mundit tënd
Veprimet e besimtarëve nuk luhateshin nga faktorë të frikës dhe dështimit të mundshëm. Ata lexonin vazhdimisht ajetet e Kuranit, ku Allahu u premton fitore dhe ngritje të flamurit të tyre, dhe se Islami do të stabilizohet dhe do të shtrojë sundimin, por joshja e tyre kishte të bënte me Ahiretin, Xhenetin dhe shpërblimet që Allahu ka përgatitur për besimtarët. Njeriu duhet të punojë dhe të angazhohet për të mirën e, nëse nuk i vjel frytet e saj në këtë botë, sigurisht që synimi i tij është Ahireti. Të gjithë ata që bënë hixhretin, nuk shijuan frytet e tij, sepse kaluan në Ahiret, por gjithsesi dhanë mundin e tyre duke çuar amanetin në vend për aq kohë sa jetuan. Mundi i atij që punon, nuk shkon huq, sepse atë e paguan Allahu. Kjo ishte akideja e Hixhretit dhe thellësisë strategjike të veprimit. Hapa të sigurt drejt një caku të qëllimshëm.
Hixhreti tregues identiteti
Ymeti Islam ka identitetin e vet , nga i cili identifikohet dhe të parët punuan dhe sakrifikuan shumë për të. Omeri, me intuitën e vet, la gjurma të pashlyeshme. Në rrugën e Islamit ai vendosi shumë shenja identiteti që ngritën Ymetin. Një ndërmarrje e tillë i atribuohet vetë atij, ngase në përpjekjen për fillimin e një periudhe kalendarike që do të identifikonte Ymetin e ri, qëllimisht mori si pikënisje hixhretin e Pejgamberit a.s..
Hixhreti për ne vjen edhe si përgjigje ndaj krizës së identitetit islam, me të cilën po ballafaqohemi në shumë raste. Mësimet eHixhretit e bëjnë Ymetin islam të ngrihet në nivelin e përgjegjësisë për të mos rënë viktimë e faktorëve të kohës, të cilët po na shtrydhin në mënyra të ndryshme. Besimi në Islamin nuk nënkupton vetëm të qenët pjesëtar i tij por kërkon islamizimin e jetës dhe ndërtimin e saj mbi parimet e besimit. Besa për pasimin e Pejgamberit a.s. kërkon leximin e mësimin e tij, si në teori, ashtu edhe në praktikë. Tek ai kemi shembullin më të mirë dhe burimin e pashtershëm për një energji pozitive, e cila shëron sëmundjet e Ymetit. Kjo është specifike edhe për shoqërinë tonë, dhe në përgjithësi myslimanët, të cilët kanë nevojë të pinë vazhdimisht nga kroi i urtësisë sëPejgamberit a.s. dhe ngjarjet e tij, ndër to edhe nga Hixhreti si një nga ndodhitë më madhore, që ishte pikënisje për ndryshimin e faqes së dheut drejt jetësimit të një sistemi unik në të gjitha aspektet e jetës.
Ndodhitë e tilla të mos i marrim vetëm si tregime të mira, me leximin e të cilave kalojmë momente të këndshme, po t’i kuptojmë si faktorë që domosdoshmërish janë bazë për ndryshimin e realitetit tonë dhe pozitës shoqërore në të cilën po jetojmë.
Prof. asc. Dr. Sulejman Osmani